Kapitulli 5 Udhëtimi në Vendin e Shkretë Zoti donte që bijtë e Lehit të kishin gra, të cilat do t’ua mësonin fëmijëve të tyre ungjillin. Ai i tha Lehit t’i dërgonte fëmijët e tij përsëri në Jerusalem për të marrë familjen e Ishmaelit. 1 Nefi 7:1–2 Nefi dhe vëllezërit e tij u kthyen në Jerusalem. Ata i thanë Ishmaelit se çfarë donte Zoti që të bënte ai. Ishmaeli u besoi atyre dhe ai e familja e tij shkuan me bijtë e Lehit. 1 Nefi 7:3–5 Kur ata po udhëtonin në vendin e shkretë, Lamani e Lemueli dhe disa nga familja e Ishmaelit, u zemëruan. Ata dëshironin të ktheheshin në Jerusalem. 1 Nefi 7:6–7 Nefi ua kujtoi Lamanit dhe Lemuelit gjithçka që Zoti kishte bërë për ta. Ai u tha atyre të kishin më shumë besim. Ata ishin të zemëruar me Nefin por nuk u kthyen në Jerusalem. 1 Nefi 7:8–13, 16, 21 Nefi, vëllezërit e tij dhe Zorami, më vonë u martuan me bijat e Ishmaelit. 1 Nefi 16:7 Zoti i tha Lehit që ta vazhdonte udhëtimin e tij. Mëngjesin tjetër Lehi gjeti një sferë prej tunxhi, e quajtur Liahona, jashtë çadrës së tij. Ajo tregonte rrugën nga duhej të shkonin nëpër vendin e shkretë. 1 Nefi 16:9–10 Familja e Lehit grumbulloi ushqim e fara dhe mblodhën çadrat e tyre. Ata udhëtuan nëpër vendin e shkretë për shumë ditë, duke ndjekur drejtimin e Liahonës. 1 Nefi 16:11–16 Nefi dhe vëllezërit e tij përdorën harqet dhe shigjetat për të gjuajtur për ushqim gjatë udhëtimit. 1 Nefi 16:14–15 Harku i çeliktë i Nefit u thye dhe harqet e vëllezërve të tij e humbën forcën e tyre. Vëllezërit nuk mund të vrisnin ndonjë kafshë, prandaj të gjithë ishin të uritur. Lamani dhe Lemueli ishin të zemëruar. 1 Nefi 16:18–21 Nefi bëri një hark prej druri dhe pyeti atin e tij se ku të shkonte për të gjuajtur. Lehi mori drejtimin nga Liahona. Nefi ndoqi drejtimin dhe gjeti disa kafshë. 1 Nefi 16:23, 26, 30–31 Liahona funksiononte vetëm kur familja e Lehit ishte besnike, e zellshme dhe e bindur. 1 Nefi 16:28–29 Nefi u kthye me kafshët që kishte gjetur. Të gjithë u lumturuan që morën ushqim. Ata kërkuan falje që qenë të zemëruar dhe e falënderuan Perëndinë që i bekoi ata. 1 Nefi 16:32 Udhëtimi nuk ishte i lehtë. Shpesh familja e Lehit qe e lodhur, e uritur dhe e etur. Ishmaeli vdiq dhe bijat e tij u dëshpëruan. Ato u ankuan kundër Lehit. 1 Nefi 16:34–35 Lamani dhe Lemueli u ankuan gjithashtu. Ata nuk besuan që Zoti kishte folur me Nefin. Ata dëshironin t’i vrisnin Lehin e Nefin dhe të ktheheshin në Jerusalem. 1 Nefi 16:37–38 Zëri i Zotit i foli Lamanit dhe Lemuelit. Ai u tha atyre të mos zemëroheshin me Lehin dhe Nefin. Lamani dhe Lemueli u penduan. 1 Nefi 16:39 Familja e Lehit e vazhdoi udhëtimin e saj të vështirë. Perëndia i ndihmoi dhe i forcoi ata. Fëmijë u lindën. Lehi dhe Saria patën dhe dy djem të tjerë, të quajtur Jakob dhe Jozef. 1 Nefi 17:1–3; 18:7 Pasi udhëtuan në vendin e shkretë për tetë vjet, pjesëtarët e familjes së Lehit mbërritën në breg të detit. Atje ata gjetën fruta dhe mjaltë. Ata e quajtën vendin Begati. 1 Nefi 17:4–6