Udhëtimi Vetjak i një Fëmije të Perëndisë
Si fëmijë besëlidhës të Perëndisë, ne i duam, i nderojmë, i ushqejmë, i ruajmë dhe i mirëpresim ata shpirtra që po vijnë nga jeta para lindjes.
Secili prej nesh është prekur nga pandemia mbarëbotërore, teksa familjarët dhe miqtë kanë kaluar papritmas përtej vdekshmërisë. Më lejoni të përmend tri veta për të cilët na merr malli së tepërmi, që përfaqësojnë të gjithë ata që i duam kaq shumë.
Këta janë Vëllai Filipe dhe Motra Zherman Nsondi. Vëllai Nsondi po shërbente si patriark i kunjit Brazavill, në Republikën e Kongos, kur ndërroi jetë. Ai ishte një mjek i cili i ndau talentet e tij bujarisht me të tjerët.1
Kjo është Motra Klara Eliza Ruano de Vijareal nga Tulkani i Ekuadorit. Ajo e përqafoi ungjillin e rivendosur në moshën 34‑vjeçare dhe ishte një udhëheqëse e dashur. Familja e vet i dha lamtumirën duke kënduar himnin e saj të parapëlqyer: “E Di, Jeton Shëlbuesi Im”2.
Ky është Vëllai Rei Tuineau nga Juta, me familjen e tij të bukur. Bashkëshortja e tij, Xhulieta, tha: “Dua që [djemtë e mi] të [kujtojnë se babai i tyre] u përpoq gjithnjë ta vinte Perëndinë të parin”3.
Zoti ka thënë: “Jeto së bashku në dashuri, kështu që ti duhet të vajtosh për humbjen e atyre që vdesin”4.
Teksa vajtojmë, ne gjithashtu gjejmë gëzim te Ringjallja e lavdishme e Shpëtimtarit tonë. Për shkak të Tij, njerëzit tanë të dashur dhe miqtë tanë e vazhdojnë udhëtimin e tyre të përjetshëm. Siç e shpjegoi Presidenti Jozef F. Smith: “Ne nuk mund t’i harrojmë ata; ne nuk reshtim së dashuri ata. … Ata kanë përparuar; ne po përparojmë; ne po zhvillohemi siç janë zhvilluar ata.”5 Presidenti Rasëll M. Nelson tha: “Lotët tanë të hidhërimit … kthehen në lot pritjeje”6.
Ne Dimë për Jetën para Lindjes
Këndvështrimi ynë i përjetshëm jo vetëm që e zgjeron kuptueshmërinë tonë për ata që po e vazhdojnë udhëtimin e tyre përtej vdekshmërisë, por edhe e hap kuptueshmërinë tonë për ata që janë më në fillim të udhëtimit të tyre dhe pikërisht tani po hyjnë në vdekshmëri.
Çdo person që vjen në tokë, është një bir ose bijë e veçantë e Perëndisë.7 Udhëtimi ynë vetjak nuk filloi me lindjen. Përpara se të lindnim, ne ishim së bashku në një botë përgatitjeje ku “morë[m] mësimet [tona të] para në botën e shpirtrave”8. Jehova i tha Jeremias: “Para se unë të të formoja në barkun e nënës sate, të kam njohur; para se ti të dilje nga barku i saj, të kam shenjtëruar”9.
Disa mund të vënë në pikëpyetje nëse jeta fillon me formimin e një embrioni, ose kur zemra fillon të rrahë, apo kur foshnja mund të jetojë jashtë barkut, por për ne, nuk ka dyshim që bijat dhe bijtë shpirtërorë të Perëndisë janë në udhëtimet e tyre vetjake duke ardhur në tokë që të marrin një trup dhe të përjetojnë vdekshmërinë.
Si fëmijë besëlidhës të Perëndisë, ne i duam, i nderojmë, i ushqejmë, i ruajmë dhe i mirëpresim ata shpirtra që po vijnë nga jeta para lindjes.
Kontributi Mahnitës i Grave
Për një grua, pasja e një fëmije mund të jetë një sakrificë e madhe nga ana fizike, emocionale dhe ekonomike. Ne i duam dhe i nderojmë gratë e mrekullueshme të kësaj Kishe. Me inteligjencë e urtësi, ju mbani barrët e familjes suaj. Ju jepni dashuri. Ju shërbeni. Ju sakrifikoni. Ju e forconi besimin, u jepni shërbesë njerëzve në nevojë dhe jepni ndihmesë të madhe në shoqëri.
Përgjegjësia e Shenjtë e Ruajtjes së Jetës
Vite më parë, duke ndier shqetësim të thellë për numrin e aborteve në botë, Presidenti Gordon B. Hinkli, iu drejtua grave të Kishës me fjalë që janë me vend për ne sot. Ai tha: “Ju që jeni bashkëshorte dhe nëna, jeni spirancat e familjes. Ju i lindni fëmijët. Çfarë përgjegjësie e pamasë dhe e shenjtë që është kjo! … Çfarë po i ndodh vlerësimit tonë për shenjtërinë e jetës njerëzore? Aborti është një gjë e ligë, [që është] mizore, reale dhe e neveritshme, që po pllakos tokën. Unë u përgjërohem grave të kësaj Kishe që ta refuzojnë atë, të ngrihen mbi të, të qëndrojnë larg nga ato situata komprometuese që e bëjnë abortin të shfaqet si diçka e dëshirueshme. Mund të ketë disa rrethana të pakta në të cilat ai mund të ndodhë, por ato janë jashtëzakonisht të kufizuara.10 … Ju jeni nënat e bijve dhe bijave të Perëndisë, jeta e të cilëve është e shenjtë. Ruajtja e tyre është një përgjegjësi e dhënë në mënyrë hyjnore, e cila nuk mund të anashkalohet lehtë.”11
Plaku Markus B. Nash më tregoi historinë e një gruaje të dashur 84‑vjeçare, e cila gjatë intervistës së saj të pagëzimit, “pranoi se kishte kryer një abort [shumë vite më parë]”. Me një ndjenjë të çiltër, ajo tha: “E kam mbartur barrën e kryerjes së abortit të një fëmije çdo ditë të jetës sime për dyzet e gjashtë vjet. … Asgjë që bëra, nuk do të ma largojë dot dhembjen dhe fajin. Isha e pashpresë derisa ma mësuan ungjillin e vërtetë të Jezu Krishtit. Mësova si të pendohem … dhe befas u mbusha me shpresë. Si përfundim arrita të dija se mund të merrja falje, në qoftë se pendohesha vërtet për mëkatet e mia.”12
Sa mirënjohës jemi për dhuratat hyjnore të pendimit dhe faljes!
Çfarë Mund të Bëjmë Ne?
Cila është përgjegjësia jonë si dishepuj paqësorë të Jezu Krishtit? Le t’i jetojmë urdhërimet e Perëndisë, t’ua mësojmë ato fëmijëve tanë dhe t’ua tregojmë të tjerëve që janë të gatshëm të dëgjojnë.13 Le t’ua shprehim ndjenjat tona më të thella rreth shenjtërisë së jetës atyre që marrin vendime në shoqëri. Ata mund të mos e vlerësojnë krejtësisht atë që ne besojmë, por ne lutemi që ata ta kuptojnë më plotësisht arsyen përse, për ne, këto vendime shkojnë shumë përtej asaj që dëshiron një person për jetën e tij apo të saj vetjake.
Nëse pritni një fëmijë të paplanifikuar, na lejoni t’ju ndihmojmë me dashuri, kurajë dhe, kur të jetë nevoja, me ndihmë financiare, duke e forcuar një nënë që ta lejojë fëmijën e saj të lindë dhe ta vazhdojë udhëtimin e tij apo të saj në vdekshmëri.14
Bukuria e Birësimit
Në familjen tonë, ne kemi qenë tej mase të bekuar, kur dy dekada më parë, një e re 16-vjeçare mësoi se po priste një fëmijë. Ajo dhe babai i foshnjës nuk ishin të martuar dhe nuk mund të shihnin asnjë mundësi për të vazhduar së bashku. E reja besonte se jeta që po mbartte, ishte e çmuar. Ajo lindi një vajzë dhe lejoi që një familje e virtytshme ta birësonte atë si fëmijën e vet. Për Brajsin dhe Xholinën, ajo ishte një përgjigje ndaj lutjeve të tyre. Ata ia vunë emrin Emili dhe i mësuan të mirëbesonte tek Ati i saj Qiellor dhe Biri i Tij, Jezu Krishti.
Emilia u rrit. Sa mirënjohës jemi që Emilia dhe nipi ynë, Kristiani, ranë në dashuri dhe u martuan në shtëpinë e Zotit. Emilia dhe Kristiani tani kanë lindur vajzën e tyre të vogël.
Emilia shkroi kohët e fundit: “Gjatë gjithë këtyre nëntë muajve të fundit të shtatzënisë, pata kohë të reflektoja për ngjarjet e vetë lindjes sime. Mendova për nënën time që më lindi, e cila ishte vetëm 16 vjeçe. Ndërsa përjetova dhembjet dhe ndryshimet që sjell shtatzënia, nuk mund të mos e përfytyroja se sa e vështirë do të kishte qenë në atë moshë të re 16-vjeçare. … Edhe tani më dalin lot, teksa mendoj për nënën time që më lindi, e cila e dinte se nuk mund të më jepte jetën [që dëshironte për mua dhe në mënyrë vetëmohuese më dha] për birësim. Unë nuk mund ta marr me mend se çfarë mund të ketë kaluar ajo në ata nëntë muaj – e parë me sy gjykues teksa trupi i saj ndryshonte, përvojat e adoleshencës që i humbi, duke e ditur se në përfundim të kësaj lindjeje me dashuri prej nëne, ajo do ta vendoste fëmijën e saj në krahët e një tjetre. Jam kaq mirënjohëse për zgjedhjen e saj vetëmohuese, që nuk zgjodhi ta përdorte lirinë e vet të zgjedhjes në një mënyrë që do të hiqte timen.” Emilia e mbyll me fjalët: “Jam kaq mirënjohëse për planin hyjnor të Atit Qiellor, për prindërit e mi të jashtëzakonshëm, të cilët [më deshën dhe u kujdesën për] mua dhe për tempujt ku ne mund të vulosemi me familjet tona për përjetësinë”15.
Shpëtimtari “mori një fëmijë të vogël dhe e vuri në mes të tyre; pastaj e mori në krahë dhe u tha atyre: ‘Cilido që pranon një nga këta fëmijë në emrin tim, më pranon mua’”16.
Kur Dëshirat e Drejta Nuk Janë Realizuar Ende
Unë shpreh dashurinë e dhembshurinë time për çiftet e virtytshme, të cilët martohen dhe nuk janë në gjendje të lindin fëmijët që i presin me kaq dëshirë, dhe për ato gra e burra që nuk kanë pasur mundësinë të martohen sipas ligjit të Perëndisë. Ëndrrat e parealizuara të jetës janë të vështira për t’u kuptuar nëse shihen vetëm nga këndvështrimi i vdekshmërisë. Si shërbëtor i Zotit, unë ju premtoj se, në qoftë se jeni besnikë ndaj Jezu Krishtit dhe besëlidhjeve tuaja, ju do të merrni bekimet shpërblyese në këtë jetë dhe dëshirat tuaja të drejta në kohën e përjetshme, të caktuar nga Zoti.17 Mund të ketë lumturi në udhëtimin në vdekshmëri edhe kur të gjitha shpresat tona të drejta nuk janë realizuar.18
Pas lindjes, fëmijët vazhdojnë të kenë nevojë për ndihmën tonë. Disave u nevojitet ajo patjetër. Çdo vit, nëpërmjet peshkopëve të kujdesshëm dhe ndihmesave tuaja bujare me ofertat e agjërimit dhe fondet humanitare, bekohen jetët e miliona dhe miliona fëmijëve. Presidenca e Parë njoftoi kohët e fundit se do të jepen edhe 20 milionë dollarë, për ta ndihmuar UNICEF‑in në përpjekjet e tyre mbarëbotërore për të administruar dy miliardë vaksina.19 Fëmijët janë të dashur për Perëndinë.
Vendimi i Shenjtë për të Pasur një Fëmijë
Është shqetësuese që edhe në disa prej vendeve më të begata të botës, po lindin gjithnjë e më pak fëmijë.20 “Urdhërimi i Perëndisë për fëmijët e Tij që të shumohen dhe të mbushin tokën, mbetet i vlefshëm.”21 Kur ta kesh një fëmijë dhe sa fëmijë të kesh, janë vendime personale që merren midis bashkëshortit e bashkëshortes dhe Zotit. Me besim dhe lutje, këto vendime të shenjta mund të jenë përvoja të bukura zbulese.22
Po tregoj historinë e familjes Leing nga Kalifornia Jugore. Motra Rebeka Leing shkruan:
“Në verën e vitit 2011, jeta për familjen tonë ishte në dukje e përkryer. Ishim një çift lumturisht i martuar me katër fëmijë të moshave 9, 7, 5 dhe 3 vjeç. …
Shtatzënitë dhe lindjet e mia [kishin qenë] me rrezik të lartë … [dhe] ne u ndiem [shumë] të bekuar që u bëmë me katër fëmijë, [duke menduar] se familja jonë ishte e plotë. Në tetor ndërsa po dëgjoja konferencën e përgjithshme, pata një ndjenjë të pagabueshme se do të bëheshim me një fëmijë tjetër. Kur LeGrandi dhe unë përsiatëm dhe u lutëm, … e dinim se Perëndia kishte për ne një plan të ndryshëm nga ai që kishim për veten.
Pas një shtatzënie dhe lindjeje tjetër të vështirë, ne u bekuam me një vajzë të bukur. Ia vumë emrin Briel. Ajo ishte një mrekulli. Disa çaste pas lindjes së saj, ndërsa isha ende në [sallën e lindjes], dëgjova zërin e pagabueshëm të Shpirtit: ‘Do të kesh edhe një tjetër’.
Tre vjet më vonë, një mrekulli tjetër, Mia. Briela dhe Mia janë një gëzim i jashtëzakonshëm për familjen tonë.” Ajo e mbyll me fjalët: “Të qenit të hapur ndaj udhëzimeve të Zotit dhe ndjekja e planit të Tij për ne do të sjellin gjithmonë lumturi më të madhe sesa … kur mbështetemi në vetë kuptueshmërinë tonë”23.
Shpëtimtari e do secilin fëmijë të çmuar.
“Dhe ai i mori fëmijët e tyre të vegjël, një nga një, dhe i bekoi. …
Dhe … ata hodhën sytë drejt qiellit … dhe panë engjëj që po zbritnin nga qielli … në mes të një zjarri; dhe [engjëjt] … rrethuan të vegjlit e tyre, … dhe engjëjt u shërbyen atyre.”24
Unë dëshmoj se udhëtimi juaj vetjak si fëmijë i Perëndisë nuk filloi për ju kur rryma e parë e ajrit të tokës u fut vrullshëm në mushkëritë tuaja dhe nuk do të mbarojë kur të nxirrni frymën tuaj të fundit në vdekshmëri.
Kujtofshim gjithmonë se çdo shpirt i Perëndisë po vjen në tokë për udhëtimin e tij apo të saj vetjak!25 I mirëpritshim ata, i ruajtshim ata dhe qofshim gjithmonë të dashur me ta! Kur i pranoni këta fëmijë të çmuar në emrin e Shpëtimtarit dhe i ndihmoni gjatë udhëtimit të tyre të përjetshëm, ju premtoj se Zoti do t’ju bekojë dhe do të derdhë dashurinë dhe miratimin e Tij mbi ju. Në emrin e Jezu Krishtit, amen.