“30 Mars – 12 Prill. Pashka: ‘Ai Do Të Ngrihet … me Shërim në Krahët e Tij’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“30 Mars – 12 Prill. Pashka”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
30 Mars – 12 Prill
Pashka
“Ai Do Të Ngrihet … me Shërim në Krahët e Tij”
Gjatë ditëve që paraprijnë të dielën e Pashkës, merreni parasysh ta përqendroni studimin tuaj vetjak dhe familjar të shkrimeve të shenjta te dëshmia e fuqishme e Librit të Mormonit për jetën, vdekjen, Ringjalljen dhe fuqinë shlyese të Jezu Krishtit.
Shënojini Mbresat Tuaja
Apostujt e lashtë ishin të guximshëm në dëshminë e tyre për Jezu Krishtin dhe Ringjalljen e Tij. Miliona njerëz besojnë te Jezu Krishti dhe përpiqen fort ta ndjekin Atë për shkak të fjalëve të tyre të shënuara në Bibël. Prapëseprapë, disa mund të pyesin veten që, nëse Jezu Krishti është Shpëtimtari i gjithë botës, atëherë përse dëshmitarët e tij okularë u kufizuan në një grusht njerëzish të përqendruar në një rajon të vogël?
Libri i Mormonit qëndron si një dëshmi shtesë, bindëse se Jezu Krishti është Shpëtimtari i botës “[duke] ua shfaq[ur] veten të gjitha kombeve” (faqja e titullit të Librit të Mormonit) dhe duke u ofruar shpëtim të gjithë atyre që vijnë tek Ai. Përveç kësaj, kjo dëshmi e dytë, qartëson gjithashtu se çfarë do të thotë fjala shpëtim. Kjo është arsyeja përse Nefi, Jakobi, Mormoni dhe të gjithë profetët punuan me kaq “zell për t’i gdhendur këto fjalë mbi fletë” – për t’u shpallur brezave të ardhshëm se edhe ata e “dini[n] për Krishtin dhe … kishi[n] një shpresë të lavdisë së tij” (Jakobi [LiM] 4:3–4). Këtë stinë Pashke, reflektoni mbi dëshmitë në Librin e Mormonit se fuqia e Shlyerjes së Krishtit është si universale edhe vetjake – duke e shëlbuar tërë botën dhe duke ju shëlbuar juve.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
2 Nefi 9:6–15, 22; Alma 11:41–45; 40:21–23; 3 Nefi 26:4–5
Për shkak të Ringjalljes së Jezu Krishtit, të gjithë njerëzit do të ringjallen.
Është e traditës në Pashkë që të përsiatim mbi Ringjalljen e Jezu Krishtit, por çfarë do të thotë saktësisht të ringjallesh? Çfarë idesh na jep Libri i Mormonit për ringjalljen? Ndoshta si pjesë e respektimit të Pashkës nga ana juaj, ju mund të renditni të vërteta rreth ringjalljes që i gjeni te 2 Nefi 9:6–15, 22; Alma 11:41–45; 40:21–23 dhe 3 Nefi 26:4–5. Ju gjithashtu mund të shënoni arsyen përse mendoni se është e rëndësishme të keni dijeni për secilën nga këto të vërteta.
Ju mund të vëreni se të vërtetat rreth Ringjalljes shpesh jepen mësim së bashku me të vërtetat rreth Gjykimit Përfundimtar. Përsiatni se çfarë ju mëson kjo rreth rëndësisë së Ringjalljes në planin e shpëtimit.
Shih edhe Lluka 24:36–43; Veprat e Apostujve 24:15; 1 Korintasve 15:12–23.
Mosia 3:7; 15:5–9; Alma 7:11–13
Jezu Krishti mori mbi Veten e Tij mëkatet, dhembjet dhe dobësitë e mia.
Bibla na mëson qartësisht se Jezu Krishti shleu për mëkatet tona. Megjithatë, Libri i Mormonit e zgjeron të kuptuarin tonë për sakrificën dhe vuajtjen e Krishtit në mënyra të rëndësishme. Ju mund t’i gjeni disa prej këtyre mësimeve te Mosia 3:7; 15:5–9 dhe Alma 7:11–13. Pasi t’i lexoni këto fragmente, merreni parasysh ta shënoni atë që zbuloni në një tabelë si kjo:
Çfarë vuajti Shpëtimtari? |
Përse vuajti Ai? |
Ç’kuptim ka kjo për mua? |
---|---|---|
Çfarë vuajti Shpëtimtari? | Përse vuajti Ai? | Ç’kuptim ka kjo për mua? |
Shih edhe Isaia 53; Hebrenjve 4:14–16.
Mosia 5:1–2; 27:8–28; Alma 15:3–12; 24:7–19
Shlyerja e Jezu Krishtit më pastron dhe më ndihmon që të përsosem.
Mund të thuhet se Libri i Mormonit është kryesisht një rrëfim i njerëzve që ndryshuan për shkak të Shlyerjes së Jezu Krishtit. Në fakt, disa prej atyre njerëzve kryen mëkate të rënda dhe ishin madje armiq të popullit të Perëndisë, përpara se fuqia e Shpëtimtarit të kryente në ta një ndryshim të madh sipas besimit të tyre në Të. Ju mund t’i lexoni disa prej këtyre përvojave te Mosia 5:1–2; 27:8–28; dhe Alma 15:3–12; 24:7–19; ju po ashtu mund të mendoni për shembuj të tjerë që t’i studioni. Çfarë vëreni se kanë të përbashkët secila prej këtyre përvojave? Çfarë ndryshimesh vëreni? Çfarë ju mësojnë këto rrëfime rreth mënyrës se si mund t’ju ndryshojë Shlyerja e Shpëtimtarit?
Shih edhe Alma 5:6–14; 13:11–12; 18; 19:1–16; 22:1–26; 36:16–21; Ethëri 12:27; Moroni 10:32–33.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa e festoni Pashkën me familjen tuaj, kërkoni mënyra se si të mësoni së bashku rreth Shpëtimtarit dhe Shlyerjes së Tij, përfshirë Ringjalljen. Ja ku janë disa ide.
3 Nefi 11; 17
Disa familje kanë zbuluar se studimi i rrëfimit të vizitës së Shpëtimtarit të ringjallur në kontinentet amerikane është veçanërisht kuptimplotë gjatë stinës së Pashkës. Nxitini pjesëtarët e familjes që të përfytyrojnë se si do të ishte po t’i prekje plagët e Tij (shih 3 Nefi 11:14–15) apo të ishe një nga fëmijët që Ai bekoi (shih 3 Nefi 17:21). Si na e thellon ky rrëfim mirënjohjen tonë për Ringjalljen e Shpëtimtarit? Këtë përvijim e shoqëron një pikturë që e portretizon këtë rrëfim; të tjera mund të gjenden te ChurchofJesusChrist.org. Pjesëtarët e familjes suaj mund të kënaqen gjithashtu duke bërë vetë vizatimet e tyre për atë që lexojnë.
Mesazhe nga konferenca e përgjithshme
Në shumë pjesë të botës, konferenca e përgjithshme e prillit të këtij viti ndodh në fundjavën përpara Pashkës. Ndoshta dëgjimi i mesazheve të konferencës mund ta ndihmojë familjen tuaj që të përqendrohet te Shpëtimtari këtë Pashkë. Për shembull, ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes të mbajnë vesh për mesazhe konference që dëshmojnë për Jezu Krishtin dhe Ringjalljen e Tij – veçanërisht nga Apostujt, të cilët janë dëshmitarë të veçantë të Jezu Krishtit. Më pas, ju mund t’i shqyrtoni së bashku këto mesazhe dhe të përcaktoni mësime që i forcojnë dëshmitë tuaja për Shpëtimtarin.
“Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve”
Si një familje, lexoni [dokumentin] “Krishti i Gjallë: Dëshmia e Apostujve” (Ensign ose Liahona, maj 2017, brenda kapakut të përparmë; shih edhe ChurchofJesusChrist.org) dhe ftojeni çdo pjesëtar të familjes të zgjedhë një mesazh Pashke nga kjo dëshmi për t’ia treguar të tjerëve. Për shembull, ju mund të krijoni afishe që t’i shfaqni në mediat shoqërore, në derën kryesore apo në dritaren tuaj.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.