Eja, Më Ndiq
9–15 Mars. Jakobi [LiM] 1–4: “Pajtohuni me Perëndinë nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit”


“9–15 Mars. Jakobi [LiM] 1–4: ‘Pajtohuni me Perëndinë nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“9–15 Mars. Jakobi [LiM] 1–4”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

grua duke u gjunjëzuar te këmbët e Jezusit

E falur, nga Greg K. Olsen

9–15 Mars

Jakobi [LiM] 1–4

Pajtohuni me Perëndinë nëpërmjet Shlyerjes së Krishtit

Ndërsa lexoni Jakobin [LiM] 1–4, përsiatni se cilat parime prej këtyre kapitujve janë më të rëndësishme që fëmijët t’i mësojnë. Kërkoni udhërrëfim shpirtëror për të ditur se si t’i jepni mësim më së miri këto parime dhe shënojini mbresat tuaja.

Shënojini Mbresat Tuaja

ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Ftojini fëmijët të tregojnë diçka që bënë ata ose familja e tyre këtë javë për të mësuar nga Jakobi [LiM] 1–4. Ju gjithashtu mund t’u kërkoni atyre të tregojnë diçka që e kujtojnë nga mësimi i javës së kaluar. Çfarë pyetjesh mund të bëni për t’i ndihmuar ata që ta kujtojnë [atë]?

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

Jakobi [LiM] 1:6–8, 18; 2:1–11

Perëndia i thërret udhëheqësit e Kishës që të më ndihmojnë ta ndjek Jezu Krishtin.

Ndihmojini fëmijët të kuptojnë se ata do të bekohen nga ndjekja e këshillës së udhëheqësve të Kishës.

Veprimtari të Mundshme

  • Bëni kukulla të thjeshta për të përfaqësuar Jakobin dhe Jozefin, vëllezërit më të vegjël të Nefit, të cilët ishin udhëheqës në Kishë. Tregoni disa vargje nga Jakobi [LiM] 1 dhe 2 për të shpjeguar atë që janë thirrur të bëjnë udhëheqësit e Kishës. Për shembull, udhëheqësit na bindin të “besoj[m]ë në Krisht” (Jakobi [LiM] 1:8), na ftojnë të pendohemi (shih Jakobi [LiM] 2:5–6, 9–10) dhe ta “njoftoj[më] fjalën e Perëndisë” (Jakobi [LiM] 2:2, 11). Lërini fëmijët t’i përdorin kukullat për t’u hequr sikur po i bëjnë disa prej këtyre gjërave.

  • Ftojini fëmijët të përmendin disa udhëheqës të Kishës që ata i njohin, si udhëheqëset e Fillores, anëtarët e peshkopatës, profetët dhe apostujt. Ndihmojini fëmijët të mendojnë për mënyrat se si na bekojnë këta udhëheqës.

dy burra duke shtrënguar duart mbi një tryezë

Udhëheqësit tanë të Kishës na ndihmojnë ta ndjekim Jezu Krishtin.

Jakobi [LiM] 2:12–14, 17–21

Unë mund t’i ndihmoj njerëzit në nevojë kur e ndaj atë që kam me ta.

A i kuptojnë fëmijët të cilëve u jepni mësim bekimet që vijnë kur e ndajnë atë që kanë me njerëzit në nevojë? Si mund t’i ndihmoni të dinë se Ati Qiellor dhe Jezusi duan prej tyre që t’i ndihmojnë të tjerët?

Veprimtari të Mundshme

  • Shpjegoni se disa njerëz në kohën e Jakobit ishin shumë të pasur, por ata nuk donin ta ndanin atë që kishin me njerëzit që ishin të varfër. Lexojeni Jakobin [LiM] 2:17–19 për t’i ndihmuar fëmijët t’i kuptojnë mësimet e Jakobit drejtuar këtyre njerëzve. Teksa e bëni këtë, jepuni fëmijëve figura ose sende për t’i mbajtur, të cilat shkojnë me fjalët ose frazat në këto vargje.

  • Ftojini fëmijët t’i interpretojnë me gjeste mënyrat se si mund ta ndajnë atë që kanë me dikë në nevojë. Dëshmoni se ne bekohemi kur e ndajmë atë që kemi me të tjerët.

  • Sillni diçka në klasë, të cilën ju mund ta ndani me fëmijët. Jepini pak prej saj çdo fëmije dhe shpjegoni se ju po e ndani atë. Pyetini se si u ndien kur ju e ndatë atë që kishit me ta. Si ndihen ata kur e ndajnë atë që kanë me të tjerët? Ndihmojini të mendojnë për diçka që mund ta ndajnë, për ta ndihmuar dikë të ndihet i lumtur.

Jakobi [LiM] 4:6

Unë mund ta forcoj besimin tim te Jezu Krishti.

Ndërsa Jakobi jetonte me drejtësi, pavarësisht nga ligësia rreth tij, besimi i tij u bë aq i fortë sa nuk mund të lëkundej. Përsiatni se si mund t’i ndihmoni fëmijët të kuptojnë se çfarë do të thotë të kenë një besim që nuk mund të lëkundet.

Veprimtari të Mundshme

  • Ndihmojini fëmijët të mendojnë për gjërat që bëjnë, për ta bërë trupin e tyre më të fortë. Çfarë mund të bëjmë ne për ta bërë më të fortë besimin tonë? Hapini shkrimet e shenjta te Jakobi [LiM] 4:6 dhe ndihmojini fëmijët të zbulojnë atë që bënë Jakobi dhe populli i tij për ta bërë besimin e tyre të “patundur”.

  • Këndoni me fëmijët “The Wise Man and the Foolish Man [Burri i Urtë dhe Burri i Marrë]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 132). Në njërën anë të tabelës, vizatoni një shtëpi të ndërtuar mbi rërë. Në anën tjetër të tabelës, vizatoni një shtëpi të ndërtuar mbi një shkëmb. Nëse është e mundur, sillni rërë dhe një gur në klasë. Cila është më e lehtë për t’u tundur apo për t’u lëvizur? Si duam që të jetë besimi ynë, si rëra apo si guri?

ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

Jakobi [LiM] 1:6–8, 18; 2:1–6, 11

Perëndia i thërret udhëheqësit e Kishës që të më ndihmojnë ta ndjek Jezu Krishtin.

Fëmijët të cilëve u jepni mësim do të bekohen kur i mirëbesojnë dhe e ndjekin këshillën e udhëheqësve të Kishës.

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojeni me fëmijët Jakobin [LiM] 1:6–8 dhe 2:1–6, 11, duke i ndihmuar të kërkojnë fraza që përshkruajnë mënyrën se si e udhëheqin Kishën shërbëtorët e Perëndisë. Kërkojuni atyre t’i shkruajnë këto fraza në fletë letre dhe pastaj t’i paraqesin letrat në tabelë. Pse thërret Perëndia udhëheqës Kishe që të na udhërrëfejnë? Kërkojuni fëmijëve të tregojnë përvoja që lidhen me të mësuarin ose marrjen e udhërrëfimit nga një udhëheqës ose mësues në Kishë dhe bekimet që morën ata.

  • Kërkojuni fëmijëve të bëjnë një vizatim të një udhëheqësi të Kishës për të cilin kanë njohuri dhe lëreni pjesën tjetër të klasës që të hamendësojnë se kë vizatuan. Çfarë bëjnë këta udhëheqës për të na ndihmuar që ta ndjekim Jezu Krishtin? Ftojini fëmijët t’u shkruajnë shënime udhëheqësve të Kishës, duke i falënderuar për shërbimin e tyre.

  • Ftojeni një udhëheqës/e vendor/e të Kishës që t’u tregojë fëmijëve se çfarë bën ai ose ajo për ta përmbushur thirrjen e tij apo të saj. Kërkojuni fëmijëve të përmendin disa gjëra që mund të bëjnë për t’i mbështetur udhëheqësit e tyre.

Jakobi [LiM] 2:12–14, 17–21

Unë mund t’i ndihmoj të tjerët duke e ndarë atë që kam me ta.

Pasuesit e vërtetë të Jezu Krishtit janë të gatshëm ta ndajnë atë që kanë me të tjerët. Nxitini fëmijët t’u sjellin gëzim atyre që janë në nevojë duke e ndarë atë që kanë me ta.

Veprimtari të Mundshme

  • Tregojuni fëmijëve se shumë njerëz në kohën e Jakobit u bënë krenarë dhe të ashpër ngaqë donin pasuritë (shih Jakobi [LiM] 2:12–14, 17–21). Ftojini disa fëmijë që ta lexojnë Jakobin [LiM] 2:17–19 me zë të lartë dhe ndihmojini të kuptojnë ndonjë fjalë të vështirë. Çfarë duhet të kërkojmë përpara se të kërkojmë pasuri? Çfarë duhet të kërkojmë të bëjmë me çfarëdo lloj pasurie që marrim?

  • Lexojuni fëmijëve Jakobin [LiM] 2:17. Çfarë bekimesh ka ndarë Ati Qiellor me ne? Përse dëshiron Ai që ta ndajmë atë që kemi me njëri-tjetrin? Ftojini fëmijët të tregojnë raste kur e kanë ndarë diçka me dikë tjetër, përfshirë mënyrën se si u ndien ata dhe mënyrën se si u ndie personi tjetër.

Jakobi [LiM] 4:4–13, 17

Unë mund ta forcoj besimin tim te Jezu Krishti.

Besimi i Jakobit u bë i patundur ndërsa i shqyrtonte fjalët e profetëve dhe mori dëshminë e tij vetjake (shih Jakobi [LiM] 4:6). Si mund t’i ndihmoni fëmijët të dëshirojnë të ndërtojnë një besim që nuk mund të lëkundet?

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët të mendojnë për gjërat që bëhen të forta dhe të sigurta me kalimin e kohës, të tillë si një pemë e madhe. Në ç’mënyrë është besimi si gjërat për të cilat ata menduan? Cilat fraza te Jakobi [LiM] 4:6, 10–11, e përshkruajnë atë që mund të bëjmë ne për ta bërë të patundur besimin tonë? Kërkojuni fëmijëve të bëjnë një listë në tabelë mbi mënyrat se si mund ta forcojnë besimin e tyre te Jezu Krishti.

  • Tregoni analogjinë e Plakut Nil L. Andersen, të pemës që u rrit në një mjedis me erëra, e cila gjendet në mesazhin e tij “Vorbullat e Erërave Shpirtërore” (Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 18–21), ose shfaqni materialin filmik “Spiritual Whirlwinds” [“Vorbullat e Erërave Shpirtërore”] (ChurchofJesusChrist.org). Pse është e rëndësishme që besimi ynë të jetë i patundur dhe i fortë si trungu i një peme? Çfarë përfaqësojnë vorbullat? Çfarë mund të bëjmë për të ndërtuar një besim të patundur? Ndihmojini fëmijët të mendojnë për analogji të tjera, të cilat na mësojnë të kemi një besim që nuk mund të lëkundet.

    2:25
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ftojini fëmijët të mendojnë për diçka që mund ta ndajnë me familjet e tyre – duke përfshirë të ndajnë diçka që e mësuan në klasë sot. Jepuni mundësi në një mësim të ardhshëm që të flasin për atë që ndanë.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Nxiteni nderimin. Ndihmojini fëmijët që të kuptojnë se një aspekt i rëndësishëm i nderimit është të mendojnë rreth Atit Qiellor dhe Jezu Krishtit. Ju mund t’u kujtoni atyre të jenë nderues, duke e kënduar pa zhurmë ose nën zë një këngë, apo duke treguar një figurë të Jezusit.