“16–22 Mars. Jakobi [LiM] 5–7: ‘Zoti Punon me Ne’”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“16–22 Mars. Jakobi [LiM] 5–7”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020
16–22 Mars
Jakobi [LiM] 5–7
Zoti Punon me Ne
Studioni, përsiatni dhe lutuni që të dini se si mund t’u mësoni më së miri fëmijëve të vërtetat që gjenden te Jakobi [LiM] 5–7. Shënoni çdo mbresë që merrni.
Shënojini Mbresat Tuaja
Ftojini të Tregojnë
Për të filluar një diskutim rreth mesazheve që gjenden te Jakobi [LiM] 5–7, ftojini fëmijët të flasin për gjëra në jetën e tyre që i ndihmojnë ta ndiejnë dashurinë e Atit Qiellor dhe të Jezu Krishtit. Si e tregojmë ne dashurinë tonë për të tjerët?
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël
Misionarët u shërbejnë fëmijëve të Atit Qiellor.
Përsiatni se si mund ta tregoni alegorinë e pemëve të ullirit në një mënyrë që fëmijët të mund ta kuptojnë.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregoni figurën e një peme ose bëni një shëtitje jashtë për të parë një pemë, dhe rishikojini shkurtimisht pikat kryesore të alegorisë së pemëve të ullirit te Jakobi [LiM] 5. Për shembull: Zoti i vreshtit (i cili mund të përfaqësojë Jezusin) punoi vërtet shumë që të kujdesej për pemët e tij të ullirit (të cilat mund të përfaqësojnë njerëzit në tokë), sepse Ai shqetësohej kaq shumë për to. Ai thirri punëtorë (të cilët mund të përfaqësojnë misionarët) që të ndihmojnë në përkujdesjen për pemët. Zgjidhni një ose dy vargje nga Jakobi [LiM] 5 që t’ua lexoni fëmijëve (të tilla si vargjet 71–72).
-
Pyetini fëmijët nëse njohin dikë që ka shërbyer në një mision ose flisni për dikë që ju e njihni. Ndihmojini fëmijët të gjejnë në një hartë vendet ku po shërbejnë ata misionarë. Shpjegoni se Jakobi e krahasoi botën me një grup pemësh ulliri. Pemët janë si njerëzit në tokë dhe kujdesi për ato pemë është si ajo që bëjnë misionarët për fëmijët e Perëndisë. Çfarë bëjnë misionarët për t’i bekuar fëmijët e Atit Qiellor? Kërkoni së bashku disa përgjigje për këtë pyetje në një këngë të tillë si “Thirrur t’i Shërbejm” (Himne, f. 158). Si mund të jemi si misionarët?
Ati im Qiellor më do mua.
Si mund ta mësoni klasën tuaj se Perëndia i do të gjithë fëmijët e Tij dhe e shtrin “krahu[n e] tij [të] mëshirës” drejt tyre?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët që t’i japin vetes një përqafim. Si ndihemi kur dikush që na do na jep një përqafim? Lexojuni fëmijëve Jakobin [LiM] 6:5 dhe shpjegoni se frazat “[Perëndia] qëndron besnik te ju” dhe “krahu i tij i mëshirës është shtrirë drejt jush”, na mësojnë se Ati Qiellor na do dhe dëshiron që një ditë të kthehemi tek Ai.
-
Këndoni së bashku një këngë rreth dashurisë, të tillë si “I Feel My Savior’s Love [T’Shpëtuesit Dashuri Ndiej]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 42). Ftojini fëmijët që t’i përmendin gjërat që i ndihmojnë ta ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit.
Unë mund ta mbroj atë që e di se është e vërtetë.
Jakobi është një shembull i shkëlqyer i dikujt, dëshmia e vendosur e të cilit e ndihmoi ta mbronte të vërtetën përballë kundërshtimit.
Veprimtari të Mundshme
-
Tregojeni historinë e Jakobit dhe të Sheremit (Jakobi [LiM] 7:1–23) në një mënyrë që fëmijët të mund ta kuptojnë. Ju mund të përdorni “Kapitullin 10: Jakobi dhe Sheremi”, (Tregime të Librit të Mormonit, f. 27–29). Më pas tregojeni sërish historinë, por kësaj radhe lejojini fëmijët që të ndihmojnë në plotësimin e hollësive. Pyetini ata se çfarë mësojnë nga Jakobi. Si mund ta ndjekim shembullin e Tij?
-
Ftojini fëmijët të këndojnë një këngë rreth zgjedhjes të së drejtës, të tillë si “Dare to Do Right [Guxo të Veprosh Drejt’]” ose “Stand for the Right [Qëndro për të Drejtën]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 80, 81). Kërkojuni atyre që të ngrihen në këmbë kurdoherë që këndojnë fjalë si e drejtë ose e vërtetë.
Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj
Zoti kujdeset për popullin e tij.
Jakobi e tregoi alegorinë e pemëve të ullirit që të ndihmonte për ta ftuar popullin e Tij të vinte te Krishti. Ajo mund të përmbushë të njëjtin qëllim për fëmijët të cilëve u jepni mësim.
Veprimtari të Mundshme
-
Lexojuni dhe shpjegojuni fëmijëve vargjet kyç që përmbledhin alegorinë e pemëve të ullirit, të tilla si Jakobi [LiM] 5:3–4, 28–29, 47 dhe 70–72, dhe ftojini fëmijët që të vizatojnë figura të asaj që përshkruhet në këto vargje. Çfarë mësojmë nga këto vargje për atë çka ndien Zoti për popullin e Tij? Kërkojuni fëmijëve të hiqen sikur po kujdesen për një pemë ulliri, ndërsa i përmblidhni shkurtimisht vargjet 61–71 (ata mund ta interpretojnë me gjeste të gërmuarit, ujitjen e kështu me radhë). Ftojini disa fëmijë ta lexojnë Jakobin [LiM] 5:11, 41, 47 dhe 72, duke kërkuar gjëra që tregojnë se sa shumë kujdesej Zoti i vreshtit (Jezu Krishti) për pemët. Çfarë bën Shpëtimtari që të tregojë se Ai kujdeset për ne?
-
Renditini në tabelë disa nga simbolet te Jakobi [LiM] 5, të tilla si vreshti, zoti i vreshtit, shërbëtori dhe pemët e ullirit. Pastaj bëni një listë tjetër me [renditje] rastësore të gjërave që mund të përfaqësojnë këto simbole, si bota, Shpëtimtari, udhëheqësit e kishës ose misionarët dhe populli i Perëndisë. Lexojini së bashku vargjet nga Jakobi [LiM] 5, të cilat i përmendin këto simbole dhe ndihmojini fëmijët të vizatojnë vija në tabelë që i lidhin simbolet me kuptimet e tyre të mundshme (shih, për shembull, vargjet 3–4, 28–29, 47, 70–72).
Ati Qiellor më do dhe do të më falë kur të pendohem.
Është e rëndësishme t’i ndihmoni fëmijët të cilëve u jepni mësim që të kuptojnë se Perëndia i do ata dhe gjithmonë do t’i falë kur pendohen sinqerisht.
Veprimtari të Mundshme
-
Bëni në dërrasë një tabelë me dy kolona, të titulluara Ati Qiellor dhe Ne. Lexojeni së bashku Jakobin [LiM] 6:4–5, dhe vëreni gjysmën e klasës të kërkojë frazat që zbatohen për Perëndinë dhe gjysmën tjetër që të kërkojë frazat që zbatohen për ne. Shënojeni në kolonën e duhur atë që ata zbulojnë. Ndihmojini t’i përkufizojnë fjalët që nuk i kuptojnë.
-
Tregoni historinë e Plakut Alen D. Hejni që u bë pis në një gropë me baltë, treguar në mesazhin e tij “Të Kujtojmë në Cilin Kemi Besuar” (Ensign ose Liahona, nëntor 2015, f. 121–122). Çfarë na mëson kjo histori për atë që kemi nevojë të bëjmë që të shpëtohemi në mbretërinë e Perëndisë? Çfarë tjetër mësojmë nga Jakobi [LiM] 6:4–5?
Unë mund ta mbroj atë që e di se është e vërtetë.
Si mund t’i frymëzoni fëmijët që ta mbrojnë të vërtetën ashtu siç bëri Jakobi?
Veprimtari të Mundshme
-
Ftojini fëmijët që ta interpretojnë ndërveprimin ndërmjet Jakobit dhe Sheremit, duke përdorur si udhërrëfyes Jakobin [LiM] 7:1–23. Kërkojuni fëmijëve të flasin për pjesët e tyre të parapëlqyera të historisë. Si qëndroi Jakobi për atë që ai e dinte se ishte e drejtë? Ftojini fëmijët të tregojnë përvoja kur ata e mbrojtën të drejtën, ose tregoni një përvojë tuajën.
-
Ftojini fëmijët të këndojnë një këngë rreth zgjedhjes të së drejtës, të tillë si “Dare to Do Right [Guxo të Veprosh Drejt’]” ose “Stand for the Right [Qëndro për të Drejtën]”(Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 80, 81). Ndajini ata në grupe dhe ftojini që të krijojnë një banderolë ose afishe të frymëzuar që përfaqëson diçka të cilën ata e mbrojnë ose në të cilën besojnë.
Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi
Ftojini fëmijët të mendojnë për një mënyrë se si mund t’i ndihmojnë familjet e tyre ta ndiejnë dashurinë e Shpëtimtarit – për shembull, duke shpjeguar atë që mësuan rreth mënyrës se si u kujdes Zoti i vreshtit për pemët e tij të ullirit.