Konferenca e Përgjithshme
“Vini Re! Unë Jam një Perëndi Mrekullish”
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


14:37

“Vini Re! Unë Jam një Perëndi Mrekullish”

Mrekullitë, shenjat dhe çuditë gëlojnë mes pasuesve të Jezu Krishtit sot, në jetën tuaj dhe në jetën time.

Vëllezërit dhe motrat e mia të dashura, çfarë privilegji është të qëndroj përpara jush sot! Duke u bashkuar me ata që tashmë na janë drejtuar në këtë konferencë, unë ju dëshmoj se Jezu Krishti jeton. Ai e drejton Kishën e Tij; Ai i flet profetit të Tij, Presidentit Rasëll M. Nelson, dhe Ai i do të gjithë fëmijët e Atit Qiellor.

Këtë të diel Pashke, ne kremtojmë Ringjalljen e Jezu Krishtit, Shpëtimtarit dhe Shëlbuesit tonë1, Perëndisë së Fuqishëm, Princit të Paqes2. Shlyerja e Tij, që kulmoi me Ringjalljen e Tij pas tri ditësh në një varr të marrë hua, qëndron si mrekullia më e madhe në historinë njerëzore. “Pasi vini re”, shpalli Ai, “Unë jam Perëndia; dhe unë jam një Perëndi mrekullish.”3

“A mos pushuan mrekullitë, për shkak se Krishti u ngjit në qiell dhe është ulur në krahun e djathtë të Perëndisë?”4, pyet profeti Mormoni në Librin e Mormonit. Ai përgjigjet: “Jo; as engjëjt nuk kanë pushuar së shërbyeri fëmijëve të njerëzve”5.

Pas Kryqëzimit, një engjëll i Zotit iu shfaq Maries dhe disa grave të tjera, të cilat kishin shkuar te varri për të vajosur trupin e Jezusit. Engjëlli tha:

“Pse e kërkoni të gjallin midis të vdekurve?”6

“Ai nuk është këtu, sepse u ringjall.”7

Profeti i Librit të Mormonit, Abinadi, deklaroi për atë mrekulli:

“Në qoftë se Krishti nuk do të ishte ngritur nga vdekja, … nuk do të kishte pasur ringjallje.

Por, ka një ringjallje prandaj varri nuk ka fitore dhe thumbi i vdekjes është gëlltitur në Krishtin.”8

Veprat çudibërëse të Jezu Krishtit bënë që dishepujt e hershëm të shpallnin: “Vallë, kush është ky, që urdhëron edhe erën dhe ujin, dhe ata i binden?”9

Ndërsa Apostujt e hershëm e ndoqën Jezu Krishtin dhe e dëgjuan Atë ta jepte mësim ungjillin, ata dëshmuan shumë mrekulli. Ata panë [dhe thanë]: “të verbërit po shohin, të çalët po ecin, lebrozët janë pastruar dhe të shurdhërit po dëgjojnë; të vdekurit po ngjallen dhe ungjilli po u predikohet të varfërve”10.

Mrekullitë, shenjat dhe çuditë gëlojnë mes pasuesve të Jezu Krishtit sot, në jetën tuaj dhe në jetën time. Mrekullitë janë vepra hyjnore, shpërfaqje dhe shprehje të fuqisë së pakufishme të Perëndisë dhe një pohim se Ai është “i njëjti dje, sot dhe përgjithmonë”11. Jezu Krishti, i cili krijoi detet, mund t’i qetësojë ato; Ai i cili i ktheu shikimin të verbrit, mund të na i drejtojë sytë drejt gjërave shpirtërore; Ai i cili pastroi lebrosët, mund të na i shërojë pafuqitë tona; Ai i cili shëroi të paralizuarin, mund të na bëjë thirrje të ngrihemi duke na thënë: “Eja[ni] e më ndiq[ni]”12.

Shumë prej jush kanë dëshmuar mrekulli, më shumë nga sa mund ta përfytyroni. Ato mund të duken të vogla krahasuar me ngritjen e të vdekurve nga Jezusi. Por nuk është madhështia ajo që e dallon një mrekulli, por vetëm fakti që vjen nga Perëndia. Disa supozojnë se mrekullitë janë thjesht rastësi ose krejtësisht fat. Por profeti Nefi i dënoi ata që do të “ulin poshtë fuqinë dhe mrekullitë e Perëndisë dhe i predikojnë vetes urtësinë e tyre dhe diturinë e tyre, që ata të mund të përfitojnë”13.

Mrekullitë bëhen nëpërmjet fuqisë hyjnore nga Ai që është “i fuqishëm për të shpëtuar”14. Mrekullitë janë zgjatime të planit të përjetshëm të Perëndisë; mrekullitë janë një litar shpëtimi nga qielli drejt tokës.

Vjeshtën e kaluar, unë dhe motra Rasband ishim rrugës për në Goshen të Jutës, për një ngjarje mbarëbotërore Ballë për Ballë që do të transmetohej për më shumë se 600 000 njerëz në 16 gjuhë të ndryshme15. Programi do të përqendrohej te ngjarjet e Rivendosjes së ungjillit të Jezu Krishtit, me pyetjet e paraqitura nga të rinjtë në moshë madhore anembanë botës. Unë dhe motra Rasband i kishim shqyrtuar vetë pyetjet; ato na dhanë mundësinë për të dëshmuar për Jozef Smithin si një profet i Perëndisë, fuqinë e zbulesës në jetën tonë, Rivendosjen në vazhdimësi të ungjillit të Jezu Krishtit dhe të vërtetat dhe urdhërimet që çmojmë. Shumë nga ata që po dëgjojnë sot, ishin pjesë e asaj ngjarjeje të mrekullueshme.

Fillimisht transmetimi duhej të niste në Korijen e Shenjtë, në rrethinat në veri të Nju‑Jorkut, ku Jozef Smithi dëshmoi: “Pashë dy Personazhe, shkëlqimi dhe lavdia e të cilëve i kapërcejnë të gjitha përshkrimet, duke qëndruar mbi mua në ajër. Një prej tyre më foli, duke më thirrur në emër dhe tha, duke treguar tjetrin: Ky është Biri Im i Dashur. Dëgjoje Atë!16 Ajo, vëllezër dhe motra, ishte një mrekulli.

Skenografi e Jerusalemit në Goshen të Jutës

Pandemia mbarëbotërore na detyroi që ta zhvendosnim transmetimin në Goshen të Jutës, ku Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme ka rikrijuar, për filmim, një pjesë të Jerusalemit të vjetër. Unë dhe motra Rasband ishim pak kilometra larg Goshenit atë të diel në mbrëmje kur pamë një tym të dendur që vinte nga drejtimi i vendmbërritjes sonë. Në atë zonë kishte zjarre flakëruese dhe u shqetësuam se mund të rrezikohej transmetimi. Ashtu siç pritej, 20 minuta para se të shkonte ora 06:00, orari i transmetimit tonë, dritat në të gjithë kompleksin ikën. Nuk kishte drita! Nuk kishte transmetim. Ishte një gjenerator që disa menduan se mund të ishim në gjendje ta ndiznim, por nuk kishte asnjë siguri se mund ta mbante në punë pajisjen e përparuar që kishim në dispozicion.

Tym nga zjarret

Të gjithë ne që ishim pjesë e programit, përfshirë tregimtarët, muzikantët dhe teknikët – madje 20 të rinj në moshë madhore nga rrethi im familjar – u përfshimë plotësisht në atë që duhej të ndodhte. Bëra pak mbrapa nga lotët dhe pështjellimi i tyre dhe iu luta Zotit për një mrekulli. “Atë Qiellor”, iu luta, “rrallëherë kam kërkuar një mrekulli, por po kërkoj një të tillë tani. Kjo mbledhje duhet të ndodhë për të gjithë të rinjtë tanë në moshë madhore nga e gjithë bota. Na nevojiten dritat për të vazhduar nëse ky është vullneti Yt.”

Shtatë minuta pas orës 06:00, dritat erdhën sa hap e mbyll sytë. Gjithçka filloi të punonte, nga muzika dhe mikrofonat deri te materialet filmike dhe të gjitha pajisjet e transmetimit. Ishim gati për ta filluar transmetimin. Ne kishim përjetuar një mrekulli.

Interpretim muzikor gjatë ngjarjes Ballë për Ballë

Ndërsa unë dhe motra Rasband ishim në makinë duke u kthyer në shtëpi më vonë atë mbrëmje, Presidenti dhe Motra Nelson na dërguan këtë mesazh: “Ron, duam që ti të dish që sapo dëgjuam që ikën dritat, u lutëm për një mrekulli”.

Në shkrimin e shenjtë të ditëve të mëvonshme shkruhet: “Sepse unë, Zoti, kam shtrirë dorën time për të ushtruar fuqitë e qiellit; ju s’mund ta shihni atë tani, por, ja, dhe pak e do ta shihni dhe do të dini se unë jam dhe se unë do të vij e do të mbretëroj me popullin tim”17.

Kjo është pikërisht ajo që ndodhi. Zoti e kishte shtrirë dorën e Tij dhe dritat erdhën.

Mrekullitë ndodhin nëpërmjet fuqisë së besimit, ashtu siç na dha mësim aq fuqishëm Presidenti Nelson në sesionin e fundit. Profeti Moroni e këshilloi popullin: “Po të mos ketë besim mes fëmijëve të njerëzve, Perëndia nuk mund të bëjë mrekulli mes tyre; prandaj, ai nuk iu shfaq atyre deri pas besimit të tyre”.

Ai vazhdoi:

“Vini re, qe besimi i Almës dhe i Amulekut, që shkaktoi që burgu të binte përdhe.

Vini re, qe besimi i Nefit dhe i Lehit që solli ndryshimin mbi Lamanitët, që ata u pagëzuan me zjarr dhe me Frymën e Shenjtë.

Vini re, qe besimi i Amonit dhe i vëllezërve të tij që solli një mrekulli kaq të madhe mes Lamanitëve. …

Dhe asnjëherë në ndonjë kohë ndonjë njeri nuk ka bërë mrekulli vetëm pas besimit të tij; prandaj ata në fillim besuan në Birin e Perëndisë.”18

Unë mund t’i shtoj atij rendi shkrimesh të shenjta: “Ishte besimi i interpretuesve të rinj në moshë madhore të zellshëm, profesionistëve të transmetimit, udhëheqësve dhe anëtarëve të Kishës, një apostulli dhe një profeti të Perëndisë që kërkuan një mrekulli aq të madhe që të vinin dritat në një shesh të largët xhirimi në Goshen të Jutës”.

Mrekullitë mund të vijnë si përgjigje ndaj lutjes. Nuk janë gjithmonë ato që ne kërkojmë ose ato që presim, por, kur i mirëbesojmë Zotit, Ai do të jetë atje dhe Ai do të jetë i drejtë. Ai do ta përshtatë mrekullinë me çastin kur na nevojitet.

Zoti bën mrekulli për të na kujtuar për fuqinë e Tij, dashurinë e Tij për ne, ndihmën e Tij nga qiejt te përvoja jonë në vdekshmëri dhe dëshirën e Tij për të na dhënë mësim rreth asaj që ka më shumë vlerë. “Ai që ka besim në mua për t’u shëruar”, iu tha Ai shenjtorëve në vitin 1831 dhe premtimi vazhdon edhe sot, “dhe nuk caktohet për vdekjen, do të shërohet.”19 Ka ligje të shpallura në qiej dhe ne gjithmonë u nënshtrohemi atyre.

Ka raste kur shpresojmë që një mrekulli ta shërojë një njeri të dashur, të zhbëjë një veprim të padrejtë ose ta zbutë zemrën e një shpirti të hidhëruar ose zhgënjyer. Duke i parë gjërat me sytë njerëzorë, ne duam që Zoti të ndërhyjë, ta ndreqë atë që është prishur. Nëpërmjet besimit, mrekullitë do të vijnë, ndonëse jo medoemos kur e presim ne ose me përfundimin që ne dëshirojmë. A do të thotë kjo që nuk jemi dhe aq besnikë ose që nuk e meritojmë ndërhyrjen e Tij? Jo. Ne jemi të shtrenjtë për Zotin. Ai dha jetën e Tij për ne dhe Shlyerja e Tij vazhdon të na çlirojë nga barrët dhe mëkati ndërsa pendohemi dhe i afrohemi më shumë Atij.

Zoti na ka kujtuar: “As rrugët tuaja nuk janë rrugët e mia”20. Ai ofron: “Ejani tek unë, o ju të gjithë të munduar dhe të rënduar, dhe unë do t’ju jap çlodhje”21 – çlodhje nga shqetësimi, zhgënjimi, frika, mosbindja, shqetësimi për njerëzit e dashur, për ëndrrat e humbura ose të parealizuara. Paqja mes pështjellimit ose pikëllimit është një mrekulli. Kujtojini fjalët e Zotit: “A nuk i fola paqe mendjes tënde lidhur me çështjen? Ç’dëshmi më të madhe mund të kesh sesa nga Perëndia?”22 Mrekulli është fakti që Jezu Krishti, Jehova i Madh, Biri i Shumë të Lartit, po përgjigjet me paqe.

Ashtu siç Ai iu shfaq Maries në kopsht, duke e thirrur në emër, Ai na bën thirrje ta ushtrojmë besimin tonë. Maria po kërkonte që t’i shërbente Atij dhe të kujdesej për Të. Ringjallja e Tij nuk ishte çka ajo priste, por ishte sipas planit të madh të lumturisë.

“Zbrit nga kryqi”23, e përqeshi turma e jobesimtarëve Atë në Kalvar. Ai mund ta kishte kryer një mrekulli të tillë. Por Ai e dinte fundin që në fillim dhe synonte të ishte besnik ndaj planit të Atit të Tij. Ne duhet ta kuptojmë atë shembull.

Neve, në kohë sprovash, Ai na ka thënë: “Vini re plagët që tejshpuan ijën time dhe gjithashtu shenjat e gozhdëve në duart dhe këmbët e mia; jini besnikë, zbatoni urdhërimet e mia dhe ju do të trashëgoni mbretërinë e qiellit”24. Kjo, vëllezër dhe motra, është mrekullia që na u premtua të gjithëve.

Këtë të diel Pashke, ndërsa kremtojmë mrekullinë e Ringjalljes së Zotit tonë, si një Apostull i Jezu Krishtit, unë lutem përulësisht që ju ta ndieni fuqinë e Shëlbuesit në jetën tuaj, që thirrjet tuaja ndaj Atit tonë Qiellor të marrin përgjigje me dashurinë dhe zotimin që Jezu Krishti demonstroi gjatë gjithë shërbesës së Tij. Unë lutem që të mund të qëndroni të paepur dhe besnikë në gjithçka që do të vijë. Dhe ju bekoj që mrekullitë t’ju ndodhin rregullisht siç përjetuam edhe ne në Goshen – nëse është vullneti i Zotit. Kërkojini këto bekime të dërguara nga qielli në jetën tuaj ndërsa “kërkoni këtë Jezus për të cilin kanë shkruar profetët dhe apostujt, që hiri i Perëndisë, Atit dhe gjithashtu i Zotit Jezu Krisht dhe i Frymës së Shenjtë, që dëshmon për ta, të mund të jetë dhe të jetojë në ju përgjithmonë”25. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.