Konferenca e Përgjithshme
Çfarë Ka Bërë Shpëtimtari Ynë për Ne?
konferenca e përgjithshme e prillit 2021


12:44

Çfarë Ka Bërë Shpëtimtari Ynë për Ne?

Jezu Krishti ka bërë gjithçka që është thelbësore për udhëtimin tonë përmes vdekshmërisë drejt fatit të përvijuar në planin e Atit tonë Qiellor.

Në një mbledhje të shtunën në mbrëmje, shumë vjet më parë në një konferencë kunji, takova një grua që tha se shoqet e saj i kishin kërkuar të kthehej në kishë pas shumë vitesh që nuk ishte aktive, por ajo nuk mund të mendonte për ndonjë arsye pse duhej të kthehej. Për ta inkurajuar, unë thashë: “Kur merr parasysh të gjitha gjërat që Shpëtimtari ka bërë për ty, ti ke shumë arsye që të kthehesh për ta adhuruar Atë dhe për t’i shërbyer Atij”. U çudita kur ajo u përgjigj: “Ç’ka bërë Ai për mua?”

Ardhja e Dytë

Çfarë ka bërë Jezu Krishti për secilin prej nesh? Ai ka bërë gjithçka që është thelbësore për udhëtimin tonë përmes vdekshmërisë drejt fatit të përvijuar në planin e Atit tonë Qiellor. Unë do të flas për katër prej karakteristikave kryesore të atij plani. Në secilën prej tyre, Biri i Tij i Vetëmlindur, Jezu Krishti, është figura qendrore. Ajo që e nxit gjithë këtë është “dashuria e Perëndisë që derdhet në zemrat e fëmijëve të njerëzve; prandaj, ajo është më e dëshirueshmja mbi të gjitha gjërat” (1 Nefi 11:22).

I.

Pikërisht përpara të dielës së Pashkës, është koha e duhur të flasim së pari për Ringjalljen e Jezu Krishtit. Ringjallja së vdekuri është shtylla siguruese, vetjake e besimit tonë. Ajo i shton domethënie doktrinës sonë, shtysë sjelljes sonë dhe shpresë të ardhmes sonë.

Për shkak se i besojmë përshkrimet në Bibël dhe në Librin e Mormonit rreth Ringjalljes së mirëfilltë të Jezu Krishtit, ne gjithashtu i pranojmë mësimet e shumta të shkrimeve të shenjta se një ringjallje e ngjashme do t’u vijë të gjithë të vdekshmëve që kanë jetuar ndonjëherë mbi këtë tokë.1 Siç dha mësim Jezusi: “Sepse unë jetoj, edhe ju do të jetoni” (Gjoni 14:19). Dhe Apostulli i Tij dha mësim se “të vdekurit do të ringjallen të paprishshëm” dhe “ky i vdekshëm [do] të veshë pavdekësinë” (1 Korintasve 15:52, 54).

Ringjallja

Por Ringjallja na jep më shumë sesa këtë siguri për pavdekësinë. Ajo e ndryshon mënyrën se si e shohim jetën në vdekshmëri.

Ringjallja na jep këndvështrimin dhe forcën për t’i duruar sfidat e vdekshmërisë, me të cilat përballet secili prej nesh dhe njerëzit që i duam. Ajo na jep një mënyrë të re për t’i parë mangësitë fizike, mendore apo emocionale që i kemi që nga lindja ose që i marrim gjatë jetës në vdekshmëri. Ajo na jep forcën për t’i duruar hidhërimet, dështimet dhe zhgënjimet. Ngaqë secili prej nesh e ka të sigurt ringjalljen, ne e dimë se këto mangësi dhe kundërshtime në vdekshmëri janë vetëm të përkohshme.

Ringjallja gjithashtu na jep edhe një stimul të fuqishëm për t’i zbatuar urdhërimet e Perëndisë gjatë jetës sonë në vdekshmëri. Kur të ngrihemi së vdekuri dhe të shkojmë drejt Gjykimit tonë të profetizuar e Përfundimtar, ne dëshirojmë të jemi kualifikuar për bekimet më të zgjedhura, të premtuara për qeniet e ringjallura.2

Mund të jetojmë si familje përgjithmonë.

Përveç këtyre, premtimi se Ringjallja mund të përfshijë një mundësi që të jemi me pjesëtarët e familjes sonë – bashkëshortin, bashkëshorten, fëmijët, prindërit dhe pasardhësit – është një inkurajim i fuqishëm për t’i përmbushur përgjegjësitë tona familjare në vdekshmëri. Ajo gjithashtu na ndihmon të jetojmë së bashku me dashuri në këtë jetë dhe na ngushëllon për vdekjen e njerëzve tanë të dashur. Ne e dimë se këto ndarje në vdekshmëri janë vetëm të përkohshme dhe i presim me mall ribashkimet dhe shoqërimet e gëzueshme të së ardhmes. Ringjallja na jep shpresë dhe forcë që të jemi të durueshëm ndërkohë që presim. Ajo gjithashtu na përgatit me kurajën dhe dinjitetin për t’u përballur me vetë vdekjen tonë – madje një vdekje që mund të quhet e parakohshme.

Të gjitha këto efekte të Ringjalljes janë pjesë e përgjigjes së parë për pyetjen: “Çfarë ka bërë Jezu Krishti për mua?”

II.

Për shumicën prej nesh, mundësia që të marrim falje për mëkatet tona është domethënia kryesore e Shlyerjes së Jezu Krishtit. Duke adhuruar, ne këndojmë me nderim:

Të shtrenjtin gjak lirisht derdhi;

Jetën e dha për ne,

Për m’katin i pafajshëm fli,

Botën të shpëtonte.3

Shpëtimtari dhe Shëlbuesi ynë duroi vuajtje të papërfytyrueshme për t’u bërë fli për mëkatet e të gjithë të vdekshmëve që do të pendoheshin. Ky flijim shlyes ofroi të mirën më të lartë, qengjin e dëlirë pa të meta, për masën më të lartë të ligësisë, mëkatet e tërë botës. Flijimi i hapi portën secilit prej nesh që të pastroheshim nga vetë mëkatet tona, me qëllim që të mund të ripranoheshim në praninë e Perëndisë, Atit tonë të Amshuar. Kjo portë e hapur është në dispozicion të të gjithë fëmijëve të Perëndisë. Duke adhuruar, ne këndojmë:

Çuditem t’mendoj se nga fron’ i Tij Ai do zbres’,

Shpëtim t’i sjell’ shpirtit tim krenar edhe rebel,

Që ta shtrij’ kaq shum’ mbi mua dashurin’ e Tij.4

Efekti madhështor dhe i paimagjinueshëm i Shlyerjes së Jezu Krishtit bazohet te dashuria e Perëndisë për secilin prej nesh. Ai pohon deklarimin e Tij se “vlera e shpirtrave” – e secilit – “është e madhe në sytë e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 18:10). Në Bibël, Jezu Krishti e shpjegoi këtë me fjalët e dashurisë së Atit tonë Qiellor: “Sepse Perëndia e deshi aq botën, sa dha Birin e tij të vetëmlindurin, që, kushdo që beson në të, të mos humbasë, por të ketë jetë të përjetshme” (Gjoni 3:16). Në zbulesën moderne, Shëlbuesi ynë, Jezu Krishti, shpalli se Ai “kaq shumë e deshi botën, sa dha jetën e tij, që të gjithë ata që do të besonin, të mund të bëheshin bijtë e Perëndisë” (Doktrina e Besëlidhje 34:3).

A është çudi, atëherë, që Libri i Mormonit: Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit, përfundon me mësimdhënien se, që të bëhemi “të përsosur” dhe “të shenjtër[uar] në Krisht”, ne duhet ta “d[uam] Perëndinë me gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën t[onë]”? (Moroni 10:32–33.) Plani i Tij, i nxitur nga dashuria, duhet të merret me dashuri.

III.

Çfarë tjetër ka bërë Shpëtimtari ynë, Jezu Krishti, për ne? Nëpërmjet mësimeve të profetëve të Tij dhe nëpërmjet shërbesës së Tij vetjake, Jezusi na mësoi planin e shpëtimit. Ky plan përfshin Krijimin, qëllimin e jetës, domosdoshmërinë e kundërshtimit dhe dhuratën e lirisë së zgjedhjes. Ai gjithashtu na mësoi urdhërimet dhe besëlidhjet që duhet t’u bindemi dhe ordinancat që duhet të përjetojmë për të na kthyer te prindërit tanë qiellorë.

Predikimi në Mal

Në Bibël lexojmë mësimin e dhënë prej Tij: “Unë jam drita e botës; kush më ndjek nuk do të ecë në errësirë, por do të ketë dritën e jetës” (Gjoni 8:12). Dhe në zbulesën moderne lexojmë: “Vër re, unë jam Jezu Krishti, … një dritë që s’mund të fshihet në errësirë” (Doktrina e Besëlidhje 14:9). Nëse i ndjekim mësimet e Tij, Ai e ndriçon shtegun tonë në këtë jetë dhe na e siguron fatin tonë në botën pas kësaj.

Ngaqë na do, Ai na sfidon që të përqendrohemi tek Ai sesa te gjërat e kësaj bote të vdekshme. Në predikimin e Tij të madh për bukën e jetës, Jezusi dha mësim se ne nuk duhet të jemi mes atyre njerëzve që tërhiqen më shumë nga gjërat e botës – gjërat që mbështetin jetën në tokë, por nuk japin ushqim për jetën e përjetshme.5 Sikurse Jezusi na ftoi sërish dhe sërish dhe sërish: “Më ndiq”6.

IV.

Së fundi, Libri i Mormonit na mëson se, si pjesë e Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti “vuajt[i] dhimbje dhe hidhërime dhe tundime të çdo lloji; dhe kjo, që të plotësohet fjala që thotë se ai do të marrë përsipër dhembjet dhe sëmundjet e popullit të tij” (Alma 7:11).

Përse i vuajti Shpëtimtari ynë këto sfida “të çdo lloji” në vdekshmëri? Alma shpjegoi: “Dhe ai do të marrë përsipër dobësitë e tyre, që zemra e tij të mund të mbushet me mëshirë, sipas mishit, që ai të mund të dijë, sipas mishit, se si të ndihmojë popullin e tij sipas dobësive të tyre” (Alma 7:12).

Krishti në Gjetseman

Shpëtimtari ynë i ndien dhe i di tundimet tona, betejat tona, pikëllimet tona dhe vuajtjet tona, sepse Ai me gatishmëri i përjetoi ato të gjitha si pjesë e Shlyerjes së Tij. Shkrime të tjera të shenjta e pohojnë këtë gjë. Dhiata e Re shpall: “Duke qenë se ai vetë hoqi kur u tundua, mund t’u vijë në ndihmë atyre që tundohen” (Hebrenjve 2:18). Isaia jep mësim: “Mos ki frikë, sepse unë jam me ty[.] … Unë të forcoj dhe njëkohësisht të ndihmoj” (Isaia 41:10). Të gjithë ata që vuajnë çfarëdo lloji dobësie të vdekshmërisë, duhet të kujtojnë se edhe Shpëtimtari ynë e përjetoi atë lloj dhembjeje dhe se nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Ai i ofron secilit prej nesh forcën për ta duruar atë.

Profeti Jozef Smith e përmblodhi të gjithë këtë në nenin [tonë] të tretë të besimit: “Ne besojmë se nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit, i gjithë njerëzimi mund të shpëtohet, me anë të bindjes ndaj ligjeve dhe ordinancave të Ungjillit”.

“Çfarë ka bërë Jezu Krishti për mua?” – pyeti ajo motër. Nën planin e Atit tonë Qiellor, Ai “krijoi qiejt dhe tokën” (Doktrina e Besëlidhje 14:9), që secili prej nesh të mund të kishte përvojën në vdekshmëri, të nevojshme për ta kërkuar fatin tonë hyjnor. Si pjesë e planit të Atit, Ringjallja e Jezu Krishtit e mposhti vdekjen për t’i siguruar secilit prej nesh pavdekësinë. Flijimi shlyes i Jezu Krishtit i jep secilit prej nesh mundësinë që të pendohet për mëkatet e veta dhe të kthehet i/e pastruar në shtëpinë e vet qiellore. Urdhërimet dhe besëlidhjet e Tij na tregojnë udhën dhe priftëria e Tij na jep autoritetin për të kryer ordinancat që janë thelbësore për ta arritur atë fat dhe Shpëtimtari ynë me gatishmëri i përjetoi të gjitha dhembjet dhe dobësitë e vdekshmërisë, që Ai të dinte se si të na forconte në hidhërimet tona.

Jezu Krishti

Jezu Krishti e bëri të gjithë këtë, sepse Ai i do të gjithë fëmijët e Perëndisë. Dashuria është shtysa për gjithë këtë dhe ishte kështu që nga fillimi fare. Perëndia na ka thënë në zbulesën moderne se “ai krijoi … mashkullin dhe femrën, sipas shëmbëlltyrës së tij … dhe u dha atyre urdhërime, që ata duhej ta donin atë dhe t’i shërbenin atij” (Doktrina e Besëlidhje 20:18–19).

Unë dëshmoj për të gjitha këto dhe lutem që ne të gjithë do të mbajmë mend atë që ka bërë Shpëtimtari ynë për secilin prej nesh dhe që ne të gjithë do ta duam Atë dhe do t’i shërbejmë Atij, në emrin e Jezu Krishtit, amen.