Eja, Më Ndiq
3–9 Shkurt. 2 Nefi 1–5: “Ne Jetuam sipas Mënyrës së Lumturisë”


“3–9 Shkurt. 2 Nefi 1–5: ‘Ne Jetuam sipas Mënyrës së Lumturisë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“3–9 Shkurt. 2 Nefi 1–5”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Adami dhe Eva duke u larguar nga Kopshti i Edenit

Adami dhe Eva, nga Douglas Fryer

3–9 Shkurt

2 Nefi 1–5

“Ne Jetuam sipas Mënyrës së Lumturisë”

Shkrimet e shenjta mund të hapin derën drejt zbulesës vetjake. Ndërsa lexoni te 2 Nefi 1–5, ju mund të zbuloni se Zoti ka diçka të veçantë që Ai dëshiron t’jua mësojë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Nëse do ta dinit se jetës suaj po i vinte fundi, çfarë mesazhesh të fundit do të donit t’u jepnit atyre që i doni më shumë? Kur profeti Lehi ndjeu se po i afrohej fundit të jetës së vet, ai i mblodhi fëmijët e tij së bashku edhe një herë të fundit për të profetizuar dhe për t’i ndarë të vërtetat e ungjillit që i donte me njerëzit që donte. Ai dha mësim mbi lirinë, bindjen, Rënien e Adamit dhe të Evës, shëlbimin nëpërmjet Jezu Krishtit dhe gëzimin. Jo të gjithë fëmijët e tij e pranuan dëshminë e tij të fundit, por ata që e pranuan – së bashku me miliona njerëz që e lexojnë atë sot – gjetën në dëshminë e tij parime për të jetuar “sipas mënyrës së lumturisë” (2 Nefi 5:27).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

2 Nefi 2

Unë jam i lirë të zgjedh jetën e përjetshme.

Plaku D. Tod Kristoferson tha: “Perëndia ka si qëllim që fëmijët e Tij duhet të veprojnë në përputhje me lirinë e zgjedhjes morale që Ai ua ka dhënë atyre. … Është plani i Tij dhe vullneti i Tij që ne të kemi rolin kryesor të marrësit të vendimeve në vetë dramën e jetës sonë” (“Të Lirë Përgjithmonë, që të Veprojnë për Veten e Tyre”, Ensign ose Liahona, nëntor 2014, f.16). Në mësimet e tij mbi lirinë e zgjedhjes, Lehi përcaktoi kushte themelore që e bëjnë të mundur lirinë e zgjedhjes dhe na mundësojnë që të arrijmë potencialin tonë hyjnor, duke përfshirë sa vijon:

  1. Një njohuri të së mirës dhe së keqes (2 Nefi 2:5)

  2. Një ligj dhënë njerëzimit (2 Nefi 2:5)

  3. Zgjedhje të kundërta, joshëse (2 Nefi 2:11)

  4. Fuqi për të vepruar (2 Nefi 2:16)

Ndërsa lexoni te 2 Nefi 2, çfarë mësoni rreth secilit prej këtyre kushteve të lirisë së zgjedhjes dhe të lidhjes që kanë me njëri‑tjetrin? Çfarë do t’i ndodhte lirisë sonë të zgjedhjes nëse njëri apo më shumë prej këtyre kushteve do të mungonte? Çfarë tjetër mësoni nga fjalët e Lehit rreth lirisë së zgjedhjes?

2 Nefi 2:22–29

Rënia dhe Shlyerja e Jezu Krishtit janë pjesë themelore të planit të Atit Qiellor.

Shumë njerëz e shohin Rënien e Adamit dhe të Evës si një ngjarje tragjike. Megjithatë, mësimet e Lehit rreth Rënies zbulojnë përse ajo ishte një pjesë e domosdoshme e planit të Atit për përparimin tonë të përjetshëm. Ndërkohë që i lexoni këto vargje, kërkoni arsyen përse duhej të ndodhte Rënia me qëllim që ne – fëmijët e Atit Qiellor – të përparonim. Si na shëlboi nga Rënia sakrifica shlyese e Shpëtimtarit?

Shih edhe Moisiu 5:9–12; 6:51–62; “Fall of Adam and Eve” [“Rënia e Adamit dhe Evës”], Gospel Topics [Tema të Ungjillit], topics.ChurchofJesusChrist.org.

2 Nefi 3:6–24

Jozef Smithi u parashugurua për ta rivendosur ungjillin.

Pjesa e fundit e kapitullit te 2 Nefi 3 përmban një profeci të dhënë nga Jozefi i Egjiptit rreth një shikuesi të ardhshëm që do të kishte të njëjtin emër si ai (shih vargjet 14–15) – rreth Jozef Smithit. Kjo gjithashtu ka shumë për të thënë rreth misionit të Jozef Smithit. Çfarë na thonë vargjet 6–24 se Jozef Smithi, një “shikues i zgjedhur”, do të bënte për ta bekuar popullin e Perëndisë? Në ç’mënyrë ka qenë puna e Jozef Smithit “me vlerë të madhe” për ju?

Një pjesë e rëndësishme e misionit të Jozef Smithit ishte të nxirrte në dritë shkrimet e farës së Jozefit, të cilat përfshihen në Librin e Mormonit. Çfarë mësoni nga ky kapitull rreth rëndësisë së Librit të Mormonit?

Shih edhe Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Zanafilla 50:24–38 (në fund të Udhëzuesit për Shkrimet e Shenjta, [f. 221–223]).

profeti Jozef Smith

Profeti i Zotit, nga David Lindsley

2 Nefi 4:15–35

Unë mund t’i drejtohem Perëndisë në dobësinë time.

Kohët e fundit Nefi kishte humbur të atin. Përgjegjësia për ta udhëhequr familjen e tij tani binte mbi të. Ai u ndje i rrethuar nga tundimi dhe u shkurajua për shkak të mëkateve të tij. Ndonëse rrethanat tuaja janë të ndryshme nga ato të Nefit, ju mund të keni vetë disa prej mendimeve dhe emocioneve të tij të shënuara te 2 Nefi 4:15–35. Çfarë e ndihmoi Nefin në vuajtjet e tij? Si mund t’ju ndihmojë reagimi i Nefit ndaj sfidave të tij për t’u bërë ballë vështirësive tuaja?

2 Nefi 5

Lumturia gjendet nga të jetuarit e ungjillit.

Si do ta përkufizonit lumturinë? Nefi shkroi se populli i tij jetoi “sipas mënyrës së lumturisë” (2 Nefi 5:27). Ju mund të kërkoni për zgjedhjet që bëri Nefi dhe populli i tij të cilat çuan drejt lumturisë – mënyrat se si e mbështetnin njëri‑tjetrin dhe familjet e tyre, atë që çmonin në komunitetin e tyre e kështu me radhë. Çfarë mësoni që mund t’ju ndihmojë të krijoni një jetë të lumtur, ashtu siç bëri populli i Nefit?

2 Nefi 5:20–21

Çfarë është mallkimi që erdhi mbi lamanitët?

Në kohën e Nefit, mallkimi i lamanitëve ishte që ata do të “përjashtohe[shin] nga prania e Zotit … për shkak të paudhësisë së tyre” (2 Nefi 5:20–21). Kjo do të thoshte që Shpirti i Zotit do të tërhiqej nga jeta e tyre. Kur lamanitët e përqafuan ungjillin e Jezu Krishtit, “mallkimi i Perëndisë nuk i ndoqi më” (Alma 23:18).

Libri i Mormonit gjithashtu thotë se një shenjë e lëkurës së errët erdhi mbi lamanitët pasi nefitët u larguan prej tyre. Natyra dhe pamja e kësaj shenje nuk kuptohen plotësisht. Shenja fillimisht dallonte lamanitët nga nefitët. Më vonë, ndërkohë që si nefitët ashtu edhe lamanitët kaluan secili përmes periudhave të ligësisë e drejtësisë, shenja u bë e parëndësishme si një tregues i qëndrimit të lamanitëve përpara Perëndisë.

Profetët pohojnë në kohën tonë se lëkura e errët nuk është shenjë e një mospëlqimi apo mallkimi hyjnor. Kisha përkrah mësimin e dhënë nga Nefi se Zoti “nuk … mohon ask[ënd] që shkon tek ai, të zinj dhe të bardhë, skllevër dhe të lirë, burra dhe gra” (2 Nefi 26:33). Presidenti Rasëll M. Nelson shpalli: “Zoti e ka theksuar doktrinën e Tij thelbësore të mundësisë së barabartë për fëmijët e Tij. … Ndryshimet në kulturë, gjuhë, gjini, racë dhe kombësi veniten si të parëndësishme kur njerëzit besnikë hyjnë në shtegun e besëlidhjeve dhe vijnë te Shëlbuesi ynë i dashur” (“President Nelson Remarks at Worldwide Priesthood Celebration” [1 qershor 2018], newsroom.ChurchofJesusChrist.org).

Shih edhe “Till We All Come in the Unity of the Faith” [“Derisa të Arrijmë të Gjithë tek Uniteti i Besimit”] (material filmik, ChurchofJesusChrist.org).

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Këtu janë disa ide.

2 Nefi 1:13–25

Çfarë na mësojnë këto vargje rreth dëshirave më të mëdha të një prindi të drejtë për fëmijët e tij ose të saj?

2 Nefi 3:6

Lexoni së bashku “Shikues” tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta. Në ç’mënyrë ishte Jozef Smithi një shikues? Përse jemi mirënjohës për punën që kreu Jozef Smithi? (Shih 2 Nefi 3:6–24).

2 Nefi 4:20–25

Ndërsa lexoni te 2 Nefi 4:20–25 së bashku, ndaloni pas çdo vargu dhe ftojini pjesëtarët e familjes të tregojnë raste kur e kanë përjetuar apo ndier atë që përshkruan Nefi. Çfarë ka bërë Perëndia për familjen tonë?

2 Nefi 5

Cilat janë disa nga mënyrat se si familja juaj është duke jetuar “sipas mënyrës së lumturisë”? Ndërsa familja juaj lexon te 2 Nefi 5, ju mund të diskutoni mbi gjërat për të cilat shqetësoheshin nefitët: familja (vargu 6), urdhërimet (vargu 10), shkrimet e shenjta (vargu 12), arsimimi (vargu 15), tempujt (vargu 16), puna (vargu 17) dhe thirrjet në Kishë (vargu 26). Një mënyrë për ta bërë këtë është të gjeni sende që i përfaqësojnë disa prej këtyre gjërave dhe të bisedoni mbi mënyrën se si e tregojmë që, ashtu si nefitët, ne vlerësojmë po të njëjtat gjëra.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jini vëzhgues. Nëse i kushtoni vëmendje asaj çfarë po ndodh në jetën e fëmijëve tuaj, ju do të gjeni mundësi të shkëlqyera mësimdhënieje. Komentet ose pyetjet që bëjnë fëmijët tuaj, mund të jenë gjithashtu mundësi për çaste mësimdhënieje. (Shih Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtarit, f. 16.)

Familja e Lehit duke u gjunjëzuar në bregdet

Lehi dhe Populli i Tij Mbërrijnë në Botën e Re, nga Clark Kelley Price