“4–10 Nëntor: ‘Unë ju Flas Sikur të Ishit të Pranishëm’. Mormoni 7–9”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Libri i Mormonit 2024 (2023)
“4–10 Nëntor. Mormoni 7–9”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2024 (2023)
4–10 Nëntor: “Unë ju Flas Sikur të Ishit të Pranishëm”
Mormoni 7–9
Moroni e dinte se si ndihesh kur je vetëm në një botë të ligë, veçanërisht pasi i ati vdiq në betejë dhe nefitët u shkatërruan. “Madje unë kam mbetur vetëm”, shkroi ai. “Unë nuk kam më shokë, as ku të shkoj” (Mormoni 8:3, 5). Gjërat mund të jenë dukur të pashpresa, por Moroni gjeti shpresë te Jezu Krishti dhe në dëshminë e tij se “qëllimet e përjetshme të Zotit do të vazhdojnë” (Mormoni 8:22). Dhe Moroni e dinte që një pjesë kyç e atyre qëllimeve të përjetshme do të ishte Libri i Mormonit, anali që po e përmblidhte tani me zell, anali që një ditë do të sillte shumë njerëz “në njohurinë e Krishtit” (Mormoni 8:16; 9:36). Besimi i Moronit në këto premtime bëri të mundur që ai t’u shpallte lexuesve të ardhshëm të këtij libri: “Unë ju flas sikur të ishit të pranishëm” dhe “unë e di se ju do t’i keni fjalët e mia” (Mormoni 8:35; 9:30). Ne tani vërtet i kemi fjalët e tij dhe puna e Zotit po përhapet, pjesërisht ngaqë Mormoni dhe Moroni qëndruan të vërtetë ndaj misionit të tyre, edhe kur ishin të vetëm.
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
“Besoni në Jezu Krishtin” dhe “mbahuni në ungjillin e [Tij].”
Pasi e përmblodhi analin e popullit të vet, Mormoni dha mesazhin e tij përmbyllës te Mormoni 7. Si mendoni ju, përse e zgjodhi ai këtë mesazh? Çfarë do të thotë për ju fraza “mbahuni në ungjillin e Krishtit”? (Mormoni 7:8.)
Shihni edhe “Un’ Besoj në Krisht”, Himne, nr. 72.
Mormoni 7:8–10; 8:12–16; 9:31–37
Libri i Mormonit ka vlerë të madhe.
Presidenti Rasëll M. Nelson pyeti: “Nëse do t’ju ofronin diamante apo rubinë ose Librin e Mormonit, cilin do të zgjidhnit? Sinqerisht, cila ka më shumë vlerë për ju?” (“Libri i Mormonit: Si do të Ishte Jeta Juaj pa Të?”, Liahona, nëntor 2017, f. 61)
Çfarë gjeni te Mormoni 7:8–10; 8:12–22 dhe 9:31–37 që ju ndihmon të kuptoni arsyen pse Libri i Mormonit është me vlerë në kohën tonë? Përse është me vlerë për ju? Mund të gjeni më tepër pikëpamje te 1 Nefi 13:38–41; 2 Nefi 3:11–12 dhe Doktrina e Besëlidhje 33:16; 42:12–13.
Unë mund t’i zbatoj urdhërimet edhe kur të tjerët nuk i zbatojnë.
Nganjëherë mund të ndiheni vetëm në përpjekjet tuaja për t’i zbatuar urdhërimet. Çfarë mund të mësoni nga shembulli i Moronit që mund t’ju ndihmojë? (Shihni te Mormoni 8:1–11.) Po të mund ta pyesnit Moronin se si qëndroi besnik, çfarë mendoni se do të thoshte Ai?
Shihni edhe “All May Know the Truth: Moroni’s Promise” [“Të Gjithë Mund ta Dinë të Vërtetën: Premtimi i Moronit”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Libri i Mormonit u shkrua për kohën tonë.
Jezu Krishti i tregoi Moronit se çfarë do të ndodhte kur Libri i Mormonit të dilte në dritë (shihni te Mormoni 8:34–35), gjë që e bëri që të jepte paralajmërime të guximshme për kohën tonë. Ndërsa lexoni te Mormoni 8:26–41 dhe 9:1–30, përsiatni se si fjalët e tij mund të gjejnë zbatim për ju. Për shembull, në këto vargje Moroni bën 24 pyetje. Çfarë prove shihni në këto pyetje që Moroni e pa kohën tonë? Si mund të ndihmojë Libri i Mormonit për sfidat që parashikoi Moroni?
Jezu Krishti është një Perëndi mrekullish.
Moroni i përmbylli shkrimet e të atit me një mesazh të fuqishëm për njerëzit në kohën tonë të cilët nuk besojnë në mrekulli (shihni te Mormoni 8:26; 9:1, 10–11). Pse ndieni se besimi në mrekulli është i nevojshëm sot? Shqyrtoni vargjet te Mormoni 9:9–11, 15–27 dhe Moroni 7:27–29 dhe përsiatni pyetje të tilla si:
-
Çfarë mësoj për Shpëtimtarin nga këto vargje?
-
Çfarë mësoj për mrekullitë, në të shkuarën dhe të tashmen?
-
Cilat janë përfitimet e të besuarit se Jezu Krishti është një Perëndi mrekullish? Cilat janë pasojat e mosbesimit të kësaj?
-
Çfarë mrekullish, të vogla dhe të mëdha, ka bërë Shpëtimtari në jetën time? Çfarë më mësojnë këto mrekulli rreth Tij?
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti, do të kryejë disa nga veprat e Tij më të fuqishme midis kohës së tanishme dhe kohës kur Ai të vijë përsëri. Ne do të shohim tregues të mrekullueshëm se Perëndia, Ati, dhe Biri i Tij, Jezu Krishti, kryesojnë mbi këtë Kishë në madhështi e lavdi” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Liahona, maj 2018, f. 96). Si mendoni ju, cilat mund të jenë disa nga këto mrekulli? Çfarë mund të bëni për ta ndihmuar Shpëtimtarin t’i përmbushë ato?
Çfarë mësoni rreth besimit dhe mrekullive nga përvojat e shenjtorëve në Samoa, Tongë, Fixhi dhe Tahiti kur Presidenti dhe Motra Nelson i vizituan ato? (Shihni Rasëll M. Nelson, “Krishti u Ringjall; Besimi tek Ai do të Zhvendosë Malet”, Liahona, maj 2021, f. 101–104.)
Shihni edhe Ronald A. Rasband, “Vini Re! Unë Jam një Perëndi Mrekullish”, Liahona, maj 2021, f. 109–112; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Mrekulli”, Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Libri i Mormonit dhe Bibla dëshmojnë për Jezu Krishtin.
-
Për ta theksuar marrëdhënien mes Biblës dhe Librit të Mormonit, sikurse bëri Moroni, mund të bëni një lojë si kjo në vijim me fëmijët tuaj. Kërkojuni atyre të thonë: “Dhiata e Vjetër, Dhiata e Re” kur të mbani lart një kopje të Biblës dhe “Një Dëshmi Tjetër” kur të mbani lart një kopje të Librit të Mormonit. Mund edhe të zgjidhni disa ngjarje për të cilat dëshmon edhe Bibla, edhe Libri i Mormonit, të tilla si lindja, vdekja dhe Ringjallja e Jezusit dhe t’i ftoni fëmijët tuaj për të gjetur figura të këtyre ngjarjeve (për shembull te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit).
-
Për t’i ndihmuar fëmijët tuaj ta mësojnë nenin e tetë të besimit, mund ta shkruani secilën fjalë në një fletë të veçantë letre. Ftojini fëmijët tuaj që të punojnë së bashku për t’i vendosur fjalët në rendin e duhur dhe përsëriteni disa herë.
Unë mund t’i zbatoj urdhërimet edhe kur ndihem vetëm.
-
Shembulli i Moronit mund t’i frymëzojë fëmijët tuaj t’u binden urdhërimeve të Perëndisë edhe kur të ndihen vetëm. Pasi të lexoni te Mormoni 8:1–7 me ta, ata mund të tregojnë se si do të ishin ndier po të kishin qenë Moroni. Në vargjet 1, 3 dhe 4, çfarë e urdhëruan Moronin të bënte dhe si u bind ai? Si mund të jemi më shumë si Moroni?
-
Ndoshta ju dhe fëmijët tuaj mund të bisedoni rreth situatave ku duhet të zgjedhin mes së drejtës dhe së gabuarës kur askush nuk po shikon. Si na ndihmon pasja e besimit te Jezu Krishti në këto situata? Një këngë si “Mbro Drejtësin’” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 81) mund ta pasurojë diskutimin.
Jezu Krishti është “një Perëndi mrekullish”.
-
Nëse dëshironi, mund t’u shpjegoni fëmijëve tuaj se një mrekulli është diçka që Perëndia e bën për të treguar fuqinë e Tij dhe për ta bekuar jetën tonë. Më pas mund të lexoni fraza nga Mormoni 9:11–13, 17 që përshkruajnë disa nga mrekullitë e Perëndisë, dhe fëmijët tuaj mund të mendojnë për mrekulli të tjera (figurat nga Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, të tilla si nr. 26, 40, 41 dhe 83, mund të ndihmojnë). Flisni për mrekullitë që ka bërë Perëndia në jetën tuaj.
-
Tregojuni fëmijëve tuaj një recetë dhe bisedoni rreth asaj që do të ndodhte po të mos i hidhnit një përbërës thelbësor. Lexoni së bashku te Mormoni 8:24 dhe 9:20–21 për të gjetur “përbërës” që mund të çojnë në mrekulli nga Perëndia.