Eja, Më Ndiq
11–17 Maj. Mosia 18–24: “Ne Kemi Hyrë në një Besëlidhje me Të”


“11–17 Maj. Mosia 18–24: ‘Ne Kemi Hyrë në një Besëlidhje me Të’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“11–17 Maj. Mosia 18–24”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

populli i Limhit duke u arratisur

Minerva K. Teichert (1888–1976), Arratisja e Mbretit Limhi dhe e Popullit të Tij, 1949–1951, vaj në dru të presuar, 91 7/8 x 122 centimetra. Muzeu i Artit i Universitetit “Brigam Jang”, 1969

11–17 Maj

Mosia 18–24

Ne Kemi Hyrë në një Besëlidhje me Të

Teksa lexoni nga Mosia 18–24, mendoni rreth fëmijëve të cilëve u jepni mësim. Fryma e Shenjtë mund t’ju ndihmojë të përcaktoni të vërteta që do të jenë të përshtatshme për ta.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Paraqitni një figurë të dikujt që po pagëzohet, dhe ftojini fëmijët të tregojnë gjërat që dinë rreth pagëzimit. Ata mund të tregojnë diçka që mësuan kur lexuan kapitujt 18–24 te Mosia me familjen e tyre, kur morën pjesë në një pagëzim apo në një rrethanë tjetër.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Mosia 18:7–16

Kur pagëzohem, unë bëj një besëlidhje me Perëndinë.

Një nga mënyrat më të rëndësishme se si t’i ndihmoni fëmijët të përgatiten për pagëzimin është që t’u jepni mësim rreth besëlidhjes që do të bëjnë kur të pagëzohen.

Veprimtari të Mundshme

  • Shqyrtojeni historinë e Almës dhe popullit të tij tek Ujërat e Mormonit duke përdorur vargjet te Mosia 18:7–16 ose “Kapitullin 15: Alma Jep Mësime dhe Pagëzon” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 43–44). Paraqitni figurën në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet, dhe lërini fëmijët t’ju dëftojnë atë çfarë dinë rreth historisë.

  • Duke përdorur vargjet 8–10 te Mosia 18 si një udhërrëfyes, mësojuni fëmijëve me vetë fjalët tuaja disa prej gjërave që ata do të premtojnë se do t’i bëjnë kur të pagëzohen. Për shembull, ata do të premtojnë se do ta ndjekin Atin Qiellor dhe Jezusin duke i ngushëlluar njerëzit që janë të trishtuar. Tregoni një histori për mënyrën se si ju apo dikush që ju e njihni, i ka mbajtur këto premtime. (Shih edhe DeB 20:77, 79; Karol M. Stivens, “Kemi Arsye të Madhe për t’u Gëzuar”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 115–117.)

  • Shpjegoni që kur pagëzohemi, Ati Qiellor na bën premtime gjithashtu. Thuajini këto premtime, siç përshkruhen te Mosia 18:9–10.

Mosia 18:17–28

Kur pagëzohem, unë bëhem anëtar i Kishës së Jezu Krishtit.

Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se çfarë do të thotë të bëhesh anëtar i Kishës nëpërmjet pagëzimit dhe konfirmimit.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojeni dikë që është pagëzuar kohët e fundit të tregojë përvojën e tij apo të saj. Lexoni te Mosia 18:17 dhe shpjegoni se kur pagëzohemi, ne bëhemi anëtarë të Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme dhe premtojmë se do ta ndjekim Jezusin.

  • Tregojuni fëmijëve figura që përfaqësojnë gjërat e përshkruara te Mosia 18:17–28. Për shembull, figura Shugurimi në Priftëri (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 106) mund të ilustrojë vargun 18 dhe figura Pagimi i së Dhjetës (Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 113) mund të ilustrojë vargjet 27–28. Lërini fëmijët të përshkruajnë atë që shohin te figurat, dhe përdorini figurat e vargjet për t’i ndihmuar ata që të kuptojnë se çfarë do të thotë të jesh anëtar i Kishës.

pagëzim në oqean

Ne bëjmë një besëlidhje me Perëndinë kur pagëzohemi.

Mosia 24:8–17

Perëndia mund t’i lehtësojë barrët e mia.

Kur ka bërë Perëndia që barrët tuaja të ndihen të lehta? Mendoni për mënyrat se si mund t’u flitni fëmijëve për përvojat dhe dëshminë tuaj.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjeste të thjeshta që mund t’i bëjnë ndërsa ju dëftoni atë çfarë i ndodhi popullit të Almës te Mosia 24:8–17. Vini në dukje se ngaqë Alma zgjodhi t’u bindej mësimeve të Abinadit për Jezusin, ai dhe populli i tij u trajtuan ashpër, por ata kurrë nuk reshtën së besuari te Jezusi.

  • Lexojuni fëmijëve nga Mosia 24:14–15. Mbusheni një çantë me objekte të rënda (për të simbolizuar barrët), dhe ftojeni një fëmijë ta mbajë çantën. Shpjegoni që kur jemi të trishtuar, të sëmurë apo kemi shqetësime të tjera, mund të na duket sikur po mbajmë diçka të rëndë. Ftojini fëmijët që me radhë ta ndihmojnë fëmijën për ta mbajtur çantën që të bëhet më e lehtë. Shpjegoni që Ati Qiellor mund t’i bëjë barrët tona më të lehta kur e kërkojmë ndihmën e Tij nëpërmjet lutjes, shërbimit ndaj të tjerëve e kështu me radhë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Mosia 18:7–16

Kur pagëzohem, unë bëj një besëlidhje me Perëndinë.

Si mund t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që ta kuptojnë besëlidhjen që ne bëjmë në pagëzim?

Veprimtari të Mundshme

  • Jepini çdo fëmije një fletë letre. Lexoni së bashku nga Mosia 18:8–10 dhe ftojini fëmijët të shkruajnë ose të vizatojnë në njërën anë të letrës së tyre premtimet që ne bëjmë në pagëzim dhe, në anën tjetër, bekimet që na premton Ati Qiellor. Lërini ata t’ia tregojnë klasës atë që zbulojnë. Ndërsa tregojnë, bëni pyetje si këto: Si mund të “vajto[jmë] me ata që vajtojnë”? Çfarë do të thotë të jesh dëshmitar i Perëndisë “në të gjitha vendet”? (Vargu 9.) Çfarë mund të bëjmë që t’i mbajmë besëlidhjet tona?

  • Ftojini disa fëmijë që janë pagëzuar, të tregojnë se çfarë mbajnë mend rreth përvojës së tyre. Çfarë e bëri të veçantë atë ditë? Si u ndien ata? Shpjegoni se çdo të diel ata e përtërijnë besëlidhjen e tyre të pagëzimit kur marrin sakramentin. Ndihmojini fëmijët ta krahasojnë besëlidhjen e pagëzimit të përshkruar te Mosia 18:8–10 me lutjet e sakramentit (shih DeB 20:77, 79). Si mund ta bëjmë sakramentin një orë të veçantë e plot nderim, njësoj siç ishte pagëzimi ynë?

  • Kërkojini një të kthyeri në besim të kohëve të fundit të tregojë se si ai ose ajo mësoi për Kishën dhe se si e bëri të ndihej pagëzimi. Lërini fëmijët të bëjnë pyetje, të tilla si çfarë e ndihmoi atë person të donte t’i bënte premtimet te Mosia 18:7–16.

Mosia 18:17–28

Unë i përkas Kishës së Jezu Krishtit të Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme.

Si mund t’i frymëzoni fëmijët që të jenë mirënjohës për bekimet e të qenit anëtarë të Kishës?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të lexojnë te Mosia 18:17–28, duke kërkuar mësimet e Kishës së Krishtit në kohën e Almës që janë të njëjta me kohën tonë. Shkruajini përgjigjet e tyre në kubikë ndërtues ose në gota, dhe lërini fëmijët t’i përdorin ato për të ndërtuar një strukturë që përfaqëson Kishën e Jezu Krishtit.

  • Këndojeni me fëmijët ose lexojini fjalët e këngës “The Church of Jesus Christ [Kisha e Jezu Krishtit]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 48), dhe ftojini që të mbajnë vesh për gjërat që ne premtojmë t’i bëjmë si anëtarë të Kishës. Ndihmojini të mendojnë për mënyrat se si mund t’i mbajnë ato premtime.

Mosia 21:1–5, 13–16; 22:1–11; 24:8–22

Perëndia mund t’i lehtësojë barrët e mia.

Historia e popullit të Almës mund t’u tregojë fëmijëve se ndonjëherë Perëndia na ndihmon duke na forcuar që t’i durojmë sprovat tona në vend që të na i largojë ato. Si mund t’i ndihmoni ata të mësojnë nga kjo histori?

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të përcaktojnë ngjarjet kryesore nga tregimi për popullin e Limhit te Mosia 21:1–5, 13–16 e 22:1–11 dhe për popullin e Almës te Mosia 24:8–22. Pastaj kërkojini secilit fëmijë ta vizatojë njërën prej këtyre ngjarjeve. Ftojini fëmijët t’i vendosin vizatimet e tyre në renditjen e duhur për ta dëftuar historinë. Ndërsa e bëjnë këtë, theksoni se Perëndia e ndihmoi popullin që t’i mbanin barrët e tyre.

  • Ftojini fëmijët t’i lexojnë vargjet te Mosia 21:14–15 dhe 24:13–14. Si iu përgjigj Zoti lutjeve të popullit të Limhit dhe popullit të Almës? Kërkojuni fëmijëve të tregojnë raste kur u lutën për ndihmë në lidhje me një sprovë dhe Ati Qiellor i ndihmoi; ose tregoni përvojën tuaj vetjake.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët t’i shpjegojnë dikujt atë çfarë do të premtojnë ose atë çfarë kanë premtuar të bëjnë si pjesë e besëlidhjes së tyre të pagëzimit.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Kushtojuni vëmendje fëmijëve. Nëse fëmijët duket se nuk i zë vendi, mund të jetë koha që të provoni një veprimtari tjetër ose të bëni një ecje të shkurtër, pa zhurmë. Nga ana tjetër, nëse janë të përfshirë dhe po mësojnë, mos u ndieni nën trysni që të vazhdoni më tej thjesht për të shpjeguar më shumë nga materiali mësimor.