“20–26 Prill. Mosia 4–6: ‘Një Ndryshim të Madh’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“20–26 Prill. Mosia 4–6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
20–26 Prill
Mosia 4–6
“Një Ndryshim të Madh”
Teksa e lexoni dhe e përsiatni Mosian 4–6, kushtojini vëmendje nxitjeve nga Fryma e Shenjtë. Çfarë gjërash të mira frymëzoheni të bëni? (Shih Mosia 5:2.)
Shënojini Mbresat Tuaja
A e keni dëgjuar ndonjëherë një person të flasë dhe u ndiet i frymëzuar ta ndryshoni jetën tuaj? Ndoshta vendosët, nisur nga ajo që dëgjuat, që të jetonit në mënyrë paksa të ndryshme – ose madje në mënyrë shumë të ndryshme. Predikimi i mbretit Beniamin ishte [pikërisht] ai lloj predikimi, dhe të vërtetat që ai dha mësim patën atë lloj ndikimi te njerëzit që i dëgjuan ato. Mbreti Beniamin i tregoi popullit të tij atë çfarë një engjëll i kishte mësuar atij – që bekime të mrekullueshme ishin të mundura nëpërmjet “gjaku[t] shlyes të Krishtit” (Mosia 4:2). Mesazhi i tij e ndryshoi tërë këndvështrimin e tyre për veten (shih Mosia 4:2), i ndryshoi dëshirat e tyre (shih Mosia 5:2) dhe i frymëzoi të bënin besëlidhje me Perëndinë se ata do ta bënin gjithmonë vullnetin e Tij (shih Mosia 5:5). Kjo është mënyra se si fjalët e mbretit Beniamin ndikuan te populli i tij. Si do të ndikojnë ato te ju?
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Nëpërmjet Jezu Krishtit, unë mund të marr dhe të mbaj një heqje të mëkateve të mia.
Mposhtja e njeriut të natyrshëm nuk është e lehtë. Kërkon përpjekje të madhe që të bëhesh “një shenjtor nëpërmjet shlyerjes së Krishtit Zot” (Mosia 3:19). Ndonjëherë, edhe kur e keni ndier faljen për mëkatet tuaja, ju mund të keni vështirësi që ta mbani atë ndjenjë dhe të qëndroni në shtegun e drejtësisë. Mbreti Beniamin i dha mësim popullit të tij për mënyrën si edhe të merrnin, edhe të mbanin një heqje të mëkateve dhe të jetonin pareshtur si shenjtorë. Teksa e studioni kapitullin 4 të Mosias, mund t’i bëni vetes pyetje të tilla si këto:
-
Vargjet 1–12:Çfarë bekimesh i solli popullit të mbretit Beniamin heqja e mëkateve? Çfarë dha mësim mbreti Beniamin për t’i ndihmuar ata që ta mbanin heqjen e mëkateve të tyre? Çfarë dha mësim ai rreth mënyrës se si e marrim shpëtimin? Vini re se çfarë tha mbreti Beniamin se duhet që “gjithmonë t[a] mba[jmë] në kujtesë” (vargu 11). Çfarë ndiheni i frymëzuar të bëni për t’i mbajtur mend këto gjëra?
-
Vargjet 12–16:Sipas këtyre vargjeve, çfarë ndodh në jetën tonë nëse i bëjmë gjërat e përshkruara te vargu 11? A i keni përjetuar këto ndryshime në jetën tuaj? Si lidhen ato me ndryshimet e përshkruara te Mosia 3:19?
-
Vargjet 16–30:Si na ndihmon të mbajmë një heqje të mëkateve tona, kur u japim të varfërve? Si mund ta zbatoni vargun 27 në përpjekjet tuaja që të jeni si Krishti?
Shih edhe Dejvid A. Bednar, “Gjithmonë Mbani një Heqje të Mëkateve Tuaja”, Ensign ose Liahona, maj 2016, f. 59–62; Dejll G. Renland, “Mbajta e Ndryshimit të Fuqishëm të Zemrës”, Ensign ose Liahona, nëntor 2009, f. 97–99.
Shpirti i Zotit mund të shkaktojë një ndryshim të madh në zemrën time.
Nuk është e pazakontë për njerëzit të thonë: “Nuk mund të ndryshoj. Kështu jam gatuar unë.” Në dallim, përvoja e popullit të mbretit Beniamin na tregon mënyrën se si Shpirti i Zotit mund ta ndryshojë me të vërtetë zemrën tonë. Presidenti Rasëll M. Nelson dha mësim: “Mund ta ndryshojmë sjelljen. Edhe vetë dëshirat tona mund të ndryshojnë. … Ndryshimi i vërtetë – ndryshimi i përhershëm – mund të vijë vetëm me fuqinë shëruese, pastruese dhe aftësuese të Shlyerjes së Jezu Krishtit. … Ungjilli i Jezu Krishtit është ungjill ndryshimi!” (“Vendime Përjetësie”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 108).
Teksa lexoni për ndryshimin që përjetoi populli i mbretit Beniamin, mendoni për mënyrën se si ka ndodhur – ose mund të ndodhë – në jetën tuaj “ndryshim[i] [i] madh” që çon në kthimin e vërtetë në besim. A kanë çuar disa çaste “të m[ëdha]” në ndryshimin e zemrës suaj, apo kthimi juaj në besim ka ndodhur në mënyrë më graduale?
Shih edhe Ezekiel 36:26–27; Alma 5:14; Dejvid A. Bednar, “Të Kthyer në Besim te Zoti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2012, f. 106–109.
Unë marr mbi vete emrin e Krishtit kur bëj besëlidhje.
Një arsye përse mbreti Beniamin donte t’i fliste popullit të tij ishte që “t’i j[epte] këtij populli një emër”. Disa ishin nefitë dhe të tjerë ishin pasardhës të Mulekut, por këta nuk ishin emrat që ai kishte në mendje. Ai e ftoi popullin që ata të merrnin mbi vete “emrin e Krishtit” si pjesë të besëlidhjes së tyre për bindje ndaj Perëndisë (Mosia 1:11; 5:10). Çfarë mësoni nga Mosia 5:7–9 rreth asaj që do të thotë ta merrni mbi vete emrin e Krishtit?
Plaku D. Tod Kristoferson dha mësim: “Burimi [i fuqisë morale dhe shpirtërore] është Perëndia. E drejta jonë për atë fuqi është nëpërmjet besëlidhjeve tona me Të” (“Forca e Besëlidhjeve”, Ensign ose Liahona, maj 2009, f. 20). Teksa lexoni te Mosia 5:5–15, bëni një listë të bekimeve që do të vijnë në jetën tuaj kur i mbani besëlidhjet që keni bërë me Perëndinë. Si ju ndihmon mbajtja e besëlidhjeve tuaja që ta ruani “ndryshim[in e] madh” që ju ka ndodhur nëpërmjet Jezu Krishtit dhe Shlyerjes së Tij?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Mosia 4:9–12
Si mundet familja juaj të “beso[jë] në Perëndinë” më plotësisht (Mosia 4:9) dhe “gjithmonë të mba[jë] në kujtesë, madhështinë e Perëndisë”? (Mosia 4:11.) Ndoshta pjesëtarët e familjes mund ta lexojnë Mosian 4:9–12 dhe të përcaktojnë fraza që ndihmojnë në ngritjen e besimit të tyre te Perëndia. Ata mund t’i shkruajnë këto fraza dhe t’i vendosin nëpër shtëpi si kujtues. Si do të na ndihmojë të kujtuarit e këtyre gjërave që të “gëzohe[mi] gjithmonë” dhe të “mba[jmë] një heqje të mëkateve” tona? (Mosia 4:12.)
Mosia 4:14–15
Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth të luftuarit dhe grindjes?
Mosia 4:16–26
Në çfarë kuptimi jemi të gjithë lypsa? Sipas këtyre vargjeve, si duhet të sillemi me të gjithë fëmijët e Perëndisë? (Mosia 4:26.) Kush ka nevojë për ndihmën tonë?
Mosia 4:27
A po vrapon familja juaj më shpejt sesa keni fuqi? Ndofta ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes të bëjnë një vlerësim të veprimtarive të tyre për t’u siguruar që po tregohen të zellshëm, por edhe të urtë.
Mosia 5:5–15
Çfarë sugjeron marrja e emrit të Krishtit mbi vete rreth marrëdhënies sonë me Të? Mund të jetë e dobishme të flitni rreth arsyes përse njerëzit ndonjëherë i shkruajnë emrat e tyre në gjërat që u përkasin atyre vetë. Si mund ta tregojmë se ne i “përk[asim]” Shpëtimtarit?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.