Kapitulli 23
Amoni: Një Shërbëtor i Madh
Katër bijtë e Mosias u larguan nga Zarahemla për t’ua mësuar ungjillin lamanitëve. Secili prej tyre shkoi në qytete të ndryshme.
Amoni shkoi në tokën e Ishmaelit. Kur hyri në qytet, lamanitët e lidhën atë dhe e çuan te mbreti i tyre, Lamoni.
Amoni i tha mbretit Lamoni se ai donte të jetonte midis lamanitëve. Lamoni u kënaq dhe u tha njerëzve të tij ta zgjidhnin Amonin.
Amoni tha se do të ishte një nga shërbëtorët e mbretit. Mbreti e dërgoi që të kujdesej për kopetë e tij.
Një ditë, ndërsa Amoni dhe disa nga shërbëtorët e tjerë po i çonin kopetë për të pirë ujë, vjedhësit lamanitë i shpërndanë kafshët dhe u përpoqën t’i vidhnin ato.
Shërbëtorët që ishin me Amonin, u frikësuan. Mbreti Lamoni i kishte vrarë shërbëtorët e tjerë të tij, të cilët i kishin humbur kafshët për shkak të këtyre vjedhësve.
Amoni e dinte se ky ishte rasti i tij që ta përdorte fuqinë e Zotit për të fituar zemrat e lamanitëve. Atëherë ata do t’i dëgjonin mësimet e tij.
Amoni u tha shërbëtorëve se, nëse ata do t’i mblidhnin kafshët e shpërndara, mbreti nuk do t’i vriste.
Amoni dhe shërbëtorët e tjerë i gjetën shpejt kafshët dhe i kthyen sërish te vendi me ujë.
Vjedhësit lamanitë u kthyen. Amoni u tha shërbëtorëve të tjerë t’i ruanin kopetë, ndërsa ai luftonte me vjedhësit.
Vjedhësit lamanitë nuk kishin frikë nga Amoni. Ata menduan se mund ta vrisnin atë kollaj.
Fuqia e Perëndisë ishte me Amonin. Ai i goditi dhe i vrau disa nga vjedhësit me gurë, çka bëri që pjesa tjetër e vjedhësve të zemërohej shumë.
Ata u përpoqën ta vrisnin Amonin me topuzët e tyre, por, sa herë që një vjedhës ngrinte topuzin për ta goditur Amonin, ai ia priste krahun vjedhësit. Të frikësuar vjedhësit ia mbathën.
Shërbëtorët i çuan krahët e prerë te mbreti Lamoni dhe i thanë atij se çfarë kishte bërë Amoni.
Mbreti u habit nga fuqia e madhe e Amonit. Ai donte ta takonte Amonin por kishte frikë sepse mendonte se Amoni ishte Shpirti i Madh.
Kur Amoni shkoi ta takojë atë, mbreti Lamoni nuk dinte se çfarë të thoshte. Ai nuk i foli për një orë.
Fryma e Shenjtë e ndihmoi Amonin të dinte se çfarë po mendonte mbreti. Amoni i shpjegoi se ai nuk ishte Shpirti i Madh. Ai ishte një njeri.
Mbreti i ofroi Amonit çdo gjë që të donte, nëse do t’i tregonte atij se çfarë fuqie kishte përdorur për t’i mundur vjedhësit dhe për të ditur mendimet e mbretit.
Amoni tha se e vetmja gjë që dëshironte, ishte që mbreti Lamoni ta besonte atë që ai do t’i thoshte. Mbreti tha se do ta besonte çdo gjë që Amoni do t’i thoshte atij.
Amoni e pyeti mbretin Lamoni nëse besonte në Perëndi. Mbreti i tha se besonte në një Shpirt të Madh.
Amoni tha se Shpirti i Madh është Perëndia, se Ai krijoi çdo gjë në qiell e në tokë dhe se Ai i di mendimet e njerëzve.
Amoni i tha se njerëzit janë krijuar sipas shëmbëlltyrës së Perëndisë. Ai gjithashtu i tha se Perëndia e kishte thirrur atë për t’ia mësuar ungjillin Lamonit dhe popullit të tij.
Duke përdorur shkrimet e shenjta, Amoni i mësoi mbretit Lamoni rreth Krijimit, Adamit dhe Jezu Krishtit.
Mbreti Lamoni e besoi Amonin dhe u lut që t’i faleshin mëkatet e tij. Pastaj ai ra në tokë dhe dukej si i vdekur.
Shërbëtorët e çuan mbretin te bashkëshortja e tij dhe e vunë mbi një shtrat. Pas dy ditësh shërbëtorët menduan se ai kishte vdekur dhe vendosën ta varrosin.
Mbretëresha nuk besonte se burri i saj kishte vdekur. Duke qenë se kishte dëgjuar për fuqinë e madhe të Amonit, ajo i kërkoi atij ta ndihmonte mbretin.
Amoni e dinte se Lamoni ishte nën fuqinë e Perëndisë. Ai i tha mbretëreshës se Lamoni do të zgjohej ditën tjetër.
Ajo ndenji pranë Lamonit gjithë natën. Të nesërmen Lamoni u ngrit dhe tha se ai kishte parë Jezu Krishtin. Mbreti dhe mbretëresha u mbushën me Frymën e Shenjtë.
Lamoni e mësoi popullin e tij rreth Perëndisë dhe Jezu Krishtit. Ata që besuan, u penduan për mëkatet e tyre dhe u pagëzuan.