Kapitulli 25 Aaroni Mëson të Atin e Mbretit Lamoni Shpirti i drejtoi Aaronin dhe shokët e tij për në tokën e Nefit për të mësuar të atin e Lamonit, mbretin e të gjithë lamanitëve. Alma 22:1 Aaroni i tha mbretit se ai ishte vëllai i Amonit. Mbreti kishte menduar rreth mirësisë së Amonit dhe rreth asaj që Amoni i kishte thënë atij. Alma 22:2–3 Aaroni e pyeti mbretin nëse ai besonte në Perëndi. Mbreti i tha se nuk ishte i sigurt, por ai tha se do të besonte nëse Aaroni do të thoshte se Perëndia ekziston. Aaroni e siguroi mbretin se Perëndia jeton. Alma 22:7–8 Aaroni ia lexoi mbretit shkrimet e shenjta. Ai i mësoi atij rreth Krijimit të tokës, Rënies së Adamit dhe misionit të Jezu Krishtit. Alma 22:12–14 Mbreti pyeti se çfarë duhet të bënte ai që të kishte Frymën e Shenjtë dhe që të ishte gati për të jetuar me Perëndinë. Mbreti ishte i gatshëm të bënte gjithçka, madje të hiqte dorë nga mbretëria e tij. Alma 22:15 Aaroni i tha mbretit se ai duhej të pendohej thellësisht për mëkatet e tij. Ai duhej të lutej dhe të kishte besim te Perëndia. Alma 22:16 Mbreti u lut për të ditur nëse me të vërtetë ka Perëndi. Ai i tha se do të hiqte dorë nga të gjitha mëkatet e tij. Alma 22:17–18 Mbreti ra në tokë dhe dukej si i vdekur. Kur mbretëresha e pa, ajo mendoi se Aaroni dhe shokët e tij e kishin vrarë. Alma 22:19 Mbretëresha i urdhëroi shërbëtorët e saj ta vrisnin Aaronin dhe shokët e tij, por shërbëtorët kishin frikë. Ajo i dërgoi ata të gjenin njerëz të tjerë që do ta bënin atë. Alma 22:20–21 Përpara se të mblidhej një turmë e madhe dhe të shkaktonte turbullira, Aaroni mori dorën e mbretit dhe i tha atij të ngrihej. Mbreti u ngrit. Alma 22:22 Mbreti e qetësoi bashkëshorten e tij të frikësuar dhe shërbëtorët dhe pastaj u mësoi atyre ungjillin. Ata të gjithë besuan në Jezu Krisht. Alma 22:23