“22–28 Qershor. Alma 17–22: ‘Unë do t’Ju Bëj një Mjet’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“22–28 Qershor. Alma 17–22”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020
22–28 Qershor
Alma 17–22
“Unë do t’Ju Bëj një Mjet”
Ashtu si Lamoni dhe të tjerët në këtë rrëfim patën përvoja shpirtërore që u ndryshuan jetën atyre; fëmijët të cilëve u jepni mësim, mund të kenë përvoja shpirtërore në lidhje me shkrimet e shenjta që do të ndikojnë në jetën e tyre për vite në vijim. Mbajeni në mendje këtë ndërsa përsiatni se si do t’i mësoni ata.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Paraqitni një figurë që e ilustron një ngjarje nga Alma 17–22 (shih përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet). Kërkojuni fëmijëve t’ju flasin rreth asaj që shohin në figurë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë mund t’ua përhap ungjillin të tjerëve.
Si mund ta frymëzojë shembulli i bijve të Mosias klasën tuaj që t’u japin të tjerëve dëshminë e tyre?
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët ta aktrojnë historinë e Amonit tek Alma 17–19. Ju mund t’i drejtoheni “Kapitulli[t] 23: Amoni: Një Shërbëtor i Madh” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 64–68). Sillni veshje dhe objekte të thjeshta teatrale, nëse mendoni se fëmijëve do t’u pëlqente kjo gjë. U thoni fëmijëve atë që mësoni nga historia dhe ftojini që të bëjnë të njëjtën gjë.
-
Paraqitni një mjet ose vegël, dhe flituni fëmijëve se për çfarë përdoret ai apo ajo. Çfarë veglash të tjera njohin fëmijët? Ftojini ata të hiqen sikur po përdorin një vegël. Shpjegoni se, ashtu siç përdorim mjete apo vegla për t’i bërë gjërat, Ati Qiellor mund të na përdorë ne për të bërë punën e Tij. Lexoni tek Alma 17:11 dhe shpjegoni se Amoni dhe vëllezërit e Tij ishin mjetet e Atit Qiellor për t’i ndihmuar lamanitët ta mësonin ungjillin.
-
Ftojini fëmijët të vrapojnë në vend dhe të hiqen sikur po trokasin nëpër dyer ndërsa ju dëftoni historinë e Abishit, që shkoi shtëpi më shtëpi për t’u dëftuar njerëzve për fuqinë e Perëndisë (shih Alma 19:16–34). Ndihmojini fëmijët të mendojnë mbi mënyrat se si mund të jenë sikurse Abishi dhe t’ua përhapin të tjerëve ungjillin.
-
Ftojini fëmijët që të bëjnë një vizatim të vetvetes duke folur për ungjillin me dikë. Ndihmojini të mendojnë për gjëra të veçanta që mund të tregojnë. Këndoni së bashku një këngë për përhapjen e ungjillit, të tillë si “I Want to Be a Missionary Now [Un’ Dua të Jem Misionar Tani]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 90). Jepuni atyre mundësi të shprehin ndjenjat e tyre për gjërat që dha mësim Amoni.
Unë mund t’i ndihmoj të tjerët të vijnë te Krishti duke treguar dashurinë time për ta.
Dashuria dhe shërbimi i Amonit e zbutën zemrën e mbretit Lamoni dhe të atit të tij. Çfarë mund të mësojnë fëmijët nga këto rrëfime?
Veprimtari të Mundshme
-
Përmblidhini për fëmijët vargjet tek Alma 17:21–25, duke theksuar se Amoni dëshironte që t’i shërbente Lamonit. Ftojini fëmijët të tregojnë përvoja kur i shërbyen dikujt. Kujtojuni fëmijëve që shërbimi i madh i Amonit e ndihmoi mbretin Lamoni që të donte të mësonte për ungjillin (shih Alma 18:15–23). Ftojini fëmijët të mendojnë për dikë të cilit mund t’i shërbejnë sot dhe diskutoni se si mund t’i shërbejnë atij personi.
-
Dëftojuni fëmijëve rrëfimin tek Alma 20:8–27. Ju mund të përdorni “Kapitulli[n] 24: Amoni Takon Atin e Mbretit Lamoni” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 69–70). Kërkojuni fëmijëve të mendojnë veprime të ndryshme që mund t’i bëjnë sa herë ju përmendni Amonin, Lamonin ose atin e Lamonit. Vini në dukje se një arsye përse ndryshoi zemra e atit të Lamonit ishte ngaqë Amoni e donte aq shumë Lamonin. Ftojini fëmijët të vizatojnë një figurë të diçkaje që mund ta bëjnë për të treguar dashuri për dikë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Dëshmia ime rritet kur i lexoj shkrimet e shenjta, lutem dhe agjëroj.
Bijtë e Mosias u forcuan në ungjill dhe u bënë misionarë të fuqishëm ngaqë i studiuan me zell shkrimet e shenjta, u lutën e agjëruan me zell. Po këto gjëra mund t’i ndihmojnë gjithashtu fëmijët të cilëve u jepni mësim.
Veprimtari të Mundshme
-
Sillni në klasë artikuj që simbolizojnë shkrimet e shenjta, lutjen dhe agjërimin, të tilla si një komplet shkrimesh të shenjta, një figurë të një personi duke u lutur dhe një figurë ushqimesh; dhe shpjegoni se çfarë simbolizon secili artikull. Lexoni tek Alma 17:1–4 dhe pyetini fëmijët se si i ndihmuan këto gjëra bijtë e Mosias. Si na ndihmon leximi i shkrimeve të shenjta, lutja dhe agjërimi që t’i afrohemi më shumë Atit Qiellor?
-
Përdorni topics index [treguesin tematik] të Children’s Songbook [Librit të Këngëve të Fëmijëve] për t’i ndihmuar fëmijët të gjejnë këngë rreth studimit të shkrimeve të shenjta dhe lutjes. Këndojini disa nga këto këngë së bashku dhe ndihmojini fëmijët të përcaktojnë se çfarë na mësojnë këngët për mënyrën se si na bekon bërja e këtyre gjërave.
Unë mund t’i ndihmoj të tjerët të vijnë te Krishti duke treguar dashurinë time për ta.
Dëshira e Amonit për të qenë shërbëtor i Lamonit çoi së fundi në një mundësi për t’i dhënë mësim Lamonit kur zemra e tij ishte e hapur dhe gati për ta pranuar ungjillin.
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët t’i lexojnë vargjet nga Alma 17:21–39, të cilat dëftojnë rrëfimin e shërbimit të Amonit ndaj mbretit Lamoni. Ftojini të bëjnë vizatime të njerëzve apo ngjarjeve nga historia dhe pastaj ta thonë historinë me vetë fjalët e tyre. Ndihmojini fëmijët ta kuptojnë se si ndikoi shërbimi i Amonit te mbreti (shih Alma 18:9–23). Çfarë mund të mësojmë nga ky rrëfim për mënyrën se si t’i ndihmojmë të tjerët që të duan të mësojnë më shumë për ungjillin?
-
Lexoni tek Alma 22:1–3 dhe kërkojuni fëmijëve të mbajnë vesh për mënyrën se si ndikoi shembulli i mirë i Amonit tek i ati i mbretit Lamoni. Ftojini të mendojnë rreth dikujt që e njohin, i cili/e cila ka nevojë të vihet në dijeni për ungjillin. Sugjerojuni fëmijëve që dashuria dhe shembulli i tyre i mirë mund ta ndihmojnë këtë person ta kuptojë se sa i mrekullueshëm është ungjilli. Ndihmojini fëmijët të mendojnë mbi mënyrat se si mund të jenë shembuj të mirë dhe të tregojnë dashuri për njerëzit për të cilët menduan.
-
Ftoni misionarë kohëplotë ose një misionar të kthyer së fundi që të tregojë historinë e Amonit tek Alma 17–18. Kërkojuni atyre të thonë atë që mësuan për punën misionare nga Amoni dhe rolin që luajti shërbimi në përpjekjet e tyre. Diskutoni me fëmijët për mënyrat se si mund ta ndjekin shembullin e Amonit.
-
Si klasë, shkruani në tabelë një listë gjërash që fëmijët mund t’i bëjnë për t’u shërbyer pjesëtarëve të familjes së tyre. Si do ta bekojë të tërë familjen bërja e këtyre veprave të shërbimit?
Unë mund t’ua përhap ungjillin të tjerëve.
Si mund t’i përdorni rrëfimet në këto vargje për t’i frymëzuar fëmijët që të jenë misionarë siç ishin Amoni dhe Abishi?
Veprimtari të Mundshme
-
Paraqitni figura që i ilustrojnë disa nga të vërtetat që Amoni i tregoi mbretit Lamoni, të cilat gjenden tek Alma 18:24–40 (shih faqen e veprimtarisë së kësaj jave). Ftojini fëmijët të hiqen sikur janë misionarë dhe t’i tregojnë njëri‑tjetrit atë që dinë për këto të vërteta.
-
Lexojeni me fëmijët rrëfimin për Abishin (shih Alma 19:16–20, 28–29). Ftojini fëmijët që me radhë të hiqen sikur janë si Abishi duke trokitur në derën e klasës dhe duke dëshmuar për atë çfarë ndodhi tek Alma 19:1–17. Si mund të jemi ne si Abishi dhe të dëshmojmë për të vërtetat që dimë?
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët që me lutje të vënë qëllim bashkë me familjen e tyre për t’ia përhapur dikujt ungjillin.