Kapitulli 24
Një Jetë e Përqendruar te Krishti
“Mënyra më e mirë për ta matur madhështinë e vërtetë është nga fakti se sa të ngjashëm jemi me Krishtin.”
Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit
Presidenti Ezra Taft Benson shpesh citoi këshillën e Shpëtimtarit drejtuar dymbëdhjetë dishepujve nefitë: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni? Në të vërtetë, unë ju them juve, madje siç jam unë” (3 Nefi 27:27).1 Ky parim – nevoja për të qenë më të ngjashëm me Krishtin – ishte një temë e përsëritur në shërbesën e Presidentit Benson, veçanërisht gjatë shërbimit të tij si President i Kuorumit të Dymbëdhjetë Apostujve dhe si President i Kishës.
Ngaqë ia kishte përkushtuar jetën e tij shërbimit ndaj Zotit, Presidenti Benson foli me fuqi dhe bindje kur tha fjalët vijuese të dëshmisë:
“Unë ju dëshmoj se nuk ka sfidë më të madhërishme, më emocionuese dhe më fisnikëruese për shpirtin, sesa të përpiqeni të mësoni për Krishtin dhe të ecni në hapat e Tij. Modeli ynë, Jezu Krishti, eci në këtë tokë si ‘Shembulli’. Ai është Mbrojtësi ynë me Atin. Ai kreu flijimin e madh shlyes që ne të mund të kemi një plotësi të gëzimit dhe të ekzaltohemi në përputhje me hirin e Tij dhe me pendimin dhe drejtësinë tonë. Ai i bëri të gjitha gjërat në mënyrë të përsosur dhe na urdhëron që të jemi të përsosur, po ashtu siç janë të përsosur Ai dhe Ati i Tij. (Shih 3 Nefi 12:48.)
“‘Çfarë do të bënte Jezusi?’ ose ‘Çfarë do të më bënte Ai të bëja?’ janë pyetjet vetjake të pashoqe të kësaj jete. Të ecurit në udhën e Tij është arritja më e madhe e jetës. Ai burrë ose grua është me të vërtetë më i suksesshmi, jeta e të cilit në mënyrën më të afërt ecën paralel me atë të Mësuesit.”2
Ndërkohë që Presidenti Benson i këshilloi shenjtorët ta ndiqnin shembullin e përsosur të Shpëtimtarit, ai i kujtoi ata se mund ta bënin këtë vetëm me ndihmën e Shpëtimtarit. Ai shpalli:
“Unë e di se Zoti jeton. E di se Ai na do. E di se i veçuar prej Tij askush nuk mund të ketë sukses, por si bashkëpunëtor me Të askush nuk mund të dështojë.
Unë e di se Perëndia mund të nxjerrë shumë më tepër dobi nga jeta jonë nga sa mund të nxjerrim ne.
Paçim ne të gjithë kurajën morale nga ky çast e tutje që të përpiqemi në mënyrë më të plotë çdo ditë për të menduar për Krishtin, për të mësuar për Të, për të ecur në hapat e Tij dhe për të bërë atë që Ai do të donte që ne të bënim.”3
Mësime të Ezra Taft Benson
1
Shembulli dhe mësimet e Jezu Krishtit sigurojnë standardin e madhërishëm për tërë njerëzimin.
Dymijë vite më parë një burrë i përsosur eci në tokë: Jezusi, Krishti. Ai ishte biri i një ati qiellor dhe një nëne tokësore. Ai është Perëndia i kësaj bote, nën Atin. Ai u mësoi njerëzve të vërtetën, që ata të mund të jenë të lirë. Shembulli dhe porositë e Tij japin standardin e madhërishëm, udhën e vetme të sigurt, për mbarë njerëzimin.4
Asnjë ndikim tjetër i vetëm nuk ka pasur një efekt kaq të madh mbi këtë tokë sa jeta e Jezusit, Krishtit. Ne nuk mund ta përfytyrojmë jetën tonë pa mësimet e tij. Pa atë ne do të humbnim në një mirazh besimesh dhe adhurimesh, të lindur në frikë dhe errësirë, atje ku gjejnë ndikim gjërat ndjesore dhe materialiste. Ne jemi shumë larg synimit që ai vendosi për ne, por kurrë nuk duhet ta heqim vështrimin prej tij [synimit]; as nuk duhet të harrojmë se ngjitja jonë e madhërishme drejt dritës, drejt përsosjes, nuk do të ishte e mundur përveçse përmes mësimeve të tij, jetës së tij, vdekjes së tij dhe ringjalljes së tij.
… Ne duhet të mësojmë dhe përsëri të mësojmë se vetëm nëpërmjet pranimit dhe të jetuarit të ungjillit të dashurisë, sikurse na u mësua nga Mësuesi, dhe vetëm nëpërmjet bërjes së vullnetit të tij mund t’i thyejmë prangat e paditurisë dhe të dyshimit, që na lidhin. Ne duhet ta mësojmë këtë të vërtetë të thjeshtë, të lavdishme, me qëllim që të mund t’i përjetojmë gëzimet e ëmbla të shpirtit tani dhe përjetësisht. Ne duhet ta humbasim vetveten në bërjen e vullnetit të tij. Ne duhet ta vëmë atë të parin në jetën tonë.5
Në kapitullin e 14-të të Gjonit, Jezusi po u thotë me butësi lamtumirën e fundit dishepujve të tij pas darkës së fundit. Ai u thotë atyre se po shkon të përgatitë një vend për ta në shtëpinë e Atit të tij; se atje ku është ai, ata gjithashtu mund të jenë. Dhe Thomai i thotë atij:
“Zot, ne nuk e dimë se ku po shkon; pra, si mund ta njohim udhën?
Jezusi i tha: ‘Unë jam udha, e vërteta dhe jeta; askush nuk vjen tek Ati përveçse nëpërmjet meje’.” (Gjoni 14:5–6.) Udha shtrihet përpara nesh. Është e shënuar qartësisht.6
2
Ne vijmë te Krishti kur shohim tek Ai në çdo mendim dhe kur u përngjasojmë tipareve të Tij.
Në gjuhën e Librit të Mormonit, ne kemi nevojë të “beso[jmë] në Krisht dhe të mos ta moho[jmë] atë”. (2 Nefi 25:28.) Ne kemi nevojë ta vëmë besimin tonë te Krishti dhe jo në krahun prej mishi. (Shih 2 Nefi 4:34.) Ne kemi nevojë të “[vijmë] te Krishti dhe përsos[emi] në të”. (Moroni 10:32.) Ne kemi nevojë të vijmë “me zemër të thyer dhe me shpirt të penduar” (3 Nefi 12:19), duke qenë të uritur dhe të etur për drejtësi (shih 3 Nefi 12:6). Ne kemi nevojë të vijmë “duke u ushqyer me bollëk mbi fjalën e Krishtit” (2 Nefi 31:20), ndërsa e marrim atë nëpërmjet shkrimeve të Tij të shenjta, të vajosurit të Tij dhe Shpirtit të Tij të Shenjtë.
Shkurtimisht, ne kemi nevojë të ndjekim “shembullin e Birit të Perëndisë së gjallë” (2 Nefi 31:16).7
Zoti tha: “Shihni tek unë në çdo mendim”. (DeB 6:36.) Të shikuarit te Zoti në çdo mendim është e vetmja mënyrë e mundshme që të mund të jemi lloji i burrave dhe grave që duhet të jemi.
Zoti u bëri dishepujve të Tij pyetjen: “Çfarë lloj njerëzish duhet të jeni?” Dhe atëherë Ai iu përgjigj vetë pyetjes së Tij duke thënë: ‘Madje siç jam unë’. (3 Nefi 27:27.) Që të bëhemi si Ai, ne duhet ta kemi Atë në mendjen tonë – vazhdimisht në mendimet tona. Sa herë që marrim sakramentin, ne zotohemi “gjithmonë [ta] kujtoj[më] atë”. (Moroni 4:3; 5:2; DeB 20:77, 79.)
Nëse mendimet na bëjnë çfarë jemi dhe ne duhet të jemi të ngjashëm me Krishtin, atëherë duhet të mendojmë mendime si të Krishtit. Më lejoni ta përsëris atë: Nëse mendimet na bëjnë çfarë jemi dhe ne duhet të jemi të ngjashëm me Krishtin, atëherë duhet të mendojmë mendime si të Krishtit.
… Mendimet tona duhet të jenë për Zotin. Ne duhet të mendojmë për Krishtin.8
Le të pasqyrojnë jeta jonë, shtëpitë tona dhe kryerja e punës sonë karakterin tonë të ngjashëm me Krishtin. Pra jetoni që të tjerët të thonë rreth jush: “Ja ku është një i krishterë i vërtetë!”
Po, ne besojmë te Jezu Krishti, por më tepër – ne shohim tek Ai, ne kemi besim tek Ai dhe përpiqemi t’u përngjasojmë tipareve të Tij.9
Krishti është ideali ynë. Ai është shembulli ynë. … Mënyra më e mirë për ta matur madhështinë e vërtetë është se sa të ngjashëm jemi me Krishtin.10
Të jemi si Shpëtimtari – çfarë sfide për një njeri! Ai është anëtar i Kreut-Perëndi. Ai është Shpëtimtari dhe Shëlbuesi. Ai ishte i përsosur në çdo aspekt të jetës së Tij. Nuk kishte asnjë të metë apo dështim tek Ai. A është e mundur për ne … që të jemi madje siç është Ai? Përgjigjja është po. Jo vetëm që mundemi, por ajo është detyra jonë, përgjegjësia jonë. Ai nuk do të na e jepte atë urdhërim nëse Ai nuk do të donte që ne ta bënim atë [shih Mateu 5:48; 3 Nefi 12:48].
Apostulli Pjetër foli për procesin me anë të të cilit një njeri mund të bëhet pjesëmarrës i “natyrës hyjnore” (2 Pjetrit 1:4). Kjo është e rëndësishme, sepse nëse me të vërtetë bëhemi pjesëmarrës të një natyre hyjnore, ne do të bëhemi si Ai. Le ta shqyrtojmë më nga afër atë që na mëson Pjetri rreth këtij procesi. Ja se çfarë tha ai:
“Edhe ju, për të njëjtën arsye, duke bërë çdo përpjekje, t’i shtoni besimit tuaj virtytin dhe virtytit diturinë,
diturisë vetkontroll, vetkontrollit qëndresën, qëndresës perëndishmërinë,
mëshirës dashurinë vëllazërore dhe dashurisë vëllazërore dashurinë” (2 Pjetrit 1:5–7).
Virtytet e përmendura nga Pjetri janë pjesë e natyrës hyjnore ose e karakterit të Shpëtimtarit. Këto janë virtytet që duhet t’u përngjasojmë, në qoftë se duam të jemi më të ngjashëm me Të. Le të diskutojmë disa prej këtyre tipareve të rëndësishme.
Karakteristika e parë, tek e cila shtohen të gjitha të tjerat, është besimi. Besimi është themeli mbi të cilin ngrihet një karakter i perëndishëm. …
Pjetri vazhdon të thotë se ne duhet t’i shtojmë besimit tonë virtytin. … Sjellja e virtytshme nënkupton që [një njeri] ka mendime të dëlira dhe veprime të ndershme. Ai nuk do të ketë epsh në zemrën e tij, sepse ta bësh këtë është ta “mohojë besimin” dhe ta humbasë Shpirtin (DeB 42:23) – dhe nuk ka asgjë më të rëndësishme në këtë punë sesa Shpirti. …
Virtyti është i afërt me shenjtërinë, një tipar i perëndishmërisë. [Ne] duhet ta kërkojmë me dëshirë atë që është e virtytshme dhe e dashur dhe jo atë që është e turpshme ose e shëmtuar. Virtyti do t’i stolisë mendimet [tona] pa pushim (shih DeB 121:45). Si mund ta kënaqë ndonjë njeri vetveten me ligësitë e pornografisë, përdhosjes apo vulgaritetit dhe ta konsiderojë veten e tij tërësisht të virtytshëm? …
Hapi tjetër që përshkruan Pjetri në procesin e rritjes është t’i shtojmë dituri besimit dhe virtytit tonë. Zoti na ka thënë se “është e pamundur për një njeri të shpëtohet në padituri” (DeB 131:6). Në një vend tjetër Zoti urdhëroi: “Kërkoni nga librat më të mirë fjalët e urtësisë; kërkoni të mësoni, madje me anë të studimit dhe gjithashtu me anë të besimit” (DeB 88:118). … Ndërkohë që studimi i së vërtetës është me vlerë, të vërtetat e shpëtimit janë të vërtetat më të rëndësishme që mund t’i mësojë ndonjë njeri. Pyetja e Zotit, “Ç’përfitim ka njeriu nëse fiton gjithë botën dhe pastaj e humb shpirtin e vet?” (Mateu 16:26) mund të zbatohet ndaj kërkimeve arsimore, si edhe kërkimit të gjërave të botës. Zoti edhe mund të kishte pyetur: “Ç’përfitim ka njeriu nëse mëson gjithçka në botë dhe nuk mëson se si të shpëtohet?” …
Bashkimi i arsimimit tonë shpirtëror me të mësuarin tonë laik do të na ndihmojë të qëndrojmë të përqendruar në gjërat që kanë më shumë rëndësi në këtë jetë. …
Një tjetër tipar i përshkruar nga Pjetri, si pjesë e natyrës hyjnore, është vetëkontrolli. [Një njeri që e kontrollon vetveten] përmbahet në ndjenjat e tij dhe në shprehjet që thotë. Ai i bën gjërat me maturi dhe nuk jepet pas abuzimit. Me një fjalë, ai ka vetëkontroll. Ai është mjeshtri i emocioneve të tij dhe jo e kundërta. …
Vetëkontrollit tonë duhet t’i shtojmë qëndresën. … Qëndresa është një formë tjetër e vetëkontrollit. Është aftësia për ta shtyrë për më vonë vetëkënaqësinë dhe për t’i frenuar pasionet e veta. Në marrëdhëniet e tij me njerëzit e dashur, një njeri i qëndrueshëm nuk përfshihet në sjellje të rrëmbyer, për të cilën më vonë do të brengoset. Qëndresa është vetëpërmbajtja nën stres. Një njeri i qëndrueshëm është i kuptueshëm ndaj fajeve të të tjerëve.
Një njeri i qëndrueshëm gjithashtu e pret Zotin. Ne nganjëherë lexojmë ose dëgjojmë për njerëz që kërkojnë një bekim nga Zoti, të cilët më pas bëhen të paqëndrueshëm kur ai nuk vjen me të shpejtë. Pjesë e natyrës hyjnore është të keni mirëbesim te Zoti, të mjaftueshëm që të “rrini të qetë dhe [të] di[ni] se [ai është] Perëndi” (DeB 101:16).
Një [njeri] që është i qëndrueshëm, do të jetë tolerant ndaj gabimeve dhe dështimeve të njerëzve të tij të dashur. Ngaqë i do ata, ai nuk do të gjejë gabim apo të kritikojë ose fajësojë.
Një tjetër tipar i përmendur nga Pjetri është dashuria vëllazërore. … Një njeri që ka dashuri vëllazërore, është i dhembshur dhe dashamirës me të tjerët. Ai tregon vëmendje ndaj ndjenjave të të tjerëve dhe është i njerëzishëm në sjelljen e tij. Ai ka një natyrë ndihmuese. Dashuria vëllazërore i fal dobësitë dhe fajet e të tjerëve. Dashuria vëllazërore shtrihet ndaj të gjithëve – të moshuarve dhe të rinjve, kafshëve, njerëzve të përulur në gjendjen e tyre, sikurse edhe atyre në një gjendje të ngritur.
Këto janë tiparet e vërteta të natyrës hyjnore. A mund ta shihni se si ne bëhemi më të ngjashëm me Krishtin, ndërkohë që jemi më të virtytshëm, më të dashur, më të qëndrueshëm dhe më në kontroll të ndjenjave tona emocionale?
Apostulli Pal përdori disa shprehje të gjalla për të ilustruar se një anëtar i Kishës duhet të jetë i ndryshëm nga bota. Ai na urdhëroi që të “[veshim] Krishtin” (Galatasve 3:27), që të “zhvishe[mi] … nga njeriu i vjetër” dhe të “vishe[mi] me njeriun e ri” (Efesianëve 4:22, 24).
Virtyti përfundimtar dhe kurorëzues i karakterit hyjnor është dashuria, ose dashuria e pastër e Krishtit (shih Moroni 7:47). Nëse do të kërkonim me të vërtetë të ishim më të ngjashëm me Shpëtimtarin dhe Mësuesin tonë, atëherë të mësuarit që të duam ashtu siç do Ai, duhet të jetë synimi ynë më i lartë. Mormoni e quajti dashurinë “më e madhja e të gjithave” (Moroni 7:46).
Bota sot flet kaq shumë rreth dashurisë dhe ajo kërkohet nga shumë veta. Por dashuria e pastër e Krishtit ndryshon shumë prej asaj që bota mendon për dashurinë. Dashuria hyjnore nuk kërkon kurrë vetëkënaqësi egoiste. Dashuria e pastër e Krishtit kërkon vetëm rritjen e përjetshme dhe gëzimin e të tjerëve. …
Shpëtimtari shpalli se jeta e përjetshme është të njohim të vetmin Perëndi të vërtetë dhe Birin e Tij, Jezu Krishtin (shih Gjoni 17:3). Nëse kjo është e vërtetë dhe unë ju jap dëshminë time solemne se ajo është e vërtetë, atëherë ne duhet të pyetim se si të arrijmë ta njohim Perëndinë. Procesi i të shtuarit të një tipari të perëndishëm te një tjetër, siç përshkruhet nga Pjetri, bëhet çelësi i të fituarit të kësaj diturie që udhëheq drejt jetës së përjetshme. Vëreni re premtimin e Pjetrit, i cili menjëherë e ndjek procesin e përshkruar:
“Sepse nëse këto gjëra gjenden në ju me shumicë, nuk do t’ju lejojnë të bëheni përtacë dhe as të pafryt në njohjen e Zotit tonë Jezu Krisht” (2 Pjetrit 1:8; kursivet e shtuara).
… Unë lutem që këto cilësi dhe tipare të Shpëtimtarit të jenë te ne, me qëllim që kur të qëndrojmë te Gjykimi dhe Ai të na pyesë secilin prej nesh “Çfarë lloj njeriu jeni ju?”, ne mund ta ngremë kokën me mirënjohje e gëzim dhe të përgjigjemi: “Madje siç je ti”.11
3
Shpëtimtari do të na ngushëllojë dhe do të na lartësojë në përpjekjet tona për të qëndruar në shtegun që Ai ka shënuar për ne.
Për aq sa largohemi nga shtegu i shënuar për ne prej Burrit të Galilesë, po aq po dështojmë në ndeshjet tona vetjake. … Po ne nuk jemi pa ndihmën e tij. Herë pas here ai u tha dishepujve të tij dhe ne të gjithëve: “Zemra juaj mos u trondittë. …”
“Në qoftë se do të kërkoni diçka në emrin tim, unë do ta bëj.”
“Nuk do t’ju lë bonjakë. …”
“Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time. …” (Gjoni 14:1, 14, 18, 27.)12
Le t’i kthehemi përsëri Librit të Mormonit … që të mësojmë disa parime rreth ardhjes te Krishti, bërjes të zotuar ndaj Tij, të përqendruar tek Ai dhe të përpirë prej Tij. Ne vërtet do të citojmë veçse pak prej pjesëve të panumërta për temën.
Së pari, ne kemi nevojë të dimë se Krishti na fton të vijmë tek Ai. “Vini re, ai u dërgon gjithë njerëzve një ftesë, pasi krahët e mëshirës janë shtrirë drejt tyre … Po, ai thotë: Ejani tek unë dhe ju do të hani nga fruti i pemës së jetës” (Alma 5:33–34).
Ejani, sepse ai qëndron “krahëhapur për t’ju pranuar ju” (Mormoni 6:17).
Ejani, sepse “ai do t’ju ngushëllojë në pikëllimet tuaja dhe ai do të mbrojë çështjen tuaj” (Jakobi [LiM] 3:1).
“Ejani tek ai dhe dhuroni tërë shpirtrat tuaj si një dhuratë ndaj tij” (Omni 1:26).
Ndërsa Moroni e mbylli analin e qytetërimit jaredit, ai shkroi: “Unë do të doja t’ju këshilloj ta kërkoni këtë Jezus për të cilin kanë shkruar profetët dhe apostujt” (Ethëri 12:41).
Në fjalët e mbylljes së Moronit, të shkruara afër fundit të qytetërimit nefit, ai tha: “Po, ejani te Krishti dhe përsosuni në të … dhe në qoftë se do t’i mohoni vetes çdo ligësi dhe ta doni Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën tuaj, atëherë hiri i tij mjafton për ju” (Moroni 10:32).
Ata që zotohen te Krishti “qëndro[jnë] si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat dhe në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet” që të gjenden, “madje deri në vdekje” (Mosia 18:9). Ata e “mba[jnë] emrin” e Krishtit “gjithmonë të shkruar” në zemrat e tyre (Mosia 5:12). Ata e marrin mbi vete “emrin e Krishtit, duke patur vendosmëri për t’i shërbyer atij deri në fund” (Moroni 6:3).
Kur jetojmë një jetë të përqendruar te Krishti, “ne flasim për Krishtin, ne gëzohemi në Krishtin, ne predikojmë mbi Krishtin” (2 Nefi 25:26). Ne “[marrim] fjalën e këndshme të Perëndisë dhe ushqeh[emi] me bollëk me dashurinë e tij” (Jakobi [LiM] 3:2). Edhe kur shpirti i Nefit u hidhërua për shkak të paudhësive të tij, ai tha: “Unë e di në cilin kam besuar. Perëndia im ka qenë mbështetja ime” (2 Nefi 4:19–20).
Ne e kujtojmë këshillën e Almës: “Le të jenë të gjitha veprimet e tua në Zotin dhe kudo që të shkosh, le të jetë në Zotin; po, le të jenë të gjitha mendimet e tua të drejtuara te Zoti; po, le të jetë dashuria e zemrës sate e vendosur përgjithnjë te Zoti. Këshillohu me Zotin për të gjitha veprimet e tua” (Alma 37:36–37).
“Mbani mend, mbani mend”, tha Helamani, “se është mbi shkëmbin e Shëlbuesit tonë që është Krishti, … që ju duhet të ndërtoni themelin tuaj; që kur djalli të çojë erërat e tij të fuqishme, … [ato] nuk do të ke[në] fuqi mbi ju, që t’ju tërheqin në humnerën e mjerimit dhe të vuajtjes së pafund” (Helamani 5:12).
Nefi tha, Zoti “më ka mbushur me dashurinë e tij deri në tretjen e mishit tim” (2 Nefi 4:21). Ata që treten në Krishtin, “[janë] ringjallur në Krisht[in]” (2 Nefi 25:25). Ata “[nuk] vuanin nga ndonjë pikëllim, por që çdo gjë të përfshihej vetëm në gëzimin për Krishtin” (Alma 31:38). Ata janë “marrë në krahët e Jezusit” (Mormoni 5:11). Nefi tha: “Unë ngazëllehem në Jezusin tim, pasi ai e ka shëlbuar shpirtin tim” (2 Nefi 33:6). Lehi tha: “Unë jam i rrethuar përjetësisht në krahët e dashurisë së tij” (2 Nefi 1:15). …
… Ai njeri i madhërishëm, Mormoni, [i shkroi një] letër birit të tij të dashur, Moronit, me këto fjalë:
“Biri im, ji besnik në Krisht; dhe mos të hidhërofshin gjërat që kam shkruar që të të çojnë deri në vdekje; por Krishti të mund të të ngrejë dhe qëndrofshin në mendjen tënde përherë vuajtjet dhe vdekja e tij dhe shfaqja e trupit të tij etërve tanë, dhe mëshira dhe durimi i tij, dhe shpresa e lavdisë së tij dhe e jetës së përjetshme.
Dhe qoftë e qëndroftë me ty hiri i Perëndisë, Atit, froni i të cilit është lart në qiej dhe Zoti ynë Jezu Krisht, i cili ulet në krahun e djathtë të pushtetit të tij, derisa të gjitha gjërat t’i nënshtrohen atij” (Moroni 9:25–26).
Lutja ime për secilin prej nesh është që edhe ne do ta ndjekim atë këshillë të frymëzuar: “Ji besnik në Krisht”. Atëherë Ai do të na ngrejë dhe hiri i Tij do të jetë dhe do të qëndrojë përherë me ne.13
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Presidenti Benson shpalli: “Asnjë ndikim tjetër i vetëm nuk ka pasur një efekt kaq të madh mbi këtë tokë sa jeta e Jezusit, Krishtit” (pjesa 1). Në cilat mënyra ka pasur jeta e Shpëtimtarit ndikim në tokë? Në cilat mënyra ka ndikuar jeta e Tij te ju?
Si ndryshon jeta jonë kur “mendojmë për Krishtin”? Si lidhen mendimet tona me tiparet tona? Ndërsa e studioni pjesën 2, përsiatni se çfarë mund të bëni për të zhvilluar në mënyrë më të plotë tiparet e ngjashme me Krishtin që përmenden atje.
Si mund të na japin shpresë mësimet në pjesën 3, ndërkohë që përpiqemi të jemi më të ngjashëm me Shpëtimtarin? Si ju ka ndihmuar Shpëtimtari në përpjekjet tuaja për ta ndjekur Atë?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Marku 8:34; Filipianëve 4:13; 1 Gjonit 3:23–24; 2 Nefi 25:23, 26; Mosia 3:19; Alma 7:11–13; Moroni 7:48
Ndihmë për Studimin
“Planifikoni aktivitete studimi që do të ndërtojnë besimin tuaj te Shpëtimtari” (Predikoni Ungjillin Tim [2004], f. 22). Për shembull, ndërsa studioni, ju mund t’i bëni vetes pyetje të tilla si ato që vijojnë: “Si mund të më ndihmojnë këto mësime që ta rrit aftësinë time për të kuptuar Shlyerjen e Jezu Krishtit? Si mund të më ndihmojnë këto mësime që të bëhem më i ngjashëm me Shpëtimtarin?”