“2–8 Mars. 2 Nefi 31–33: ‘Kjo Është Udha’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“2–8 Mars. 2 Nefi 31–33”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
2–8 Mars
2 Nefi 31–33
“Kjo Është Udha”
Ky përvijim sugjeron parime që ju mund t’i shihni si domethënëse te 2 Nefi 31–33. Por gjërat më të rëndësishme që ju do të mësoni në studimin tuaj do të vijnë nga pëshpëritjet e Shpirtit. Kërkojeni këtë udhërrëfim dhe shënojini nxitjet që vijnë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Mes fjalëve të fundit të shënuara të Nefit, ne gjejmë këtë deklaratë: “Më ka urdhëruar Zoti dhe unë duhet të bindem” (2 Nefi 33:15). Kjo duket si një përmbledhje e përshtatshme e jetës së Nefit. Ai e kërkoi vullnetin e Zotit dhe me guxim u përpoq shumë t’i bindej atij – qoftë nëse kjo do të thoshte ta rrezikonte jetën e tij për të marrë fletët prej tunxhi nga Labani, të ndërtonte një barkë e të kalonte detin apo ta jepte mësim besnikërisht doktrinën e Krishtit me qartësi e fuqi. Nefi mund të fliste bindshëm mbi nevojën për të “shk[uar] përpara me një vendosmëri në Krisht”, për të ndjekur “shteg[un e] ngushtë dhe të ngushtuar” (2 Nefi 31:20, 18), ngaqë ky është shtegu që ai ndoqi. Ai e dinte nga përvoja [vetjake] që ky shteg, ndonëse me raste i vështirë, ishte edhe i gëzueshëm, dhe se “s’ka udhë tjetër dhe as emër të dhënë nën qiell, nëpërmjet të cilit njeriu mund të shpëtohet në mbretërinë e Perëndisë” (2 Nefi 31:21).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Jezu Krishti dhe doktrina e Tij janë e vetmja udhë drejt jetës së përjetshme.
Nëse do t’ju duhej ta përmblidhnit shtegun drejt jetës së përjetshme në vetëm pak fjalë, çfarë do të thoshit? Nefi, me qartësinë dhe thjeshtësinë e tij karakteristike, e bëri në këtë mënyrë: besimi në Krisht, pendimi, pagëzimi, marrja e dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe durimi deri në fund. Pasi t’i studioni mësimet e Nefit te 2 Nefi 31–32, merreni parasysh mënyrën se si do t’ia shpjegonit ato dikujt me vetë fjalët tuaja. Mendoni se si ju ka bekuar të jetuarit e këtyre mësimeve. Ju mund të merrni në shqyrtim mësimet e Nefit te 2 Nefi 31:18–20 dhe të vlerësoni përpjekjet tuaja vetjake për të “shk[uar] përpara” nëpër shtegun e ungjillit.
Shih edhe 3 Nefi 11:32–39; 27:13–22; D. Tod Kristoferson, “Doktrina e Krishtit”, Ensign ose Liahona, maj 2012, f. 86–90; Brajën K. Ashton, “Doktrina e Krishtit”, Ensign ose Liahona, nëntor 2016, f. 106–109.
Jezu Krishti dha shembullin e përkryer të bindjes kur Ai u pagëzua.
Qoftë nëse pagëzimi juaj ndodhi dje apo 80 vjet më parë, ai ishte një moment kryesor – ju hytë në një besëlidhje të përjetshme për ta ndjekur Jezu Krishtin. Mendoni për pagëzimin tuaj ndërsa lexoni rreth pagëzimit të Shpëtimtarit te 2 Nefi 31:4–13. Përse u pagëzua Shpëtimtari? Si janë të ngjashme arsyet përse u pagëzua Ai me arsyet përse u pagëzuat ju? Çfarë po bëni sot që të vazhdoni ta ndiqni shembullin e Shpëtimtarit për bindjen?
Ordinanca e sakramentit është një mundësi e përjavshme që ju të rizotoheni për ta ndjekur Jezu Krishtin. Herën tjetër që e merrni sakramentin, merreni parasysh ta lexoni 2 Nefin 31:13 dhe të përsiatni mbi vendosmërinë tuaj për ta “nd[jekur] Birin me qëllim të plotë të zemrës” dhe mbi gatishmërinë tuaj për “të m[arrë] mbi vete emrin e Krishtit”.
Fryma e Shenjtë do të më tregojë atë që duhet të bëj.
Nëse pagëzimi dhe konfirmimi janë “porta nëpër të cilën [ne] … hy[jmë]” në shtegun e ngushtë e të ngushtuar (2 Nefi 31:17), çfarë bëjmë ne sapo jemi në shteg? Kjo është ajo gjë për të cilën e pyeste veten populli i Nefit (shih 2 Nefi 32:1). Çfarë përgjigjesh dha Nefi te 2 Nefi 31:19–20 dhe kapitulli 32? Çfarë përgjigjesh gjeni për veten tuaj?
Shih edhe Dejvid A. Bednar, “Merrni Frymën e Shenjtë”, Ensign ose Liahona, nëntor 2010, f. 94–97.
Libri i Mormonit i bind të gjithë njerëzit të besojnë te Krishti.
Te 2 Nefi 33, kur Nefi i përmbylli shkrimet e tij, në radhë të parë ai shpjegoi arsyet përse po shkruante. Çfarë arsyesh gjeni në këtë kapitull? Reflektoni mbi atë që keni lexuar deri tani te 1 Nefi dhe 2 Nefi, dhe shënimet që mund të keni marrë. Si i kanë përmbushur historitë dhe mësimet qëllimet e Nefit për ju? Për shembull, si ju kanë bindur të “beso[ni] në [Krisht] dhe të duro[ni] deri në fund”? (Vargu 4.) Merreni parasysh t’i shënoni këto përvoja ose t’ia tregoni ato një pjesëtari të familjes apo një miku.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
2 Nefi 31:5–13
A ka ndonjë pjesëtar të familjes që po përgatitet për pagëzim, ose është pagëzuar ndonjëri kohët e fundit? Ndoshta ata mund të tregojnë përse vendosën të pagëzoheshin. Sipas mësimeve të Nefit, cilat janë disa arsye përse ne duhet të pagëzohemi? Cilat janë disa bekime që i marrim kur pagëzohemi?
2 Nefi 31:17–21
Si mund ta ndihmoni familjen tuaj që ta kuptojë analogjinë e Nefit për “shteg[un e] ngushtë dhe të ngushtuar”? (2 Nefi 31:18.) Për shembull, ju mund të punoni së bashku që të vizatoni një figurë të shtegut që Nefi e përshkroi te 2 Nefi 31:17–21, duke e emërtuar atë me gjërat që duhet të bëjmë për të hyrë në shteg dhe për të vazhduar përpara në të. Si na ndihmon Shpëtimtari që të përparojmë përgjatë shtegut?
2 Nefi 31:20
Nëse doni ta ndihmoni familjen tuaj që ta kuptojë më mirë mënyrën se si durojmë deri në fund, faqja 6 te Predikoni Ungjillin Tim, ka një përkufizim të dobishëm; po kështu edhe mesazhi i Plakut Dejl G. Renland “Shenjtorët e Ditëve të Mëvonshme Vazhdojnë të Përpiqen” (Ensign ose Liahona, maj 2015, f. 56–58).
2 Nefi 32:8–9
Për t’i ndihmuar pjesëtarët e familjes të kuptojnë se ne mund të “lute[m]i gjithmonë”, ju mund të bëni një listë me rrethanat në të cilat mund të lutemi (ose të bëni vizatime për t’i paraqitur ato). Pastaj familja juaj mund të këndojë një këngë që na mëson rreth lutjes, të tillë si “Lutjen a e The?” (Himne, nr. 78), duke i zëvendësuar disa nga fjalët në këngë me fjalë nga listat e tyre. Si na bekon Zoti kur lutemi gjithmonë?
2 Nefi 33:1–2
Çfarë mund t’i bëjë njerëzit që t’i “ngurtësojnë zemrat e tyre kundër Frymës së Shenjtë”? Si mund të sigurohemi se Fryma e Shenjtë ka “vend në [ne]”?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.