Eja, Më Ndiq
10–16 Shkurt. 2 Nefi 6–10: “O Sa i Madh Plani i Perëndisë Tonë!”


“10–16 Shkurt. 2 Nefi 6–10: ‘O Sa i Madh Plani i Perëndisë Tonë!’” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“10–16 Shkurt. 2 Nefi 6–10”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Jezusi duke u lutur në Gjetseman

Mos u Bëftë Vullneti Im, por Yti, nga Harry Anderson

10–16 Shkurt

2 Nefi 6–10

“O Sa i Madh Plani i Perëndisë Tonë!”

Ndërsa e lexoni 2 Nefin 6–10, përsiatni mbi atë çka Zoti po përpiqet t’ju mësojë. Ndërsa i përcaktoni këto të vërteta, shënojini ato dhe merrni në shqyrtim plot lutje mënyrën se si mund ta zbatoni në jetën tuaj atë që po mësoni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ishin bërë të paktën 40 vjet qëkurse familja e Lehit ishte larguar nga Jerusalemi. Ata ishin në një vend të ri të çuditshëm, shumë larg Jerusalemit dhe pjesës tjetër të popullit besëlidhës të Perëndisë. Lehi kishte ndërruar jetë dhe pasardhësit e tij kishin filluar tashmë atë që do bëhej një mosmarrëveshje shekullore midis nefitëve – “që besonin në paralajmërimet dhe zbulesat e Perëndisë” – dhe lamanitëve, që nuk i besonin ato (2 Nefi 5:6). Në këto rrethana, Jakobi, i cili ishte vëllai më i vogël i Nefit dhe tashmë i shuguruar si mësues për nefitët, donte që populli i besëlidhjes të dinte se Perëndia nuk do t’i harronte kurrë ata, kështu që ata nuk duhet ta harronin kurrë Atë. Ky është një mesazh që me siguri na nevojitet në vetë botën tonë, ku besëlidhjet përçmohen dhe zbulesa hidhet poshtë. “Le ta kujtojmë atë, … pasi ne nuk jemi braktisur. … Të mëdha janë premtimet e Zotit”, shpalli ai (2 Nefi 10:20–21). Midis atyre premtimeve, asnjë nuk është më i madh se premtimi i një “shlyerje[je] të pafund” për të mposhtur vdekjen dhe ferrin (2 Nefi 9:7). “Kështu që”, përfundon Jakobi, “gëzoni zemrat tuaja”! (2 Nefi 10:23).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

2 Nefi 6–8

Zoti është i mëshirshëm ndaj popullit të Tij dhe do t’i përmbushë premtimet e Tij.

Për ta ndihmuar popullin e tij të kuptonin se ata ishin pjesë e shtëpisë së Izraelit dhe mund t’i mirëbesonin Perëndisë dhe premtimeve të Tij, Jakobi citoi profecitë e Isaias, të shënuara te 2 Nefi 6–8. Isaia përshkroi shpërndarjen e Izraelit dhe mbledhjen e premtuar, dhe shëlbimin prej Shpëtimtarit të popullit të Tij. Ndërsa lexoni, përsiatni pyetje si ato që vijojnë:

  • Çfarë mësoj rreth dashurisë shëlbuese të Shpëtimtarit për mua?

  • Çfarë ngushëllimi u ofron Shpëtimtari atyre që e kërkojnë Atë?

  • Çfarë mund të bëj që të “pres” më besnikërisht për Shpëtimtarin dhe bekimet e Tij të premtuara?

2 Nefi 9:1–26

Nëpërmjet Shlyerjes së Tij, Jezu Krishti i çliron të gjithë njerëzit nga vdekja fizike dhe shpirtërore.

Çfarë fjalësh apo metaforash do të përdornit për t’i komunikuar dikujt nevojën tonë të dëshpëruar për një Shpëtimtar që të na shpëtojë nga vdekja dhe mëkati? Jakobi përdori fjalët “të tmerrshëm” dhe “përbindësh”. Çfarë dha mësim Jakobi për “a[të] përbindësh, vdekj[en] dhe ferri[n]” dhe “udhëdaljen” që ka përgatitur Perëndia për ne? (2 Nefi 9:10.) Ndërsa e lexoni 2 Nefin 9:1–26, merreni parasysh që ta shenjoni me një ngjyrë atë që do të na ndodhte pa shlyerjen e Jezu Krishtit. Pastaj, me një ngjyrë tjetër, ju mund të shënoni atë që mund të marrim nëpërmjet Shlyerjes së Shpëtimtarit. Çfarë të vërtetash gjeni rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit, që ju bën ta lëvdoni “urtësi[në] e Perëndisë, mëshir[ën] dhe hiri[n e] tij”? (2 Nefi 9:8.)

2 Nefi 9:27–54

Unë mund të vij te Krishti dhe të marr bekimet e lavdishme të Shlyerjes së Tij.

Jezu Krishti erdhi “në tokë, që ai të mund të shpëtojë të gjithë njerëzit, në qoftë se ata do ta dëgjojnë zërin e tij” (2 Nefi 9:21; kursivet të shtuara). Me fjalë të tjera, ne duhet të jemi të gatshëm t’i pranojmë bekimet shpëtuese që ofron Ai. Pasi e përshkroi planin e madh të shëlbimit, Jakobi dha paralajmërime dhe ftesa të rëndësishme, që gjenden te 2 Nefi 9:27–54, për të na ndihmuar që t’i marrim bekimet e Shlyerjes. Merreni parasysh që t’i shënoni ato në një tabelë si kjo:

Paralajmërimet

Ftesat

Paralajmërimet

Ftesat

Paralajmërimet

Ftesat

Çfarë ndiheni të nxitur nga Shpirti të bëni në përgjigje ndaj këtyre paralajmërimeve dhe ftesave?

2 Nefi 10:20, 23–25

Për shkak të sakrificës së Jezu Krishtit, unë mund ta “gëzo[j]” zemrën time.

Mesazhi i Jakobit ishte një mesazh gëzimi. “Unë ju flas këto gjëra”, tha ai, “që ju të gëzoheni dhe të ngrini kokat përgjithmonë” (2 Nefi 9:3). Ndërsa e lexoni 2 Nefin 10:20, 23–25, çfarë gjeni që ju jep shpresë? Çfarë tjetër keni gjetur te 2 Nefi 9–10 që ju ka dhënë shpresë? Çfarë do të bëni për t’i mbajtur mend këto gjëra kur të ndiheni të shkurajuar?

Shih edhe Gjoni 16:33.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

2 Nefi 8:3–7

Kur ta lexoni 2 Nefin 8:3, ju mund të tregoni figura të një shkretëtire dhe të një kopshti. Si i kthen Zoti shkretëtirat e jetës sonë në kopshte? Te vargjet 4–7, çfarë na këshillon Zoti të bëjmë me qëllim që të marrim gëzimin e përshkruar në vargun 3?

2 Nefi 8:24–25

Si mund të na forcojnë fjalët inkurajuese të Isaias për popullin e Sionit, në përpjekjet tona për t’u bërë dishepuj më besnikë të Jezu Krishtit? Në ç’mënyrë janë të ngjashme zgjimi dhe të veshurit me atë çka Perëndia do që ne të bëjmë shpirtërisht?

2 Nefi 9:1–26

Çfarë mund të bëjë familja juaj për ta kuptuar më mirë madhështinë e “shlyerje[s s]ë pafund” të Jezu Krishtit? (Vargu 7.) Ndoshta ata mund t’i hedhin një vështrim gjërave që duken të pafundme në numër apo të mendojnë për to – fijet e barit në një fushë, kokrrizat e rërës në një plazh apo yjet në qiell. Në ç’mënyrë është e pafundme Shlyerja e Shpëtimtarit? Cilat fraza te 2 Nefi 9 e thellojnë mirënjohjen tonë për atë çka bëri Shpëtimtari për ne?

2 Nefi 9:27–44

Ndoshta një ditë këtë javë familja juaj mund të kërkojë te 2 Nefi 9:27–38, duke kërkuar paralajmërimet (që paraprihen nga “mjerë”). Cilat prej këtyre duken veçanërisht të rëndësishme për familjen tuaj që t’i diskutojë? Një ditë tjetër, ju mund të kërkoni te 2 Nefi 9:39–44, për të parë atë që Jakobi e ftoi popullin e tij të kujtonte.

2 Nefi 9:28–29, 50–51

Cilët janë disa shembuj të “kotësi[së] dhe dobësi[ve] dhe marrëzi[së së] njerëzve”? (Vargu 28.) Çfarë mund të bëjmë ne për t’i dhënë më shumë vlerë gjërave të Perëndisë dhe më pak gjërave të botës?

2 Nefi 9:45

Familja juaj mund të kënaqet duke bërë një zinxhir prej letre dhe më pas, me radhë, ta vendosë dhe ta flakë atë. Në ç’mënyrë janë mëkatet si zinxhirët? Si na ndihmon Shpëtimtari që t’i flakim ato?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Jini të gjindshëm dhe të gatshëm. “Disa nga çastet më të mira të mësimdhënies fillojnë me një pyetje ose shqetësim në zemrën e një anëtari të [familjes]. … Lërini të dinë nëpërmjet fjalëve dhe veprimeve tuaja se ju jini të gatshëm t’i dëgjoni ata” (Mësimdhënia sipas Mënyrës së Shpëtimtaritf. 16).

Jezusi duke shëruar njerëz

Shpëtimtari do t’i shpëtojë të gjithë fëmijët e Perëndisë “në qoftë se ata do ta dëgjojnë zërin e tij” (2 Nefi 9:21). Ai Shëroi Shumë Njerëz nga Sëmundje të Ndryshme, nga J. Kirk Richards