“1–7 Qershor. Alma 5–7: ‘A e Keni Provuar Këtë Ndryshim të Madh në Zemrat Tuaja?’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“1–7 Qershor. Alma 5–7. ‘A e Keni Provuar Këtë Ndryshim të Madh në Zemrat Tuaja?’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020
Nuk Je i Braktisur, nga Jon McNaughton
1–7 Qershor
Alma 5–7
“A e Keni Provuar Këtë Ndryshim të Madh në Zemrat Tuaja?”
Merrini parasysh me lutje parimet tek Alma 5–7 që mendoni se janë veçanërisht të përshtatshme për fëmijët të cilëve u jepni mësim.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Ftojini fëmijët të thonë se çfarë u kujtohet nga ajo që mësuan për Alma të Riun disa javë më parë. Shpjegoni se pasi Alma u kthye në besim, ai u mësoi njerëzve gjëra të rëndësishme për ungjillin. Lërini fëmijët të thonë atë që dinë për gjërat që dha mësim ai.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund ta fitoj vetë dëshminë time nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Fëmijët të cilëve u jepni mësim mund të zhvillojnë dëshmitë e tyre vetjake të forta, edhe ndërkohë që janë të vegjël.
Veprimtari të Mundshme
-
Përdorni një figurë të Alma të Riut (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 77) për ta përsëritur rrëfimin kur engjëlli e vizitoi atë (shih Mosia 27). Pastaj kërkojuni fëmijëve të përshkruajnë se çfarë është një dëshmi dhe ndihmojini sipas nevojës. Shpjegoni se Alma punoi për ta fituar dëshminë pasi engjëlli e vizitoi atë. Lexoni me ngadalë disa herë tek Alma 5:46 dhe ftojini fëmijët të mbajnë vesh se çfarë bëri Alma dhe në ç’mënyrë e kuptoi të vërtetën. (Mund të jetë e nevojshme të shpjegoni se të agjërosh do të thotë të rrish pa ushqim dhe pa ujë.)
-
Shfaqni figura të gjërave që rriten ngadalë dhe kanë nevojë për përkujdesje të vazhdueshme, të tilla si një bimë ose të voglin e një kafshe. Kërkojuni fëmijëve të tregojnë se në ç’mënyrë kujdesemi për këto gjëra dhe se si i ndihmojmë të rriten. Kujtojuni atyre se edhe ne duhet të tregojmë përkujdesje të vazhdueshme për dëshminë tonë.
-
Përdorni një tullumbace bosh për të simbolizuar dëshminë dhe fryjeni me ajër sa herë thoni diçka që e ndihmon dëshminë të rritet. Lidheni tullumbacen dhe kalojeni dorë më dorë, duke u kërkuar fëmijëve të thonë një gjë që mund të bëjnë për ta ndihmuar dëshminë e tyre të rritet. Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të vetvetes duke bërë gjëra që do ta forcojnë dëshminë e tyre.
Kur e pranojmë ungjillin, është njësoj si të fillojmë një jetë të re.
Shpëtimtari mori përsipër mëkatet, dhembjet dhe hidhërimet e mia.
Të vërtetat tek Alma 7:10–13 mund t’i ndihmojnë fëmijët të dinë se Jezu Krishti kujdeset për ta dhe mund t’i ndihmojë ata.
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqituni fëmijëve një figurë të Jezusit. Shpjegoni se Ai e di se ç’do të thotë të jesh i lënduar, i trishtuar apo i frikësuar. Lexoni disa nga fjalët tek Alma 7:11–13 që e përshkruajnë atë që vuajti Shpëtimtari, dhe shpjegoni fjalë që fëmijët mund të mos i kuptojnë. Vini në dukje se Jezusi mund të na ndihmojë e ngushëllojë kur jemi të trishtuar. Tregoni se në ç’mënyrë ju ka ndihmuar e ngushëlluar Shpëtimtari.
-
Kërkojuni fëmijëve të tregojnë përvoja kur ishin sëmurë ose kishin dhembje apo kishin një problem tjetër që i trishtoi ata. Jepni dëshminë tuaj se edhe Shpëtimtari i ka vuajtur këto gjëra dhe e di se si të na ndihmojë.
Shtegu i kthimit për tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti është i drejtë.
Si mund ta përdorni përshkrimin e Almës për shtegun e kthimit tek Ati Qiellor që t’i ndihmoni fëmijët të mësojnë të bëjnë zgjedhje të mira?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni fëmijëve nga Alma 7:19 dhe shpjegoni se kur bëjmë zgjedhje të mira, ne jemi në shtegun që të kthen përsëri tek Ati Qiellor. Jepuni fëmijëve një sërë zgjedhjesh ose veprimesh (të tilla si të jenë të pasjellshëm me pjesëtarët e familjes apo t’u shërbejnë atyre). Kërkojuni që t’ju dëftojnë nëse secila nga zgjedhjet është e mirë dhe të kthen përsëri te Perëndia ose nëse është zgjedhje e keqe dhe të largon nga Ai.
-
Lexoni tek Alma 7:20 dhe ndihmojini fëmijët të kuptojnë fjalët në këto vargje, të cilat përshkruajnë shtegun e kthimit te Perëndia. Vizatoni në tabelë një shteg të drejtë nga ne për tek Ati Qiellor. Pastaj vizatoni një shteg të shtrembër që përfshin rrugë qorre që të largojnë nga Perëndia. Ftojini fëmijët t’i gjurmojnë të dyja shtigjet me gishtat e tyre. Cili shteg është më i miri? Ndihmojini të mendojnë për zgjedhjet e mira që do t’i ndihmojnë të qëndrojnë në shtegun e drejtë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Alma 5:12–14, 27–28, 57; 7:14–24
Unë duhet të lind përsëri dhe më pas të ndjek shtegun e kthimit për te Perëndia.
Si mund t’i ndihmoni fëmijët ta kuptojnë se çfarë do të thotë të lindësh përsëri?
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqituni fëmijëve një figurë të një foshnjeje dhe ftojini të flasin për mënyrën se si duket një foshnjë në fillim kur ai apo ajo lind. Ftojeni një fëmijë të lexojë tek Alma 5:14. Për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se çfarë do të thotë të “lind[ësh] shpirtërisht nëpërmjet Perëndisë”, kërkojuni atyre të mendojnë se si ishte Alma i Riu para se të kthehej në besim. Si ishte ai më pas? (Shih Mosia 27:23–32 dhe Alma 36:12–24.) Shpjegoni se kur kemi besim te Jezu Krishti dhe e jetojmë ungjillin e Tij, është njësoj si të kemi filluar një jetë të re, ashtu siç bën një foshnje.
-
Lexoni së bashku tek Alma 7:19 dhe shpjegoni që pasi lindim përsëri, ne duhet ta ndjekim “shtegun që të çon në mbretërinë e Perëndisë”. Fshihni letra nëpër dhomë me referencat vijuese të shkrimeve të shenjta të shkruara në to: Alma 5:12–13, 27–28, 57; 7:14–16, 23–24. Ftojini fëmijët t’i gjejnë letrat, të kërkojnë te shkrimet e shenjta dhe të thonë se çfarë na mëson secili shkrim i shenjtë që duhet të bëjmë për t’u kthyer në praninë e Perëndisë.
Unë mund ta fitoj vetë dëshminë time nëpërmjet Frymës së Shenjtë.
Alma u vizitua nga një engjëll, por dëshmia iu “bë [e] njohur nga Shpirti i Shenjtë” (Alma 5:46).
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni me fëmijët nga Alma 5:44–46. Çfarë bëri Alma për të fituar vetë dëshminë e tij për ungjillin? Jepini secilit fëmijë një fletë letre dhe ftojini të hartojnë një plan për të bërë një gjë këtë javë që ta forcojnë dëshminë e tyre.
-
Kaloni dorë më dorë një pasqyrë dhe lërini fëmijët të shikojnë pasqyrimin e tyre ndërsa ju lexoni nga Alma 5:14. Çfarë do të thotë ta kemi shëmbëlltyrën e Shpëtimtarit në pamjen tonë? Tregoni raste kur dikush tha ose bëri diçka që ju kujtoi Shpëtimtarin, dhe kërkojuni fëmijëve të bëjnë të njëjtën gjë.
Shpëtimtari mori përsipër mëkatet, dhembjet dhe hidhërimet e mia.
Teksa studioni nga Alma 7, përsiatni se si mund ta ndërtoni besimin e fëmijëve te Jezu Krishti që ata do t’i drejtohen Atij gjatë sprovave të tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët të lexojnë nga Alma 7:11–13, duke kërkuar gjërat që vuajti Jezu Krishti. Ata mund të jenë të gatshëm të flasin për përvojat e tyre kur patën dhembje, sëmundje apo hidhërime. Sipas këtyre vargjeve, përse ishte i gatshëm Shpëtimtari që t’i vuante të gjitha këto? (Shpjegoni që “të ndihmojë” do të thotë “të mbështetë”.)
-
Dëftojuni fëmijëve për një sëmundje, dëmtim apo hidhërim tjetër që keni pasur dhe pyetini a kanë ndier diçka të ngjashme. Lexoni së bashku nga Alma 7:11–13 dhe vini në dukje atë çfarë vuajti Jezusi për ne. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për rastet kur Shpëtimtari i përjetoi këto gjëra, të tilla si kur Ai u tundua (shih Mateu 4:1–11) ose kur po vuante në Gjetseman. Si na ndihmon njohuria që Jezusi i kupton vështirësitë tona? Jepni dëshminë tuaj për fuqinë e Jezusit për të na ngushëlluar, ndihmuar e shëruar.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët të varin një figurë të Jezusit në një vend ku do ta shohin shpesh, që t’u kujtojë atyre atë çfarë mësuan sot rreth Tij.
Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë
Përmirësohuni si një mësues i ngjashëm me Krishtin. Si mësues, është e rëndësishme të përsiatni për mënyrat se si mund ta rritni aftësinë tuaj për t’i ndihmuar fëmijët që ta ndërtojnë besimin e tyre tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti. Merrni parasysh t’i përdorni pyetjet për vlerësimin vetjak në faqen 37 të librit Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit.