“17–23 Shkurt. 2 Nefi 11–25: ‘Ne Gëzohemi në Krishtin’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“17–23 Shkurt. 2 Nefi 11–25”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
17–23 Shkurt
2 Nefi 11–25
“Ne Gëzohemi në Krishtin”
Nefi dha mësim se fjalët e Isaias “janë të thjeshta për të gjithë ata që janë të mbushur me shpirtin e profecisë” (2 Nefi 25:4). Ndërsa lexoni, kërkoni shpirtin e profecisë duke e përgatitur veten tuaj shpirtërisht, duke e dëgjuar Shpirtin dhe duke i shënuar mbresat tuaja.
Shënojini Mbresat Tuaja
Gdhendja në fleta metali nuk është e lehtë dhe hapësira në fletët e vogla të Nefit ishte e kufizuar. Pra, përse do ta bënte Nefi përpjekjen e lodhshme për të kopjuar një sasi të madhe të shkrimeve të Isaias në analin e tij? Ai e bëri atë “që kushdo … që do t’i shikojë këto fjalë, mund t[a] ngrejë zemrën e tij dhe të gëzohet” (2 Nefi 11:8). Në njëfarë kuptimi, ftesa për t’i lexuar shkrimet e Isaias është një ftesë për t’u gëzuar. Ju mund të gjeni kënaqësi, ashtu siç bëri Nefi, në profecitë e Isaias rreth mbledhjes së Izraelit, ardhjes së Mesias dhe paqes së Mijëvjeçarit që iu është premtuar të drejtëve. Ju mund të gëzoheni që edhe në një ditë “ngatërres[e] dhe errësir[e]”, ju “k[eni] parë një dritë të madhe” (2 Nefi 18:22; 19:2). Ju mund të gëzoheni që mund të “merrni ujë nga puset e shpëtimit” (2 Nefi 22:3). Me fjalë të tjera, ju mund “të gëzohe[n]i në Krishtin” (2 Nefi 25:26).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Si mund t’i kuptoj më mirë mësimet e Isaias?
Nefi e pranoi se për disa, “fjalët e Isaias nuk janë të thjeshta” (2 Nefi 25:4). Kjo mund të jetë sigurisht e vërtetë për ata që nuk e njohin kulturën dhe gjeografinë e lashtë judease ashtu siç e njihte Nefi (shih 2 Nefi 25:6). Por Nefi dha gjithashtu këshilla për të na ndihmuar që të gjejmë kuptimin e shkrimeve të Isaias:
-
“Përshta[tini] fjalët e tij” me veten tuaj (2 Nefi 11:2).Shumë prej mësimeve të Isaias kanë kuptime dhe zbatime të mundshme të shumëfishta. Për shembull, shkrimet e tij rreth shpërndarjes dhe mbledhjes së Izraelit mund t’ju nxitin të mendoni rreth nevojës suaj për t’u “mbledhur” te Shpëtimtari.
-
Përpiquni të “mbush[eni] me shpirtin e profecisë” (2 Nefi 25:4).Mënyra më e mirë për t’i kuptuar profecitë e Isaias është të kërkoni frymëzim nga Shpirti. Lutuni për udhërrëfim shpirtëror. Ju mund të mos e kuptoni gjithçka njëherësh, por Shpirti mund t’ju ndihmojë të mësoni atë që keni nevojë të dini për jetën tuaj sot.
Ju mund ta gjeni gjithashtu të dobishme t’i referoheni ndihmave të studimit në shkrimet e shenjta, përfshirë poshtëshënimeve, krerëve të kapitujve, Udhëzuesit për Shkrimet e Shenjta e kështu me radhë.
“Udha e drejtë është që të besoni në Krisht.”
Nefi e bëri të njohur dhe e përfundoi citimin e tij nga Isaia duke shprehur dëshminë e tij për Jezu Krishtin (shih 2 Nefi 11:2–8; 25:19–29). Çfarë ju lë mbresa rreth dëshmisë së tij? Ndërsa studioni këtë javë, mendoni rreth dëshirave të Nefit për t’i “bind[ur] fëmijët [e tij] … të besojnë në Krisht dhe të pajtohen me Perëndinë” (2 Nefi 25:23), dhe vini re fragmentet që ju bindin të besoni te Jezu Krishti dhe ta ndiqni Atë.
Mund të jetë e dobishme të kujtoni se shumë prej mësimeve të Isaias rreth Shpëtimtarit përçohen nëpërmjet simboleve. Për shembull, ju mund ta shihni Shpëtimtarin në simbole të tilla si zoti i një vreshti (shih 2 Nefi 15:1–7), një gur (shih 2 Nefi 18:14) dhe një dritë (shih 2 Nefi 19:2). Çfarë simbolesh të tjera të Jezu Krishtit gjeni në këta kapituj? Çfarë ju mësojnë këto simbole rreth Tij?
Krenarët dhe njerëzit e kësaj bote do të përulen.
Nefi kishte parashikuar se krenaria do të shkaktonte rënien e popullit të tij (shih 1 Nefi 12:19). Pra, nuk është çudi që Nefi do t’i tregonte popullit të tij paralajmërimet e përsëritura të Isaias kundër krenarisë. Në kapitujt 12 dhe 13, kërkoni fjalët që përdori Isaia për të përshkruar krenarinë, të tilla si krenar dhe kryelartë. Më pas ju mund të përpiqeni t’i parafrazoni këto paralajmërime me vetë fjalët tuaja, sikur të ishit duke i shkruar një mesazh vetes suaj për ta paralajmëruar rreth krenarisë.
Shih edhe “Kapitulli 18: Ruhuni nga Krenaria” (Mësime të Presidentëve të Kishës: Ezra Taft Benson [2014], f. 243–256).
2 Nefi 12:2–5; 21:9–12; 22; 24:1–3
Në Mijëvjeçar, populli i Perëndisë do të gëzojë paqe.
Ju mund ta gjeni të dobishme që ta përfytyroni veten tuaj në vend të Nefit dhe popullit të tij. Përfytyroni sikur ikët nga Jerusalemi përpara se të shkatërrohej (shih 2 Nefi 25:10), dhe tani jeni pjesë e shpërndarjes së Izraelit. Si ju bëri të ndiheni leximi i mësimeve të Isaias rreth mbledhjes së ardhshme të Izraelit dhe një Mijëvjeçari paqësor? Si shenjtorë të ditëve të mëvonshme, ne jemi thirrur të ndihmojmë për ta mbledhur popullin e Perëndisë në ditët e mëvonshme në përgatitje për mbretërimin mijëvjeçar të Krishtit. Ndërsa i lexoni këto vargje, përsiatni se si po ndihmoni për t’i përmbushur profecitë e përshkruara në to. Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për të ndihmuar në mbledhjen e popullit të Perëndisë?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
2 Nefi 12:1–3
Nëse keni qenë në tempull – “mali i shtëpisë së Zotit” – ju mund t’i tregoni familjes suaj se si besëlidhjet e tempullit po ju ndihmojnë të “ec[ni] në shtigjet e [Zotit]”. Nëse nuk keni qenë në tempull, leximi i këtyre vargjeve së bashku mund të frymëzojë një diskutim rreth mënyrës se si mund të përgatiteni për bekimet e tempullit.
2 Nefi 15:18–23
A mund të mendojë familja juaj për shembuj bashkëkohorë të ideve të padrejta që përshkruhen në këto vargje? Si mund ta shmangim të qenit të mashtruar nga ide të rreme rreth së mirës dhe së keqes?
2 Nefi 21
Nëse familja juaj ka nevojë për ndihmë që ta kuptojë këtë kapitull (i cili përputhet me Isaian 11), ju mund të gjeni ide te Doktrina e Besëlidhje 113:1–6, në të cilën Profeti Jozef Smith i përgjigjet disa pyetjeve rreth Isaias 11. Çfarë mësojmë nga këto vargje rreth Jezu Krishtit?
2 Nefi 21:9
Cilat janë disa gjëra të veçanta që mund të bëjmë për të ndihmuar që ta mbushim tokën me “diturinë e Zotit”?
2 Nefi 25:23–26
Si mund t’i ndihmoni pjesëtarët e familjes suaj që të “gëzohe[n] në Krishtin”? Ndoshta ju mund t’i ftoni ata që të shkruajnë në shirita të vogla letrash gjëra rreth Shpëtimtarit që u sjellin atyre gëzim. Pastaj, gjatë mbrëmjeve të ardhshme familjare ose studimit të ardhshëm familjar të shkrimeve të shenjta, dikush mund të lexojë nga një shirit. Pjesëtarët e familjes mund të shtojnë shirita gjatë gjithë vitit.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.