“29 Qershor – 5 Korrik. Alma 23–29: Ata ‘Nuk Hoqën Dorë Kurrë nga Besimi i Tyre’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“29 Qershor – 5 Korrik. Alma 23–29”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020
29 Qershor – 5 Korrik
Alma 23–29
Ata “Nuk Hoqën Dorë Kurrë nga Besimi i Tyre”
Studiojini me lutje kapitujt tek Alma 23–29, duke kërkuar frymëzim rreth asaj që kanë nevojë fëmijët dhe rreth mënyrës se si t’i ndihmoni ata.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Vizatoni një fytyrë të lumtur në një fletë letre dhe lejojeni secilin fëmijë ta mbajë atë. Kur ta mbajnë letrën, ftojini të përmendin diçka që po mësojnë nga Libri i Mormonit që u sjell gëzim.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Unë bekohem kur i mbaj premtimet e mia.
Çfarë mësuat nga studimi juaj i vargjeve tek Alma 24:6–24 që mund t’i ndihmojë fëmijët ta kuptojnë rëndësinë e mbajtjes së një premtimi të drejtë?
Veprimtari të Mundshme
-
Lexoni disa vargje ose fraza nga Alma 24:6–24 për t’u mësuar fëmijëve rreth anti‑nefi‑lehitëve, premtimit që bënë ata dhe mënyrës se si e mbajtën premtimin. Ju mund të përdorni gjithashtu figurën në përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet ose te “Kapitulli 26: Populli i Amonit” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 73–74).
-
Përshkruani se si e mbajtën anti‑nefi‑lehitët premtimin e tyre duke i groposur armët e tyre. Ftojini fëmijët të vizatojnë një shpatë dhe pastaj të hiqen sikur hapin një gropë dhe e groposin shpatën e tyre. Ndihmojini fëmijët që të mendojnë për premtime që bëjnë. Përse është e rëndësishme që t’i mbajmë premtimet? Shpjegoni se kur pagëzohemi, ne i bëjmë premtime Perëndisë dhe Ai na bën premtime neve. Këto quhen besëlidhje. Dëshmoni se ne bekohemi kur i mbajmë premtimet tona me Perëndinë.
Ungjilli më sjell gëzim dhe unë mund ta ndaj këtë gëzim me të tjerët.
Amoni, i cili ndihmoi për t’ua mësuar ungjillin anti‑nefi‑lehitëve, mori gëzim të madh nga predikimi i ungjillit. Alma, i cili gjithashtu ua mësoi ungjillin shumë njerëzve, provoi po të njëjtin gëzim. Ne mund të përjetojmë një gëzim të ngjashëm kur e ndajmë dëshminë tonë me të tjerë.
Veprimtari të Mundshme
-
Përzgjidhini disa fraza nga Alma 26 ose 29 që flasin rreth gëzimit dhe lexojuani ato fëmijëve (shih, për shembull, Alma 26:11, 13 ose Alma 29:13–14). Ftojini fëmijët që të ngrihen në këmbë sa herë që dëgjojnë fjalët “gëzim” ose “gëzohem/ngazëllehem”. Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se përhapja e ungjillit i bëri të lumtur Almën dhe Amonin. Tregoni një përvojë kur përhapja e ungjillit ju solli gëzim.
-
Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të gjërave që u sjellin gëzim. Ftojeni secilin fëmijë që t’ia japë vizatimin e vet një shoku ose shoqeje tjetër në klasë dhe ta shpjegojë atë. Vini në dukje se kur diçka na sjell gëzim – e tillë si ungjilli – gëzimi ynë rritet kur e ndajmë atë.
-
Jepini një fëmije një kopje të Librit të Mormonit dhe lëreni të ushtrohet duke folur për të me një anëtar tjetër të klasës. Nxitini fëmijët të shpjegojnë se si ndihen rreth Librit të Mormonit. Përse flasim për Librin e Mormonit me të tjerët?
Unë mund t’i ndihmoj shokët e mi ta jetojnë ungjillin.
Nefitët i mbrojtën anti‑nefi‑lehitët nga armiqtë e tyre dhe i ndihmuan që t’i mbanin besëlidhjet që kishin bërë me Zotin.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojuni fëmijëve historinë e anti‑nefi‑lehitëve të cilët bënë një premtim që të mos luftonin më kurrë (shih Alma 27:20–30). Shpjegoni që për shkak të premtimit të tyre, anti‑nefi‑lehitët nuk mund ta mbronin veten nga armiqtë e tyre. Lexoni tek Alma 27:23 dhe shpjegoni se miqtë e tyre mes nefitëve zgjodhën që t’i mbronin anti‑nefi‑lehitët me qëllim që ata të mund ta mbanin premtimin e tyre. Si mund t’i ndihmojmë shokët tanë t’i mbajnë premtimet e tyre? Tregoni rreth një rasti kur një shok ju ndihmoi që t’i mbanit premtimet tuaja ndaj Perëndisë.
-
Interpretoni me role me fëmijët situata në të cilat ata, në mënyrë dashamirëse, mund t’i ndihmojnë të tjerët të zgjedhin të drejtën. Për shembull, çfarë mund t’i themi një shoku që dëshiron të gënjejë ose të jetë i keq?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Besëlidhjet janë premtime që unë i bëj me Perëndinë dhe Ai i bën me mua.
Anti‑nefi‑lehitët i varrosën armët e tyre dhe premtuan që nuk do të vrisnin më kurrë. Në mënyrë të ngjashme, fëmijët të cilëve u jepni mësim, mund t’i mbajnë besëlidhjet e tyre.
Veprimtari të Mundshme
-
Jepuni të gjithë fëmijëve gurë të vegjël dhe ftojini që ta shkruajnë fjalën besëlidhje në gurin e tyre. Shpjegoni se një besëlidhje është një premtim ndërmjet Atit Qiellor dhe fëmijëve të Tij. Si na bëjnë besëlidhjet tona të fortë ose “të vendosur” sikurse një gur? (Alma 24:19.) Lexoni së bashku nga Alma 24:16–25 për të mësuar se çfarë besëlidhjeje bëri populli i Amonit dhe se si e nderuan besëlidhjen e tyre. Ftojini fëmijët t’i marrin gurët në shtëpi si një kujtues për t’i mbajtur besëlidhjet e tyre.
-
Lexoni me fëmijët nga Alma 24:16–19 dhe diskutoni rreth asaj që bënë anti‑nefi‑lehitët për t’i treguar Perëndisë se ishin penduar. Çfarë besëlidhën të mos bënin ata? Shpjegoni se besëlidhjet që ne bëjmë janë “një dëshmi ndaj Perëndisë” që ne dëshirojmë t’i ndjekim urdhërimet e Perëndisë (vargu 18). Çfarë besëlidhjesh kanë bërë fëmijët?
-
Ftojini fëmijët që të bëjnë vizatime të armëve të anti‑nefi‑lehitëve. Pastaj ftojini ata të shkruajnë në anën e pasme të armëve, diçka që e ndiejnë se duhet ta ndryshojnë me qëllim që ta ndjekin më plotësisht Jezu Krishtin. Lërini të bëjnë sikur i groposin armët e tyre dhe të bëjnë një plan për të vepruar sipas asaj që shkruan.
Alma 24:7–10; 26:23–34; 27:27–30
Për shkak se Ati Qiellor është i mëshirshëm, ne mund të pendohemi dhe të ndryshojmë.
Kohët e fundit, fëmijët kanë mësuar rreth Almës, Amonit dhe anti‑nefi‑lehitëve. Si mund t’i përdorni këto rrëfime për të ilustruar që Ati Qiellor është i mëshirshëm me ata që pendohen sinqerisht?
Veprimtari të Mundshme
-
Shkruani në tabelë Përpara dhe Pas. Kërkojuni disa prej fëmijëve që t’i lexojnë vargjet vijuese për të mësuar se si ishin lamanitët përpara se Amoni dhe vëllezërit e tij t’u jepnin mësim: Alma 17:14–15; 26:23–24. Kërkojuni fëmijëve të tjerë që t’i lexojnë vargjet vijuese për të mësuar se si ndryshuan lamanitët: Alma 26:31–34; 27:27–30. Ftojini fëmijët që të renditin nën titujt atë që zbuluan. Pastaj ftojini ata që të zbulojnë tek Alma 24:7–10, se si qenë në gjendje të ndryshonin kaq tërësisht këta lamanitë. Jepni dëshminë tuaj për fuqinë e Perëndisë për të na falur e ndihmuar që të pendohemi e ndryshojmë.
-
Ftojini fëmijët të lexojnë së bashku tek Alma 26:21–22, duke kërkuar bekimet që u vijnë atyre që pendohen. Ftojini fëmijët t’i përshkruajnë disa nga këto bekime me vetë fjalët e tyre.
Ungjilli më sjell gëzim dhe unë mund ta ndaj këtë gëzim me të tjerët.
Këta kapituj janë plot me shembuj gëzimi, i cili vjen nga të jetuarit dhe përhapja e ungjillit. Si mund t’i përdorni kapitujt tek Alma 26 dhe 29 për t’i frymëzuar fëmijët që ta kërkojnë këtë gëzim?
Veprimtari të Mundshme
-
Ndihmojini fëmijët të gjejnë fjalët “gëzim” dhe “gëzohemi” tek Alma 26 dhe 29. Lexojini së bashku disa prej vargjeve që gjejnë, dhe diskutoni se çfarë na mësojnë këto vargje rreth gëzimit. Çfarë u solli gëzim Amonit dhe Almës? Tregoni një përvojë kur ju ndiet gëzim nga të jetuarit ose përhapja e ungjillit, ose ftojini fëmijët të tregojnë vetë përvojat e tyre.
-
Ftojini dy fëmijë të qëndrojnë ballë për ballë njëri‑tjetrit dhe të provojnë se cili fëmijë mund ta bëjë tjetrin që të qeshë i pari. Cilat janë disa nga mënyrat se si mund t’ua përçojmë gëzimin të tjerëve? Si e përçon gëzimin, përhapja e ungjillit? Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si mund ta përhapin gëzimin e ungjillit me miqtë dhe familjet e tyre.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët që t’i mbajnë premtimet e tyre, ashtu siç bënë anti‑nefi‑lehitët.