“1–7 Dhjetor: ‘Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve’: Doktrina e Besëlidhje 137–138”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: Doktrina e Besëlidhje 2025 (2025)
“Doktrina e Besëlidhje 137–138”, Eja, Më Ndiq – Për Shtëpinë dhe Kishën: 2025
1–7 Dhjetor: “Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve”
Doktrina e Besëlidhje 137–138
Zbulesat e shënuara te Doktrina e Besëlidhje 137 dhe 138 veçohen prej më shumë se 80 vjet dhe 2400 kilometra largësi. Seksioni 137 u mor nga Profeti Jozef Smith në vitin 1836 në Tempullin e Kirtlandit dhe seksioni 138 u mor nga Jozef F. Smithi, Presidenti i gjashtë i Kishës, në vitin 1918 në Solt‑Lejk‑Siti. Por nga ana doktrinore, këto dy vegime qëndrojnë krah për krah. Të dyja u përgjigjen pyetjeve që shumë njerëz, përfshirë profetët e Perëndisë, kanë për jetën pas vdekjes. Jozef Smithi vriste mendjen për fatin e të vëllait, Alvinit, që kishte vdekur pa u pagëzuar. Jozef F. Smithi, i cili i kishte humbur të dy prindërit dhe 13 fëmijë nga vdekja e parakohshme, mendonte shpesh rreth botës së shpirtrave dhe vriste mendjen rreth predikimit të ungjillit atje.
Seksioni 137 hedh paksa dritë mbi fatin e fëmijëve të Perëndisë në jetën tjetër dhe seksioni 138 i hap perdet edhe më shumë. Së bashku, të dyja zbulesat dëshmojnë për “dashurinë e madhe dhe të mrekullueshme të shfaqur nga Ati dhe Biri” (Doktrina e Besëlidhje 138:3).
Ide për të Mësuarit në Shtëpi dhe në Kishë
Doktrina e Besëlidhje 137; 138:30–37, 57–60
Të gjithë fëmijët e Atit Qiellor do të kenë mundësinë të zgjedhin jetën e përjetshme.
Alvin Smithi, vëllai i dashur i Profetit Jozef, ndërroi jetë gjashtë vjet përpara se Perëndia ta rivendoste autoritetin për t’u pagëzuar. Kuptueshmëria e përbashkët mes disa të krishterëve në vitin 1836 ishte se, në qoftë se një person vdiste pa qenë i pagëzuar, ai person nuk mund të shkonte në qiell. Jozefi vrau mendjen rreth shpëtimit të përjetshëm të Alvinit për shumë vjet, derisa mori zbulesën te Doktrina e Besëlidhje 137.
Shumë njerëz sot kanë pyetje të ngjashme. Pse Perëndia do të kërkonte ordinanca dhe besëlidhje kur kaq shumë njerëz nuk e kanë asnjëherë mundësinë për t’i marrë ato? Çfarë do t’i thoshit dikujt që vret mendjen për këtë? Si do ta ndërtonit besimin e tyre te Perëndia dhe te kërkesat e Tij për shpëtim? Kërkoni të vërtetat që mund t’i tregoni te seksioni 137 dhe te seksioni 138:30–37, 57–60. Ju gjithashtu mund t’i kërkoni këto të vërteta të shprehura në himnin “Drit’ e Ungjillit po Shkëlqen” (Himne, nr. 183) dhe në mesazhin e Presidentit Henri B. Ajring “Të Mbledhësh Familjen e Perëndisë” (Liahona, maj 2017, f. 19–22).
Ndërsa studioni dhe përsiatni, mund t’i shënoni mbresat tuaja duke plotësuar fjali si këto:
-
Për shkak të këtyre zbulesave, e di se Ati Qiellor .
-
Për shkak të këtyre zbulesave, e di se plani i Atit Qiellor për shpëtimin .
-
Për shkak të këtyre zbulesave, dëshiroj të .
Shihni edhe te Saints [Shenjtorët], 1:232–235.
Doktrina e Besëlidhje 138:1–11, 25–30
Leximi dhe përsiatja e shkrimeve të shenjta më përgatit që të marr zbulesë.
Nganjëherë zbulesa vjen edhe pse nuk e kërkojmë atë. Por më shpesh ajo vjen për shkak se ne e kërkojmë me zell dhe përgatitemi për të. Ndërsa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 138:1–11, 25–30, vini re atë që po bënte Presidenti Jozef F. Smith kur “sytë e të kuptuarit [të tij] u hapën”. Mund edhe ta krahasoni përvojën e tij me ato te 1 Nefi 11:1–6; Joseph Smith – Historia 1:12–19. Pastaj merrni parasysh se si mund ta ndiqni shembullin e Presidentit Smith. Për shembull, çfarë ndryshimesh ndiheni i/e frymëzuar të bëni gjatë studimit tuaj të shkrimeve të shenjta për të marrë më tepër zbulesa vetjake?
Në mesazhin e tij “Vegimi i Shëlbimit të të Vdekurve” (Liahona, nëntor 2018, f. 71–74), Presidenti M. Rasëll Ballard sugjeroi mënyra të tjera se si Presidenti Smith u përgatit për ta marrë këtë zbulesë. Çfarë mësoni nga përvojat e tij? Merreni parasysh se si ju ka përgatitur Zoti për përvojat që po kaloni, dhe si mund të jetë duke ju përgatitur Ai për përvoja në të ardhmen.
Shihni edhe te Saints [Shenjtorët], 3:202–205; “Ministry of Joseph F. Smith: A Vision of the Redemption of the Dead” [“Shërbesa e Jozef F. Smithit: Një Vegim për Shëlbimin e të Vdekurve”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Doktrina e Besëlidhje 138:25–60
Puna e Shpëtimtarit vazhdon edhe në anën tjetër të velit.
Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Mesazhi ynë drejtuar botës është i thjeshtë dhe i sinqertë: ne i ftojmë të gjithë fëmijët e Perëndisë në të dyja anët e velit të vijnë te Shpëtimtari i tyre, të marrin bekimet e tempullit të shenjtë, të kenë gëzim të përhershëm dhe të kualifikohen për jetën e përjetshme” (“Punës Le t’i Vihemi”, Liahona, maj 2018, f. 118–119). Përsiatni këtë thënie teksa lexoni te Doktrina e Besëlidhje 138:25–60. Mund të merrni parasysh edhe këto pyetje:
-
Çfarë mësoni nga këto vargje rreth mënyrës se si puna e Shpëtimtarit po përmbushet në botën e shpirtrave? Përse është e rëndësishme që ju të dini se kjo punë po ndodh?
-
Çfarë ju bën përshtypje te lajmëtarët e Zotit në botën e shpirtrave?
-
Si e forcon kjo zbulesë besimin tuaj te plani i Perëndisë për shëlbimin?
Nëse do t’ju pëlqente të mësonit më shumë për botën e shpirtrave, mund të studioni mesazhin e Presidentit Dallin H. Ouks “Ki Besim tek Zoti” (Liahona, nëntor 2019, f. 26–29).
Shihni edhe te “Susa Young Gates and the Vision of the Redemption of the Dead”, në Revelations in Context [Zbulesa në Kontekst], f. 315–322; “A Visit from Father” [“Një Vizitë nga Babai”] (material filmik), Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Ide për Mësimdhënien ndaj Fëmijëve
Doktrina e Besëlidhje 137:5–10; 138:18–35
Të gjithë fëmijët e Atit Qiellor do të kenë mundësinë ta dëgjojnë ungjillin.
-
Për të mësuar rreth domethënies që do të kishte për Jozef Smithin të shihte disa nga pjesëtarët e familjes së tij në mbretërinë çelestiale, fëmijët tuaj mund të shohin materialin filmik “Ministry of Joseph Smith: Temples” [“Shërbesa e Jozef Smithit: Tempujt”] (Gospel Library) [Biblioteka e Ungjillit], ose mund të tregoni pjesën nga Histori nga Doktrina e Besëlidhje, faqet 152–153 (ose materialin filmik përkatës në Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit]). Ndoshta ju mund të flisni edhe për dikë që e njihni, që ka vdekur pa e pasur mundësinë që të pagëzohej. Çfarë mësojmë nga vargjet te Doktrina e Besëlidhje 137:5–10 rreth atij personi?
2:32:17 -
Merreni parasysh të përdorni figurën e varrit të Shpëtimtarit (shihni te Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 58, ose Fotografi të Biblës nr. 14) dhe figurën në fund të këtij përvijimi për t’iu mësuar fëmijëve tuaj ku shkoi shpirti i Jezusit kur trupi i Tij ishte në varr. Më pas mund të lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 138:18–19, 23–24, 27–30 për të mësuar rreth asaj që bëri Jezusi ndërkohë që ishte atje. Kë vizitoi Ai? Çfarë iu kërkoi të bënin? Përse e bëri Ai këtë?
-
Mund të përdorni edhe faqen e veprimtarisë së kësaj jave që t’i ndihmoni fëmijët tuaj ta krahasojnë atë që misionarët japin mësim në këtë anë të velit (shihni, për shembull, te Nenet e Besimit 1:4), me atë që misionarët japin mësim në botën e shpirtrave (shihni te Doktrina e Besëlidhje 138:33). Çfarë është e ngjashme dhe çfarë është e ndryshme në këto vargje? Çfarë na mëson kjo rreth Atit Qiellor dhe planit të Tij?
Doktrina e Besëlidhje 138:1–11
Kur unë i përsiat shkrimet e shenjta, Fryma e Shenjtë mund të më ndihmojë t’i kuptoj ato.
-
Ndërsa ju dhe fëmijët tuaj lexoni së bashku te Doktrina e Besëlidhje 138:1–11, mund t’i ftoni ata të bëjnë sikur janë Presidenti Jozef F. Smith dhe të bëjnë veprime që shkojnë me fjalët në vargjet 6 dhe 11. Mund edhe t’iu tregoni atyre një fotografi të Presidentit Smith (është një në këtë përvijim) dhe të shpjegoni se ai ishte Presidenti i gjashtë i Kishës. Mund edhe të flisni për një rast kur përsiatët diçka në shkrimet e shenjta dhe Fryma e Shenjtë ju ndihmoi ta kuptonit atë.
-
Merreni parasysh të këndoni së bashku një këngë rreth studimit të shkrimeve të shenjta, të tillë si “Kërko, Përsiat dhe Lutu” (Libri i Këngëve të Fëmijëve, f. 66). Çfarë thotë kjo këngë se duhet të bëjmë që t’i kuptojmë shkrimet e shenjta?