Drita e Ungjillit të së Vërtetës dhe Dashurisë
Unë dëshmoj se drita e ungjillit të së vërtetës dhe dashurisë shkëlqen fort anembanë tokës sot.
Himni i bukur i shenjtorëve të ditëve të mëvonshme: “Dëgjoni Kombe!” në mënyrë të pagabueshme rrok entuziazmin dhe gazmendin e plotësisë së ungjillit që përhapet në të gjithë botën. Në këtë himn ne këndojmë:
Dëgjoni Kombe! Zën’ e qiellit
Dëgjoni që t’gjith të g’zoheni!
Engjëjt e lavdis’ thërrasin fort:
E vër-te-ta ësht’ sot!1
Luis F. Mënshi, autori i këtij teksti ngazëllues ishte një gjerman i kthyer në besim, i cili i shkroi fjalët e frymëzuara për himnin ndërkohë që jetonte në Zvicër gjatë shërbimit të tij kohëplotë si misionar në Europë2. Gëzimi që buron nga dëshmimi i ndikimit botëror të Rivendosjes, shprehet qartë në fjalët vijuese të himnit:
Kombet vajtonin në errësir’;
Du’ke vëzhguar për agimin.
Nata mbaroi; të gjith’ gëzojn’.
E vërteta ësht’ n’ tok’!3
Falë fillimit të Rivendosjes së vazhdueshme pak më shumë se 200 vjet më parë, “[drita e] ungjilli[t të së vërtetës dhe] dashuris’”4 tashmë shkëlqen fort anembanë tokës. Profeti Jozef mësoi në vitin 1820 dhe miliona njerëz të tjerë kanë mësuar që nga ajo kohë, se Perëndia “u jep të gjithëve pa kursim, pa qortuar”5.
Pak kohë pas organizimit të Kishës në këtë periudhë të fundit ungjillore, Zoti i foli Jozef Smithit dhe e shfaqi dashurinë e Tij të bollshme për ne kur Ai tha:
“Prandaj unë, Zoti, duke e ditur fatkeqësinë që do të vinte mbi banorët e tokës, thirra shërbëtorin tim, Joseph Smith të Riun dhe i fola atij nga qielli e i dhashë urdhërime; …
që besëlidhja ime e përjetshme të mund të themelohet;
që plotësia e ungjillit tim të mund t’u shpallet nga të dobëtit dhe të thjeshtët fundeve të botës.”6
Pak kohë pasi u mor kjo zbulesë, misionarët filluan të thirreshin dhe të dërgoheshin te shumë kombe të botës. Pikërisht siç e parashikoi profeti Nefi, mesazhi i ungjillit të rivendosur filloi të predikohej “mes të gjitha kombeve, fiseve, gjuhëve dhe popujve”7.
“Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme u organizua zyrtarisht në një shtëpi të vogël druri në rrethinat në veri të Nju‑Jorkut në vitin 1830.
U deshën 117 vjet – deri në vitin 1947 – që Kisha të rritej nga gjashtë anëtarë që kishte në fillim deri në një milion. Misionarët ishin një veçori e Kishës që nga ditët e saj më të hershme, që u përhapën në tokat e indianëve të Amerikës, në Kanada dhe, në vitin 1837, përtej kontinentit të Amerikës Veriore deri në Angli. Jo shumë kohë më pas, misionarët po punonin në kontinentin europian dhe larg deri në Indi dhe Ishujt e Paqësorit.
Anëtarësia prej 2 milionë vetash u arrit vetëm 16 vjet më vonë, në vitin 1963 dhe në tetë vjet më pas arriti në tre milionë.”8
Duke vënë në dukje rritjen e shpejtë të Kishës, Presidenti Rasëll M. Nelson kohët e fundit tha: “Sot, puna e Zotit në Kishën e Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme po ecën përpara me një ritëm të përshpejtuar. Kisha do të ketë një të ardhme të pashembullt, të pakrahasueshme.”9
Rivendosja e plotësisë së ungjillit të Jezu Krishtit, organizimi i Kishës së gjallë të Zotit në tokë sërish dhe rritja e saj mbresëlënëse që nga ajo kohë, i kanë vënë në dispozicion bekimet e priftërisë anembanë tokës. Ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta që na lidhin me Perëndinë dhe na vënë në shtegun e besëlidhjeve, shfaqin qartësisht “fuqi[në] e perëndishmërisë”10. Teksa marrim pjesë në këto ordinanca të shenjta për të gjallët dhe për të vdekurit, ne e mbledhim Izraelin në të dyja anët e velit dhe e përgatitim tokën për Ardhjen e Dytë të Shpëtimtarit.
Në prill të vitit 1973, prindërit e mi dhe unë udhëtuam nga shteti ynë amtar, Argjentina, për t’u vulosur në tempull. Duke qenë se nuk kishte tempuj në të gjithë Amerikën Latine në atë kohë, ne fluturuam më shumë se 9 700 kilometra si në vajtje dhe në ardhje për t’u vulosur në Tempullin e Solt‑Lejkut. Ndonëse isha vetëm dy vjeç në atë kohë dhe nuk e mbaj mend plotësinë e asaj përvoje të veçantë, tri imazhe shumë të dallueshme nga ai udhëtim më mbetën në mendje dhe vazhdojnë të qëndrojnë aty që nga ajo kohë.
Së pari, mbaj mend që më vunë pranë dritares së aeroplanit dhe që shihja retë e bardha poshtë.
Ato re të bukura e të shndritshme qëndrojnë në mendjen time si të kishin qenë topa gjigantë prej pambuku.
Një figurë tjetër që më ka mbetur në mendje, ishte ajo e disa personazheve me pamje gazmore në një park argëtimi në zonën e Los Anxhelosit. Ato personazhe vështirë se mund të harrohen
por me një rëndësi shumë më të madhe është kjo figurë e shkëlqyer dhe e paharrueshme:
E mbaj mend qartësisht se isha në një dhomë të shenjtë të Tempullit të Solt‑Lejkut ku kryheshin vulosjet e çifteve dhe familjeve për kohën dhe për gjithë përjetësinë. E mbaj mend altarin e bukur të tempullit dhe më kujtohet drita e diellit që shndriste përmes dritares së jashtme të dhomës. E ndjeva atëherë dhe kam vazhduar ta ndiej që nga ajo kohë, ngrohtësinë, sigurinë dhe ngushëllimin e dritës së ungjillit të së vërtetës dhe dashurisë.
Ndjenja të ngjashme u ripohuan në zemrën time 20 vjet më vonë, kur hyra në tempull për t’u vulosur edhe një herë – kësaj radhe kur e fejuara ime dhe unë u vulosëm për kohën dhe për gjithë përjetësinë. Sidoqoftë, në këtë rast, neve nuk na u desh të udhëtonim mijëra kilometra, sepse Tempulli i Buenos-Ajresit në Argjentinë, ishte ndërtuar dhe përkushtuar tashmë dhe nevojitej vetëm një udhëtim i shkurtër me makinë nga shtëpia jonë.
Njëzet e dy vjet pas dasmës dhe vulosjes sonë, ne patëm bekimin që të riktheheshim tek i njëjti tempull, por kësaj radhe me bijën tonë të bukur dhe u vulosëm si një familje për kohën dhe për gjithë përjetësinë.
Teksa kam reflektuar për këto çaste shumë të shenjta të jetës sime, jam pushtuar nga një gëzim i thellë e i qëndrueshëm. Kam ndier dhe vazhdoj ta ndiej dashurinë e një Ati në Qiell të dhembshur, i cili i njeh nevojat tona individuale dhe dëshirat tona të çiltra.
Duke iu drejtuar mbledhjes së Izraelit në ditët e fundit, Zoti Jehova tha: “Do ta shtie ligjin tim në mendjen e tyre dhe do ta shkruaj mbi zemrën e tyre, dhe unë do të jem Zoti i tyre dhe ata do të jenë populli im”11. Ndihem përjetësisht mirënjohës që ligji i Zotit filloi të gdhendej thellë në zemrën time që në një moshë të re nëpërmjet ordinancave të shenjta në shtëpinë e Tij të shenjtë. Sa themelore është të dimë se Ai është Perëndia ynë, se ne jemi populli i Tij dhe se pavarësisht rrethanave që kemi, nëse jemi besnikë dhe u bindemi besëlidhjeve në të cilat kemi hyrë, ne mund të “j[emi të] rrethuar përjetësisht në krahët e dashurisë së tij”12.
Gjatë sesionit të grave në konferencën e përgjithshme të tetorit 2019, Presidenti Nelson tha: “Të gjitha përpjekjet tona për t’i dhënë shërbesë njëri‑tjetrit, për të shpallur ungjillin, për t’i përsosur shenjtorët dhe për t’i shëlbuar të vdekurit, puqen në tempull[in e shenjtë]”13.
Gjithashtu, gjatë po të njëjtës konferencë të përgjithshme, Presidenti Nelson dha mësim: “Sigurisht, guri i çmuar kurorëzues i Rivendosjes është tempulli i shenjtë. Ordinancat dhe besëlidhjet e shenjta të tij janë shumë të rëndësishme për përgatitjen e një populli që është gati ta mirëpresë Shpëtimtarin në Ardhjen e Tij të Dytë.”14
Rivendosja e vazhdueshme është shenjuar nga ndërtimi dhe përkushtimi i tempujve me një ritëm të shtuar. Teksa mblidhemi në të dyja anët e velit, teksa bëjmë sakrifica për të shërbyer dhe e bëjmë tempullin thelbësor në jetën tonë, Zoti me të vërtetë po na ndërton – Ai po ndërton popullin e Tij të besëlidhjes.
O, sa lavdishëm nga froni lart
Shkëlqen ungjilli i dashuris’!
Ndriçon kjo rreze nga lart në qiell
Çdo tokë sot si diell15.
Unë dëshmoj se drita e ungjillit të së vërtetës dhe dashurisë shkëlqen fort anembanë tokës sot. “[Vepra e] mrekull[ueshme] dhe [një] çudi” e parashikuar nga profeti Isaia16 dhe e parë nga Nefi17 po ndodh me një ritëm të ngutshëm, edhe në këto kohë sfiduese. Siç shpalli në mënyrë profetike Jozef Smithi: “Standardi i së Vërtetës është vendosur; asnjë dorë mëkatare nuk mund ta ndalojë punën të përparojë … derisa qëllimet e Perëndisë të përmbushen dhe Jehova i Madh të thotë se puna u krye”18.
Vëllezër dhe motra, qofshim të gatshëm dhe vendosshim sot që ta përfshijmë veten dhe familjet tona në dëgjimin e zërit të qiellit, madje zërit të Shpëtimtarit tonë! I bëfshim dhe i mbajtshim besëlidhjet me Perëndinë, të cilat do të na mbajnë qëndrueshëm në shtegun që të çon sërish në praninë e Tij dhe gëzofshim në bekimet e dritës dhe së vërtetës së lavdishme të ungjillit të Tij! Në emrin e Jezu Krishtit, amen.