“16–22 Mars. Jakobi [LiM] 5–7: ‘Zoti Punon me Ne’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“16–22 Mars. Jakobi [LiM] 5–7”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
16–22 Mars
Jakobi [LiM] 5–7
Zoti Punon me Ne
Leximi i shkrimeve të shenjta fton zbulesën. Kështu që, ndërsa e lexoni Jakobin [LiM] 5–7, kërkoni udhërrëfim nga Shpirti për t’ju ndihmuar juve dhe familjen tuaj. Çfarë mesazhesh ka Zoti për ju?
Shënojini Mbresat Tuaja
Ka vërtet shumë njerëz që nuk e kanë dëgjuar ende ungjillin e Jezu Krishtit. Nëse ndonjëherë ndiheni të mbingarkuar nga detyra vigane për t’i mbledhur ata në Kishën e Zotit, alegoria e pemëve të ullirit te Jakobi [LiM] 5, ka një kujtues që të jep siguri: vreshti i përket Zotit. Ai i ka dhënë secilit prej nesh një hapësirë të vogël për ta ndihmuar në punën e Tij – familjen tonë, rrethin tonë të miqve, sferën tonë të ndikimit. Dhe ndonjëherë, personi i parë që ndihmojmë për ta mbledhur është vetja jonë. Por ne nuk jemi kurrë vetëm në këtë punë, pasi Zoti i vreshtit punon krah për krah me shërbëtorët e Tij (shih Jakobi [LiM] 5:72). Perëndia i njeh dhe i do fëmijët e Tij dhe Ai do të përgatitë një udhë për secilin prej tyre që ta dëgjojë ungjillin e Tij, edhe për ata që e kanë refuzuar Atë në të shkuarën (shih Jakobi [LiM] 4:15–18). Dhe atëherë, kur puna të ketë mbaruar, të gjithë ata që kanë qenë “të zellshëm [për] të punuar me [Të] … do të ken[ë] gëzim me [Të] për shkak të frutit të vreshtit [të Tij]” (Jakobi [LiM] 5:75).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Çfarë është një alegori?
Alegoritë janë histori që na mësojnë të vërteta shpirtërore nëpërmjet simboleve. Tek alegoria e pemëve të ullirit, për shembull, një vresht përfaqëson botën, një pemë ulliri e butë përfaqëson Izraelin (ata që kanë bërë besëlidhje me Perëndinë) dhe pemët e ullirit të egër përfaqësojnë kombet johebrease (ata që nuk kanë bërë besëlidhje me Perëndinë).
Teksa e studioni alegorinë te Jakobi [LiM] 5, kërkoni simbole të tjera dhe përsiatni se çfarë kuptimi kanë. Për shembull, çfarë mendoni se përfaqëson fruti i mirë? Çfarë mund të simbolizojë fruti i keq?
Jezu Krishti është Zoti i vreshtit.
Përpara se ta filloni studimin tuaj të alegorisë së pemëve të ullirit te Jakobi [LiM] 5, mund të jetë e dobishme ta rishikoni Jakobin [LiM] 4:10–18 për të mësuar arsyen se përse Jakobi u ndie i frymëzuar t’ia tregonte këtë alegori popullit të vet. Te Jakobi [LiM] 6:3–5, ju mund të gjeni disa mesazhe të tjera që Jakobi donte të theksonte; kërkojini këto mesazhe tek alegoria. Çfarë mesazhesh gjeni për veten tuaj te Jakobi [LiM] 5?
Jakobi [LiM] 5 është një kapitull i gjatë – më i gjati në Librin e Mormonit. Ndoshta do të ndihmonte po ta ndanit atë në pjesët vijuese, të cilat përshkruajnë periudhat e historisë së botës:
-
Vargjet 3–14:Shpërndarja e Izraelit përpara kohës së Krishtit
-
Vargjet 15–28:Shërbesa e Krishtit dhe e Apostujve
-
Vargjet 29–49:Braktisja e Madhe
-
Vargjet 50–76:Mbledhja e Izraelit në ditët e mëvonshme
-
Vargjet 76–77:Mijëvjeçari dhe fundi i botës
Për ide shtesë rreth alegorisë, shihni skicën që e shoqëron këtë përvijim.
Perëndia më fton ta ndihmoj Atë që t’i mbledh fëmijët e Tij.
“Shërbëtorë[t e] tjerë” (Jakobi [LiM] 5:70), të cilët u thirrën në vreshtin e Zotit përfshijnë njerëz si ju – si anëtarë të Kishës, ne jemi të gjithë përgjegjës për ta ndihmuar Perëndinë që t’i mbledhë fëmijët e Tij. Çfarë parimesh gjeni te Jakobi [LiM] 5, veçanërisht vargjet 61–62 dhe 70–75, rreth të punuarit në vreshtin e Zotit? Si e keni ndier Atë t’ju thërrasë për të shërbyer në vreshtin e Tij? Çfarë përvojash keni pasur ndërkohë që keni marrë pjesë në punën e Tij?
Shih edhe “Old Testament Olive Vineyard” [“Vreshti i Ullirit në Dhiatën e Vjetër”], “Help the Church Grow” [“Ndihmojeni Kishën të Rritet”] (materiale filmike, ChurchofJesusChrist.org).
Unë mund të qëndroj i fortë kur të tjerët e sfidojnë besimin tim.
Përvoja e nefitëve me Sheremin përsëritet shpesh sot: mund të ketë njerëz të mësuar [e] gojëtarë, të cilët përpiqen t’jua shkatërrojnë besimin. Por Jakobi “nuk mund të lëkunde[j]” (Jakobi [LiM] 7:5). Si reagoi Jakobi kur besimi i tij u sulmua? Çfarë mësoni nga përgjigjet e tij? Çfarë mund të bëni tani që të përgatiteni për rastet kur besimi juaj do të sfidohet?
Shih edhe Xhefri R. Holland, “Çmimi – dhe Bekimet – e të Qenit Dishepull”, Ensign ose Liahona, maj 2014, f. 6–9.
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Jakobi [LiM] 5
Disa familje e kanë parë të dobishme që t’i vizatojnë simbolet nga alegoria e pemëve të ullirit ndërkohë që e lexojnë atë. Familjes suaj mund t’i pëlqejë kjo qasje, ose mund të ketë një mënyrë tjetër se si mund t’i ndihmoni pjesëtarët e familjes që t’i përfytyrojnë simbolet në alegori. Ndoshta ju mund të shenjoni një zonë në tavolinë apo në dysheme për të simbolizuar vreshtin (ose botën) dhe ta përshkruani pemën e ullirit të butë (apo shtëpinë e Izraelit) me një send, të tillë si një figurëformuese, që mund të ndahet në pjesë (për të simbolizuar shpërndarjen e Izraelit) dhe pastaj bashkojeni sërish (për të simbolizuar mbledhjen e Izraelit). Çfarë na mëson kjo alegori rreth Zotit? Po rreth shërbëtorëve të Tij?
Jakobi [LiM] 5:70–77
Ndërsa lexoni rreth “herë[s së] fundit” që Zoti punon në vreshtin e Tij, çfarë ju frymëzon juve dhe familjen tuaj për t’i shërbyer Zotit “me fuqinë tuaj”? (Jakobi [LiM] 5:71.) Ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes që ta personalizojnë vargun 75 duke i shtuar emrat e tyre në këtë varg – për shembull, “[I] bekuar je [emri]”. Ndofta ata mund të tregojnë përvoja kur ndien gëzim tek i shërbyen Zotit të vreshtit, për shembull, nëpërmjet shpërndarjes së ungjillit, shërbimit në tempull apo forcimit të anëtarëve të Kishës. (Shih edhe M. Rasëll Ballard, “Kini Besim te Zoti”, Ensign ose Liahona, nëntor 2013, f. 43–45.)
Jakobi [LiM] 6:4–7
Si e ka shtrirë Zoti krahun e Tij të mëshirës drejt nesh? Çfarë nënkuptojnë fjalët “qëndroj besnik” në këto vargje? Si qëndron Zoti besnik ndaj nesh? Si mund të qëndrojmë besnikë ndaj Tij?
Jakobi [LiM] 7:1–12
Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth mënyrës se si njerëzit përpiqen t’i çojnë të tjerët në udhë të gabuar? Si mund ta ndjekim shembullin e Jakobit dhe të jemi të vendosur në besimin tonë në Krisht?
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.