Eja, Më Ndiq
4–10 Maj. Mosia 11–17: “Një Dritë … Që Nuk Mund të Errësohet Kurrë”


“4–10 Maj. Mosia 11–17: ‘Një Dritë … Që Nuk Mund të Errësohet Kurrë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“4–10 Maj. Mosia 11–17”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Abinadi duke i dëshmuar mbretit Noe

Abinadi Përpara Mbretit Noe, nga Andrew Bosley

4–10 Maj

Mosia 11–17

“Një Dritë … Që Nuk Mund të Errësohet Kurrë”

Fjalët e Abinadit shkaktuan një ndryshim të madh tek të paktën një nga anëtarët e oborrit të mbretit Noe (shih Mosia 17:2–4). Lexojeni Mosian 11–17 me një lutje në zemrën tuaj që do të merrni mbresa për mënyrën se si mund të ndryshoni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Zjarre të mëdha mund të nisin nga një shkëndijë e vetme. Abinadi ishte një njeri i vetëm që dëshmoi kundër një mbreti të fuqishëm dhe oborrit të tij mbretëror. Fjalët e tij u hodhën poshtë nga shumica e atyre dhe ai u dënua me vdekje. Prapëseprapë, dëshmia e tij për Jezu Krishtin, i cili është “drita … që nuk mund të errësohet kurrë” (Mosia 16:9), ndezi diçka brenda priftit të ri, Almës. Dhe ajo shkëndijë e kthimit në besim u rrit dalëngadalë teksa Alma solli shumë të tjerë në pendim dhe besim te Jezu Krishti. Flakët që e vranë Abinadin, në fund të fundit u shuan, por zjarri i besimit që fjalët e tij krijuan, do të kishte ndikim të përhershëm te nefitët – dhe tek ata që i lexojnë fjalët e tij sot. Shumica prej nesh kurrë nuk do të përballen plotësisht me atë çfarë bëri Abinadi për shkak të dëshmive tona, por ne të gjithë kalojmë çaste kur ndjekja e Jezu Krishtit përbën një provë të guximit dhe besimit tonë. Ndoshta studimi i dëshmisë së Abinadit do t’i japë vrull flakës së dëshmisë dhe guximit në zemrën tuaj gjithashtu.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mosia 11–1317

Unë mund ta mbroj të vërtetën edhe kur qëndroj i vetëm.

Përfytyrojeni se sa shkurajuese duhet të ketë qenë për Abinadin t’i bënte thirrje për pendim një populli, të cilët nuk dukeshin aspak të interesuar që t’i ndryshonin udhët e tyre të liga. Mesazhi i tij vazhdimisht u hodh poshtë. Prapëseprapë, Abinadi kurrë nuk hoqi dorë.

Kur jeni ndier sikur po qëndronit të vetëm në mbrojtje të së vërtetës? Teksa e lexoni Mosian 11–13 dhe 17, çfarë mësoni që mund t’ju ndihmojë të jeni gati kur Zoti të ketë nevojë për ju që ta mbroni ungjillin e Tij? Çfarë parimesh të tjera mësoni nga shembulli i Abinadit?

Mosia 12:19–30

Unë kam nevojë të përdor zemrën time që ta kuptoj fjalën e Perëndisë.

Priftërinjtë e mbretit Noe e njihnin fjalën e Perëndisë – ata mund të citonin fragmente të shkrimit të shenjtë dhe pretendonin që i jepnin mësim urdhërimet. Por ato urdhërime “nuk [ishin] shkruar në zemrat [e tyre]” dhe ata “nuk i k[ishin] përdorur zemrat [e tyre] që t[’i] kuptoni[n]” ato (Mosia 13:11; 12:27). Si rrjedhojë, jeta e tyre mbeti e pandryshuar.

Teksa e lexoni Mosian 12:19–30, përsiatni se çfarë do të thotë të përdorësh zemrën për ta kuptuar fjalën e Perëndisë. A ju frymëzon kjo që të bëni ndonjë ndryshim në mënyrën se si përfshiheni në të mësuarit të ungjillit?

Mosia 13:1–9

Zoti do t’i përkrahë shërbëtorët e Tij në punën e Tij.

Nga një anë, përvoja e Abinadit jep shembuj të shumtë të mënyrës se si Zoti i përkrah shërbëtorët e Tij – ju mund të gjeni disa shembuj të tillë te Mosia 13:1–9. Nga ana tjetër, Zoti gjithashtu lejoi që Abinadi të përndiqej, burgosej dhe martirizohej për dëshminë e tij. Çfarë gjeni në këto vargje që tregon se Abinadi i mirëbesonte Zotit? Si ndikon shembulli i Abinadit në mënyrën se si ju i shihni thirrjet dhe përgjegjësitë tuaja?

Mosia 14–15

Jezu Krishti vuajti për mua.

Mbreti Noe dhe priftërinjtë e tij besonin se shpëtimi vinte nëpërmjet ligjit të Moisiut. Abinadi donte që ata ta dinin se shpëtimi vjen nëpërmjet Mesias, Jezu Krishtit. Te Mosia 14–15, vini re fjalë e fraza që e përshkruajnë Shpëtimtarin dhe atë çfarë vuajti Ai për ju. Cilat vargje ndihmojnë në thellimin e dashurisë dhe mirënjohjes suaj për Të?

Mosia 15:1–12

Si është Jezu Krishti edhe Ati, edhe Biri?

Këto fragmente ndonjëherë janë pështjelluese pasi mund të duket sikur Abinadi po jep mësim që Ati Qiellor dhe Jezu Krishti janë një Qenie, por ne e dimë se ata janë Qenie të veçuara. Çfarë donte të thoshte Abinadi? Ai dha mësim se Perëndia, Biri – Jehova – do të ishte Shëlbuesi (shih Mosia 15:1), që do të jetonte në mish, duke u bërë pjesërisht njeri dhe pjesërisht Perëndi (vargjet 2–3). Ai ia nënshtroi plotësisht Veten vullnetit të Perëndisë, Atit (vargjet 5–9). Për shkak të kësaj, Jezu Krishti është edhe Biri i Perëndisë, edhe pasqyrimi i përkryer tokësor i Perëndisë, Atit (shih Gjoni 14:6–10).

Abinadi vijoi duke shpjeguar se Jezu Krishti është gjithashtu Ati në kuptimin që kur ne e pranojmë shëlbimin e Tij, ne bëhemi “fara e tij” (Mosia 15:11–12). Me fjalë të tjera, ne bëhemi të rilindur shpirtërisht nëpërmjet Tij (shih Mosia 5:7).

Shih edhe Gjoni 5:25–27; 8:28–29; 17:20–23.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

Mosia 11–1317

Abinadi dhe Alma janë shembuj frymëzues të të qëndruarit besnikë ndaj të vërtetës, edhe kur bërja e kësaj nuk gëzon popullaritet. Pjesëtarët e familjes suaj mund të jenë duke u përballur me trysni shoqërore për të lëshuar pe në standardet e tyre. Çfarë mund të mësojnë ata nga Abinadi dhe Alma rreth mbrojtjes së të vërtetës? Vepra artistike që e shoqëron këtë përvijim, mund ta ndihmojë familjen tuaj që ta përfytyrojë rrëfimin. Pasi t’i studioni këta kapituj, merrni parasysh të interpretoni me role situata reale nga jeta, me qëllim që pjesëtarët e familjes suaj të mund të ushtrohen për t’iu përgjigjur trysnisë për t’i ulur standardet e tyre. Ose ju mund t’i tregoni njëri‑tjetrit përvoja që keni pasur kur e keni mbrojtur të vërtetën.

Mosia 12:33–37; 13:11–24

Çfarë do të thotë t’i kemi urdhërimet e Perëndisë të “shkruar[a] në zemrat t[ona]”? (Mosia 13:11). Ndoshta ju mund t’i shkruani disa ide (ose të vizatoni figura të ideve tuaja) në një letër të madhe në formë zemre. Përse janë të çmueshme për ne urdhërimet? Si mund t’i shkruajmë ato në zemrat tona?

atë e bir duke lexuar shkrimet e shenjta

Studimi i shkrimeve të shenjta mund të na ndihmojë t’i shkruajmë urdhërimet në zemrat tona.

Mosia 14

Në këtë kapitull ju do të gjeni disa fjalë e fraza që e përshkruajnë Jezu Krishtin. Ndoshta familja juaj mund t’i renditë ato teksa i gjeni. Çfarë ndiejnë pjesëtarët e familjes për Shpëtimtarin kur i studiojmë këto fjalë e fraza?

Mosia 15:26–27; 16:1–13

Këto vargje përshkruajnë atë çfarë do t’u ndodhte fëmijëve të Perëndisë nëse Jezusi “nuk do të kishte ardhur … në botë” (Mosia 16:6) ose nëse ata nuk do ta ndiqnin Atë. Cilat janë gjërat e mira që kanë ndodhur për shkak se Ai erdhi dhe u shlye për ne?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni histori dhe shembuj për të dhënë mësim parime të ungjillit. Shpëtimtari shpesh i dha mësim parimet e ungjillit duke përdorur histori dhe shëmbëlltyra. Mendoni për shembuj dhe histori nga vetë jeta juaj, të cilat mund ta bëjnë një parim të ungjillit të vijë i gjallë për familjen tuaj (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 22).

Abinadi duke i dëshmuar mbretit Noe

Fytyra e Tij Shndriti me një Shkëlqim të Madh, nga Jeremy Winborg