“9–15 Mars. Jakobi [LiM] 1–4: ‘Pajtohuni me Perëndinë nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“9–15 Mars. Jakobi [LiM] 1–4”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
9–15 Mars
Jakobi [LiM] 1–4
Pajtohuni me Perëndinë nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit
Kur ju i shënoni mbresat shpirtërore, ju tregoni se doni që Fryma e Shenjtë t’ju mësojë. Ndërsa e lexoni Jakobin [LiM] 1–4, merreni parasysh t’i shkruani idetë tuaja.
Shënojini Mbresat Tuaja
Nefitët e konsideronin Nefin “mbrojtës[in e] madh” të tyre (Jakobi [LiM] 1:10). Ai i kishte mbrojtur ndaj sulmeve të armiqve të tyre dhe i kishte paralajmëruar ndaj rreziqeve shpirtërore. Tani ai kishte ndërruar jetë dhe detyra e udhëheqjes së nefitëve shpirtërisht i ra Jakobit, të cilin Nefi e kishte përkushtuar për të qenë prift dhe mësues për popullin (shih Jakobi [LiM] 1:18). Me anë të frymëzimit, Jakobi e kuptoi se populli i tij kishte nevojë që të mësohej me “shumë guxim”, sepse ata kishin “fill[uar] të jetoni[n] në mëkat” (Jakobi [LiM] 2:7, 5). Këto mëkate ishin pak a shumë ato me të cilat njerëzit hasin vështirësi sot: dashuria për pasuri dhe pamoralshmëria seksuale. Dhe prapëseprapë, ndërkohë që Jakobi ndjeu se duhej ta dënonte këtë ligësi, zemra e tij gjithashtu vuante për viktimat e saj, zemrat e të cilëve ishin “shpuar me plagë të rënda” (Jakobi [LiM] 2:35). Jakobi gjithashtu dëshmoi se shërimi për të dyja grupet – mëkatarin dhe të plagosurin shpirtërisht – vjen nga Shpëtimtari Jezu Krisht. Mesazhi i Jakobit, ashtu si mesazhi i Nefit përpara tij, ishte një thirrje që të “pajtoh[emi] me [Perëndinë], nëpërmjet shlyerjes së Krishtit” (Jakobi [LiM] 4:11).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Jakobi [LiM] 1:6–8, 15–19; 2:1–11
Zoti dëshiron që unë ta lartësoj thirrjen time.
Për Jakobin, të jepte mësim fjalën e Perëndisë ishte më shumë se sa një detyrë nga i vëllai – ishte një “detyrë nga Zoti”, kështu që ai punoi me zell për ta “lartësua[r] detyrën [e tij]” (Jakobi [LiM] 1:17, 19). Presidenti Gordon B. Hinkli dha mësim se ne i lartësojmë thirrjet tona “kur shërbejmë me zell, kur japim mësim me besim e dëshmi, kur i ngremë dhe i forcojmë e i ndërtojmë bindjet për drejtësinë, tek ata jetët e të cilëve ne i prekim” (“Magnify Your Calling”, Ensign, maj 1989, f. 47). Mendoni për vetë “detyr[at tuaja] nga Zoti” teksa lexoni Jakobin [LiM] 1:6–8, 15–19 dhe 2:1–11. Përse shërbeu Jakobi me kaq besnikëri? Çfarë ju frymëzon shembulli i tij që të bëni për t’i lartësuar thirrjet tuaja në Kishë dhe përgjegjësitë tuaja në shtëpi?
Zoti kënaqet në dëlirësi.
Mëkati ka pasoja për individët dhe për shoqëritë. Duke folur për mëkatin seksual, Jakobi paralajmëroi për të dyja llojet e pasojave. Kur ju i lexoni Jakobin [LiM] 2:31–35 dhe 3:10, kërkoni për mënyrat se si pamoralshmëria po ndikonte te nefitët si popull dhe si individë. Si janë këto mënyra të ngjashme me pasojat e pamoralshmërisë që shikoni në botën e sotme? Çfarë gjeni te fjalët e Jakobit që mund t’ju ndihmojë t’i mësoni një njeriut tuaj të dashur rreth rëndësisë së dëlirësisë? Si jeni bekuar nga përpjekjet tuaja për të qenë të dëlirë?
Vini re që Jakobi foli edhe për praktikën e pasjes të më shumë se një bashkëshorteje. Çfarë gjeni te Jakobi [LiM] 2:23–30 që ju ndihmon të kuptoni përse Zoti e ka urdhëruar popullin e Tij, në situata të kufizuara, që ta praktikojë martesën me shumë gra? Si ndihet Ai rreth atyre që e bëjnë këtë pa autorizimin e Tij?
Unë mund të pajtohem me Perëndinë nëpërmjet Shlyerjes së Jezu Krishtit.
Jakobi iu përgjërua popullit të tij që të “pajtoh[eshin] me [Perëndinë], nëpërmjet shlyerjes së Krishtit” (Jakobi [LiM] 4:11). Si mendoni ju, çfarë do të thotë kjo? A do të kishte dobi po ta kërkoni fjalën pajtoj në një fjalor? Ndoshta ju mund të gjeni fjalë ose fraza në këtë kapitull që ju sugjerojnë mënyrën se si mund të vini te Krishti, që të mund të pajtoheni me Perëndinë. Për shembull, Jakobi dha mësim se ligji i Moisiut u dha që t’i drejtonte njerëzit për te Jezu Krishti (shih Jakobi [LiM] 4:5). Çfarë ka siguruar Perëndia për t’ju drejtuar juve për te Krishti? Si po i përdorni këto gjëra për t’u afruar më pranë Perëndisë?
Shih edhe 2 Nefi 10:24.
Unë mund ta shmang verbërinë shpirtërore duke u përqendruar te Shpëtimtari.
Ndërsa Jakobi kërkoi ta kthente popullin e tij më plotësisht te Zoti, ai i paralajmëroi ata të mos ishin të verbër shpirtërisht dhe të mos i përçmonin “fjalët e qartësisë” së ungjillit (shih Jakobi [LiM] 4:13–14). Plaku Kuentin L. Kuk paralajmëroi për probleme të ngjashme në kohën tonë: “Ka një prirje mes disa prej nesh që të ‘[shohin] përtej shenjës’, në vend që të ruajnë një dëshmi të bazave të ungjillit. Ne e bëjmë këtë kur i zëvendësojmë filozofitë e njerëzve me të vërtetat e ungjillit, bëhemi fanatik për ungjillin … apo i çmojmë rregullat më tepër se doktrinën. Shmangia e këtyre sjelljeve do të na ndihmojë që t’i shmangim verbërinë dhe pengesat teologjike që përshkroi Jakobi (“Looking beyond the Mark”, Ensign, mars 2003, f. 42).
Sipas Jakobit [LiM] 4:8–18, çfarë mund të bëjmë ne për t’u përqendruar te Shpëtimtari dhe për ta shmangur verbërinë shpirtërore?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Jakobi [LiM] 1:6–8, 15–19; 2:1–11; 4:18
Cilat fjalë dhe fraza në këto vargje e përçojnë dashurinë që ndjeu Jakobi për ata që ai i udhëhiqte? Çfarë kanë bërë udhëheqësit e Kishës sonë për të na ndihmuar që ta ndjejmë “dëshirë[n] dhe shqetësim[in e tyre] për mirëqenien e shpirtrave t[anë]”? (Jakobi [LiM] 2:3.) Ndoshta pjesëtarë të familjes mund të tregojnë për mënyrat se si mund t’i mbështetim udhëheqësit tanë të Kishës. Ju mund të planifikoni të bëni diçka si familje për udhëheqësit vendorë të Kishës, të tilla si t’u shkruani shënime që t’i falënderoni për shërbimin e tyre apo t’i kujtoni ata dhe familjet e tyre në lutjet tuaja.
Jakobi [LiM] 2:8
Si e shëron fjala e Perëndisë “shpirtin e plagosur”?
Jakobi [LiM] 2:12–21
Çfarë na mësojnë këto vargje rreth mënyrës se si ta shohim pasurinë materiale? Çfarë po bëjmë për t’i ndihmuar të tjerët që kanë nevojë për ndihmën tonë?
Jakobi [LiM] 3:1–2
Çfarë do të thotë të jesh i “kulluar në zemër” dhe “të shiko[sh] te Perëndia me fortësi të mendjes”?
Jakobi [LiM] 4:4–11
Një mënyrë për ta ndihmuar familjen tuaj të kuptojë se çfarë do të thotë të jenë të “patundur” në besimin e tyre, do të ishte të gjenit një pemë të madhe aty pranë dhe t’u kërkoni pjesëtarëve të familjes që të shkundin degë të veçanta. Më pas lërini që të përpiqen ta shkundin trungun. Përse është më e vështirë ta shkundësh trungun? Çfarë mund të mësojmë nga mësimet e Jakobit rreth mënyrës se si të zhvillojmë një besim që është “i patundur”?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.