Eja, Më Ndiq
23–29 Mars. Enosi – Fjalët e Mormonit: Ai Vepron tek Unë që të Bëj Vullnetin e Tij


“23–29 Mars. Enosi – Fjalët e Mormonit: Ai Vepron tek Unë që të Bëj Vullnetin e Tij”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“23–29 Mars. Enosi – Fjalët e Mormonit”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Enosi kur ishte djalosh me atin e tij, Jakobin, dhe nënën e tij

Jakobi dhe Enosi, nga Scott Snow

23–29 Mars

EnosiFjalët e Mormonit

Ai Vepron tek Unë që të Bëj Vullnetin e Tij

Ndërsa e lexoni Enosin deri te Fjalët e Mormonit, kërkoni mesazhe që do të jenë me vlerë për ju dhe familjen tuaj.

Shënojini Mbresat Tuaja

Enosi shkoi në pyll për të gjuajtur kafshë, por përfundoi duke qëndruar atje për t’u lutur “gjithë ditën … dhe kur ra nata” (Enosi 1:3–4). Për shkak se shpirti i tij ishte me të vërtetë i uritur për të marrë një heqje të mëkateve, Enosi qe i gatshëm të lutej për aq sa ishte e nevojshme dhe madje të “përlesh[ej]” përpara Perëndisë (Enosi 1:2). Kjo është ajo çka është lutja e sinqertë: jo aq shumë për të kërkuar ndonjë gjë që dëshirojmë, por një përpjekje e sinqertë për të komunikuar me Perëndinë dhe për ta vënë vullnetin tonë në përputhje me të Tijin. Kur ju luteni në këtë mënyrë, kur zëri juaj i ka “arrit[ur] qiejt”, ju zbuloni ashtu siç bëri Enosi se Perëndia ju dëgjon, dhe Ai me të vërtetë kujdeset për ju, njerëzit tuaj të dashur, madje dhe armiqtë tuaj (shih Enosi 1:4–17). Në ato çaste, Perëndia mund t’jua bëjë të ditur vullnetin e Tij, dhe ju do të jeni më të gatshëm e më në gjendje ta bëni vullnetin e Tij ngaqë jeni në harmoni me Të. Ashtu si Mormoni, ju mund të “[mos] i di[ni] të gjitha gjërat, por Zoti i di të gjitha gjërat … [dhe] ai punon tek [ju] që të bë[ni] sipas vullnetit të tij” (Fjalët e Mormonit 1:7).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Enosi 1:1–3

Fjalët e një prindi mund të kenë një ndikim të përhershëm.

Çfarë mesazhesh kanë këto vargje për prindërit dhe fëmijët?

Enosi 1:4–27

Lutjet e mia të bëra me gjithë zemër do të marrin përgjigje.

Përvoja e Enosit me lutjen është një nga përvojat më të paharrueshme në shkrimin e shenjtë. Përvojat tuaja mund të jenë më pak dramatike, por nuk kanë pse të jenë më pak domethënëse. Përvojat e Enosit mund të zbulojnë mënyra se si t’i përmirësoni lutjet tuaja. Ja tek janë disa pyetje për t’u përsiatur:

  • Cilat fjalë i përshkruajnë përpjekjet e Enosit kur u lut?

  • Për çfarë u lut fillimisht Enosi? (Shih Enosi 1:4.) Çfarë mund të mësoni nga reagimi i Enosit pasi e mori një përgjigje? (Shih Enosi 1:5–7.)

  • Si i vuri në veprim Enosi përgjigjet që mori?

  • Çfarë mund të mësoni nga Enosi rreth mënyrës se si të keni besim të “patundur” te Zoti? (Enosi 1:11.)

JaromiOmni

Zoti do të më bekojë kur i zbatoj urdhërimet.

Një prej premtimeve më të përsëritura të Perëndisë në Librin e Mormonit është që, nëse nefitët do t’i zbatonin urdhërimet, ata do të përparonin (shih 2 Nefi 1:20; Jaromi 1:9–12; Omni 1:6). Librat e Jaromit dhe të Omnit tregojnë disa mënyra se si u përmbush ky premtim. Çfarë mësoni nga këto rrëfime që mund t’ju ndihmojnë të “përparoni në tokë”?

Omni 1:14, 21

Kush ishte populli i Zarahemlës?

Pasi nefitët u arratisën nga toka e Nefit, ata zbuluan një numër të madh njerëzish që jetonin në një vend të quajtur Zarahemla. Populli i Zarahemlës ishin pasardhës të një grupi izraelitësh të cilët, ashtu si familja e Lehit, ishin larguar nga Jerusalemi dhe ishin udhëhequr nga Perëndia drejt tokës së premtuar. Mes atij grupi ishte Muleku, njëri prej bijve të Zedekias, mbretit të Judës, i cili u kap rob nga babilonasit rreth vitit 587 pr. K. (shih Jeremia 52:1–11; Mosia 25:2; Helamani 8:21).

Pasi populli i Zarahemlës mbërriti në tokën e premtuar, ata takuan Koriantumrin (shih Omni 1:21), të mbijetuarin e fundit të njohur të jareditëve, historia e të cilëve tregohet në librin e Ethërit.

Fjalët e Mormonit

Çfarë është libri Fjalët e Mormonit?

Libri Fjalët e Mormonit shërben si një urë midis dy llojeve të fletëve që e përbëjnë Librin e Mormonit. Këtu Mormoni jep një shpjegim të këtyre dy analeve, dhe fjalët e tij na mësojnë një mesazh të rëndësishëm rreth mirëbesimit te Zoti, edhe kur nuk e kuptojmë plotësisht udhëzimin e Tij.

Ndërsa Nefi po shkruante analin e popullit të tij, Perëndia e urdhëroi atë që të krijonte dy lloje fletësh, të quajtura fletët e vogla dhe fletët e mëdha të Nefit. Nefi nuk e dinte arsyen përse u urdhërua që të krijonte dy lloje fletësh, por ai mirëbesoi se Zoti kishte “një qëllim të urtë … , qëllim të cilin unë nuk e di” (1 Nefi 9:5; shih edhe “Një Shpjegim i Shkurtër mbi Librin e Mormonit”).

Shekuj më vonë, teksa Mormoni po përmblidhte fletët e mëdha të Nefit, ai hasi fletët e vogla. Fletët e vogla përfshinin shumë prej të njëjtave ngjarje të përshkruara në fletët e mëdha, të cilat Mormoni i kishte përmbledhur tashmë, por fletët e vogla përqendroheshin më shumë te çështjet shpirtërore dhe te shërbesa dhe mësimet e profetëve. Perëndia e frymëzoi Mormonin që t’i përfshinte fletët e vogla të Nefit në analin e tij bashkë me fletët e mëdha. Ashtu si Nefi, Mormoni nuk e kuptonte qëllimin e Perëndisë për t’i pasur të dyja llojet e fletëve, por ai mirëbesonte se ishte “për një synim të urtë” (Fjalët e Mormonit 1:7).

Sot ne e dimë se cili ishte qëllimi i Perëndisë. Në vitin 1828, pasi Jozef Smithi kishte përkthyer pjesë të përmbledhjes së Mormonit nga fletët e mëdha të Nefit (116 faqet e dorëshkrimit), Martin Harrisi i humbi ato faqe. Perëndia e urdhëroi Jozefin të mos e ripërkthente atë pjesë, pasi njerëz të ligj do t’i ndryshonin fjalët dhe do të përpiqeshin ta diskreditonin Jozefin (shih DeB 10, kreun e seksionit; DeB 10:14–19, 30–45). Fatmirësisht, Perëndia e kishte parashikuar këtë dhe kishte siguruar fletët e vogla, të cilat përfshinin të njëjtën histori që kishte humbur me 116 faqet. Fletët e vogla përfshinin librat që vinin përpara librit Fjalët e Mormonit, dhe përmbledhja prej Mormonit e fletëve të mëdha fillon pas librit Fjalët e Mormonit.

Mormoni duke përpiluar fletët e arta

Mormoni Duke Përpiluar Fletët, nga Jorge Cocco

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

Enosi 1:1–17

Familja juaj mund të shohë një figurë të Enosit duke u lutur dhe të kërkojë tek Enosi 1:1–17 fraza që mund të përdoren si titull për figurën. Ju gjithashtu mund t’u kërkoni pjesëtarëve të familjes që të bëjnë vizatime të përvojës së Enosit. Çfarë mësojmë nga Enosi rreth kërkimit të faljes?

Jaromi 1:2

Si na e ka “zbuluar … planin e shpëtimit” studimi ynë i Librit të Mormonit?

Omni 1:12–22

Çfarë na mësojnë këto vargje rreth rëndësisë së pasjes së fjalës së Perëndisë në jetën tonë?

Fjalët e Mormonit 1:3–9

Si do të bekohemi nga mbajtja e analeve vetjakë dhe familjarë? Si mund t’i bëjmë analet tona më të përqendruara te Krishti?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Mblidhuni shpesh së bashku. Presidenti Henri B. Ajring dha mësim: “Kurrë mos e humbisni rastin që t’i mblidhni fëmijët së bashku për të mësuar doktrinën e Jezu Krishtit. Çaste të tilla janë kaq të rralla në krahasim me përpjekjet e armikut” (“The Power of Teaching Doctrine”, Ensign, maj 1999, f. 74).

Enosi duke u lutur

Enosi Duke u Lutur, nga Robert T. Barrett