Kapitulli 41
Shenjat e Lindjes së Krishtit
Nefi, i biri i Helamanit, ia dha analet e shenjta dhe shkrimet e shenjta birit të tij më të madh, Nefit.
Nefitët panë shenja dhe mrekulli të mëdha që profetët kishin thënë se do të ndodhnin përpara lindjes së Jezu Krishtit.
Por disa nefitë thanë se koha për lindjen e Jezusit kishte kaluar tashmë. Ata i tallën njerëzit të cilët vazhdonin ende t’i besonin profecitë e Samuel Lamanitit.
Njerëzit që besuan në Jezu Krisht dhe te profetët, u trishtuan kur menduan se diçka mund të bënte që profecitë të mos përmbusheshin.
Njerëzit pritën me besnikëri për një natë pa errësirë, e cila ishte shenja që Jezu Krishti do të lindte.
Ata, të cilët nuk besonin në Jezu Krisht, zgjodhën një ditë për të vrarë besimtarët nëse shenja nuk do të ndodhte.
Nefi ishte i mërzitur për shkak të ligësisë së atyre që nuk besonin te Shpëtimtari.
Nefi u lut gjithë ditën për njerëzit që do të vriteshin.
Zoti e ngushëlloi Nefin dhe i tha atij që nuk do të bëhej errësirë atë natë. Jezusi do të lindte ditën tjetër në Bethlehem.
Atë natë dielli perëndoi, por nuk u errësua. Shenja e lindjes së Jezu Krishtit kishte ardhur. Njerëzit u habitën.
Ata, të cilët kishin planifikuar t’i vrisnin besimtarët, ranë përdhe dhe dukeshin si të vdekur.
Ata kishin frikë se kishin qenë të ligj. Tani ata e dinin se Shpëtimtari do të lindte dhe se profetët kishin pasur të drejtë.
Gjithë natën pati ndriçim. Kur dielli doli mëngjesin tjetër, njerëzit e dinin se Jezu Krishti do të lindte atë ditë. Profecitë u plotësuan.
Një yll i ri u shfaq në qiell, ashtu siç kishin thënë profetët se do të ndodhte.
Satani ende u përpoq që t’i bënte njerëzit të mos i besonin shenjat që ata kishin parë, por shumica i besoi.
Nefi dhe udhëheqës të tjerë të Kishës i pagëzuan të gjithë ata që besuan dhe u penduan.
Pati lajme të mira në tokë sepse fjalët e profetëve ishin përmbushur. Jezu Krishti kishte lindur.