“15–21 Qershor. Alma 13–16: ‘Hyni në Prehjen e Zotit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“15–21 Qershor. Alma 13–16”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
15–21 Qershor
Alma 13–16
“Hyni në Prehjen e Zotit”
Frymëzimi që merrni kur i përsiatni shkrimet e shenjta është i çmuar. Ju mund të tregoni se e çmoni atë [si thesar] duke e mbajtur shënim dhe duke vepruar sipas tij.
Shënojini Mbresat Tuaja
Në shumë mënyra, jeta në Amoniha kishte qenë e mirë si për Amulekun dhe për Zizromin. Amuleku ishte “një njeri me nam jo të vogël”, me “mjaft farefis dhe miq” dhe “shumë pasuri” (Alma 10:4). Zizromi ishte “një nga ekspertët më të regjur” mes ligjtarëve dhe kishte “shumë punë” (Alma 10:31). Më pas, Alma mbërriti në Amoniha me një ftesë hyjnore që ata të pendoheshin dhe të “hynin në prehjen e Zotit” (Alma 13:16). Për Amulekun, Zizromin dhe të tjerët, pranimi i kësaj ftese kërkonte sakrificë dhe madje çoi pothuaj në fatkeqësi të papërballueshme.
Por sigurisht, historia nuk mbaron aty. Tek Alma 13–16, ne mësojmë atë që u ndodh përfundimisht atyre që besojnë “në fuqinë e Krishtit për shpëtim” (Alma 15:6). Ndonjëherë ndodh çlirimi, ndonjëherë shërimi – dhe ndonjëherë gjërat nuk bëhen aspak më të lehta në këtë jetë. Por përherë, “Zoti [e] pranon [popullin e Tij] te vetja e tij, në lavdi” (Alma 14:11). Përherë, Zoti jep “fuqi, sipas besimit [tonë] që [është] në Krisht” (Alma 14:28). Dhe përherë, ai “besim në Zotin” na jep “shpresë se do të fito[jmë] jetë të përjetshme” (Alma 13:29). Teksa i lexoni këta kapituj, ju mund të gjeni ngushëllim në këto premtime dhe mund të arrini ta kuptoni më mirë atë që donte të thoshte Alma kur foli për “prehjen e Zotit”.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Ordinancat e priftërisë më ndihmojnë të marr shëlbimin nëpërmjet Jezu Krishtit.
Juve mund t’ju kujtohet që tek Alma 12, Alma dha mësim rreth planit të Perëndisë për shëlbim (shih Alma 12:24–27). Tek kapitulli 13, ai foli për priftërinjtë të cilët Perëndia i shuguroi që “t’i[a] mëso[nin] popullit këto gjëra” (Alma 13:1). Fjalët e Almës zbulojnë shumë të vërteta të fuqishme për priftërinë. Ndoshta ju mund të përpiqeni të përcaktoni të paktën nga një të vërtetë për çdo varg tek Alma 13:1–9. Ja ku janë disa ide për të filluar:
-
Vargu 1:Priftëria quhet edhe “urdhri [i] Birit të [Perëndisë]” (shih edhe DeB 107:1–4).
-
Vargu 2:Perëndia shuguron priftërinj për t’i ndihmuar njerëzit që të shohin te Biri i Tij për shëlbim.
-
Vargu 3:Mbajtësit e priftërisë u përgatitën për përgjegjësitë e tyre “që nga krijimi i botës”.
Çfarë tjetër gjeni? Si ndiheni rreth priftërisë kur i përsiatni këto të vërteta? Si ju kanë ndihmuar ordinancat e priftërisë të shihni te Krishti për shëlbim?
Është interesante të vini re se shumë prej njerëzve në Amoniha ishin pasues të Nehorit (shih Alma 14:18; 15:15). Si ishin priftërinjtë e urdhrit të Nehorit (shih Alma 1:3–6) të ndryshëm nga priftërinjtë e shuguruar “sipas Urdhërit të Birit të Perëndisë” (DeB 107:3), të cilët Alma i përshkroi? (Shih Alma 13:1–19.)
Shih edhe Dejll G. Renland, “Priftëria dhe Fuqia Shlyese e Shpëtimtarit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 64–67.
A janë mbajtësit e priftërisë të vetmit njerëz “të thirrur dhe të përgatitur, që nga krijimi i botës”?
Mësimet e Almës tek Alma 13:3 iu drejtohen veçanërisht mbajtësve të priftërisë. Megjithatë, parimi që dha mësim ai – se individët morën detyra dhe u përgatitën për t’i përmbushur ato “që nga krijimi i botës” – zbatohet për të gjithë ne. Presidenti Spenser W. Kimball tha: “Në botën përpara se të vinim këtu, grave besnike iu dhanë detyra të caktuara, ndërsa burra besnikë u parashuguruan në detyra të caktuara priftërie. Edhe pse tani nuk i kujtojmë hollësitë, kjo nuk e ndryshon realitetin e lavdishëm të asaj për të cilën ne dikur ramë dakord” (Teachings of Presidents of the Church: Spencer W. Kimball [2006], f. 215–216; shih edhe DeB 138:55–56).
Ndonjëherë Perëndia lejon që të drejtët të vuajnë.
Alma 14 flet për njerëz të drejtë që vuajtën dhe madje vdiqën për shkak të bindjeve të tyre. Ju mund ta pyesni veten, ashtu si shumë njerëz, se përse u ndodhin gjëra të tmerrshme njerëzve që po përpiqen të jetojnë me drejtësi. Mund të mos i gjeni të gjitha përgjigjet për këtë pyetje të vështirë tek Alma 14, por ka shumë për të mësuar nga mënyra se si Alma dhe Amuleku iu përgjigjën situatave me të cilat u përballën. Çfarë mësoni nga fjalët dhe veprimet e tyre për arsyen se përse Zoti ndonjëherë lejon që njerëzit e drejtë të vuajnë? Çfarë mësoni prej tyre lidhur me përballimin e përndjekjes?
Shih edhe Mateu 5:43–44; Marku 14:55–65; Romakëve 8:35–39; 1 Pjetër 4:12–14; Doktrina e Besëlidhje 122:5–9.
Dishepullimi kërkon sakrificë.
Mund të jetë interesante të bëni një listë me gjërat nga të cilat hoqi dorë Amuleku për ta përqafuar ungjillin (shih Alma 10:4–5; 15:16) dhe ta krahasoni atë me një listë të atyre çfarë fitoi (shih Alma 15:18; 16:13–15; 34:8). Çfarë jeni të gatshëm të sakrifikoni me qëllim që të bëheni dishepull më besnik?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Alma 13
Familja juaj mund të përfitojë nga vënia re e fjalës “prehje” sa herë që përmendet tek Alma 13. Çfarë fjalësh dhe idesh të tjera shfaqen bashkë me të? Si na ndihmon kjo të kuptojmë se çfarë kuptimi mund të ketë fraza “prehj[a] e Zotit”? Si është ajo e ndryshme nga prehja fizike?
Alma 13:10–12
Për ta ndihmuar familjen tuaj që ta përfytyrojnë atë që na mësojnë këto vargje, ndofta ju mund të lani diçka së bashku – të tillë si ndonjë rrobë të bardhë. Si ndihemi kur jemi të papastër? Si ndihemi kur bëhemi përsëri të pastër? Si janë këto ndjenja të ngjashme me atë që ndiejmë kur mëkatojmë dhe më pas pendohemi e bëhemi të pastër nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit?
Alma 15:1–12
Çfarë mësojmë nga përvoja e Zizromit rreth fuqisë së Zotit për të na forcuar e shëruar, edhe kur bëjmë gabime? Çfarë roli mund të luajë priftëria që ne të marrim nga forca dhe shërimi i Tij?
Alma 16:1–10
Pasi t’i lexoni këto vargje, ju mund të lexoni Almën 9:4. Çfarë mësojmë nga krahasimi i mënyrës se si u ndie Zorami rreth fjalëve të profetit me mënyrën se si u ndie populli i Amonihës? Çfarë po bëjmë që të jemi besnikë ndaj fjalëve të profetit tonë të gjallë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.