Eja, Më Ndiq
18–24 Maj. Mosia 25–28: “Ata u Quajtën Populli i Perëndisë”


“18–24 Maj. Mosia 25–28: ‘Ata u Quajtën Populli i Perëndisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“18–24 Maj. Mosia 25–28”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

engjëlli i shfaqet Almës dhe bijve të Mosias

Kthimi në Besim i Alma të Riut, nga Gary L. Kapp

18–24 Maj

Mosia 25–28

“Ata u Quajtën Populli i Perëndisë”

Pasi “zëri i Zotit i erdhi [Almës]”, ai i shkroi gjërat që Zoti i kishte treguar me qëllim “që t’i kishte” (Mosia 26:13, 14, 33). Si do ta ndiqni shembullin e Almës?

Shënojini Mbresat Tuaja

Pasi jetuan për gati tri breza në toka të veçuara, nefitët ishin sërish një popull i bashkuar. Populli i Limhit, populli i Almës dhe populli i Mosias – madje [dhe] populli i Zarahemlës, të cilët nuk ishin me prejardhje nga Nefi – të gjithë tani u “numër[uan] me Nefitët” (Mosia 25:13). Shumë prej tyre donin gjithashtu të bëheshin anëtarë të Kishës që Alma kishte ngritur. Kështu që, të gjithë ata që “kishin dëshirë të merrnin mbi vete emrin e Krishtit”, u pagëzuan “dhe ata u quajtën populli i Perëndisë” (Mosia 25:23–24). Pas vitesh konflikti dhe robërie, dukej se nefitët më në fund do të gëzonin një periudhë paqeje.

Por pa kaluar shumë kohë, jobesimtarët filluan t’i përndiqnin shenjtorët. Ajo çfarë e bëri këtë gjë veçanërisht copëtuese për zemrën ishte që shumë prej këtyre jobesimtarëve ishin vetë fëmijët e besimtarëve – “brezi i ri” (Mosia 26:1), përfshirë bijtë e Mosias dhe një bir i Almës. Më pas ndodhi një mrekulli dhe tregimi i asaj mrekullie u ka dhënë shpresë prindërve të pikëlluar për breza [me radhë]. Por historia e kthimit në besim të Almës nuk është vetëm për prindërit e fëmijëve të pabindur. Kthimi i vërtetë në besim është një mrekulli që, në një mënyrë apo një tjetër, është e nevojshme të ndodhë brenda të gjithëve ne.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Mosia 26:1–6

Unë jam përgjegjës për besimin dhe dëshminë time vetjake.

Ata që e dëgjuan predikimin e mbretit Beniamin, përjetuan një kthim mrekullibërës në besim (shih Mosia 5:1–7), por kthimi në besim është një përvojë vetjake që nuk mund t’i kalohet si një trashëgimi fëmijëve të vetë personit. Ne të gjithë duhet të provojmë kthimin tonë vetjak në besim në ungjillin e Jezu Krishtit. Ndërsa lexoni te Mosia 26:1–6 rreth “brezi[t të] ri” të nefitëve që nuk besonin, vini re pasojat e mosbesimit të tyre. Ju mund të mendoni gjithashtu rreth njerëzve të cilët dëshironi që të mund t’i sillni te Krishti. Ndërkohë që ju nuk mund t’u jepni atyre kthimin tuaj në besim, Shpirti mund t’ju pëshpëritë gjëra që ju mund të bëni për t’i ndihmuar ata të gjejnë besim. Ndërsa lexoni te Mosia 25–28 rreth mënyrës se si Alma dhe anëtarë të tjerë të Kishës e ndihmuan brezin e ri, mendime të tjera mund t’ju vijnë juve.

Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 68:25–29.

Mosia 26:6–39

Shërbëtorët besnikë të Perëndisë përpiqen të bëjnë vullnetin e Tij.

Ndonjëherë mund të mendojmë se një udhëheqës i Kishës si Alma e di përherë se cila është gjëja e duhur për t’u bërë. Te Mosia 26 ne lexojmë për një problem në Kishë me të cilin Alma nuk ishte përballur asnjëherë, dhe “ai kishte frikë se mund të bënte gabim në sytë e Perëndisë” (Mosia 26:13). Çfarë bëri Alma në këtë situatë? (Shih Mosia 26:13–14, 33–34, 38–39.) Çfarë ju sugjeron përvoja e Almës rreth mënyrës se si mund t’i trajtoni problemet e vështira në familjen tuaj apo në shërbimin tuaj në Kishë?

Mund të jetë interesante gjithashtu t’i renditni të vërtetat që Perëndia i zbuloi Almës, të cilat gjenden te Mosia 26:15–32. Vini re se disa prej këtyre të vërtetave nuk ishin përgjigje e drejtpërdrejtë e pyetjes së Almës. Çfarë ju sugjeron kjo rreth lutjes dhe marrjes së zbulesës vetjake?

Mosia 27:8–37

Të gjithë burrat dhe gratë duhet të lindin rishtas.

Qe e dukshme që Alma i Riu kishte nevojë për një rilindje shpirtërore, pasi ai dhe bijtë e Mosias ishin “mëkatarët më të urryer”, të cilët po shkonin poshtë e lart për “t[a] shkatërr[uar] kishën e Perëndisë” (Mosia 28:4; 27:10). Por shpejt pas kthimit të tij në besim, Alma dëshmoi se kthimi në besim është në dispozicion – dhe thelbësor – për gjithkënd: “Mos u mrekullo”, tha ai “se i gjithë njerëzimi … duhet të lind[ë] rishtas” (Mosia 27:25; kursivet të shtuara). Kjo, sigurisht, ju përfshin [dhe] ju.

Teksa lexoni rreth përvojës së Almës që gjendet te Mosia 27:8–37, ju mund të përpiqeni ta vendosni veten tuaj në vend të tij. Ju nuk po përpiqeni ta shkatërroni Kishën, por me siguri mund të mendoni për disa gjëra rreth vetes suaj që kanë nevojë të ndryshojnë. Kush, ashtu sikurse ati i Almës, po ju përkrah dhe po lutet për ju “me besim të madh”? Cilat përvoja kanë qenë të dobishme për t’ju “bind[ur] … për fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë”? (Mosia 27:14.) Çfarë “gjëra[sh] të mëdha” ka bërë Zoti për ju ose familjen tuaj që ju duhet t’i “kujto[ni]”? (Mosia 27:16.) Çfarë mësoni nga fjalët dhe veprimet e Alma të Riut për kuptimin e lindjes rishtas? Pyetje si këto mund t’ju ndihmojnë ta vlerësoni përparimin tuaj në procesin e të qenit i lindur rishtas.

Shih edhe Mosia 5:6–9; Alma 36; “Kthim” (Udhëzuesi Tematik).

Alma i Riu të cilin po e mbajnë në krahë deri në shtëpinë e atit të tij

Ati i Tij u Gëzua, nga Walter Rane

Mosia 27:14, 19–24

Perëndia i dëgjon lutjet e mia dhe do t’u përgjigjet atyre sipas vullnetit të Tij.

Ndoshta ju njihni një prind në pozicionin e Alma Plakut, biri apo bija e të cilit po bën zgjedhje shkatërrimtare. Ose ndoshta ju jeni ai prind. Çfarë gjeni te Mosia 27:14, 19–24 që ju jep shpresë? Si mund të ndikojnë këto vargje te lutjet tuaja në emër të të tjerëve?

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

Mosia 25:5–11

Si u ndje populli i Mosias pasi ai u lexoi atyre analet e popullit të Zenifit dhe popullit të Almës? A ka mbajtur familja juaj ndonjë anal nga i cili mund të lexoni? Ndoshta ju mund të shtoni diçka në analet tuaja ose të filloni të mbani analin tuaj vetjak. Çfarë do të përfshinit që mund ta ndihmojë familjen tuaj (si edhe brezat e ardhshëm) të “mbush[e]n me gëzim jashtëzakonisht të madh” dhe të mësojnë për “mirësinë e menjëhershme të Perëndisë”? (Mosia 25:8, 10.)

Mosia 25:16

Përse qe e rëndësishme që populli i Limhit ta kujtonte se Zoti i kishte shpëtuar nga robëria? Çfarë ka bërë Zoti për ne që ne duhet ta kujtojmë?

Mosia 26:29–31; 27:35

Sipas këtyre vargjeve, çfarë duhet të bëjë një person që të marrë falje?

Mosia 27:21–24

Teksa i lexoni këto vargje, mendoni për dikë për të cilin familja juaj mund të lutet e të agjërojë.

Mosia 27–28

Për ta ndihmuar familjen tuaj t’i përfytyrojë tregimet në këta kapituj, ju mund t’i ftoni të bëjnë vizatime të njerëzve të përfshirë në to dhe t’i përdorni vizatimet për ta ritreguar historinë. Ose atyre mund t’u pëlqejë ta aktrojnë historinë; si mund ta portretizojnë ndryshimin që provuan Alma dhe bijtë e Mosias?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni vepra artistike.Libri i Figurave Artistike të Ungjillit dhe LDS Media Library [Biblioteka Mediatike SHDM] te ChurchofJesusChrist.org përmbajnë shumë figura dhe video që mund t[a] ndihmojnë [familjen tuaj] të përfytyrojë koncepte ose ngjarje” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 22; Përdorni Mjete Arti për t’i Përfshirë Nxënësit).

engjëlli i shfaqet Alma të Riut

Ilustrim i një engjëlli tek i shfaqet Alma të Riut, nga Kevin Keele