“22–28 Qershor. Alma 17–22: ‘Unë do t’Ju Bëj një Mjet’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“22–28 Qershor. Alma 17–22”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
22–28 Qershor
Alma 17–22
“Unë do t’Ju Bëj një Mjet”
Ndërsa lexoni kapitujt tek Alma 17–22, shënojini mbresat që ju vijnë dhe veproni sipas tyre. Bërja e kësaj do t’i tregojë Zotit gatishmërinë tuaj për të marrë më shumë zbulesë vetjake.
Shënojini Mbresat Tuaja
Mendoni për të gjitha arsyet që mund të japin njerëzit për mos përhapjen e ungjillit: “Nuk di mjaftueshëm” ose “Nuk jam i sigurt nëse do të jenë të interesuar” ose ndofta “Po sikur t’i fyej ata?” Ndofta me raste mund ta keni parë veten duke menduar për gjëra të ngjashme. Nefitët kishin një arsye tjetër për mos përhapjen e ungjillit te lamanitët: ata ishin “një popull [i] egër, [i] ngurtësuar dhe gjakatar; një popu[ll] që kënaqej me vrasjen e Nefitëve” (Alma 17:14; shih edhe Alma 26:23–25). Por bijtë e Mosias kishin një arsye edhe më të fortë përse mendonin se duhej ta përhapnin ungjillin te lamanitët: “Ata dëshironin që shpëtimi duhej t’i njoftohej çdo krijese, pasi nuk mund të duronin që ndonjë shpirt njeriu të mbaronte” (Mosia 28:3). Kjo dashuri që e frymëzoi Amonin dhe vëllezërit e tij, mund t’ju frymëzojë ju gjithashtu që t’u tregoni për ungjillin familjes, miqve dhe të njohurve tuaj – edhe atyre që mund të mos duket se mund ta pranojnë atë.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Kur e forcoj vetë besimin tim, unë mund ta përhap ungjillin më me efektshmëri.
A jeni ritakuar ndonjëherë me miq të vjetër dhe jeni ndier ashtu si Alma – të gëzuar tej mase që ata kishin qëndruar të fortë në besim? (Shih Alma 17:1–2.) Çfarë mësoni nga bijtë e Mosias rreth mënyrës se si ta ruani të fortë besimin tuaj tek ungjilli dhe zotimin tuaj ndaj tij? Kur përsiatni për forcën shpirtërore të bijve të Mosias, çfarë ndiheni të frymëzuar që të bëni?
Si ndikoi përgatitja shpirtërore e bijve të Mosias në punën e tyre te lamanitët? Ndoshta ju mund ta përdorni këtë mundësi për të vlerësuar përpjekjet tuaja për ta dhënë mësim ungjillin “me fuqinë dhe autoritetin e Perëndisë” (Alma 17:3).
Unë mund të jem një mjet në duart e Perëndisë për t’u sjellë shpëtim fëmijëve të Tij.
Presidenti Tomas S. Monson tha: “Unë dua gjithmonë që Zoti të dijë se, nëse Ai ka nevojë që një punë të bëhet, Tom Monsoni do ta bëjë atë punë për Të” (“On the Lord’s Errand: The Life of Thomas S. Monson”, material filmik, ChurchofJesusChrist.org). Ndërsa lexoni vargjet tek Alma 17:6–12, kërkoni atë çfarë bënë bijtë e Mosias që të mund të ishin mjete në duart e Perëndisë. Si mund të jeni një mjet në duart e Perëndisë për t’i bekuar të tjerët? Çfarë mësoni nga shembulli i tyre që ju jep guxim për ta bërë atë që Zoti ka nevojë që ju ta bëni?
Shih edhe Dallin H. Ouks, “Shpërndarja e Ungjillit të Rivendosur”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 57–60.
Unë mund t’i ndihmoj të tjerët të përgatiten për ta pranuar ungjillin.
Lamoni ishte udhëheqësi i “një populli të egër, të ngurtësuar dhe gjakatar” (Alma 17:14), sidoqoftë ai i mposhti vitet e traditës dhe e pranoi ungjillin e Jezu Krishtit. Teksa lexoni rreth bashkëveprimeve të Amonit me Lamonin, vini re atë çfarë bëri Amoni që mund ta ketë ndihmuar Lamonin të ishte më pranues ndaj mesazhit të tij. Nëse ju vijnë mendime rreth asaj që mund të bëni për t’u treguar të tjerëve për ungjillin, shkruajini këto nxitje.
Mund të jetë gjithashtu e dobishme t’i shenjoni ose t’i shkruani të vërtetat që Amoni i mësoi Lamonit (shih Alma 18:24–39) dhe të vërtetat që Aaroni i mësoi atit të Lamonit (shih Alma 22:1–16). Çfarë ju sugjerojnë këto vargje për të vërtetat që mund t’u tregoni të tjerëve për t’i ndihmuar të kërkojnë një dëshmi për ungjillin?
Dëshmia ime mund të ketë ndikim të gjerë.
Ndonëse tregimet e kthimit në besim për të cilat lexojmë në shkrimet e shenjta, shpesh përfshijnë ngjarje të dramatike, në thelb të tyre ne zakonisht gjejmë individë që patën guximin ta shprehin mendimin dhe t’u tregojnë të tjerëve dëshminë e tyre. Një mënyrë se si t’i studioni ngjarjet tek Alma 18–22 është që të kërkoni efektet me ndikim të gjerë që ka dhënia e dëshmisë vetjake prej një individi. Ndofta ju mund ta shënoni atë që gjeni në një skemë si kjo:
Amoni e ndau ungjillin me , i cili e ndau ungjillin me , dhe rezultati qe . |
Krahu i Zotit shtrihet drejt meje kur unë pendohem.
Në mbyllje të tregimit të kthimit në besim të Lamonit, Mormoni dha mësim diçka të rëndësishme për natyrën e Zotit. Çfarë ju sugjeron Alma 19:36 rreth natyrës së Zotit? Kur e keni ndier krahun e Zotit të shtrirë drejt jush? Si mund t’i ndihmoni ata që i doni, ta ndiejnë mëshirën e Tij?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Alma 17–19
Si mund t’i bëni tregimet në këta kapituj domethënës për familjen tuaj? Ju mund ta aktroni historinë e Amonit tek mbron delet apo historinë e Abishit tek mbledh turmat për të dëshmuar fuqinë e Perëndisë. Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të bëjnë vizatime të pjesëve të ndryshme të historisë dhe t’i përdorin vizatimet për ta treguar historinë. Çfarë do të bëjë familja juaj për ta ndjekur shembullin e Amonit dhe të Abishit?
Alma 18:24–39
Ndoshta pjesëtarët e familjes suaj mund të lexojnë së bashku tek Alma 18:24–39 dhe të përcaktojnë të vërtetat që Amoni i mësoi Lamonit. Si mendoni, përse Amoni i mësoi Lamonit këto të vërteta së pari? Përse është e rëndësishme që ne të kemi një dëshmi për këto të vërteta?
Alma 20:8–15
Çfarë mund të mësojmë nga mënyra se si Lamoni iu përgjigj atit të tij? Si mund ta ndjekim shembullin e Lamonit në mbrojtjen e asaj që është e drejtë? (Për më shumë shembuj, shih materialin filmik “Dare to Stand Alone” [“Kini Guxim të Qëndroni Vetëm”] te ChurchofJesusChrist.org.)
Alma 22:15–18
Shqyrtoni vargun Alma 20:23 për të parë se nga çfarë ishte i gatshëm të hiqte dorë ati i Lamonit me qëllim që ta shpëtonte jetën e vet. Më pas shqyrtoni vargun Alma 22:15 për të parë se nga çfarë ishte i gatshëm të hiqte dorë ai, me qëllim që të pranonte gëzimin e ungjillit. Nga çfarë ishte i gatshëm të hiqte dorë me qëllim që ta njihte Perëndinë? (Shih vargun 18.) Ndoshta secili prej pjesëtarëve të familjes, mund të shkruajë një plan për të hequr dorë nga diçka me qëllim që ta njohë më plotësisht Perëndinë.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.