“28 Tetor – 3 Nëntor: ‘Unë do të Doja që t’ju Bindja të Gjithëve … të Pendoheni’. Mormoni 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)
“28 Tetor – 3 Nëntor. Mormoni 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)
28 Tetor – 3 Nëntor: “Unë do të Doja që t’ju Bindja të Gjithëve … të Pendoheni”
Mormoni 1–6
Mormoni nuk na dha një “rrëfim të plotë” të “pamje[s] kaq të tmerrshme” të ligësisë dhe gjakderdhjes që u pa mes nefitëve (Mormoni 2:18; 5:8). Por ajo që ai shënoi te Mormoni 1–6 është e mjaftueshme për të na kujtuar se sa shumë mund të bien në mëkat edhe njerëzit që dikur ishin të drejtë. Mes ligësisë kaq të përhapur, askush nuk mund t’ia vërë fajin Mormonit që u ndje i lodhur dhe madje i shkurajuar. Prapëseprapë mes gjithçkaje që pa dhe përjetoi, ai kurrë nuk e humbi kuptimin e tij për mëshirën e madhe të Perëndisë dhe bindjen e vet se pendimi është mënyra për ta marrë atë. Dhe, edhe pse vetë populli i Mormonit nuk i pranoi ftesat e tij përgjëruese që të pendohej, ai e dinte se kishte një publik më të gjerë për ta bindur. “Vini re”, shpalli ai, “unë u shkruaj të gjitha skajeve të tokës.” Me fjalë të tjera, ai ju shkroi juve (shihni te Mormoni 3:17–20). Dhe mesazhi i tij për ju, sot, është i njëjti mesazh që mund t’i kishte shpëtuar nefitët në kohën e tyre: “Besoni në ungjillin e Jezu Krishtit. … Pendoh[u]ni dhe … përgatit[u]ni të qëndroni para fronit të gjykimit të Krishtit” (Mormoni 3:21–22).
Shihni edhe “Mormon Preserves the Record to Bring the House of Israel to Christ” [“Mormoni Ruan Analin që ta Sjellë Shtëpinë e Izraelit te Krishti”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Unë mund ta ndjek Jezu Krishtin pavarësisht nga ajo që bëjnë njerëzit e tjerë.
Në kohën kur ishte vetëm 10 vjeç përafërsisht, Mormoni qe i ndryshëm në mënyrë të spikatur nga njerëzit që kishte përreth. Teksa lexoni te Mormoni 1–6, kërkoni mënyrat se si besimi i Mormonit te Jezu Krishti e bëri atë të pashoq dhe i dha mundësi për të shërbyer dhe bekuar të tjerët. Vargjet vijuese mund t’ju ndihmojnë që të filloni:
-
Mormoni 1:2–3, 13–17.Çfarë ndryshimesh vini re ndërmjet Mormonit dhe njerëzve të tij? Çfarë cilësish kishte ai që e ndihmuan atë të qëndronte i fortë shpirtërisht në një kohë kaq të vështirë?
-
Mormoni 2:18–19.Çfarë fjalësh përdori Mormoni që të përshkruante botën në të cilën jetoi? Si e ruajti ai shpresën pavarësisht nga ata që e rrethonin?
-
Mormoni 3:12.Si u ndje Mormoni ndaj njerëzve përreth tij? Çfarë mund të bëni që të zhvilloni llojin e dashurisë që pati ai?
Çfarë vargjesh të tjera te Mormoni 1–6 e nxjerrin në pah besimin e Mormonit te Jezu Krishti? Çfarë mundësish iu dhanë atij ngaqë zgjodhi të qëndronte besnik?
Merreni parasysh të studioni mesazhin e Presidentit Tomas S. Monson “Jini një Shembull dhe një Dritë” (Liahona, nëntor 2015, f. 86–88) duke kërkuar arsye pse është e rëndësishme që ndjekësit e Jezu Krishtit të dallohen ose të jenë të ndryshëm. Si do t’i plotësonit fjalitë si këto? “ ishte një shembull për mua kur ai [ose ajo] . Kjo më ndihmoi të dëshiroja që .”
Mormoni mund të ketë ndier që shembulli i tij nuk po sillte një ndryshim te populli i tij. Po të kishit një mundësi për të folur me Mormonin, çfarë do t’i thoshit për mënyrën se si ka sjellë një ndryshim shembulli i tij për ju?
Shihni edhe David A. Bednar, “Quick to Observe”, Ensign, dhjetor 2006, f. 30–36, ose Liahona, dhjetor 2006, f. 14–20; “Something Different about Us: Example” [“Diçka Ndryshe te Ne: Shembulli”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Hidhërimi sipas Perëndisë më çon te Krishti dhe te ndryshimi afatgjatë.
Kur Mormoni e pa hidhërimin e popullit të vet, ai shpresoi se ata do të pendoheshin. Por “keqardhja e tyre nuk i çonte në pendim” (Mormoni 2:13) – ajo nuk ishte lloji i hidhërimit sipas Perëndisë, por sipas botës. Për ta kuptuar ndryshimin, merreni parasysh të shënoni atë që mësoni nga Mormoni 2:10–15 në një tabelë si kjo:
Hidhërimi sipas Perëndisë |
Hidhërimi sipas Botës |
---|---|
Vjen te Jezusi (vargu 14) |
Mallkon Perëndinë (vargu 14) |
Nga e kuptoni a është hidhërimi juaj sipas Perëndisë apo botës? Nëse po përjetoni hidhërim sipas botës, si mund ta ndryshoni atë në hidhërim sipas Perëndisë?
Shihni edhe te 2 Korintasve 7:8–11; Mishel D. Krejg, “Pakënaqësia e Shenjtë”, Liahona, nëntor 2018, f. 52–55.
“Ata nuk e kuptonin se qe Zoti që i kishte kursyer.”
Mormoni vëzhgoi se nefitët nuk i dallonin mënyrat se si Zoti i kishte bekuar. Ndërsa lexoni te Mormoni 3:3, 9, ju mund të përsiatni për mënyrën se si po e njihni ndikimin e Perëndisë në jetën tuaj. Çfarë bekimesh vijnë kur ju e njihni ndikimin e Tij? Cilat janë pasojat kur nuk e njihni Atë? (Shihni te Mormoni 2:26; Doktrina e Besëlidhje 59:21.)
Shihni edhe Henri B. Ajring, “O, Kujtoni, Kujtoni”, Liahona, nëntor 2007, f. 66–69.
Jezu Krishti qëndron krahëhapur për të më pranuar.
Nëse ndiheni ndonjëherë i/e shkurajuar për mëkatet tuaja, përshkrimi i Mormonit për Shpëtimtarin duke qëndruar “krahëhapur për t’ju pranuar” mund të japë siguri. Teksa lexoni te Mormoni 5:8–24 dhe 6:16–22, çfarë mësoni për ndjenjat e Atit Qiellor dhe të Jezusit kundrejt jush, edhe kur mëkatoni? Si e keni ndier Jezu Krishtin duke u afruar drejt jush me krahët të hapur? Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni si rrjedhojë?
Shihni edhe “Te Jezusi t’Vini”, Himne, nr. 61.
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Mormoni 1:1–3; 2:1, 23–24; 3:1–3, 12, 17–22
Si Mormoni, unë mund ta ndjek Jezu Krishtin.
-
Ngaqë Mormoni ishte mjaft i vogël kur e zhvilloi besimin e tij te Krishti, ai mund të jetë një frymëzim për fëmijët tuaj. Mbase mund të lexoni te Mormoni 1:1–3 dhe fëmijët tuaj mund të mbajnë vesh për moshën që kishte Mormoni kur Amaroni i dha atij një mision të veçantë. Gjithashtu mund t’i ndihmoni ata që të gjejnë në këto vargje cilësitë që pa Amaroni te Mormoni. Si na ndihmojnë këto cilësi për ta ndjekur Jezu Krishtin?
-
Ngaqë Mormoni e ndoqi Jezu Krishtin, atij iu dhanë mundësi për t’u shërbyer dhe bekuar të tjerët. Mund t’i ftoni fëmijët tuaj të lexojnë një ose më shumë nga fragmentet vijuese dhe t’i ndihmoni ata të tregojnë atë që mësojnë për Mormonin: Mormoni 1:1–3; 2:1, 23–24 dhe 3:1–3, 12, 20–22 (shihni edhe te “Kapitulli 49: Mormoni dhe Mësimet e Tij”, Tregime të Librit të Mormonit, f. 138–142). Si e ndoqi ai Jezu Krishtin? Si i ndihmoi ose bekoi besimi i tij te Jezu Krishti të tjerët? Si mund t’i ndihmojë besimi ynë njerëzit që njohim?
Hidhërimi sipas Perëndisë më çon te Krishti dhe te ndryshimi afatgjatë.
-
Mbase mund të bëni një tabelë si ajo te rubrika “Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë” që t’i ndihmoni fëmijët tuaj të kuptojnë ndryshimin mes hidhërimit sipas botës dhe sipas Perëndisë teksa lexojnë te Mormoni 2:8, 10–15. Më pas, ata mund të kërkojnë edhe te Mormoni 2:12 që të gjejnë arsyet përse pendimi duhet t’i bëjë “zemra[t tona] të gëzohe[n]”. Si mund të sigurohemi që hidhërimi që ndiejmë për mëkatet tona, na bën të kërkojmë ndihmën e Perëndisë për të ndryshuar?
Ati Qiellor më jep shumë bekime.
-
Ftesa ndaj fëmijëve tuaj që të renditin (ose të bëjnë vizatime) disa gjëra për të cilat janë mirënjohës/e mund të jetë një mënyrë e mirë për t’i ndihmuar ata të ndiejnë mirënjohje për Perëndinë. Pasi të keni bërë një listë, mund të lexoni te Mormoni 3:3, 9 dhe shpjegoni se Ati Qiellor i kishte bekuar edhe nefitët, por ata nuk e kishin dalluar. Çfarë mund të bëjmë për të treguar se i jemi mirënjohës/e Atit Qiellor për bekimet tona?
Ati Qiellor dëshiron që unë t’i dua të gjithë njerëzit.
-
Ndonëse nefitët ishin të ligj, Mormoni nuk ndaloi kurrë së pasuri dashuri për ta. Ndihmojini fëmijët tuaj të gjejnë fjalët “desha” dhe “dashurisë” te Mormoni 3:12. Gjithashtu mund të këndoni një këngë së bashku rreth dashurisë për të tjerët, të tillë si “Jezus’ Tha t’i Doni t’Gjith’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 39), ndërkohë që tregoni figura të fëmijëve nga mbarë bota. Dëshmoni për dashurinë e Perëndisë për të gjithë fëmijët e Tij.