“6–12 Janar. 1 Nefi 1–7: ‘Unë do të Shkoj dhe do të Bëj’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“6–12 Janar. 1 Nefi 1–7”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020
6–12 Janar
1 Nefi 1–7
“Unë do të Shkoj dhe do të Bëj”
Nefi i shkroi “gjërat e Perëndisë” (1 Nefi 6:3). Ndërsa e studioni analin e Nefit, kushtojuni vëmendje gjërave të Perëndisë që gjeni, veçanërisht mbresave nga Shpirti.
Shënojini Mbresat Tuaja
Libri i Mormonit fillon me një tregim për një familje të vërtetë tek përjeton mundime të vërteta. Kjo ndodhi në vitin 600 pr. K., por ka gjëra në këtë tregim që mund të tingëllojnë të njohura për familjet sot. Kjo familje po jetonte në një botë me ligësi gjithnjë e më të madhe, por Zoti u premtoi atyre se po ta ndiqnin Atë, Ai do t’i udhëhiqte drejt sigurisë. Përgjatë rrugës, ata patën çaste të mira dhe çaste të këqija; përjetuan bekime dhe mrekulli të mëdha, por patën gjithashtu pjesën e tyre të debateve dhe grindjeve. Rrallëherë gjendet në shkrimin e shenjtë një tregim kaq i gjatë i një familjeje tek përpiqet ta jetojë ungjillin: një baba që has vështirësi për ta frymëzuar me besim familjen e tij, bij që vendosin a do ta besojnë atë apo jo, një nënë që druhet për sigurinë e fëmijëve të saj dhe vëllezër që përballen me zili e grindje – dhe që ndonjëherë e falin njëri‑tjetrin. Në përgjithësi, ka fuqi të vërtetë në ndjekjen e shembujve të besimit që tregoi kjo familje – pavarësisht papërsosurive të saj.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Shkrimet e shenjta kanë vlerë të madhe.
Gjashtë kapitujt e parë të Librit të Mormonit përmbajnë shumë referenca nga librat e shenjtë, analet e shenjta dhe fjala e Zotit. Ndërsa lexoni te 1 Nefi 1–6, çfarë mësoni rreth arsyes përse fjala e Perëndisë është me “vlerë të madhe”? (1 Nefi 5:21.) Çfarë ju mësojnë këto fragmente rreth shkrimeve të shenjta? Çfarë gjeni që ju frymëzon t’i shqyrtoni shkrimet e shenjta me më shumë zotim?
Shih edhe “Scriptures Legacy” [“Trashëgimia e Shkrimeve të Shenjta”] (material filmik, ChurchofJesusChrist.org).
Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin.
Duke qenë i vërtetë ndaj qëllimit të shpallur në faqen e tij të titullit – për t’i bindur të gjithë se Jezusi është Krishti – Libri i Mormonit hapet me vegimin mbresëlënës të Lehit për Shpëtimtarin. Çfarë mësoni rreth Jezu Krishtit nga ajo që pa Lehi? Cilat janë disa nga veprat e “mëdha dhe të mrekullueshme” të Shpëtimtarit në jetën tuaj? (1 Nefi 1:14.)
Kur e kërkoj Zotin dhe i mirëbesoj Atij, Ai mund të ma zbutë zemrën.
Ndonëse Lamani, Lemueli dhe Nefi, të gjithë, u rritën në të njëjtën familje dhe patën përvoja të ngjashme, ka një dallim të madh në mënyrën se si reaguan ata ndaj drejtimit hyjnor që mori ati i tyre në këtë kapitull. Ndërsa lexoni te 1 Nefi 2, shihni nëse mund t’i dalloni arsyet përse zemra e Nefit u zbut ndërkohë që zemra e vëllezërve të tij nuk u zbut. Ju mund të mendoni gjithashtu për vetë reagimet tuaja ndaj drejtimit nga Zoti, qoftë nëpërmjet Frymës së Shenjtë ose profetit të Tij. Kur keni ndier se Zoti jua ka zbutur zemrën, në mënyrë që ju të mund ta pranonit më me gatishmëri drejtimin dhe këshillën e Tij?
Perëndia do të përgatitë një udhë për mua që ta bëj vullnetin e Tij.
Kur Zoti e urdhëroi Lehin dhe familjen e Tij që t’i merrte fletët prej tunxhi nga Labani, Ai nuk dha udhëzime të veçanta mbi mënyrën se si ta përmbushnin këtë urdhërim. Kjo është shpesh e vërtetë për urdhërime të tjera apo zbulesa vetjake që ne i marrim nga Perëndia, dhe kjo mund të na bëjë të mendojmë sikur Ai na ka kërkuar “një gjë [të] vështirë” (1 Nefi 3:5). Çfarë ju frymëzon ju nga reagimi i Nefit ndaj urdhrit të Zotit, që gjendet te 1 Nefi 3:7, 15–16? A ka ndonjë gjë që ju ndiheni të nxitur “të shko[ni] dhe … t[a] bë[ni]”?
Ndërsa studioni kapitujt te 1 Nefi 1–7, kërkoni mënyrat se si e përgatiti Perëndia udhën për Lehin dhe familjen e tij. Si e ka bërë Ai këtë për ju?
Shih edhe Fjalët e Urta 3:5–6; 1 Nefi 17:3; Gospel Topics, topics.ChurchofJesusChrist.org; Book of Mormon Videos collection te ChurchofJesusChrist.org apo te programi kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].
Mbajtja mend e veprave të Perëndisë mund të më japë besimin për t’iu bindur urdhërimeve të Tij.
Kur Lamani dhe Lemueli kishin ndjesinë që të mërmëritnin, ata zakonisht kishin Nefin dhe Lehin pranë [vetes] që t’i nxitnin dhe këshillonin ata. Kur ju vjen ndjesia për të mërmëritur, leximi i fjalëve të Nefit dhe Lehit mund t’ju sigurojë këshilla dhe një këndvështrim të çmuar. Si u përpoqën Nefi dhe Lehi t’i ndihmonin pjesëtarët e familjes së tyre për ta forcuar besimin te Perëndia? (Shih 1 Nefi 4:1–3; 5:1–8; 7:6–21.) Çfarë mësoni nga shembujt e tyre që mund t’ju ndihmojë herën tjetër që tundoheni për të mërmëritur apo për t’u rebeluar?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
1 Nefi 1–7
Gjatë gjithë kapitujve te 1 Nefi 1–7, ju mund t’i nxitni pjesëtarët e familjes të vërejnë ndërveprimet midis pjesëtarëve të familjes së Lehit dhe të Sarias. Çfarë mund të mësojmë nga këto marrëdhënie që mund ta ndihmojë familjen tonë?
1 Nefi 2:20
Parimi te 1 Nefi 2:20 përsëritet shpesh gjatë gjithë Librit të Mormonit. Si mund ta zbatojnë atë pjesëtarët e familjes suaj në jetën e tyre ndërsa e studioni Librin e Mormonit së bashku këtë vit? Ndoshta mund të bëni një afishe së bashku që tregon premtimin e Zotit në këtë varg dhe ta ekspozoni atë në shtëpinë tuaj. Ajo mund të shërbejë si një kujtues për të diskutuar herë pas here se si e keni parë Zotin ta bekojë familjen tuaj kur i keni zbatuar urdhërimet e Tij. Merreni parasysh t’i shënoni këto përvoja në afishe.
1 Nefi 2:11–13; 3:5–7
Ndoshta familja juaj do të përfitonte po ta vërente ndryshimin midis përgjigjes së Lamanit e Lemuelit ndaj urdhrave të Zotit dhe përgjigjes së Nefit. Çfarë mund të mësojmë nga 1 Nefi 2:11–13; 3:5–7 rreth mërmëritjes? Çfarë bekimesh vijnë kur ushtrojmë besim?
1 Nefi 3:19–20; 5:10–22; 6
Këto vargje mund ta frymëzojnë familjen tuaj që të mbajë një anal të ngjarjeve dhe përvojave të rëndësishme në jetën tuaj. Ndoshta mund të filloni një ditar familjar, të ngjashëm me analet që mbajtën Nefi dhe Lehi rreth përvojave të tyre familjare. Çfarë mund të përfshini në analin e familjes suaj?
1 Nefi 7:19–21
Çfarë na bën përshtypje nga shembulli i Nefit në këto vargje? Si bekohet familja jonë kur ne e “fal[im] çiltërsisht” njëri‑tjetrin?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.