Kapitulli 6
Jezu Krishti, Shpëtimtari dhe Shëlbuesi Ynë
“Ne shpallim hyjninë e Jezu Krishtit. E konsiderojmë Atë si të vetmin burim të shpëtimit tonë.”
Nga Jeta e Ezra Taft Bensonit
“Nuk mund të kujtoj ndonjë kohë që nuk besova te Jezu Krishti”, tha Presidenti Ezra Taft Benson. “Duket se vërtetësia e jetës, e vdekjes dhe e ringjalljes së Tij ka qenë përherë një pjesë e imja. Unë u rrita në një shtëpi me prindër besnikë që besonin e dëshmonin me zell për Krishtin, gjë për të cilën jam tepër mirënjohës.”1
Kjo dëshmi për Jezu Krishtin ishte themeli i jetës së Presidentit Benson. Ajo ndikoi në përparësitë e tij, udhëhoqi vendimet e tij dhe e ndihmoi në sprova. Mundësoi këndvështrimin mbi qëllimin e jetës së vdekshme dhe siguri në premtimet dhe bekimet e jetës së përjetshme.
Gjatë shërbesës së tij apostullore si dëshmitar i veçantë i Jezu Krishtit, Presidenti Benson, dha shpesh dëshmi për Shpëtimtarin. Duke e pranuar se “nganjëherë bëhet pyetja: ‘A janë mormonët të krishterë?’” ai dëshmoi:
“Ne shpallim hyjninë e Jezu Krishtit. E konsiderojmë Atë si të vetmin burim të shpëtimit tonë. Ne përpiqemi t’i jetojmë mësimet e Tij dhe e presim me padurim kohën që Ai do të vijë sërish në këtë tokë për të sunduar e mbretëruar si Mbreti i Mbretërve dhe Zoti i Zotërve. Me fjalët e një profeti të Librit të Mormonit, ne themi … : ‘Nuk [ka] asnjë emër tjetër të dhënë, as ndonjë mënyrë tjetër nëpërmjet së cilës shpëtimi mund të vijë te fëmijët e njerëzve, vetëm në dhe nëpërmjet emrit të Krishtit, Zotit të Plotfuqishëm’ (Mosia 3:17).”2
Deklaratat e Presidentit Benson për hyjninë e Jezu Krishtit lidheshin shpesh me Librin e Mormonit.3 “Nëpërmjet Librit të Mormonit Perëndia ka siguruar për kohën tonë një provë të prekshme që Jezusi është Krishti”, tha ai.4 Ai dha mësim se “misioni madhor” i Librit të Mormonit është t’i bindë njerëzit për këtë të vërtetë.5 “Më shumë se gjysma e të gjitha vargjeve të Librit të Mormonit i referohet Zotit tonë”, vërente ai. “Atij i jepen mbi njëqind emra të ndryshëm në Librin e Mormonit. Ato emra kanë një domethënie të posaçme në përshkrimin e natyrës së Tij hyjnore.”6
Dëshmia e Presidentit Benson për Shpëtimtarin zbuloi afërsinë personale që ndiente me Të:
“Me gjithë shpirt e dua Atë.
Përulësisht dëshmoj se Ai është i njëjti Zot i dashur e i dhembshur sot, sikurse kur Ai eci në rrugët me pluhur të Palestinës. Ai është pranë shërbëtorëve të Tij në këtë tokë. Ai kujdeset dhe e do secilin prej nesh sot. Për këtë mund të jeni të bindur.
Ai jeton sot si Zoti ynë, Mjeshtri ynë, Shpëtimtari ynë, Shëlbuesi ynë dhe Perëndia ynë.
Perëndia na bekoftë të gjithëve që të besojmë tek Ai, ta pranojmë Atë, ta adhurojmë Atë, të mirëbesojmë plotësisht tek Ai dhe ta ndjekim Atë.”7
Mësime të Ezra Taft Bensonit
1
Nga dashuria e Tij e pafundme për ne, Jezu Krishti na shëlboi nga vdekja fizike dhe shpirtërore.
Nuk ka as dhe një faktor tjetër të vetëm që të ketë pasur një ndikim kaq të madh në këtë tokë, sa jeta e Jezusit, Krishtit. Nuk mund t’i përfytyrojmë jetët tona pa mësimet e Tij. Pa Të ne do të humbnim në mirazhin e besimeve e të adhurimeve të lindura në frikë dhe terr, ku ndjesorja dhe materialja ruajnë ndikimin. Ne jemi shumë larg synimit që Ai na cakton, por kurrë s’duhet ta heqim nga mendja, as nuk duhet të harrojmë se ngjitja jonë e madhe drejt dritës, drejt përsosjes, nuk do të ishin të mundshme pa mësimet e Tij, jetën e Tij, vdekjen e Tij dhe ringjalljen e Tij.8
Për të pasur njëfarë vlerësimi dhe mirënjohjeje për atë që [Jezu Krishti] kreu për të mirën tonë, duhet të kujtojmë këto të vërteta jetike:
Jezusi erdhi në tokë për të bërë vullnetin e Atit.
Ai erdhi me dijeninë paraprake se do të mbante barrën e mëkateve të të gjithëve ne.
Ai e dinte se do ta ngrinin në kryq.
Ai lindi që të ishte Shpëtimtari dhe Shëlbuesi i gjithë njerëzimit.
Ai qe i aftë ta kryente misionin e Tij ngaqë ishte Biri i Perëndisë dhe zotëronte fuqinë e Perëndisë.
Ai ishte i gatshëm ta kryente misionin e Tij, sepse na do.
Asnjë qenie e vdekshme nuk e kishte fuqinë apo aftësinë që t’i shëlbonte të gjithë të vdekshmit e tjerë nga gjendja e tyre e humbur dhe e rënë, as nuk mundej ndokush tjetër që ta humbte vullnetarisht jetën e me këtë të shkaktonte një ringjallje të përgjithshme për të gjithë të vdekshmit e tjerë.
Vetëm Jezu Krishti ishte i aftë dhe i gatshëm për të kryer një vepër të tillë shëlbuese dashurie.9
Jezu Krishti … erdhi në një kohë të paracaktuar në këtë tokë përmes një të drejte mbretërore lindjeje që ruante perëndishmërinë e Tij. Ndërthurur në natyrën e Tij qenë tiparet njerëzore të nënës së Tij të vdekshme dhe tiparet e fuqitë hyjnore të Atit të Tij të Amshuar.
Trashëgimia e Tij e përveçme e bëri Atë trashëgimtar të titullit të nderuar – Biri i Vetëmlindur i Perëndisë në mish. Si Biri i Perëndisë Ai trashëgoi fuqi dhe inteligjencë që asnjë njeri s’i ka pasur më përpara ose më pas. Ai ishte në plot kuptimin e fjalës Emanueli, që do të thotë “Perëndia me ne”. (Shih Isaia 7:14; Mateu 1:23.)
Ndonëse ishte Bir i Perëndisë i dërguar në tokë, plani hyjnor i Atit kërkonte që Jezusi t’u nënshtrohej të gjitha vështirësive dhe mundimeve të jetës së vdekshme. Kështu që Ai pësoi “tundime … uri, etje dhe lodhje”. (Mosia 3:7.)
Për të përmbushur cilësinë si Shëlbuesi i të gjithë fëmijëve të Atit tonë, Jezusi duhej t’iu bindej me përsosuri të gjitha ligjeve të Perëndisë. Ngaqë ia nënshtroi Veten vullnetit të Atit, Ai u rrit “nga hiri në hir, derisa mori një plotësi” të fuqisë së Atit. Prandaj, Ai kishte “gjithë fuqinë, si në qiell, edhe në tokë”. (DeB 93:13, 17.)10
Ngaqë [Jezusi] ishte Perëndi – madje Biri i Perëndisë – Ai mundi ta mbante mbi Vete barrën e mëkateve të njerëzve të tjerë. Isaia profetizoi [për] gatishmërinë e Shpëtimtarit tonë për ta kryer këtë, me këto fjalë: “Megjithatë, ai mbante sëmundjet tona dhe kishte marrë përsipër dhembjet tona; … ai u tejshpua për shkak të shkeljeve tona, u shtyp për paudhësitë tona; ndëshkimi për të cilin kemi paqen është mbi të, dhe për shkak të vurratave të tij ne jemi shëruar”. (Isaia 53:4–5.)
Ajo vepër e shenjtë, bujare e marrjes përsipër vullnetarisht të mëkateve të të gjithë njerëzve të tjerë, është Shlyerja. Se si mundi Njëri t’i mbante mëkatet për të gjithë, është përtej kuptimit të njeriut të vdekshëm. Por di këtë: Ai vërtet i mori përsipër mëkatet e të gjithëve dhe veproi kështu prej dashurisë së Tij të pafundme për secilin nga ne. Ai ka thënë: “Pasi vër re, unë, Perëndia, i kam vuajtur këto gjëra për të gjithë, që ata të mos vuajnë nëse do të pendohen; … vuajtje që më bëri mua, madje Perëndi, më i madhi i të gjithëve, të dridhem për shkak të dhembjes e të më dalë gjak nga çdo por dhe të vuaj si në trup e në shpirt – dhe të dëshiroj që të mos e pi kupën e hidhur e të mpakem”. (DeB 19:16, 18.)
Pavarësisht asaj sprove torturuese, Ai e mori kupën dhe e piu. Ai vuajti dhembjet e të gjithë njerëzve, që ne të mos duhej t’i vuanim. Duroi poshtërimin dhe fyerjet e përndjekësve të Tij pa ankesë apo shpagim. Duroi fshikullimin dhe më pas turpërimin e ekzekutimit mizor – kryqin.11
Në Gjetsemani dhe në Kalvari, [Jezusi] kreu shlyerjen e pafund dhe të përjetshme. Ishte akti i vetëm më i madh i dashurisë në historinë e shënuar. Më pas vijuan vdekja dhe ringjallja e Tij.
Kështu Ai u bë Shëlbuesi ynë – duke na shëlbuar të gjithëve nga vdekja fizike e duke shëlbuar nga vdekja shpirtërore ata prej nesh që do t’u binden ligjeve dhe ordinancave të ungjillit.12
Mund të mos e kuptojmë kurrë në jetën e vdekshme se si e kreu Ai atë që kreu, por nuk duhet të mbetemi pa kuptuar se përse e bëri Ai atë që bëri.
Gjithçka që bëri u nxit nga dashuria e Tij vetëmohuese dhe e pafundme për ne.13
2
Jezu Krishti doli nga varri dhe Ai jeton sot si qenie e ringjallur.
Ngjarjet më të mëdha të historisë janë ato që ndikojnë në numrin më të madh të njerëzve për periudhat më të gjata kohore. Nga ky standard, asnjë ngjarje nuk mund të ishte më e rëndësishme për individët ose kombet, sesa ringjallja e Mjeshtrit.
Ringjallja e mirëfilltë e çdo shpirti që ka jetuar dhe vdekur në tokë është gjë e sigurt dhe sigurisht që një person duhet të bëjë përgatitje të kujdesshme për këtë ngjarje. Një ringjallje e lavdishme duhet të jetë synimi i çdo burri dhe gruaje, sepse ringjallja do të jetë fakt.
Asgjë nuk është absolutisht më e gjithanshme, se ringjallja. Çdo qenie e gjallë do të ringjallet. “Ashtu sikur të gjithë vdesin në Adamin, kështu të gjithë do të ringjallen në Krishtin.” (1 Korintasve 15:22.)
Dokumenti i shkrimit të shenjtë na thotë se në ditën e tretë pas kryqëzimit të Krishtit pati një tërmet të madh. Guri ishte rrokullisur nga dera e varrit. Disa nga gratë, ndër pasueset e Tij më të devotshme, erdhën me erëra të mira te vendi dhe “nuk e gjetën trupin e Zotit Jezus”.
Engjëjt u shfaqën dhe thanë thjesht: “Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve? Ai nuk është këtu, por është ringjallur.” (Lluka 24:3–6.) Asgjë në histori nuk barazohet me atë lajmërim tronditës: “Ai nuk është këtu, por është ringjallur”.
Fakti i ringjalljes së Zotit tonë bazohet mbi dëshmitë e shumë dëshmitarëve të besueshëm. Zoti i ringjallur iu shfaq disa grave, dy dishepujve në rrugën për në Emaus, Pjetrit, Apostujve; dhe “pastaj”, siç njoftoi Pali, “iu shfaq një herë të vetme më shumë se pesëqind vëllezërve. … Më së fundi [iu] shfaq edhe [Palit].” (1 Korintasve 15:6, 8.) …
Si njëri nga dëshmitarët e Tij të ditëve të mëvonshme, unë dëshmoj se Ai sot jeton. Ai është një Qenie e ringjallur. Ai është Shpëtimtari ynë, Zoti ynë, vetë Biri i Perëndisë. Unë dëshmoj se Ai do të vijë sërish si Zoti ynë i përlëvduar e i ringjallur. Ajo ditë nuk është shumë e largët. Për të gjithë ata që e pranojnë Atë si Shpëtimtar dhe Zot, ringjallja e Tij e mirëfilltë do të thotë se jeta nuk mbaron me vdekjen, pasi Ai premtoi: “Sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni”. (Gjoni 14:19.)14
Vetëm Ai e kishte fuqinë e ringjalljes. E kështu, në ditën e tretë mbas varrimit të Tij, Ai doli nga varri i gjallë dhe iu shfaq shumëkujt. … Si njëri nga dëshmitarët e [Tij] të veçantë të quajtur kështu në këtë kohë, unë ju dëshmoj se Ai jeton. Ai jeton me një trup të ringjallur. Nuk ka të vërtetë apo fakt për të cilin jam më i sigurt ose më i bindur, sesa e vërteta e ringjalljes së mirëfilltë të Zotit tonë.15
3
Duhet të jemi guximtarë në dëshminë tonë për Jezu Krishtin.
Një bekim nga më të paçmuarit, i mundshëm për çdo anëtar të Kishës, është një dëshmi për hyjninë e Jezu Krishtit dhe të kishës së Tij. Dëshmia është një nga zotërimet e pakta që mund të marrim me vete kur lëmë këtë jetë.
Të kemi dëshmi për Jezusin, do të thotë të zotërojmë dije nga Fryma e Shenjtë për misionin hyjnor të Jezu Krishtit.
Një dëshmi për Jezusin do të thotë të dimë natyrën hyjnore të lindjes së Zotit tonë – që Ai është me të vërtetë Biri i Vetëm i Lindur në mish.
Një dëshmi për Jezusin do të thotë të dimë se Ai ishte Mesia i premtuar dhe se, ndërsa jetonte mes njerëzve, kreu shumë mrekulli të fuqishme.
Një dëshmi për Jezusin do të thotë të dimë se ligjet që Ai porositi si doktrinë të Tij, janë të vërteta dhe, atëherë, t’u përmbahemi këtyre ligjeve dhe ordinancave.
Të zotërojmë një dëshmi për Jezusin, do të thotë të dimë se Ai mori përsipër vullnetarisht mëkatet e gjithë njerëzimit, në Kopshtin e Gjetsemanit, gjë që e bëri të vuante në trup e në shpirt dhe t’i pikonte gjak nga çdo por. Të gjithë këtë Ai e bëri që ne të mos duhej të vuanim, nëse do të pendoheshim. (Shih DeB 19:16, 18.)
Të zotërojmë një dëshmi për Jezusin, do të thotë të dimë se Ai doli me ngadhënjim nga varri me një trup fizik të ringjallur. Dhe, ngaqë Ai jeton, kështu do të jetojë i gjithë njerëzimi.
Të zotërojmë një dëshmi për Jezusin, do të thotë të dimë se Perëndia Atë dhe Jezu Krishti iu shfaqën vërtet Profetit Jozef Smith për të vendosur një periudhë të re të ungjillit të Tij, në mënyrë që shpëtimi t’u predikohet të gjitha kombeve para se Ai të vijë.
Të zotërojmë një dëshmi për Jezusin, do të thotë të dimë se Kisha, të cilën Ai e ngriti në meridianin e kohës dhe e rivendosi në kohët moderne, është, siç ka shpallur Zoti, “e vetmja kishë e vërtetë dhe e gjallë mbi faqen e tërë dheut”. (DeB 1:30.)
Të kemi një dëshmi të tillë është jetike. Por me rëndësi edhe më të madhe është të jemi guximtarë në dëshminë tonë.
Një dëshmi për Jezusin do të thotë se e pranojmë misionin hyjnor të Jezu Krishtit, e përqafojmë ungjillin e Tij dhe e bëjmë punën e Tij. Do të thotë gjithashtu se e pranojmë misionin profetik të Jozef Smithit e të pasuesve të tij dhe e ndjekim këshillën e tyre. Sikurse tha Jezusi: “Qoftë nëpërmjet zërit tim apo nëpërmjet zërit të shërbëtorëve të mi është njësoj”. (DeB 1:38.)
Duke folur për ata që, përfundimisht, do të marrin bekimet e mbretërisë çelestiale, Zoti i tha Jozef Smithit:
“Janë ata që morën dëshminë e Jezusit dhe besuan në emër të tij e u pagëzuan sipas mënyrës së varrimit të tij, duke u varrosur në ujë në emër të tij, dhe kjo sipas urdhërimit që ai ka dhënë”. (DeB 76:51.)
Këta janë ata që janë guximtarë në dëshminë e Jezusit, të cilët, siç ka shpallur Zoti, “kanë sukses nëpërmjet besimit dhe vulosen me anë të Shpirtit të Shenjtë të premtimit, që Ati e derdh mbi gjithë ata që janë të drejtë dhe të vërtetë”. (DeB 76:53.)16
4
Besimi te Jezu Krishti përbëhet nga mbështetja e plotë tek Ai dhe ndjekja e mësimeve të Tij.
Parimi themelor i fesë sonë është besimi te Zoti Jezu Krishti. Përse është e volitshme që ne ta përqendrojmë sigurinë tonë, shpresën tonë dhe mirëbesimin tonë te një figurë e vetme? Përse besimi tek Ai është aq i nevojshëm për paqen e mendjes në këtë jetë dhe shpresën në botën që vjen?
Përgjigjet tona për këto pyetje përcaktojnë nëse ne e përballojmë të ardhmen me guxim, shpresë dhe optimizëm apo me frikë, ankth dhe pesimizëm.
Mesazhi dhe dëshmia ime është kjo: Vetëm Jezu Krishti cilësohet në mënyrë të pashembullt për ta dhënë atë shpresë, atë siguri dhe atë fuqi që na nevojitet për të mposhtur botën e për t’u ngritur mbi dobësitë tona njerëzore. Për të vepruar ashtu, duhet ta vëmë besimin tonë tek Ai dhe të jetojmë me ligjet dhe mësimet e Tij. …
Besim tek Ai është më shumë sesa pranim i thjeshtë që Ai jeton. Është më shumë sesa deklarim i besimit.
Besimi te Jezu Krishti përfshin mbështetjen e plotë tek Ai. Duke qenë Perëndi, Ai ka fuqi, inteligjencë dhe dashuri të pafundme. Nuk ka problem njerëzor përtej aftësisë së Tij për ta zgjidhur. Ngaqë Ai zbriti nën të gjitha gjërat (shih DeB 122:8), Ai di se si të na ndihmojë që të ngrihemi mbi vështirësitë tona të përditshme.
Besim tek Ai do të thotë se, megjithëse ne nuk i kuptojmë të gjitha, Ai i kupton. Ne, pra, duhet të shohim drejt Tij “në çdo mendim; [të mos dyshojmë], [të mos kemi] frikë”. (DeB 6:36.)
Besim tek Ai do të thotë të mirëbesosh se Ai ka gjithë fuqinë mbi të gjithë njerëzit dhe të gjitha kombet. Nuk ka të keqe që Ai s’mundet ta ndalë. Të gjitha gjërat janë në duart e Tij. Kjo tokë është territor i sundimit të Tij të ligjshëm. Megjithatë, Ai e lejon të keqen, në mënyrë që ne të bëjmë zgjedhjet mes së mirës dhe së keqes.
Ungjilli i Tij është receta e përkryer për të gjitha problemet njerëzore dhe sëmundjet shoqërore.
Por ungjilli i Tij është i efektshëm vetëm kur zbatohet në jetën tonë. Prandaj, ne duhet “[të ushqehemi] me bollëk me fjalët e Krishtit; pasi, vini re, fjalët e Krishtit do t’ju tregojnë të gjitha gjërat që ju duhet të bëni”. (2 Nefi 32:3.)
Po të mos i kryejmë mësimet e Tij, nuk tregojmë besim tek Ai.
Mendoni se ç’botë e ndryshme do të ishte kjo, nëse gjithë njerëzimi do të bënte siç tha Ai: “Duaje Zotin, Perëndinë tënd me gjithë zemrën tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë mendjen tënde. … Duaje të afërmin tënd porsi vetveten.” (Mateu 22:37, 39.)
Cila është, atëherë, përgjigjja e pyetjes “Ç’duhet bërë për problemet dhe mëdyshjet që hasin njerëzit, komunitetet dhe kombet sot?” Ja receta e Tij e thjeshtë:
“Besoni në Perëndinë; besoni se ai është dhe se ai krijoi të gjitha gjërat, si në qiell ashtu edhe në tokë; besoni se ai ka të gjithë diturinë dhe të gjithë fuqinë, si në qiell ashtu edhe në tokë; besoni se njeriu nuk i kupton të gjitha gjërat që Zoti mund të kuptojë. …
Besoni se ju duhet të pendoheni për mëkatet tuaja dhe t’i braktisni ato, dhe të përulni veten tuaj para Perëndisë; dhe të kërkoni në çiltërsinë e zemrës, që ai t’ju falë juve; dhe tani, në qoftë se ju besoni të gjitha këto gjëra, shikoni që t’i bëni ato.” (Mosia 4:9–10; kursivet e shtuara.)17
5
Jemi më të bekuarit e më të lumturit kur përpiqemi të jemi si Jezu Krishti.
Një nga qëllimet e kësaj jete është që ne të provohemi për t’u parë nëse “do t’i [bëjmë] të gjitha gjërat që Zoti”, Perëndia ynë, do të na i urdhërojë. (Abrahami 3:25.) Shkurt, ne duhet të mësojmë vullnetin e Zotit dhe ta kryejmë atë. Ne duhet të ndjekim modelin e Jezu Krishtit e të jemi si Ai.
Pyetja thelbësore e jetës duhet të jetë e njëjta pyetje që ngriti Pali: “Zot, ç’don ti të bëj unë?” (Veprat e Apostujve 9:6.) …
Na duhen më shumë burra e gra të Krishtit të cilët do ta kujtojnë Atë gjithmonë, të cilët do të zbatojnë urdhërimet që Ai u ka dhënë. Masa më e shkëlqyer e matjes së suksesit është të shikojmë se sa afër gjurmëve të Tij mund të ecim çdo çast.18
Disa … janë të gatshëm të vdesin për besimin e tyre, por nuk janë të gatshëm të jetojnë për të plotësisht. Krishti edhe jetoi, edhe vdiq për ne. Përmes shlyerjes së Tij dhe me anë të ecjes në gjurmët e Tij, ne mund të fitojmë më të madhen e të gjitha dhuratave – jetën e përjetshme, e cila është ai lloj jete i të Amshuarit të madh – Atit tonë në Qiell.
Krishti bëri pyetjen: “Çfarë lloj njerëzish duhet të [jemi]?” Pastaj iu përgjigj duke thënë se duhet të jemi madje siç është Ai. (3 Nefi 27:27.)
Është më i madhi dhe më i bekuari e më i lumturi ai [njeri], jeta e të cilit i afrohet sa më shumë modelit të Krishtit. Kjo nuk ka të bëjë aspak me pasurinë, fuqinë ose prestigjin tokësor. I vetmi kriter i vërtetë i madhështisë, i bekimit, i gëzimit është se sa pranë mundet një jetë t’i afrohet të qenit si Mjeshtri, Jezu Krishti. Ai është udha e drejtë, e vërteta e plotë dhe jeta e bollshme.
Pyetja e pandryshueshme e më e ripërsëritur në mendjen tonë, që ndikon në çdo mendim dhe veprim të jetës sonë, duhet të jetë: “Zot, ç’don ti të bëj unë?” (Veprat e Apostujve 9:6.) Përgjigjja për këtë pyetje vjen vetëm nëpërmjet Dritës së Krishtit dhe Frymës së Shenjtë. Janë fatlumë ata që jetojnë në atë mënyrë që ua mbush qenien me të dyja ato. …
Duke marrë parasysh gjithçka që [Jezu Krishti] ka bërë dhe po bën për ne, ka diçka që mund t’i jepnim Atij si shpërblim.
Dhurata e madhe e Krishtit për ne, ishte jeta dhe sakrifica e Tij. A nuk do të duhej, pra, të ishte kjo dhurata jonë e vogël për Të – jeta dhe sakrificat tona, jo vetëm tani, por dhe në të ardhmen?19
[Ata që] prihen nga Krishti, do të përvetësohen nga Krishti. … Vullneti i tyre përpihet te vullneti i Tij. (Shih Gjoni 5:30.) Ata bëjnë gjithmonë ato gjëra që e kënaqin Zotin. (Shih Gjoni 8:29.) Ata jo vetëm që do të vdisnin për Zotin, por, ç’është më e rëndësishme, duan të jetojnë për Të.
Hyni në shtëpitë e tyre, dhe pikturat në muret e tyre, librat në raftet e tyre, muzika që dëgjohet, fjalët dhe veprimet e tyre zbulojnë që janë të krishterë. Ata qëndrojnë si dëshmitarë të Perëndisë në të gjitha kohërat e në të gjitha gjërat dhe në të gjitha vendet. (Shih Mosia 18:9.) Ata kanë Krishtin në mendje, sepse shohin nga Ai në çdo mendim. (Shih DeB 6:36.) Ata kanë Krishtin në zemër, meqë dashuria e tyre vendoset tek Ai përgjithmonë. (Shih Alma 37:36.)
Pothuajse çdo javë ata marrin sakramentin dhe i dëshmojnë rishtas Atit të tyre të Amshuar se janë të gatshëm të marrin mbi vete emrin e Birit të Tij, ta kujtojnë Atë gjithmonë dhe t’i zbatojnë urdhërimet e Tij. (Shih Moroni 4:3.)
Me gjuhën e Librit të Mormonit, ata “ushqehen me bollëk me fjalët e Krishtit” (2 Nefi 32:3), “flasin për Krishtin” (2 Nefi 25:26), “gëzohen në Krishtin” (2 Nefi 25:26), “[gjallojnë] në Krishtin” (shih 2 Nefi 25:25) dhe “ngazëllehen në Jezusin [e tyre]” (2 Nefi 33:6). Shkurt, ata e humbasin veten për Zotin dhe gjejnë jetë të përjetshme. (Shih Lluka 17:33.)20
Sugjerime për Studim dhe Mësimdhënie
Pyetje
Presidenti Benson na mësoi se, megjithëqë ne nuk mund ta kuptojmë plotësisht se si e kreu Shpëtimtari Shlyerjen, ne mund të kuptojmë se përse e bëri Ai atë (shih pjesën 1). Në cilat mënyra ndikon ky kuptim në jetën tuaj?
Teksa studioni pjesën 2, mendoni për efektin e Ringjalljes së Shpëtimtarit. Si ndikon Ringjallja e Tij në jetën tuaj?
Si mendoni, përse një dëshmi për Jezu Krishtin është “një bekim nga më të paçmuarit”? (Shih pjesën 3.) Ç’do të thotë për ju të jeni guximtar në dëshminë tuaj për Shpëtimtarin?
Mendohuni mbi fjalët e Presidentit Benson për besimin te Jezu Krishti (shih pjesën 4). Në ç’mënyra ky përshkrim i besimit te Krishti shkon përtej një “pranimi të thjeshtë që Ai jeton”?
Presidenti Benson tha se njerëzit që “prihen Krishti” janë të gatshëm “të vdesin për Zotin, por, ç’është më e rëndësishme, duan të jetojnë për Të” (pjesa 5). Ç’do të thotë për ju të jetoni për Shpëtimtarin?
Shkrime të Shenjta Përkatëse
Gjoni 10:17–18; 2 Nefi 9:20–24; 31:20–21; Mosia 16:6–11; 3 Nefi 27:20–22; Moroni 7:33; DeB 19:1–3, 16–19; 76:22–24; Nenet e Besimit 1:3
Ndihmë për Studimin
“Ndërsa ndieni gëzimin që vjen nga të kuptuarit e ungjillit, ju do të ndieni dëshirën për ta zbatuar atë që mësoni. Përpiquni të jetoni në harmoni me botëkuptimin tuaj. Duke e bërë këtë do të forconi besimin, njohurinë dhe dëshminë tuaj” (Predikoni Ungjillin Tim (2005), f. 19).