Eja, Më Ndiq
25–31 Maj. Mosia 29 – Alma 4: “Ata Qenë të Paepur dhe të Palëvizshëm”


“25–31 Maj. Mosia 29 – Alma 4: ‘Ata Qenë të Paepur dhe të Palëvizshëm’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“25–31 Maj. Mosia 29 – Alma 4”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

Alma i Riu duke predikuar

Alma i Riu Duke Predikuar, nga Gary L. Kapp

25–31 Maj

Mosia 29 – Alma 4

“Ata Qenë të Paepur dhe të Palëvizshëm”

Fëmijët të cilëve u jepni mësim mund të mësojnë shumë në klasën tuaj, por ata do të mësojnë edhe më shumë nëse zhvillojnë një zakon të studimit të shkrimeve të shenjta në shtëpi. Merreni parasysh mënyrën se si mund ta nxitni dhe mbështetni të mësuarit e ungjillit në shtëpi.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët të ulen në dysheme në formë rrethi dhe të rrokullisin një top drejt njërit prej fëmijëve. Kërkojini atij fëmije të tregojë diçka që ai ose ajo ka mësuar kohët e fundit për ungjillin në shtëpi apo në Fillore. Më pas, ftojeni fëmijën ta rrokullisë topin drejt një personi tjetër. Përsëriteni këtë derisa çdo fëmijë të ketë pasur një mundësi për të treguar diçka.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Alma 1:2–9, 26–30

Si anëtar i Kishës, unë duhet t’i dua dhe t’u shërbej të tjerëve.

Ju mund të zgjidhni të mos u dëftoni dhe aq shumë fëmijëve rreth mësimeve të Nehorit, por ata mund të kenë dobi nga njohuria se në Kishë ne shërbejmë ngaqë i duam të tjerët, jo ngaqë duam të bëhemi të pasur apo të njohur.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve, me fjalë të thjeshta, historinë e Almës dhe Nehorit (shih Alma 1; “Kapitulli 20: Alma dhe Nehori”, Tregime të Librit të Mormonit, f. 54–55). Theksoni që edhe pse pasuesit e Nehorit u sollën ashpër me anëtarët e Kishës, shumë prej anëtarëve të Kishës vazhduan të ishin të mirë dhe të dashur.

  • Lexojuni fëmijëve referencën Alma 1:30 dhe ndihmojini të kuptojnë se njerëzit e Kishës u jepnin nga ajo që kishin njerëzve të cilëve u nevojitej ndihmë. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra që mund të japin, dhe për njerëzit të cilëve mund t’ua japin ato. Nxitini fëmijët që të bëjnë vizatime të planit të tyre.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth dashurisë dhe shërbimit, të tillë si “Kindness Begins with Me [Mirësia Fillon tek Unë]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 83; [Himne dhe Këngë të Fëmijëve, f. 63]), dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjeste që mund të përshtaten me këngën.

Alma 2:28–30

Perëndia do t’u përgjigjet lutjeve të mia.

Kur Alma dhe nefitët ndien “frik[ë të] madhe” (Alma 2:23), ata u lutën për ndihmë dhe u forcuan. Ndihmojini fëmijët të mësojnë nga shembulli i tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Duke përdorur figurat në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ose te “Kapitulli 21: Amlicitët” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 56–57), dëftojuni fëmijëve se si nefitët morën forcë për t’i mposhtur amlicitët. Pyetini fëmijët për gjërat që janë të frikshme apo të vështira për ta, dhe dëshmoni se ata mund t’i luten Atit Qiellor për ndihmë lidhur me këto gjëra.

  • Tregoni një përvojë kur Perëndia ju ndihmoi pasi iu lutët Atij. Ftojini fëmijët të tregojnë përvoja që kanë pasur me lutjen.

Alma 4:19

Dëshmia ime mund t’i forcojë të tjerët.

Shpesh “dëshmi[a e] kulluar” (Alma 4:19) e një fëmije mund të ketë ndikim të fuqishëm tek të tjerët. Si mund t’i ndihmoni fëmijët të gjejnë mënyra për ta dhënë dëshminë e tyre?

Veprimtari të Mundshme

  • Hapini shkrimet e shenjta tek Alma 4:19 dhe shpjegoni se kur Alma pa se sa të ligj ishin njerëzit, ai vendosi që mënyra më e mirë për t’i ndihmuar ata ishte që t’u jepte një “dëshmi të kulluar”. Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’u mësuar fëmijëve se çfarë është një dëshmi dhe se çfarë përfshin ajo. Nxitini ata që ta japin dëshminë e tyre.

  • Hidhni ca ujë të pastër në një gotë të tejdukshme dhe shpjegoni se uji është si dëshmia jonë, pasi ne mund ta ndajmë atë me të tjerët. Derdheni gotën e ujit nëpër gota të vogla për secilin fëmijë dhe u thoni fëmijëve se kur ne e japim dëshminë tonë, ne i ndihmojnë të tjerët gjithashtu të kenë dëshmi më të forta.

  • Nëse fëmijët do të dëshirojnë, lërini të ushtrohen duke dhënë dëshminë e tyre. Sugjeroni disa mënyra se si ata mund ta tregojnë se e dinë që ungjilli është i vërtetë, përfshirë nëpërmjet veprimeve të tyre.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Alma 1:2–9

Unë mund të mësoj t’i dalloj mësimet e rreme.

Në një pikë në jetën tonë, ne të gjithëve na duhet të përballemi me njerëz si Nehori – njerëz që përpiqen të na mashtrojnë me mesazhe që duken joshëse, por që janë të rreme dhe të dëmshme. Tregimi i rrëfimit tek Alma 1:2–9 mund t’i ndihmojë fëmijët të përgatiten për përplasje të tilla në jetën e tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të lexojnë tek Alma 1:2–4 për të shqyrtuar disa nga gjërat që dha mësim Nehori, një mësues i rremë. Ndihmojini që të hartojnë me thënie nga këto vargje një pyetësor me alternativa e vërtetë ose e rreme. Përse ndonjëherë Satani i ndërthur të vërtetat me gënjeshtrat? Ndihmojini fëmijët të mendojnë për disa shembuj.

  • Pasi t’i shqyrtoni së bashku vargjet tek Alma 1:2–9, kërkojini secilit prej fëmijëve të lexojë një prej shkrimeve të shenjta vijuese: Mateu 7:21–23; 2 Nefi 26:29–31; Mosia 18:24–26 dhe Helamani 12:23–26. Si i hedhin poshtë këto shkrime të shenjta mësimet e Nehorit? Si mund t’i përdorim shkrimet e shenjta për ta forcuar vetë dëshminë tonë për ungjillin?

Alma 1:26–30; 4:6–13

Si anëtar i Kishës, unë duhet t’i dua dhe t’u shërbej të tjerëve.

Nganjëherë anëtarët e Kishës në kohën e Almës ishin zemërgjerë e bujarë, dhe herë të tjera ata ishin të ashpër e krenarë. Ndihmojini fëmijët të cilëve u jepni mësim që të mësojnë nga përvojat e tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të lexojnë tek Alma 4:6–13 dhe të përkufizojnë fjalë si “përbuzje”, “persekutonin” dhe “duke përbuzur” (përdorni një fjalor nëse është e nevojshme). Si ndihemi ne kur njerëzit na trajtojnë në këto mënyra? Ftojini fëmijët të gjejnë fjalë tek Alma 1:26–30 që përshkruajnë mënyrën se si do Ati Qiellor që ne ta trajtojmë njëri‑tjetrin.

  • Kërkojuni fëmijëve të lexojnë tek Alma 1:27, 30 dhe të bëjnë një listë me llojet e njerëzve që ndihmuan anëtarët e Kishës. Ftojini fëmijët të mendojnë rreth njerëzve në lagjet apo shkollat e tyre që mund të jenë “në nevojë” (Alma 1:30) për dashurinë dhe ndihmën e tyre. Për ta përforcuar këtë parim, këndoni së bashku një këngë për mirësinë, të tillë si “I’ll Walk with You [“Do t’Ec’ me Ty”]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 78).

Alma 4:8–20

Dëshmia ime mund t’i forcojë të tjerët.

Alma hoqi dorë nga pozicioni i tij si kryegjykatës në mënyrë që të mund të kalonte më shumë kohë duke dhënë dëshminë e tij dhe duke i ndihmuar njerëzit të pendoheshin. Shembulli i Tij mund t’i frymëzojë fëmijët ta japin dëshminë e tyre më shpesh.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni me fëmijët tek Alma 4:8–12, 15 dhe kërkojuni të përcaktojnë problemet që po ndodhnin në Kishë, siç përshkruhen në këto vargje. Ftojini fëmijët të sugjerojnë disa gjëra që mund të bënte Alma për t’i zgjidhur këto probleme. Ndihmojini të zbulojnë, tek Alma 4:16–20, se çfarë vendosi të bënte Alma. Përse është kaq e fuqishme dëshmia?

  • Për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se çfarë është një dëshmi dhe çfarë përfshin ajo, këndoni së bashku një këngë për këtë temë, të tillë si “Dëshmia” (Himne, nr. 75); ose përdorni faqen e veprimtarisë së kësaj jave. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë atë që mësojnë rreth dëshmisë nga këto burime.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ndihmojini fëmijët të mendojnë për dikë të cilit mund t’i japin dëshminë e tyre javën e ardhshme. Nxitini që të shkruajnë një plan për t’i ndihmuar që ta përmbushin qëllimin e tyre.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Bëni pyetje që ftojnë dëshmi. “Bërja e pyetjeve që i nxitin nxënësit të japin dëshmi për parimet që janë dhënë mësim, mund të jetë një mënyrë e fuqishme për ta ftuar Shpirtin” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 31–32). Për t’i ftuar fëmijët që të japin dëshmi, bëni pyetje që i nxitin të mendojnë se çfarë ndiejnë për Shpëtimtarin dhe ungjillin e Tij dhe ta shprehin atë. Ju mund të pyesni gjithashtu rreth përvojave që kanë pasur me lutjen, shërbimin, ordinanca të tilla si pagëzimi ose kur e kanë ndier ndikimin e Frymës së Shenjtë.