“24 Shkurt – 1 Mars. 2 Nefi 26–30: ‘Një Punë e Mrekullueshme dhe një Çudi’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“24 Shkurt – 1 Mars. 2 Nefi 26–30”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
24 Shkurt – 1 Mars
2 Nefi 26–30
“Një Punë e Mrekullueshme dhe një Çudi”
Zoti tha: “Unë i urdhëroj të gjithë … se ata do të shkruajnë fjalët që unë u them atyre” (2 Nefi 29:11). Nëpërmjet Shpirtit, Zoti do t’ju flasë teksa e studioni fjalën e Tij. Shënojeni atë që merrni.
Shënojini Mbresat Tuaja
“Unë po ju bëj profeci në lidhje me ditët e fundit”, shkroi Nefi (2 Nefi 26:14). Me fjalë të tjera, ai po shkruante për kohën tonë. Dhe ka arsye për të qenë të shqetësuar për atë çka ai pa: njerëz që i mohojnë fuqinë dhe mrekullitë e Perëndisë, zili dhe grindje të shfrenuara, djalli që i lidh njerëzit me litarë të fortë. Por, përveç këtyre “punëve të errësirës” të ditëve të mëvonshme (2 Nefi 26:10, 22) të udhëhequra nga kundërshtari, Nefi foli gjithashtu për “një punë të mrekullueshme dhe një çudi” të udhëhequr nga Vetë Zoti (2 Nefi 27:26). Dhe, në qendër të asaj pune do të ishte një libër – një libër që flet nga pluhuri, që i nxjerr në pah gënjeshtrat e Satanit dhe që i mbledh të drejtët si një flamur. Ai libër është Libri i Mormonit, puna e mrekullueshme është puna e Kishës së Zotit në ditët e mëvonshme dhe çudia është se Ai na fton të gjithëve ne, pavarësisht nga dobësitë tona, që të marrim pjesë.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Jezu Krishti i fton të gjithë që të vijnë tek Ai.
Profeti Jozef Smith dha mësim se Ati Qiellor është më i “pakufishëm në mëshirat dhe bekimet e tij, se sa ne jemi gati të besojmë apo të marrim” (The Joseph Smith Papers, “History, 1838–1856, volume D-1”, f. 4 [shtojcë], josephsmithpapers.org). Lexoni atë që parashikoi Nefi te 2 Nefi 26:20–22 dhe atë që ai dha mësim rreth Shpëtimtarit në vargjet 23–33, dhe krahasojeni këtë me thënien e Jozef Smithit. Çfarë mësoni rreth mëshirës së pakufishme të Zotit? Çfarë mund të bëni si një anëtar i Kishës së Jezu Krishtit për të qenë më shumë si Krishti në mënyrën se si silleni me fëmijët e Perëndisë?
Shih edhe 3 Nefi 18:30–32.
Cili është libri që përmendet në këta kapituj?
Profecia e Nefit te 2 Nefi 26–27, e cila frymëzohet shumë nga një profeci më e hershme e Isaias (shih Isaia 29), parathotë daljen në dritë të Librit të Mormonit. Kjo profeci përshkruan sa vijon:
-
Fjalët e farës së Lehit (pasardhësve të tij) duke folur [me zë] të “pakët nga pluhuri” [si ai i] “një medium[i]” dhe duke qenë të “vulos[ura] në një libër” (2 Nefi 26:14–17; shih edhe Isaia 29:4).
-
Një pjesë e librit që i jepet një njeriu të mësuar, i cili thotë: “Unë nuk mund ta lexoj atë” (2 Nefi 27:15–20; Joseph Smith – Historia 1:64–65; shih edhe Isaia 29:11).
Përveç Isaias, profetë të tjerë biblikë e përmendin Librin e Mormonit, edhe pse nuk e përmendin atë me emër. Për shembull, Ezekieli 37:15–20 flet për një “dru [të] Jozefit”, i cili mund t’i referohet analit të nefitëve, të cilët ishin pasardhës të Jozefit. Ky anal do të bëhej një me “drurin e Judës”, domethënë Biblën.
Shembuj të tjerë mund të gjenden tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Libër i Mormonit [f. 102–103]” (scriptures.ChurchofJesusChrist.org).
Satani kërkon të mashtrojë.
Shumë prej gënjeshtrave dhe taktikave të Satanit dalin në pah në përshkrimet e Nefit për ditët e fundit te 2 Nefi 28. Shihni nëse mund t’i gjeni ato (për shembull, shih vargjet 6, 8, 21–23, 29). Përse keni nevojë të dini për gënjeshtrat e Satanit? Çfarë do të bëni kur kundërshtari të përpiqet t’ju mashtrojë?
Perëndia vazhdon të japë zbulesë për t’i udhërrëfyer fëmijët e Tij.
Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme ne jemi bekuar me një bollëk të fjalës së Perëndisë, kështu që paralajmërimet e Nefit mund të gjejnë zbatim për ne: nuk duhet kurrë të mendojmë se “kemi mjaft”. Ndërsa lexoni paralajmërimet te 2 Nefi 28 dhe 29, përsiatini pyetjet si këto:
-
Si do Zoti që unë të ndihem dhe të reagoj ndaj fjalës së Tij?
-
Përse nganjëherë njerëzit janë “të zemëruar” se marrin më shumë të vërtetë nga Perëndia? (2 Nefi 28:28.) A ndihem unë ndonjëherë në këtë mënyrë? Nëse është kështu, si mund të bëhem më pranues ndaj së vërtetës?
-
Çfarë do të thotë ta pranosh fjalën e Perëndisë? Si mund t’i tregoj Atij se dua të marr më shumë nga fjala e Tij?
Shih edhe Alma 12:10–11; 3 Nefi 26:6–10.
Perëndia e përgatiti Librin e Mormonit për kohën tonë.
Nefi e dinte me anë të zbulesës, madje përpara se Libri i Mormonit të qe shkruar plotësisht, se një ditë do të “[ishte] me vlerë të madhe për fëmijët e njerëzve” (2 Nefi 28:2). Përse është Libri i Mormonit me vlerë të madhe për ju? Mendoni për këtë pyetje teksa lexoni 2 Nefin 29–30. Cilat janë disa nga punët e “mrekullueshme” që Perëndia është duke përmbushur në botë dhe në jetën tuaj nëpërmjet Librit të Mormonit?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
2 Nefi 26:12–13
Nefi dha mësim se Jezu Krishti shfaqet nëpërmjet Frymës së Shenjtë. Çfarë përvojash mund t’i tregojnë pjesëtarët e familjes njëri-tjetrit, [për rastet] kur dëshmitë e tyre për Shpëtimtarin u forcuan me anë të Frymës së Shenjtë?
2 Nefi 26:22; 28:19–22
Ndoshta familja juaj do të kënaqej nga një mësim me sende, i cili ilustron atë çka na mëson 2 Nefi 26:22 rreth djallit. Ndërsa lexoni rreth taktikave të Satanit te 2 Nefi 28:19–22, ju mund të lidhni pak pe rreth kyçit të dikujt për të simbolizuar “një fije liri”. Në ç’mënyrë është fija e lirit si tundimet e Satanit? Si mund të bëhet ajo një litar i fortë? Si mund t’i zbulojmë gënjeshtrat e Satanit?
2 Nefi 27:20–21
Çfarë mund të nënkuptojë Zoti kur Ai thotë: “Jam në gjendje të bëj punën time”. Si ndikon kjo e vërtetë te mënyra se si shërbejmë në Kishën e Tij?
2 Nefi 28:30–31
A mund të mendojë familja juaj për diçka që, ashtu si zbulesa nga Perëndia, merret më mirë nga pak, herë pas here? Përse Perëndia na e zbulon të vërtetën “rresht pas rreshti, parim pas parimi, pak këtu dhe pak atje” në vend që të na e zbulojë të gjithën njëherësh?
2 Nefi 29:7–9
Çfarë ka për qëllim Zoti të provojë apo të tregojë me Librin e Mormonit?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.