Eja, Më Ndiq
13–19 Korrik. Alma 32–35: “Mbillni Këtë Fjalë në Zemrat Tuaja”


“13–19 Korrik. Alma 32–35: ‘Mbillni Këtë Fjalë në Zemrat Tuaja’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“13–19 Korrik. Alma 32–35”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

farë në dorën e fëmijës

13–19 Korrik

Alma 32–35

“Mbillni Këtë Fjalë në Zemrat Tuaja”

Mbajini në mendje fëmijët të cilëve u jepni mësim, ndërsa i studioni me lutje kapitujt tek Alma 32–35. Kur e bëni atë, mendime dhe mbresa do të vijnë rreth mënyrës se si t’i mësoni ata. Shënojini këto mbresa dhe veproni sipas tyre.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Vendoseni emrin e secilit fëmijë në një enë. Kërkojini dikujt të tërheqë njërin prej emrave dhe ftojeni atë fëmijë të tregojë diçka që ai apo ajo ka mësuar kohët e fundit nga Libri i Mormonit. Vazhdoni derisa çdonjëri të ketë pasur mundësi, por mos e detyroni asnjërin që të flasë.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Alma 32:28–43

Unë mund ta ndihmoj besimin tim në Jezu Krishtin të rritet.

Farat, pemët dhe frutat janë sende të njohura që mund t’i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë parime abstrakte si besimi dhe dëshmia. Përsiatni se si mund ta përdorni analogjinë e Almës për t’i mësuar fëmijët.

Veprimtari të Mundshme

  • Përmblidhini vargjet tek Alma 32:28–43; ju mund të përdorni “Kapitullin 29: Alma Jep Mësim rreth Besimit dhe Fjalës së Perëndisë” (Tregime të Librit të Mormonit, f. 81). Paraqitni figura të një bime në faza të ndryshme të rritjes dhe kërkojuni fëmijëve t’ju ndihmojnë që t’i vendosni figurat në rendin e duhur (shih figurat në faqen e veprimtarisë së kësaj jave). Shpjegoni se kur e jetojmë ungjillin, dëshmia jonë rritet – ajo fillon e vogël si një farë, por mund të fillojë të bëhet e madhe si një pemë.

  • Paraqituni fëmijëve një farë dhe lexojuni disa nga rreshtat e parë tek Alma 32:28. Tregojuni fëmijëve se fjala e Perëndisë është si një farë. Pyesni se si e ndihmojmë të rritet një farë. Lërini fëmijët të bëjnë sikur mbjellin një farë, e ujitin atë dhe e ndihmojnë të rritet. Vini në dukje se ne nuk mund ta shohim farën pasi e mbjellim atë, por ne e dimë se është aty dhe po rritet; ne gjithashtu nuk mund t’i shohim Atin Qiellor dhe Jezu Krishtin, por e dimë se Ata janë të vërtetë dhe na duan. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjëra që mund t’i bëjnë për të ndihmuar që besimi i tyre në Jezu Krishtin të rritet.

  • Vizatoni një pemë në tabelë dhe lërini fëmijët të shtojnë një gjethe ose një frutë çdo herë që mendojnë për diçka që mund të bëjnë për ta ndihmuar besimin e tyre në Jezu Krishtin që të rritet. Ftojini që të bëjnë veprime të thjeshta për të pasqyruar gjërat për të cilat menduan.

Alma 33:2–11; 34:17–27

Ati Qiellor më dëgjon kur lutem.

Zoramitët luteshin vetëm një herë në javë, duke përdorur të njëjtat fjalë çdo herë (shih Alma 31:22–23). Alma dhe Amuleku dhanë mësim se ne mund të lutemi në çdo kohë për cilëndo nga nevojat tona shpirtërore ose fizike.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexoni fraza që i keni zgjedhur nga Alma 33:4–11, të cilat përshkruajnë vende në të cilat mund të lutemi dhe ndihmojini fëmijët të mendojnë për vendet në të cilat mund të luten. Pastaj ftojini që të bëjnë vizatime të vetes së tyre duke u lutur në ato vende. Dëshmoni se ata mund të luten kudo, edhe nëse luten në heshtje.

  • Zgjidhni fraza nga Alma 34:17–27 që përshkruajnë gjërat për të cilat mund të lutemi dhe lexojuani ato fëmijëve. Ndihmojini të mendojnë për gjëra që mund t’ia thonë Atit Qiellor kur luten dhe ftojini të bëjnë vizatime të këtyre gjërave. Dëshmoni se ata mund t’i flasin Atit Qiellor për çdo gjë që po mendojnë ose ndiejnë. Tregoni një përvojë në të cilën Ati Qiellor i dëgjoi lutjet tuaja.

  • Këndoni një këngë që i mëson fëmijët për lutjen, të tillë si “A Child’s Prayer” [“Lutja e një Fëmije”] ose “We Bow Our Heads” [“Kokat Ulim”] (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 6, 18). Ndihmojini të vënë re atë që na mëson kënga rreth lutjes.

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Alma 32:1–16, 27–28

Kur jam i përulur, Zoti mund të më mësojë.

Alma dhe Amuleku patën sukses në të mësuarit e zoramitëve që ishin të përulur dhe gati për ta dëgjuar fjalën e Perëndisë. Merrni parasysh se si ju mund t’i nxitni fëmijët të zgjedhin të jenë të përulur.

Veprimtari të Mundshme

  • Pyetini fëmijët se çfarë mbajnë mend nga ajo që mësuan javën e kaluar për zoramitët (shih Alma 31:8–24). Kujtojuni se një arsye përse Alma ishte i shqetësuar për ta, ishte krenaria e tyre (shih Alma 31:24–28). Lexoni së bashku nga Alma 32:1–5 dhe kërkojuni fëmijëve ta përmbledhin atë që u kishte ndodhur zoramitëve që ishin të varfër. Pastaj ftojini fëmijët t’i lexojnë vargjet 12–13 për të zbuluar përse Alma mendoi se të qenit të dëbuar nga sinagogat (ose kishat) e tyre ishte një gjë e mirë për këta zoramitë. Cilat janë disa prej bekimeve që vijnë nga të qenit të përulur?

  • Ndihmojini fëmijët të gjejnë një përkufizim të fjalëve të përulur ose përulësi tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta ose në një fjalor. Çfarë të dhënash të tjera për kuptimin e këtyre fjalëve mund të gjejnë tek Alma 32:13–16? Ftojini të mendojnë për mënyra të ndryshme se si ta plotësojnë një fjali si kjo: “Unë tregohem i përulur kur ”.

Alma 32:26–43

Dëshmia ime për Jezu Krishtin rritet kur e ushqej atë.

Ndihmojini fëmijët të cilëve u jepni mësim, të zbulojnë se çfarë mund të bëjnë për ta “mb[jellë]” fjalën e Perëndisë në zemrën e tyre.

Veprimtari të Mundshme

  • Paraqitni një send të ngurtë, të fortë (si një gur) për të pasqyruar një zemër të ngurtë ose krenare dhe diçka të butë (si dheu) për të pasqyruar një zemër të butë ose të përulur. Lërini fëmijët t’i prekin të dyja sendet. Pastaj tregojuni fëmijëve një farë për ta simbolizuar fjalën e Perëndisë. Ftojini që të përpiqen ta futin farën brenda sendit të ngurtë dhe sendit të butë. Lexoni së bashku tek Alma 32:27–28 dhe flitni se çfarë do të thotë të “bëni vend” (vargu 27) për fjalën e Perëndisë në zemrën tuaj.

  • Teksa lexoni së bashku nga Alma 32:26–43, ndaloni me raste dhe ftojini fëmijët të bëjnë një vizatim të farës ose bimës që përshkruhet – për shembull, një farë dhe një filiz (vargu 28), një bimë që rritet (vargu 30) dhe një bimë e rritur që jep fruta (vargu 37). Ndihmojini t’i etiketojnë figurat e tyre me referenca nga Alma 32. Si është ushqyerja e një fare e ngjashme me të ushqyerin e dëshmive tona për Jezu Krishtin? Si i ushqejmë ne dëshmitë tona? Ftojini fëmijët të mendojnë në heshtje për mënyrën se si po rriten dëshmitë e tyre dhe se çfarë do të bëjnë për t’i ushqyer ato.

Alma 33:2–11; 34:17–27

Ati Qiellor më dëgjon kur lutem.

Zoramitët kishin ide të gabuara për lutjen, disa prej të cilave ne i shohim ende sot. Alma dhe Amuleku dhanë mësim të vërteta të fuqishme për t’i kapërcyer këto ide të gabuara.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të kërkojnë tek Alma 33:2–11 fjalë e fraza të rëndësishme që përsëriten, që lidhen me lutjen. Çfarë na mësojnë këto fjalë dhe fraza rreth lutjes?

  • Ndihmojini fëmijët të bëjnë një listë me situata në të cilat ata mund të luten, përfshirë ato që përmenden tek Alma 33:4–10 dhe 34:17–27, si edhe situata nga jeta e tyre. Ftojini fëmijët të mendojnë ose tregojnë përvoja kur janë lutur dhe e kanë ndier se Perëndia iu përgjigj lutjeve të tyre.

ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Nëse është e mundur, jepini secilit fëmijë fara që t’i marrin në shtëpi dhe t’i mbjellin për t’u kujtuar atyre që të ndihmojnë për t’i rritur dëshmitë e tyre për Jezu Krishtin. Nxitini që t’u tregojnë familjeve të tyre se çfarë mësuan për ushtrimin e besimit të tyre në Jezu Krishtin.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Dëshmoni për bekimet e premtuara. Kur i ftoni fëmijët ta jetojnë një parim të ungjillit, tregojuni rreth premtimeve të Perëndisë për ata që e jetojnë atë parim (shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 35).