Eja, Më Ndiq
18–24 Maj. Mosia 25–28: “Ata u Quajtën Populli i Perëndisë”


“18–24 Maj. Mosia 25–28: ‘Ata u Quajtën Populli i Perëndisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“18–24 Maj. Mosia 25–28”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

Pamja
engjëlli i shfaqet Almës dhe bijve të Mosias

Kthimi në Besim i Alma të Riut, nga Gary L. Kapp

18–24 Maj

Mosia 25–28

“Ata u Quajtën Populli i Perëndisë”

Ati Qiellor e di se çfarë kanë nevojë që të mësojnë fëmijët në klasën tuaj dhe se si t’i ndihmoni ata. Kërkoni udhërrëfimin e Tij ndërsa e lexoni Mosian 25–28 dhe e shqyrtoni këtë përvijim mësimi.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Paraqitni figurën në përvijimin e mësimit të kësaj jave te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet dhe kërkojuni fëmijëve të përshkruajnë se çfarë po ndodh në figurë. Nëse fëmijët e njohin historinë e Alma të Riut dhe bijve të Mosias, lërini të tregojnë atë që dinë.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Mosia 26:30–31

Zoti do që unë të fal.

Zoti e mësoi Almën se Ai i fal bujarisht ata që pendohen. Ne duhet ta ndjekim shembullin e Tij duke i falur ata që mëkatojnë kundër nesh.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve këtë frazë nga Mosia 26:31: “Ju duhet t[a] falni … njëri‑tjetri[n]”. Lërini fëmijët të ushtrohen duke thënë disa herë: “Unë të fal”, dhe zbuloni nëse e dinë se çfarë do të thotë të falësh. Tregoni një shembull nga jeta juaj kur ju falët dikë ose dikush ju fali juve.

  • Ndihmojini fëmijët që të interpretojnë me role sikur po e falin njëri‑tjetrin. Kërkojini një fëmije të hiqet sikur ai ose ajo ka bërë diçka për ta lënduar apo fyer një fëmijë tjetër. Çfarë mund të thotë ose mund të bëjë fëmija tjetër për të treguar falje?

  • Ftojini fëmijët të vizatojnë një fytyrë të trishtuar në njërën anë të një letre dhe një fytyrë të lumtur në anën tjetër. Kërkojuni atyre që ta ngrenë lart fytyrën e trishtuar ndërkohë që dëftojnë një përvojë kur një motër/vëlla ose një shok/shoqe i mërziti ata. Kërkojuni që të ngrenë lart fytyrën e lumtur ndërkohë që dëftojnë se si e kanë falur apo do ta falin atë person.

Mosia 27:8–37

Ungjilli i ndihmon njerëzit të ndryshojnë dhe të bëhen më shumë si Jezusi.

Kthimi në besim i Alma të Riut dhe i bijve të Mosias tregon se për shkak të Jezu Krishtit dhe ungjillit të Tij, çdo njeri mund të ndryshojë e të bëhet më shumë si Jezusi.

Veprimtari të Mundshme

  • Dëfteni shkurtimisht kthimin në besim të Alma të Riut dhe të bijve të Mosias, siç përshkruhet te Mosia 27:8–37. Për ndihmë, shih “Kapitulli 18: Alma i Riu Pendohet” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 49–52). Pastaj dëftejeni përsëri historinë, duke i lejuar fëmijët të tregojnë hollësitë që mbajnë mend. Lërini ta aktrojnë historinë dhe ndihmojini të shohin dallimet mes asaj se si ishin Alma dhe bijtë e Mosias para se të pendoheshin dhe pasi u penduan.

  • Ndihmojini fëmijët ta përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave për të dëftuar historinë e Almës dhe të bijve të Mosias. Lexojeni Mosian 27:24 dhe ndihmojini fëmijët të kuptojnë që Alma dhe bijtë e Mosias ndryshuan ngaqë u penduan për mëkatet e tyre dhe e pranuan ungjillin e Jezu Krishtit.

    Pamja
    Alma i Riu duke u mbartur për te shtëpia e atit të tij

    Ati i Tij u Gëzua, nga Walter Rane

Mosia 28:1–8

Unë mund ta përhap ungjillin.

Pas kthimit të tyre në besim, bijtë e Mosias mezi prisnin t’ia përhapnin ungjillin gjithkujt, përfshirë armiqve të tyre, lamanitëve.

Veprimtari të Mundshme

  • Përdoreni Mosian 28:1–8 për t’u dëftuar fëmijëve rreth vendimit të bijve të Mosias për t’ua predikuar ungjillin lamanitëve. Për ndihmë, shih “Kapitulli 19: Bijtë e Mosias Bëhen Misionarë” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 53). Përse donin ta përhapnin ungjillin ata? (Shih vargun 3.)

  • Ndihmojeni secilin fëmijë të mendojë për dikë që ka nevojë të dijë më shumë për ungjillin. Ndihmojini fëmijët të planifikojnë se çfarë do t’u thonë njerëzve për të cilët menduan.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth përhapjes së ungjillit, të tillë si “I Want to Be a Missionary Now [Dua t’Jem Misionar’ Tani]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 90). Vini në dukje te kënga frazat që sugjerojnë se si mund ta përhapim ungjillin me të tjerët.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Mosia 26:22–23, 29–30; 27:8–37

Perëndia i fal bujarisht ata që pendohen.

Nëse ndonjë individ në klasën tuaj pyet veten nëse ai ose ajo mund ta marrë me të vërtetë faljen për veten e tij/saj, fjalët e Perëndisë drejtuar Alma Plakut dhe përvoja e Almës të Riut mund të ndihmojnë.

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të hiqen sikur po flasin me dikë i cili apo e cila nuk mendon se Perëndia do ta falë ndonjëherë atë. Ftojini që të shqyrtojnë fjalët e Perëndisë drejtuar Alma Plakut te Mosia 26:22–23, 29–30. Çfarë gjejnë ata që do ta ndihmonte atë person?

  • Përpara orës mësimore, kërkojini njërit prej fëmijëve të lexojë për kthimin në besim të Alma të Riut, që gjendet te Mosia 27:8–37, dhe të vijë i/e përgatitur për ta dëftuar historinë në klasë sikur ai ose ajo të ishte Alma i Riu. (Nëse është e nevojshme, sugjeroni që ai ose ajo t’i kërkojë një prindi që ta ndihmojë.) Teksa fëmija e dëfton historinë, bëni pyetje të tilla: “Si u ndjeve kur … ?” ose “Çfarë ndodhi pastaj?”

  • Ftojini fëmijët të bëjnë një listë me fjalë nga Mosia 27:8–10 që përshkruajnë se si ishin Alma dhe bijtë e Mosias përpara kthimit të tyre në besim. Pastaj kërkojuni të bëjnë një listë tjetër nga Mosia 27:32–37 që përshkruan se si ishin ata paskëtaj. Sipas vargjeve 24–29, çfarë e shkaktoi këtë ndryshim të madh tek Alma?

Mosia 26:29–31

Unë duhet të fal, që të falem.

Ndihmojini fëmijët të kuptojnë lidhjen mes faljes që u japin të tjerëve, dhe faljes që shpresojnë të marrin ata për vete.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët ta lexojnë Mosian 26:29–31 dhe të numërojnë se sa herë përmendet fjala “fal”. Çfarë na mësojnë këto vargje rreth faljes së të tjerëve? Si i ndihmon falja të dy, si personin që ka bërë diçka të gabuar, ashtu edhe personin që fal?

  • Kërkojini një fëmije të vizatojë një urë në tabelë dhe tregoni këtë thënie të cituar nga Presidenti Tomas S. Monson: “Ai që nuk mund t’i falë të tjerët shkatërron urën në të cilën duhet të kalojë ai vetë nëse dëshiron ta arrijë ndonjëherë qiellin, pasi çdo njeri ka nevojë për falje” (George Herbert, cituar në “Hidden Wedges”, Ensign, maj 2002, f. 19). Fshijeni një pjesë të urës dhe kërkojuni fëmijëve t’ju ndihmojnë ta rindërtoni atë, pjesë‑pjesë, ndërsa tregojnë mënyrat se si mund t’u japin falje të tjerëve. Ftojini të mendojnë rreth dikujt që ata kanë nevojë ta falin.

Mosia 27:8–24

Unë mund të lutem dhe të agjëroj që Perëndia t’i bekojë ata që dua.

Merrni parasysh se si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë se agjërimi mund ta forcojë besimin e tyre ndërsa luten për njerëzit që ata i duan.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojeni së bashku Mosian 27:8–24 dhe kërkojuni fëmijëve të përcaktojnë se çfarë bënë Alma dhe populli i tij për ta ndihmuar Alma të Riun. Tregoni një përvojë në të cilën agjëruat dhe u lutët për dikë, dhe nxitini fëmijët të tregojnë vetë përvojat e tyre.

  • Ftojini fëmijët të mendojnë për dikë që e njohin, i cili apo e cila ka nevojë për ndihmën e Perëndisë në jetën e vet. Jepni dëshminë tuaj se fëmijët mund të luten e të agjërojnë me besim që Perëndia ta bekojë këtë person. Ftojini fëmijët të luten për personin për të cilin menduan dhe, nëse janë në gjendje, edhe të agjërojnë për të.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Kërkojuni fëmijëve të zgjedhin një gjë që mësuan nga përvoja e Alma të Riut dhe e bijve të Mosias, që do të donin t’ia tregonin familjeve të tyre.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Mbështetini prindërit. “Prindërit janë mësuesit më të rëndësishëm të ungjillit për fëmijët e tyre – ata kanë si përgjegjësinë kryesore edhe fuqinë më të madhe për të ndikuar te fëmijët e tyre (shih Ligji i Përtërirë 6:6–7). Teksa u jepni mësim fëmijëve në kishë, me lutje kërkoni mënyra për t’i mbështetur prindërit e tyre” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 25).

Shtyp në Letër