“15–21 Qershor. Alma 13–16: ‘Hyni në Prehjen e Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“15–21 Qershor. Alma 13–16”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020
15–21 Qershor
Alma 13–16
“Hyni në Prehjen e Zotit”
Ju jeni me fëmijët në klasën tuaj vetëm për një kohë të shkurtër çdo javë. Ju do ta bekoni së tepërmi jetën e tyre nëse mund t’i frymëzoni që të vazhdojnë të mësojnë nga Libri i Mormonit jashtë orës mësimore – veçanërisht me familjen e tyre.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Jepuni fëmijëve mundësi të tregojnë atë që e dinë tashmë për historitë tek Alma 13–16. Për t’i ndihmuar, paraqitni figura të tilla si ato te manuali Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ose te “Kapitulli 22: Misioni i Almës në Amoniha” (Tregime të Librit të Mormonit , f. 58–63).
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Priftëria më ndihmon të vij te Krishti.
Përsiatni me lutje atë që fëmijët në klasën tuaj kanë nevojë të kuptojnë nga ajo që dha mësim Alma rreth priftërisë në këto vargje.
Veprimtari të Mundshme
-
Kërkojuni fëmijëve të përsëritin bashkë me ju një përkufizim të thjeshtë për priftërinë, të tillë si “priftëria është fuqia e Perëndisë”.
-
Hapini shkrimet e shenjta tek Alma 13:2 dhe u thoni fëmijëve që Perëndia i thërret mbajtësit e priftërisë “që populli të mund … ta pr[esë] Birin e tij”. Për ta ilustruar se si mbajtësit e priftërisë e bëjnë këtë, paraqitni figura të mënyrave se si shërbejnë mbajtësit e priftërisë (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 38–41, 103–109), dhe më pas tregoni histori për mënyrat se si shërbeu Jezusi (shih Mateu 26:26–28; Marku 5:22–24, 35–43).
-
Kthehuni tek Alma 13:6 dhe shpjegoni se mbajtësit e priftërisë u “mës[ojnë] fëmijëve të njerëzve urdhërimet e [Perëndisë]”. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mbajtësit e priftërisë që njohin. Si i japin ata mësim urdhërimet? Ftojini fëmijët të vizatojnë një mbajtës priftërie që e njohin, duke ia mësuar urdhërimet e Perëndisë dikujt tjetër.
Ati Qiellor më forcon sipas besimit tim.
Rrëfimi për çlirimin e Almës dhe të Amulekut nga burgu mund t’i frymëzojë fëmijët t’i drejtohen Zotit kur kanë nevojë për ndihmë.
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni figurat e Almës dhe të Amulekut te faqja e veprimtarisë së kësaj jave ndërsa dëftoni historinë tek Alma 14:18–29. Mund t’i drejtoheni edhe “Kapitullit 22: Misioni i Almës në Amoniha” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 58–63). Lërini fëmijët që, me radhë, ta dëftojnë historinë duke përdorur figurat. Theksoni se Almës dhe Amulekut iu dha forcë për t’u arratisur nga burgu “sipas besimit [të tyre] që është në Krisht” (Alma 14:26).
-
Ndihmojini fëmijët të përfytyrojnë se si mund të jenë ndier Alma dhe Amuleku ndërsa ishin në burg dhe ftojini t’i paraqesin me aktrim këto ndjenja (shih vargu 22). Shpjegoni që Alma i kërkoi ndihmë Zotit (shih vargu 26). Dëshmoni se Perëndia do të na forcojë kur lutemi me besim.
-
Përdoreni faqen e veprimtarisë së kësaj jave për t’u mësuar fëmijëve rreth disa prej mënyrave se si Perëndia i forcon ata që kanë besim. Ndërkohë që fëmijët ngjyrosin faqen e veprimtarisë, flisni për një rast kur Perëndia ju dha forcë.
Unë bekohem kur e ndjek profetin.
Zorami, kryekapiteni i ushtrive nefite, e dinte se Alma ishte profet dhe kërkoi udhërrëfimin e tij. Për shkak të kësaj, Zorami qe i suksesshëm.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojeni me vetë fjalët tuaja rrëfimin tek Alma 16:1–8. Theksoni që për shkak se ushtritë zoramite dhe nefite iu bindën profetit Alma, nefitët qenë në gjendje t’i shpëtonin miqtë e tyre, të cilët po mbaheshin të burgosur nga lamanitët. Tregoni një përvojë kur ju u bekuat ngaqë ndoqët profetin.
-
Paraqitni një fotografi të Presidentit të Kishës dhe tregoni disa gjëra që ai na ka mësuar të bëjmë. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si mund ta ndjekin Jezusin duke bërë atë që na mëson profeti i Tij.
-
Paraqitni figura të profetëve (shih Libri i Figurave Artistike të Ungjillit, nr. 6–9, 14, 18, 26–27) ndërsa këndoni me fëmijët një këngë për profetët, të tillë si “Follow the Prophet [Ndiq Profetin]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 58). Vëreni theksin te frazat e këngës që na mësojnë arsyen përse duhet ta ndjekim profetin.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Priftëria më ndihmon të vij te Krishti.
Ndërsa e lexoni Almën 13:1–19, çfarë zbuloni që e thellon nderimin tuaj për priftërinë? Çfarë ndiheni i frymëzuar t’u tregoni fëmijëve të cilëve u jepni mësim? Idetë vijuese mund të ndihmojnë.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojeni me fëmijët Almën 13:10 dhe 13, duke kërkuar cilësitë që duhet të ketë një mbajtës i priftërisë. Kërkojuni të mendojnë për njerëzit që i njohin, të cilët janë shembuj të mirë të këtyre cilësive.
-
Ndihmojini fëmijët të bëjnë një listë të ordinancave që marrim nëpërmjet priftërisë (shih “Ordinanca” tek Të Vërtetë ndaj Besimit, f. 105–106). Kërkojini dikujt ta lexojë Almën 13:16. Si na ndihmojnë këto ordinanca “ta pr[esim] [Jezu Krishtin] me padurim për një heqje të mëkateve të t[ona]”?
-
Pyetini fëmijët nëse e dinë se si iu vu emri Priftërisë Melkizedeke. Ndihmojini t’i gjejnë përgjigjet tek Alma 13:14–19 dhe Doktrina e Besëlidhje 107:1–4. Çfarë mësojmë nga Melkizedeku rreth mënyrës se si duhet të përdoret priftëria?
Ati Qiellor më forcon sipas besimit tim.
Alma dhe Amuleku ishin në burg për shumë ditë përpara se Zoti t’i çlironte. Kjo histori mund t’i ndihmojë fëmijë të mësojnë se sprovat e tyre mund të mos kenë zgjidhje të shpejta ose të lehta, por Zoti do t’i forcojë “sipas besimit t[ë tyre]” (Alma 14:26).
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në tabelë pyetje për t’i ndihmuar fëmijët të kërkojnë tek Alma 14:18–29 hollësi të tilla si: Çfarë i bënë gjykatësit Almës dhe Amulekut në burg? ose Si e shfaqën ata besimin e tyre në Jezu Krisht? Jepini secilit fëmijë një apo dy vargje që t’i lexojë, duke kërkuar përgjigjet e pyetjeve.
-
Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të skenave nga Alma 14:18–29 dhe më pas lërini që t’i përdorin vizatimet e tyre për ta dëftuar historinë. Si mund të jemi ne sikurse Alma dhe Amuleku?
-
Tregoni një përvojë në të cilën ju shfaqët besim te Zoti dhe Ai ju dha forcë për ta kapërcyer apo për ta duruar një sprovë. Nxitini fëmijët të tregojnë përvoja të ngjashme që kanë pasur.
Ungjilli mund t’i ndryshojë zemrat.
Zizromi, në fillim, i kundërshtoi me energji Almën dhe Amulekun, por dëshmitë e tyre ia prekën zemrën dhe e frymëzuan që të pendohej. Ndërsa i studioni këto vargje, merrni parasysh se si përvoja e Zizromit mund t’i frymëzojë fëmijët të cilëve u jepni mësim.
Veprimtari të Mundshme
-
Përsëritni me fëmijët atë që mësuan javën e kaluar për Zizromin. Lexojeni së bashku Almën 15:3–12 për të zbuluar se si ndryshoi ai.
-
Ftojini fëmijët të përfytyrojnë sikur e takuan Zizromin përpara se të pendohej. Çfarë do të thoshin ata për ta ndihmuar që të besonte në ungjill? Ata mund ta krahasojnë atë që do të thoshin ata, me atë që Alma dhe Amuleku i mësuan Zizromit (shih Alma 11:40–46; 15:6–11). Përse njohuria për këto të vërteta mund ta ndihmojë një person që të dëshirojë të ndryshojë?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët të mendojnë diçka që mund të bëjnë këtë javë për ta treguar besimin e tyre te Zoti. Nxitini t’u tregojnë familjeve të tyre planet dhe përvojat e tyre.