“27 Prill – 3 Maj. Mosia 7–10: ‘Në Fuqinë e Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“27 Prill – 3 Maj. Mosia 7–10”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
27 Prill – 3 Maj
Mosia 7–10
“Në Fuqinë e Zotit”
Ndërsa lexoni, Shpirti mund të sjellë në vëmendjen tuaj fraza apo fragmente të caktuara. Shkruajeni se si mendoni që ato fragmente gjejnë zbatim për ju.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ndërsa populli i mbretit Mosia po gëzonte “paqe të vazhdueshme” (Mosia 7:1), mendimet e tyre shkuan te një grup tjetër nefitësh, të cilët shumë vite më parë ishin larguar për të banuar në tokën e Lehi‑Nefit. Kishin kaluar breza dhe populli i Mosias nuk kishte marrë asnjë lajm nga ata. Kështu që Mosia i kërkoi Amonit të udhëhiqte një grup kërkimi për t’i gjetur nefitët që ishin larguar. Grupi i kërkimit zbuloi që nefitët, “për shkak të paudhësisë” (Mosia 7:24), ishin nën robërinë e lamanitëve. Por me mbërritjen e Amonit dhe të vëllezërve të tij, papritmas pati shpresë për çlirim.
Ndonjëherë ne jemi sikurse këta nefitë të robëruar, duke vuajtur për shkak të mëkateve tona, duke pyetur veten se si do ta gjejmë ndonjëherë sërish paqen. Ndonjëherë ne jemi sikurse Amoni, duke ndier nxitjen që t’i ndihmojmë të tjerët, dhe duke zbuluar përfundimisht se përpjekjet tona i kanë frymëzuar ata që t’i “ngr[enë] kokat [e tyre], dhe [të] gëzoh[en] dhe [ta] v[ënë] besimin [e tyre] te Perëndia” (Mosia 7:19). Pavarësisht nga rrethanat tona, ne të gjithë kemi nevojë të pendohemi dhe të “kthehe[mi] te Zoti me qëllim të plotë të zemrës”, me besimin se “ai do t[ë na] nxjerrë nga robëria” (Mosia 7:33).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Nëse kthehem te Zoti, i mirëbesoj Atij dhe i shërbej Atij, Ai do të më çlirojë.
Takimi me Amonin, i cili ishte një nefit nga Zarahemla, i dha mbretit Limhi një shkëndijë shprese; dhe ai donte që t’ia ngjallte atë shpresë popullit të tij. Ndërsa lexoni vargjet te Mosia 7:14–33, vini re atë që Limhi i tha popullit të tij për t’u dhënë zemër atyre, për ta forcuar besimin e tyre dhe për t’u dhënë shpresë se Perëndia do t’i ndihmonte. Ndonëse mund të mos jeni fajtor për të njëjtat mëkate si populli i Limhit, si mund t’ju ndihmojnë fjalët e tij që të ktheheni te Zoti? Ju do të vini re, për shembull, që Limhi i kujtoi popullit të tij tregimet e shkuara të çlirimit nga Perëndia (shih vargjet 18–20). Si ju ndihmojnë këto tregime, si edhe tregime të tjera të shkrimit të shenjtë apo përvoja vetjake, që t’i mirëbesoni Perëndisë?
Çfarë ishin 24 fletët që u gjetën nga populli i Limhit?
Ndërkohë që një grup i vogël i popullit të Limhit po kërkonin pa sukses tokën e Zarahemlës, ata gjetën 24 fletë ari me gdhendje në një gjuhë të panjohur. Këto fletë, që përfundimisht u përkthyen nga mbreti Mosia, tregonin për një popull të njohur si jareditët, të cilët erdhën në tokën e premtuar nga Kulla e Babelit dhe përfundimisht u shkatërruan (shih Mosia 28:11–19). Më vonë Moroni bëri një përmbledhje të këtyre fletëve (shih Ethëri 1:1–2), të cilat u bënë libri i Ethërit. Vini re te Mosia 28:18 ndikimin e këtij anali te populli i Mosias.
Zoti jep profetë, shikues dhe zbulues në dobi të njerëzimit.
Kur Limhi dëgjoi dëshminë e Amonit se Zoti kishte ngritur një shikues, Limhi “u gëzua jashtëzakonisht dhe i dha falënderime Perëndisë” (Mosia 8:19). Si mendoni, përse u ndje ai kështu? Çfarë mësoni rreth shikuesve nga fjalët e Amonit te Mosia 8:13–19? Në kohën tonë, “Presidenca e Parë dhe Këshilli i Të Dymbëdhjetëve shugurohen si profetë, shikues dhe zbulues” (Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Shikues”). Kur qe hera e fundit që ju përsiatët për bekimin e pasjes së profetëve, shikuesve dhe zbuluesve në tokë? Ndoshta ju mund të shënoni se në ç’mënyrë profetët, shikuesit dhe zbuluesit kanë qenë “një e mirë e madhe” për ju (Mosia 8:18).
Profeti Jozef Smith është shikuesi i madh që qëndron në krye të periudhës sonë ungjillore (shih DeB 21:1; 124:125; Joseph Smith – Historia 1:62). Si qe ai gjatë shërbesës së tij shembull i përshkrimit që bëri Amoni për një shikues?
Unë mund të përballem me sfidat e mia “në fuqinë e Zotit”.
Zenifi e pranoi se kishte bërë gabime. Ai qe tepër i zellshëm hera‑herës dhe ai e kishte vënë popullin e tij – paraardhësit e popullit të Limhit – në një situatë të vështirë duke bërë një marrëveshje të paarsyeshme me mbretin Lamani. Por më vonë, kur shkoi të luftonte kundër lamanitëve, ai e ndihmoi popullin e tij që ata të përballeshin me besim me sfidat e tyre. Ndërsa lexoni kapitujt te Mosia 9–10, kërkoni atë që bëri populli i Zenifit për ta treguar besimin e vet. Si i forcoi Perëndia ata? Çfarë do të thotë për ju të ecni përpara “në fuqinë e Zotit”? (Mosia 9:17; 10:10–11.)
Zgjedhjet e mia mund të ndikojnë në shumë breza të shumtë.
Sipas vargjeve te Mosia 10:11–17, si i penguan lamanitët që ta njihnin të vërtetën, veprimet dhe qëndrimet e paraardhësve të tyre? Si ndikuan zgjedhjet e paraardhësve të lamanitëve te brezat e ardhshëm? Mendoni rreth njerëzve që mund të ndikohen nga bindjet dhe zgjedhjet tuaja; çfarë po bëni që t’i ndihmoni të kenë besim në mënyrë më të plotë te Krishti?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Mosia 7:19–20
Vini re shembujt që vuri në dukje Limhi me qëllim që ta nxiste popullin e tij të kishte besim. Cilët shembuj nga shkrimet e shenjta na frymëzojnë që të kemi “besim … te Perëndia”? Çfarë do të thotë ta vëmë besimin tonë te Perëndia? (Shih edhe Mosia 9:17; 10:19.) Cilat histori nga jeta jonë apo nga jeta e paraardhësve tanë mund të tregojmë që të frymëzojmë besim më të madh te Perëndia?
Mosia 7:26–27
Çfarë mund të mësojmë për Shpëtimtarin nga këto vargje? (Shih edhe DeB 130:22.) Përse jemi mirënjohës që i dimë këto gjëra?
Mosia 8:13–18
Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes ta kuptojnë se çfarë është një shikues, ndoshta ju mund t’u tregoni figura të mjeteve që na ndihmojnë të shohim gjëra që përndryshe nuk do të mund t’i shihnim dot, të tilla si dylbi, një teleskop ose mikroskop. Ku ngjasojnë këto mjete me një shikues? (Shih Moisiu 6:35–36.) Çfarë mund të shikojnë shikuesit që ne nuk e shohim? Çfarë provash kemi që Jozef Smithi ishte një shikues?
Ju mund të paraqitni figura të profetëve, shikuesve e zbuluesve tanë të gjallë dhe ta pyetni familjen tuaj se çfarë dinë rreth tyre. Si po i ndjekim ne ata?
Mosia 9:14–18; 10:1–10
Kur lamanitët sulmuan, populli i Zenifit ishte fizikisht dhe shpirtërisht gati. Çfarë mund të mësojmë nga Zenifi dhe populli i tij rreth përgatitjes për sfidat?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.