“13–19 Prill. Mosia 1–3: ‘Të Mbushur me Dashuri ndaj Perëndisë dhe ndaj Gjithë Njerëzve’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“13–19 Prill. Mosia 1–3”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
13–19 Prill
Mosia 1–3
“Të Mbushur me Dashuri ndaj Perëndisë dhe ndaj Gjithë Njerëzve”
Mbreti Beniamin dha një arsye për shënimin e mbresave tona shpirtërore: “Ishte e pamundur që ati ynë, Lehi, të mund të mbante mend të gjitha këto gjëra dhe t’ua mësonte fëmijëve të tij, po të mos ishte me anën e këtyre fletëve” (Mosia 1:4).
Shënojini Mbresat Tuaja
Kur dëgjoni fjalën mbret, ju mund të mendoni për kurora, kështjella, shërbëtorë dhe frone. Te Mosia 1–3, ju do të lexoni për një tjetër lloj mbreti. Në vend që të mbahej nga puna e popullit të tij, mbreti Beniamin “pun[oi] me duart e [tij]” (Mosia 2:14). Në vend që t’i vinte të tjerët t’i shërbenin atij, ai i shërbeu popullit të tij “me të gjithë fuqinë, mendjen dhe forcën që Zoti [i] k[ishte] dhënë [atij]” (Mosia 2:11). Ky mbret nuk donte që populli i tij ta adhuronte; përkundrazi, ai u mësoi atyre të adhuronin një Mbret më të madh sesa ai vetë, pasi ai e kuptoi se është “Zoti i Plotfuqishëm që mbretëron” (Mosia 3:5). Si të gjithë udhëheqësit e mëdhenj në mbretërinë e Perëndisë, fjalët dhe shembulli i mbretit Beniamin na drejtojnë te Mbreti Qiellor, që është Shpëtimtari, Jezu Krishti. Mbreti Beniamin dëshmoi se Jezusi erdhi “poshtë nga qielli” dhe shkoi “përpara mes njerëzve, duke punuar mrekulli të mëdha. … Dhe vini re, ai vjen mes popullit të tij, që shpëtimi të mund të vijë te fëmijët e njerëzve, madje nëpërmjet besimit në emrin e tij” (Mosia 3:5, 9).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Marrja e fjalës së Perëndisë kërkon përgatitje.
Kur mbreti Beniamin dërgoi fjalë se donte t’i fliste popullit të tij, erdhën aq shumë njerëz “sa ata nuk i numëruan” (Mosia 2:2). Ata erdhën, pjesërisht, për shkak të mirënjohjes dhe dashurisë së tyre për udhëheqësin e tyre. Por më e rëndësishmja, ata erdhën për të marrë mësim fjalën e Perëndisë.
Ndërsa lexoni vargjet te Mosia 2:1–9, kërkoni se çfarë bënë njerëzit për të treguar që ata e çmonin fjalën e Perëndisë. Çfarë u kërkoi mbreti Beniamin që të bënin për t’u përgatitur që ta dëgjonin fjalën e Perëndisë? (Shih vargun 9.) Si mund ta përgatitni më mirë veten për ta marrë fjalën e Perëndisë në studimin tuaj vetjak e familjar dhe gjatë mbledhjeve të Kishës?
Shih edhe Mateu 13:18–23; Alma 16:16–17.
Kur u shërbej të tjerëve, unë po i shërbej edhe Perëndisë.
A e keni të vështirë të gjeni kohë për të shërbyer ose a dëshironi që shërbimi juaj t’ju sjellë më shumë gëzim? Çfarë mendoni që do të thoshte mbreti Beniamin nëse do ta pyetnit se përse shërbeu me të gjithë “fuqinë, mendjen dhe forcën” e tij? Mosia 2:11.) Ndërsa lexoni vargjet te Mosia 2:10–26, përcaktoni të vërtetat që dha mësim mbreti Beniamin rreth shërbimit dhe përsiatni për mënyrën se si mund t’i përdorni ato në jetën tuaj. Për shembull, çfarë do të thotë për ju të dini se kur u shërbeni njerëzve të tjerë, ju po i shërbeni edhe Perëndisë? (Shih Mosia 2:17.) Mendoni rreth një mënyre se si mund t’i shërbeni dikujt këtë javë!
Shih edhe Mateu 25:40.
Unë mund ta mposht njeriun e natyrshëm dhe të bëhem shenjtor nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Mbreti Beniamin, si të gjithë profetët, dëshmoi për Jezu Krishtin me qëllim që populli i tij të “mund të m[errte] heqje të mëkateve të [veta] dhe të gëzo[nte] me gëzim jashtëzakonisht të madh” (Mosia 3:13). Ai gjithashtu dha mësim se Shpëtimtari, nëpërmjet Shlyerjes së Tij, jo vetëm që na bën të pastër, por gjithashtu na jep fuqi që ta zhveshim “njeriun e natyrshëm” dhe të bëhemi “shenjtor[ë]” (Mosia 3:19; shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Njeri i Natyrshëm”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Plaku Dejvid A. Bednar shpjegoi: “Është Shlyerja e Jezu Krishtit ajo që siguron qoftë pastrimin dhe fuqinë shëlbuese që na ndihmon të kapërcejmë mëkatin, qoftë shenjtërimin dhe fuqinë forcuese që na ndihmon të bëhemi më të mirë nga sa mund të ishim duke u mbështetur vetëm tek forca jonë. Shlyerja e pafundme është si për mëkatarin, ashtu dhe për shenjtorin tek secili prej nesh” (“Duar të Pafajshme dhe Zemër të Pastër”, Ensign ose Liahona, nëntor 2007, f. 82).
Këtu janë disa pyetje për t’i përsiatur ndërsa e lexoni dëshminë e mbretit Beniamin për Shpëtimtarin te Mosia 3:1–20:
-
Çfarë mësoj nga këto vargje rreth Shpëtimtarit dhe misionit të Tij?
-
Si më ka ndihmuar Jezu Krishti që ta mposht mëkatin? Si më ka ndihmuar Ai që ta ndryshoj natyrën time dhe të bëhem më i ngjashëm me një shenjtor?
-
Çfarë mësoj për mënyrën se si bëhem shenjtor nga Mosia 3:19?
Përse mbreti Beniamin iu referua Jezusit si “Ati i qiellit dhe i tokës”?
Presidenti Jozef F. Smith shpjegoi: “Jezu Krishti, të cilin e njohim edhe si Jehova, ishte zbatuesi i Atit, Elohimit, në veprën e krijimit. … Jezu Krishti, duke qenë Krijuesi, quhet vazhdimisht Ati i qiellit dhe i tokës … ; dhe meqenëse krijimet e Tij janë të një rangu të përjetshëm, Ai quhet me mjaft të drejtë Ati i Amshuar i qiellit dhe i tokës” (Teachings of Presidents of the Church: Joseph F. Smith [1998], f. 357).
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Mosia 1:1–7
Si u bekua populli i mbretit Beniamin nga fletët e tunxhit dhe fletët e Nefit? Si bekohen familjet tona nga shkrimet e shenjta?
Mosia 2–3
Mund të jetë argëtuese për familjen tuaj të krijoni një skenë për fjalimin e mbretit Beniamin. Mund të bëni një kullë të vogël dhe t’i lini pjesëtarët e familjes që me radhë të lexojnë fjalët e mbretit Beniamin ndërsa qëndrojnë në të. Pjesa tjetër e familjes mund të dëgjojë nga brenda një çadre të sajuar.
Mosia 2:9–19
Çfarë mësojmë rreth shërbimit nga mësimet dhe shembulli i mbretit Beniamin? Çfarë ndihemi të frymëzuar që të bëjmë?
Mosia 2:15–25
A do të ishte e dobishme për familjen tuaj që të bënit një diskutim rreth përulësisë? Përse nuk u lavdërua mbreti Beniamin për gjithçka që kishte bërë? Çfarë mund të mësojmë nga mësimet e tij rreth marrëdhënies sonë me Perëndinë?
Mosia 2:36–41
Çfarë dha mësim mbreti Beniamin për pasojat që vijnë kur e dimë të vërtetën, por nuk e jetojmë atë? Çfarë dha mësim ai rreth mënyrës se si ta fitojmë lumturinë e vërtetë?
Mosia 3:19
Çfarë kemi nevojë të bëjmë ne që të bëhemi shenjtorë? Te cila karakteristikë nga ky varg mund të përqendrohemi si familje që ta zhvillojmë?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.