“8–14 Qershor. Alma 8–12: Jezu Krishti do të Vijë për të Shëlbuar Popullin e Tij”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“8–14 Qershor. Alma 8–12”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
8–14 Qershor
Alma 8–12
Jezu Krishti do të Vijë për të Shëlbuar Popullin e Tij
Studimi i shkrimeve të shenjta fton zbulesën. Kështu që, ndërsa lexoni tek Alma 8–12, shënojini mbresat e Shpirtit teksa Ai ju jep mësim nga mesazhet e Almës dhe të Amulekut.
Shënojini Mbresat Tuaja
Puna e Perëndisë nuk do të dështojë. Por përpjekjet tona për të ndihmuar në punën e Tij ndonjëherë duket se dështojnë – të paktën, ne mund të mos i shohim sakaq rezultatet për të cilat shpresojmë. Me raste, ne mund të ndihemi paksa si Alma kur predikoi ungjillin në Amoniha – të hedhur poshtë, të pështyrë e të dëbuar. Prapëseprapë, kur një engjëll e udhëzoi që të kthehej e të përpiqej sërish, Alma guximshëm “u kthye me të shpejtë” (Alma 8:18) dhe Perëndia përgatiti një udhë para tij. Jo vetëm që Ai i siguroi Almës ushqim për të ngrënë dhe një vend për të qëndruar, por Ai gjithashtu përgatiti Amulekun, i cili u bë një bashkëpunëtor, një mbrojtës i fuqishëm i ungjillit dhe një mik besnik. Kur përballemi me pengesa dhe zhgënjime teksa shërbejmë në mbretërinë e Zotit, ne mund të kujtojmë mënyrën se si Perëndia e përkrahu dhe e udhëhoqi Almën; dhe ne mund të mirëbesojmë se Perëndia do të na përkrahë e udhëheqë ne gjithashtu, edhe në rrethana të vështira.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Përpjekjet e mia për ta përhapur ungjillin mund të kërkojnë këmbëngulje dhe durim.
Edhe nëse dikush mund të mos e pranojë dëshminë tuaj për ungjillin, kjo nuk do të thotë se ju duhet ta humbisni shpresën – në fund të fundit, Zoti nuk do të heqë dorë nga ai person dhe Ai do t’ju udhërrëfejë lidhur me mënyrën se si të veproni. Në rastin e Almës, një engjëll e urdhëroi që të kthehej në Amoniha për të predikuar ungjillin ndonëse njerëzit atje tanimë e kishin refuzuar atë dhunshëm (shih Alma 8:14–16). Çfarë mësoni nga shembulli i Almës për përhapjen e ungjillit pavarësisht nga sfidat dhe kundërshtimi? Cilat vargje tek Alma 8 e rritin dëshirën tuaj për ta përhapur ungjillin?
Shih edhe 3 Nefi 18:30–32; Xhefri R. Holland, “Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 6–9.
Perëndia i gjykon fëmijët e Tij në përputhje me dritën dhe njohurinë që kanë.
Kur lexojmë për mënyrën se si nefitët në Amoniha u sollën me shërbëtorët e Zotit, është e lehtë të harrosh se ata dikur ishin një “popull … shumë i favorizuar nga Zoti” (Alma 9:20), që e jetonin ungjillin. Në fakt, një pjesë e mesazhit të Almës drejtuar njerëzve në Amoniha ishte që, për shkak se ata i kishin ngurtësuar zemrat e tyre pavarësisht se ishin bekuar kaq me bollëk, gjendja e tyre ishte më e rëndë sesa ajo e lamanitëve, të cilët kryesisht mëkatonin në padituri. Çfarë na mëson ky krahasim për mënyrën se si Perëndia i gjykon fëmijët e Tij?
Teksa lexoni për bekimet e mëdha që Perëndia i dha popullit të Nefit (shih veçanërisht Alma 9:19–23), përsiatni për bekimet e mëdha që Ai ju ka dhënë juve. Çfarë po bëni që të qëndroni të vërtetë ndaj këtyre bekimeve? Çfarë ndryshimesh ndieni se keni nevojë të bëni?
Shih edhe Doktrina e Besëlidhje 82:3.
Plani i Perëndisë është një plan shëlbimi.
Profetët e Librit të Mormonit përdorën një varg emrash për ta përshkruar planin e Perëndisë për fëmijët e Tij, të tilla si plani i shpëtimit ose plani i lumturisë. Tek Alma 11–12, Alma dhe Amuleku e quajtën atë plani i shëlbimit. Teksa i lexoni këta kapituj, përsiatni arsyen përse është përdorur fjala “shëlbim” për ta përshkruar planin. Ju mund të shkruani gjithashtu një përmbledhje të shkurtër të asaj që dhanë mësim Alma dhe Amuleku rreth aspekteve të mëposhtme të planit.
Rënia:
Shëlbuesi:
Pendimi:
Vdekja:
Ringjallja:
Gjykimi:
Vini re ndikimin që patën fjalët e Amulekut te njerëzit (shih Alma 11:46). Përse mendoni që këto parime patën një ndikim kaq të fuqishëm? Si kanë ndikuar ato në jetën tuaj?
Shih edhe D. Tod Kristoferson, “Ringjallja e Jezu Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 111–114.
Nëse vërtet nuk do ta ngurtësoj zemrën, unë mund të marr më shumë nga fjala e Perëndisë.
Disa njerëz mund ta pyetin veten rreth arsyes përse Ati Qiellor nuk na e bën gjithçka të ditur. Alma shpjegoi një arsye të mundshme përse misteret e Perëndisë mbahen nga ne tek Alma 12:9–14. Këto pyetje mund t’ju ndihmojnë të përsiatni për atë që ai dha mësim:
-
Çfarë do të thotë ta ngurtësojmë zemrën tonë? A e vini re ndonjëherë këtë prirje te vetja?
-
Përse Zoti mund të mos ua bëjë të ditur fjalën e Tij atyre që e kanë ngurtësuar zemrën e tyre?
-
Si e keni përjetuar ju premtimin e marrjes së një “pjes[e] më [të] madhe [të] fjalës”? (Alma 12:10.) Si ishte ajo përvojë?
-
Çfarë mund të bëni për t’u siguruar që fjala e Perëndisë “gjendet në [ju]”? (Alma 12:13.) Nëse do ta kishit fjalën e Perëndisë në ju, çfarë ndikimi do të kishte ajo te “fjalët”, “veprat” dhe “mendimet” tuaja? (Alma 12:14.)
Për një shembull të këtyre parimeve, krahasojeni Amulekun me njerëzit e tjerë të Amonihës. Si e ilustron përvoja e Amulekut (shih veçanërisht Alma 10:1–11) atë që Alma jep mësim në këto vargje?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Alma 8:10–18
Çfarë mund të mësojmë nga Alma rreth bindjes ndaj Zotit “me të shpejtë” (vargu 18) edhe kur mund të jetë e vështirë? Për ta përforcuar këtë parim për fëmijët e vegjël, mund të luani një lojë ku ju jepni udhëzime për një detyrë dhe shihni se sa shpejt e kryejnë atë pjesëtarët e familjes. Për shembull, ju mund të shihni se kush mund të palosë me shpejtësi një rrobë.
Alma 10:1–12
Çfarë mund të mësojmë nga përvoja e Amulekut në këto vargje? Çfarë ndikimi pati dëshmia e tij tek ata që e dëgjuan atë? Ftojini pjesëtarët e familjes suaj të hartojnë një plan për të bërë një gjë këtë javë bazuar tek ajo që mësuan nga shembulli i Amulekut.
Alma 10:22–23
Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth ndikimit që mund të ketë një grup i drejtë njerëzish në një qytet të lig?
Alma 11:34–37
Cili është ndryshimi mes asaj që Jezu Krishti na shpëton në mëkatet tona dhe nga mëkatet tona? (Shih Helamani 5:10; shih edhe 1 Gjon 1:9–10.) Për ta ilustruar atë që dha mësim Amuleku, ju mund të tregoni historinë në fillim të mesazhit të Plakut Alen D. Hejni “Të Kujtojmë në Cilin Kemi Besuar” (Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 121–123). Si na shpëton Jezu Krishti nga mëkatet tona?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.