Mësime të Presidentëve
Kapitulli 1: Urdhërimi i Madh – Duaje Zotin


Kapitulli 1

Urdhërimi i Madh – Duaje Zotin

“Kur ne e vendosim Perëndinë të parin, gjithë gjërat e tjera zënë vendin e duhur ose largohen nga jeta jonë.”

Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit

Jeta e Presidentit Ezra Taft Benson pasqyroi dashurinë e tij për Zotin dhe zotimin e tij besnik për të jetuar ungjillin. Një anëtar i familjes së tij të zgjeruar tha një herë: “Për Ezrën dhe familjen e tij, feja është një mënyrë e plotë jetese – diçka që duhet të jetohet shtatë ditë në javë. Ajo zë vendin e parë në mendimin e tij kur është çasti për të marrë vendime.”1

Edhe njerëzit jashtë familjes Benson e vunë re dashurinë e Presidentit Benson për Zotin. Në 1939-ën, kur Presidenti Benson po shërbente si president kunji, u ftua në Uashington, D.K. për t’u takuar me drejtorët e Këshillit Kombëtar të Kooperativave të Fermerëve. “Pasi e shqyrtuan dhe e pyetën, bordi i drejtuesve i ofroi atij postin e sekretarit ekzekutiv të asaj organizate. … Edhe pse u emocionua nga kjo ofertë e papritur për shërbimet e tij, ai nuk deshi ta pranonte. Siç e kuptoi, puna do të përfshinte lobime ku përdoreshin pije alkoolike, gjë që nuk do të përputhej me fenë e tij.

‘Z. Benson’, u përgjigj Gjyqtari Xhon D. Miller, kryetari i grupit, ‘kjo është arsyeja përse ju zgjodhëm ju. Ne e dimë se cilat janë standardet tuaja.’ Me garanci të plotë nga bordi se nuk pritej prej tij të përpiqej t’i kuptonte problemet e bujqësisë me gota kokteji, ai ishte i kënaqur ta pranonte postin, por vetëm pas konsultimit me Presidencën e Parë dhe bashkëshorten e tij.”2

Presidenti Benson dha mësim se ne e shfaqim dashurinë tonë për Zotin përmes gatishmërisë tonë për të bërë vullnetin e Zotit. Ai tha: “Unë dëshiroj që çdo shenjtor i ditëve të mëvonshme të mund ta thotë dhe mendojë atë me gjithë zemrën e tij: ‘Do shkoj ku ti do që të shkoj. Do them çfar’ ti do që un’ të them. Do jem çfar’ ti do që të jem’ [shih Himne dhe Këngë të Fëmijëve, “Do të Shkoj ku Ti Do që të Shkoj”, f. 46]. Nëse ne të gjithë mund ta bëjmë këtë, ne do të sigurohemi për maksimumin e lumturisë këtu dhe ekzaltimin në mbretërinë çelestiale të Perëndisë në të ardhmen.”3

Në një predikim në konferencën e përgjithshme në prill të 1988-ës – predikim mbi të cilin mbështetet ky kapitull – Presidenti Benson u përqendrua tek urdhërimi i parë dhe i madh: dashuria për Perëndinë. Lidhur me këtë predikim, Plaku Frensis M. Gibons, i Të Shtatëdhjetëve, vërejti: “Gjithçka për të cilën Presidenti Ezra Taft Benson punoi, gjithçka që përfaqësoi dhe gjithçka që shpresoi –për veten, për familjen e tij dhe për Kishën – është e përfshirë në këtë predikim.”4

Jesus Christ depicted in red and black robes. Christ is talking to a rich young man. Christ has His arms extended as He gestures toward a poorly dressed man and woman. The painting depicts the event wherein Christ was approached by a young man who inquired of Christ what he should do to gain eternal life. Christ instructed him to obey the commandments and to give his wealth to the poor and follow Him. The young man was unable to part with his wealth and went away sorrowfully. (Matthew 19:16-26) (Mark 10:17-27) (Luke 18:18-27)

Sikurse Shpëtimtari i mësoi të riut pasanik, ne e tregojmë dashurinë tonë për Zotin kur ndihmojmë njerëz të tjerë (shih Mateu 19:16–21).

Mësime të Ezra Taft Bensonit

1

Urdhërimi i parë dhe i madh është të duash Zotin.

Prova e madhe e jetës është bindja ndaj Perëndisë. “Dhe ne do t’i provojmë me këtë”, tha Zoti, “për të parë nëse ata do t’i bëjnë të gjitha gjërat që Zoti, Perëndia i tyre, do t’i urdhërojë” (Abrahami 3:25).

Detyra e madhe e jetës është të mësosh vullnetin e Zotit dhe pastaj ta bësh atë.

Urdhërimi i madh i jetës është të duash Zotin.

“Ejani te Krishti,” udhëzon Moroni në dëshminë e tij përmbyllëse, “… dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj” (Moroni 10:32).

Ky është, pra, urdhërimi i parë dhe i madh: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde” (Marku 12:30; shih edhe Mateu 22:37; Ligji i Përtërirë 6:5; Lluka 10:27; Moroni 10:32; DeB 59:5).

Është dashuria e pastër e Krishtit, që quhet dashuri hyjnore, që Libri i Mormonit dëshmon se është dashuria më e madhe nga të gjitha — që nuk dështon kurrë, që nuk ka mbarim, që të gjithë njerëzit duhet ta kenë dhe pa të cilën ata nuk janë asgjë (shih Moroni 7:44–47; 2 Nefi 26:30).

“Prandaj, vëllezër të mi të dashur”, lutet Moroni, “lutiuni Atit me gjithë fuqinë e zemrës suaj, që të mbusheni me këtë dashuri që ai ua jep të gjithë atyre që janë pasues të vërtetë të Birit të tij Jezu Krisht; që ju të mund të bëheni bijtë e Perëndisë; që kur ai të shfaqet, ne të jemi si ai” (Moroni 7:48).

Në rrëfimet përmbyllëse të jareditëve si dhe të nefitëve, Moroni shënon se nëse njerëzit nuk do ta kenë këtë dashuri të pastër të Krishtit, që quhet dashuri hyjnore, ata nuk mund ta trashëgojnë atë vend që Krishti ka përgatitur në pallatet e Atit të Tij dhe as do të mund të shpëtohen në mbretërinë e Perëndisë (shih Ethëri 12:34; Moroni 10:21).

Fruti, nga i cili mori Lehi në vegimin e tij dhe që e mbushi shpirtin e tij me gëzim tejet të madh dhe që ishte shumë i dëshirueshëm mbi të gjitha gjërat, ishte dashuria e Perëndisë.5

Kur mendoj për dashurinë hyjnore, mendoj … për babanë tim dhe ditën kur ai u thirr në misionin e tij [shih faqet 5-7 në këtë libër]. E marr me mend se disa njerëz në botë mund të thonë se pranimi i asaj thirrjeje ishte vërtetim i asaj se ai nuk e donte me të vërtetë familjen e tij. Të lësh vetëm në shtëpi shtatë fëmijë dhe një bashkëshorte shtatzënë për dy vjet, si mund të ishte ajo dashuri e vërtetë? Por babai im dinte një këndvështrim më të gjerë të dashurisë. Ai e dinte se “të gjitha gjërat bashkëveprojnë për të mirë për ata që e duan Perëndinë” (Romakëve 8:28). Ai e dinte se gjëja më e mirë që mund të bënte për familjen e tij ishte t’i bindej Perëndisë.6

Për ta dashur Perëndinë me gjithë zemrën, shpirtin, mendjen dhe forcën tënde kërkohet gjithçka. Ajo nuk është një përpjekje e lehtë. Është një angazhim i përgjithshëm i vetë qenies sonë – fizikisht, mendërisht, emocionalisht dhe shpirtërisht – ta duash Zotin.

Gjerësia, thellësia dhe lartësia e kësaj dashurie për Perëndinë shtrihet në çdo aspekt të jetës së njeriut. Dëshirat tona, qofshin shpirtërore apo materiale, duhet të vijnë nga dashuria për Zotin. Mendimet tona dhe dashuria jonë duhet të përqendrohen te Zoti. “Le të jenë të gjitha mendimet e tua të drejtuara te Zoti,” tha Alma, “po, le të jetë dashuria e zemrës sate e vendosur përgjithnjë te Zoti” (Alma 37:36).7

2

Ne e tregojmë dashurinë tonë për Perëndinë kur e vendosim Atë të parin në jetën tonë.

Përse Perëndia e vuri të parin urdhërimin e parë? Sepse Ai e dinte që nëse ne vërtet do ta donim Atë, ne do të donim t’i mbanim të gjitha urdhërimet e Tij të tjera. “Sepse kjo është dashuria e Perëndisë,” thotë Gjoni, “që ne të zbatojmë urdhërimet e tij” (1 Gjoni 5:3; shih edhe 2 Gjoni 1:6).

Ne duhet ta vëmë Perëndinë në krye të gjithçkaje tjetër në jetën tonë. Ai duhet të vijë i pari, pikërisht siç Ai deklaron në të parin e Dhjetë Urdhërimeve të Tij: “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje” (Eksodi 20:3).

Kur ne e vendosim Perëndinë të parin, gjithë gjërat e tjera zënë vendin e duhur ose largohen nga jeta jonë. Dashuria jonë për Zotin do të drejtojë shpalljet e dashurisë sonë, kërkesat e kohës sonë, interesat që ndjekim dhe rendin e përparësive tona.

Ne duhet ta vëmë Perëndinë përpara kujtdo tjetër në jetën tonë.

Kur Jozefi ishte në Egjipt, kush ishte i pari në jetën e tij –Perëndia, puna e tij apo bashkëshortja e Potifarit? Kur ajo u përpoq ta joshte, ai u përgjigj duke thënë: “Si mund ta bëj unë këtë të keqe të madhe dhe të kryej një mëkat kundër Perëndisë?” (Zanafilla 39:9).

Jozefi hyri në burg pasi vuri Perëndinë të parin. Nëse do të përballeshim me një zgjedhje të ngjashme, ku do ta vendosnim ne besnikërinë tonë të parë? A mund ta vendosim Perëndinë përpara sigurisë, paqes, dëshirave, shëndetit dhe nderimeve të njerëzve?

Kur Jozefi u detyrua të zgjidhte, ai kishte ankth më të madh të kënaqte Perëndinë sesa gruan e punëdhënësit. Kur na kërkohet të zgjedhim, a kemi më shumë ankth të kënaqim Perëndinë sesa shefin tonë, mësuesin tonë, fqinjin tonë, apo personin me të cilin dalim në takime?

Joseph of Egypt in prison.

Jozefi i Egjiptit ishte i gatshëm të shkonte në burg në vend që të shkelte besnikërinë ndaj Perëndisë.

Zoti tha: “Ai që e do të atin ose nënën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua; dhe ai që e do birin ose bijën më shumë se unë, nuk është i denjë për mua” (Mateu 10:37). Një nga provat më të vështira prej të gjithave është kur ju duhet të zgjidhni midis kënaqjes së Perëndisë apo kënaqjes së dikujt që e doni apo respektoni – veçanërisht një pjesëtari të familjes.

Nefi u përball me atë provë dhe e trajtoi mirë kur babai i tij i mirë pëshpëriti përkohësisht kundër Zotit (shih 1 Nefi 16:18–25). Jobi e ruajti ndershmërinë e tij me Zotin edhe pse bashkëshortja e tij i tha që ta mallkonte Perëndinë dhe të vdiste (shih Jobi 2:9–10).

Shkrimi i shenjtë thotë: “Do të nderosh atin tënd dhe nënën tënde” (Eksodi 20:12; shih edhe Mosia 13:20). Ndonjëherë njeriu duhet të zgjedhë të nderojë Atin Qiellor përpara atit tokësor.

Ne duhet t’i japim Perëndisë, Atit të shpirtit tonë, epërsi të veçantë në jetën tonë. Ai ka një të drejtë parësore prindërore mbi mirëqenien tonë të përjetshme, përpara të gjitha lidhjeve të tjera që mund të na lidhin këtu apo në amshim.

Perëndia, Ati ynë; Jezusi, Vëllai ynë i Madh e Shëlbuesi ynë; dhe Fryma e Shenjtë, Dëshmitari, janë të përsosur. Ata na njohin më mirë dhe na duan më shumë dhe nuk do të lënë asgjë pa bërë për mirëqenien tonë të përjetshme. A nuk duhet t’i duam ata për këtë dhe t’i nderojmë ata së pari?

Ka anëtarë besnikë që iu bashkuan Kishës me gjithë kundërshtimet e të afërmve të tyre të vdekshëm. Duke vënë Perëndinë të parin, shumë [shenjtorë] më vonë u bënë mjete për t’i udhëhequr ata njerëz të dashur në mbretërinë e Perëndisë.

Jezusi tha: “Bëj vazhdimisht gjërat që i pëlqejnë [Perëndisë]” (Gjoni 8:29).

Cila është gjendja në shtëpitë tona? A po përpiqemi ta vendosim Zotin të parin dhe ta kënaqim Atë?

Etër, a do të kënaqej Zoti po të kishte lutje dhe lexim të përditshëm familjar të shkrimeve të shenjta në shtëpitë tuaja? Po nga mbajtja e mbrëmjeve familjare çdo javë dhe herë pas herë të kaluarit e kohës më vete me gruan tuaj dhe me secilin fëmijë? Dhe nëse fëmija juaj do të shkonte përkohësisht në rrugë të gabuar, a mendoni se do të kënaqej Zotin dhe Ai do t’i vlerësonte përpjekjet tuaja po të vazhdonit të bënit jetë shembullore, të luteshit vazhdimisht dhe të agjëronit rregullisht për atë fëmijë dhe do ta mbante emrin e atij biri apo bije në listën e lutjeve në tempull?

Ju nëna, që jeni posaçërisht të ngarkuara me rritjen drejtë të rinisë së Sionit, a nuk po e vini Perëndinë të parin kur e nderoni thirrjen tuaj hyjnore? … Nënat tona e vënë Perëndinë të parin kur plotësojnë misionin e tyre më të lartë brenda mureve të vetë shtëpisë së tyre.

Fëmijë, a luteni për prindërit tuaj? A përpiqeni t’i mbështetni ata në përpjekjet e tyre fisnike? Ata do të bëjnë gabime, si ju, por ata kanë një mision hyjnor për të plotësuar në jetën tuaj. A do t’i ndihmoni ta kryejnë atë mision? A do t’i shtoni nder emrit të tyre dhe të sillni qetësi e mbështetje për ta në vitet e tyre të përparuara?

Nëse dikush dëshiron të martohet me ju jashtë tempullit, cilin do të përpiqeni të kënaqni – Perëndinë apo një të vdekshëm? Nëse këmbëngulni për martesë tempulli, ju do të jeni duke e kënaqur Zotin dhe duke bekuar palën tjetër. Përse? Ngaqë ai person ose do të bëhet i denjë për të shkuar në tempull – që do të jetë një bekim – ose do të largohet – që gjithashtu mund të jetë një bekim – sepse asnjë nga ju nuk duhet të dojë të hyjë i pabarabartë në zgjedhë (shih 2 Korintasve 6:14).

Ju duhet të kualifikoheni për në tempull. Atëherë do të dini se nuk ka asnjë mjaftueshëm të mirë me të cilin të martoheni jashtë tempullit. Nëse individë të tillë janë aq të mirë, ata do të arrijnë vetë në një gjendje që edhe ata të mund të martohen në tempull.8

3

Kur zgjedhim ta vëmë Perëndinë të parin në jetën tonë, bekimet e Tij vijnë me bollëk.

Burrat dhe gratë që e kthejnë jetën e tyre nga Perëndia do të zbulojnë se Ai mund të bëjë shumë më tepër sesa ata prej jetës së tyre. Ai do t’i thellojë gëzimet e tyre, do t’u zgjerojë shikimin, do t’u zhdërvjelltësojë mendjet, do të forcojë muskujt, do të lartësojë shpirtrat, do të shumëfishojë bekimet, do të rritë mundësitë, do të ngushëllojë shpirtrat, do të sigurojë miq dhe do të mbushë me paqe. Kushdo që do ta humbasë jetën në shërbim të Perëndisë do të gjejë jetë të përjetshme.9

Perëndia i kërkoi Abrahamit të sakrifikonte Isakun. Nëse Abrahami do ta donte Isakun më shumë sesa Perëndinë, a do të pranonte? Siç Zoti tregon te Doktrina e Besëlidhje, edhe Abrahami edhe Isaku tani qëndrojnë të ulur si perëndi (shih DeB 132:37). Ata qenë të gatshëm të ofronin apo të ofroheshin siç kërkonte Perëndia. Ata kanë një dashuri dhe respekt më të thellë për njëri-tjetrin sepse të dy qenë të gatshëm të vinin Perëndinë të parin.

Libri i Mormonit jep mësim se “është e nevojshme që të ketë një kundërshtim në të gjitha gjërat” (2 Nefi 2:11) – dhe kështu është. Kundërshtimi siguron zgjedhje, dhe zgjedhjet sjellin pasoja – të mira apo të këqija.

Libri i Mormonit shpjegon se njerëzit “janë të lirë të zgjedhin lirinë dhe jetën e përjetshme, nëpërmjet Ndërmjetësit të madh të të gjithë njerëzve, ose të zgjedhin robërinë dhe vdekjen, sipas robërisë dhe fuqisë së djallit” (2 Nefi 2:27).

Perëndia na do; djalli na urren. Perëndia do që ne të kemi plotësinë e gëzimit siç e ka Ai. Djalli do që ne të jemi të mjerë siç është ai. Perëndia na jep urdhërime që të na bekojë. Djalli do që të na bëjë t’i shkelim këto urdhërime për të na mallkuar.

Përditë, vazhdimisht, ne zgjedhim nëpërmjet dëshirave tona, mendimeve tona dhe veprimeve tona nëse duam të jemi të bekuar apo të mallkuar, të lumtur apo të mjerë. Një nga sprovat e jetës është ajo që ne zakonisht nuk marrim menjëherë bekimin e plotë për drejtësinë apo mallkimin e plotë për ligësinë. Që ata do të vijnë është e sigurt, por shpesh ka një periudhë pritjeje që ndodh, siç ishte rasti me Jobin dhe Jozefin.

Ndërkohë të ligjtë mendojnë se nuk do të kenë pasoja. Libri i Mormonit jep mësim se të ligjtë “kanë gëzim në veprat e tyre për një stinë [por] së shpejti vjen fundi dhe ata kositen, dhe hidhen në zjarr, prej nga nuk dalin dot” (3 Nefi 27:11).

Gjatë kësaj kohe sprove të drejtët duhet të vazhdojnë ta duan Perëndinë, t’u besojnë premtimeve të Tij, të jenë të durueshëm dhe të sigurt, siç e tha poeti se, “kush bën punën e Perëndisë do të marrë shpërblimin e Perëndisë”. …

Unë ju dëshmoj se shpërblimi i Perëndisë është shpërblimi më i mirë që njeh kjo botë apo çfarëdo bote tjetër. Dhe ai vjen me bollëk të plotë vetëm tek ata që e duan Zotin dhe e vënë Atë të parin.

Sprova e madhe e jetës është bindja ndaj Perëndisë.

Detyra e madhe e jetës është të mësosh vullnetin e Zotit dhe pastaj ta bësh atë.

Urdhërimi i madh i jetës është: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd, me gjithë mendjen tënde e me gjithë forcën tënde” (Marku 12:30).

Paçim bekimin e Perëndisë që ta vëmë urdhërimin e parë të parin dhe, si pasojë, të marrim paqe në këtë jetë dhe në jetën e përjetshme me plotësi gëzimi në jetën që vjen.10

Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie

Pyetje

  • Në pjesën 1, Presidenti Benson jep mësim rreth “urdhërimi[t të] parë dhe [të] madh” (Mateu 22:38). Përse mendoni se ky urdhërim duhet të vijë i pari për ne? Çfarë këndvështrimesh fitoni nga mënyra se si e lidhi Presidenti Benson dashurinë hyjnore me këtë urdhërim?

  • Çfarë do të thotë për ju ta “vendos[ni] Perëndinë të parin”? (Për disa shembuj, shih pjesënn 2.) Kur keni parë se “gjithë gjërat e tjera zënë vendin e duhur ose largohen nga jeta jonë” kur ne e vendosim Perëndinë të parin?

  • Përsiatini premtimet e Presidentit Benson për ata që “e kthejnë jetën e tyre nga Perëndia” (pjesa 3). Çfarë shembujsh keni parë të njerëzve që e kthejnë jetën e tyre nga Perëndia? Në çfarë mënyrash Perëndia i bëri ata njerëz më të mirë sesa mund të ishin bërë vetë?

Shkrime të Shenjta Përkatëse

Jozueu 24:14–15; Mateu 6:33; 7:21; Gjoni 14:15, 21–24; 17:3; 1 Korintasve 2:9; 1 Nefi 3:7; Moroni 10:32

Ndihmë për Mësimdhënien

“Sigurohuni që të mos besoni se jeni ‘mësuesi i vërtetë’. Ai është një gabim i rëndë. … Jini të kujdesshëm që të mos bëheni pengesë. Roli kryesor i një mësuesi është të përgatitë udhën në mënyrë që njerëzit të kenë një përvojë shpirtërore me Zotin” (Gene R. Cook, cituar te Teaching, No Greater Call [Mësimdhënia, S’Ka Thirrje më të Madhe] [1999], f. 41).

Shënime

  1. Descendants of the George T. Benson Jr. Family (1968), p.b.

  2. Merlo J. Pusey, “Ezra Taft Benson: A Living Witness for Christ”, Improvement Era, prill 1956, f. 269.

  3. The Teachings of Ezra Taft Benson (1988), f. 344.

  4. Francis M. Gibbons, Ezra Taft Benson: Statesman, Patriot, Prophet of God (1996), f. 313.

  5. Në Conference Report, prill 1988, f. 3; shih edhe Ensign, maj 1988, f. 4.

  6. “Godly Characteristics of the Master”, Ensign, nëntor 1986, f. 47–48.

  7. Në Conference Report, prill 1988, f. 3; shih edhe Ensign, maj 1988, f. 4.

  8. Në Conference Report, prill 1988, f. 3–5; shih edhe Ensign, maj 1988, f. 4–6.

  9. “Jesus Christ—Gifts and Expectations”, Ensign, dhjetor 1988, f. 4.

  10. Në Conference Report, prill 1988, f. 5–6; shih edhe Ensign, maj 1988, f. 6; varg nga poema e Denis A. McCarthy sikurse citohet në Ralph S. Cushman, The Message of Stewardship (1922), f. 191.