Eja, Më Ndiq
10–16 Shkurt. 2 Nefi 6–10: “O Sa i Madh Plani i Perëndisë Tonë!”


“10–16 Shkurt. 2 Nefi 6–10: ‘O Sa i Madh Plani i Perëndisë Tonë!’” Eja, Më Ndiq – Për Filloren: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“10–16 Shkurt. 2 Nefi 6–10”, Eja, Më Ndiq – Për Filloren: 2020

Pamja
Jezusi duke u lutur në Gjetseman

Mos u Bëftë Vullneti Im, por Yti, nga Harry Anderson

10–16 Shkurt

2 Nefi 6–10

“O Sa i Madh Plani i Perëndisë Tonë!”

Ndërsa lexoni nga 2 Nefi 6–10, kërkoni udhërrëfim nga Shpirti për atë që duhet të jepni mësim. Ky përvijim dhe Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet mund të frymëzojnë ide shtesë.

Shënojini Mbresat Tuaja

Pamja
ikona e të treguarit

Ftojini të Tregojnë

Nxitini fëmijët që me radhë të tregojnë diçka që e mësuan për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij, ndërkohë që studiuan kapitujt 6–10 te 2 Nefi individualisht ose me familjen e tyre.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Vegjël

2 Nefi 9:7–13, 20–23

Jezu Krishti më shpëton nga mëkati dhe vdekja.

Si mund t’i përdorni vargjet te 2 Nefi 9:7–13 dhe 20–23 për t’i ndihmuar fëmijët të kuptojnë se Jezu Krishti i shpëton të gjithë nga vdekja dhe bën të mundur që ne të pendohemi për mëkatin?

Veprimtari të Mundshme

  • Dëftojuni fëmijëve një histori të një personi i cili ra në një gropë kaq të thellë, saqë ai ose ajo nuk mund të ngjitej jashtë saj. Një burrë erdhi dhe e nxori këtë person nga gropa. Ju mund të doni të bëni një vizatim të kësaj historie në tabelë ose ta aktroni atë me fëmijët. Shpjegoni se kjo gropë është si vdekja, dhe burri që e ndihmoi personin është si Jezu Krishti, i cili i shpëtoi të gjithë njerëzit nga vdekja duke na dhënë dhuratën e ringjalljes. Dëftojuni fëmijëve se po i njëjti person ra në një gropë tjetër. Këtë herë, shpëtuesi i dha personit një shkallë që ta përdorte për të dalë nga gropa. Shpjegoni se kjo gropë është si mëkati, dhe shkalla është Shlyerja e Jezu Krishtit, e cila na lejon të pendohemi dhe të falemi për mëkatet tona. Lexoni te 2 Nefi 9:22–23 dhe jepni dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.

  • Këndoni së bashku një këngë rreth dashurisë së Krishtit, të tillë si “I Feel My Savior’s Love [T’Shpëtuesit Dashuri Ndiej]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 42). Ftojini fëmijët të bëjnë vizatime të gjërave që i ndihmojnë të dinë se Shpëtimtari i do ata.

2 Nefi 9:49

“Zemra ime kënaqet në drejtësi.”

Si mund t’i nxitni fëmijët të cilëve u jepni mësim, që të “kënaqe[n] në drejtësi” apo t’i binden me gëzim Zotit? (2 Nefi 9:49.)

Veprimtari të Mundshme

  • Lexojuni fëmijëve nga 2 Nefi 9:49 dhe ndihmojini ta gjejnë e ta kuptojnë atë që tha Jakobi se ai e do dhe e urren. Tregoni raste në të cilat një fëmijë bën një zgjedhje të mirë ose një zgjedhje të keqe, dhe ftojini fëmijët të ngrihen në këmbë kur zgjedhja sjell lumturi dhe të ulen kur zgjedhja sjell trishtim. Përse na sjell gëzim zgjedhja e së drejtës? Kur jeni ndier të lumtur ngaqë bëtë zgjedhjen e duhur?

  • Këndoni së bashku një këngë për gëzimin që vjen nga bindja, të tillë si “When We’re Helping [Kur ne Ndihmojm’]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 108) dhe kërkojuni fëmijëve të mbajnë vesh se çfarë na bën të lumtur. Lërini fëmijët që me radhë të hiqen sikur janë një prind që u kërkon fëmijëve të tjerë të bëjnë diçka. Vërini fëmijët e tjerë të ushtrojnë bindjen me gëzim.

Pamja
ikona e mësimdhënies

Jepeni Mësim Doktrinën: Fëmijët Më të Mëdhenj

2 Nefi 6; 7:1–2

Zoti do t’i përmbushë gjithmonë premtimet e Tij.

Të kuptuarit se Zoti i mban premtimet e Tij mund t’i ndihmojë fëmijët ta forcojnë besimin e tyre tek Ai dhe vetëbesimin e tyre në bindjen ndaj urdhërimeve të Tij.

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve të flasin për disa premtime që ata i kanë bërë, të tilla si një premtim që i bënë një miku ose besëlidhjet që i bënë në pagëzim. Përse ndonjëherë është e vështirë t’i mbajmë premtimet tona? Përse është e rëndësishme që t’i mbajmë premtimet tona? Lexojeni frazën vijuese: “Zoti Perëndi do t’i përmbushë besëlidhjet e tij, që u ka bërë fëmijëve të tij” (2 Nefi 6:12). Jepni një shembull se si Perëndia i mbajti premtimet e Tij, edhe nëse bekimet nuk erdhën menjëherë.

  • Paraqitni një figurë të Jezusit pranë një figure të një fëmije. Lexoni te 2 Nefi 7:1 dhe shpjegoni se kur populli i Perëndisë ndalon së binduri ungjillit të Tij, është sikurse ata të jenë “shkurorëz[uar]” nga Ai. Lëvizeni figurën e fëmijës larg nga figura e Jezusit për të treguar se kur nuk i mbajmë besëlidhjet tona, siç është besëlidhja e pagëzimit, ne e veçojmë veten nga Ati Qiellor dhe Shpëtimtari. (Për t’i shqyrtuar besëlidhjet e pagëzimit, shih DeB 20:37.) Si na lejon Shlyerja e Shpëtimtarit që të kthehemi sërish pranë Tij? Ndërsa diskutoni për këtë, ftojini fëmijët që t’i lëvizin sërish figurat pranë njëra‑tjetrës.

2 Nefi 9:10–23

Jezu Krishti më shpëton nga mëkati dhe vdekja.

Si mund t’i përdorni vargjet te 2 Nefi 9:10–23 për t’i ndihmuar fëmijët të mësojnë se Jezu Krishti është Shpëtimtari i tyre?

Veprimtari të Mundshme

  • Kërkojuni fëmijëve t’ju ndihmojnë të vizatoni një shteg në tabelë, dhe ftojini ata që të shtojnë disa pengesa ose barrikada gjatë rrugës. Lexoni së bashku nga 2 Nefi 9:10 dhe ftojini fëmijët që t’i emërtojnë pengesat në rrugë me fjalë nga ky varg, të cilat përshkruajnë pengesat që mund të mos na lejojnë të kthehemi te Perëndia. Pastaj flisni për mënyrën se si Jezu Krishti i mposhti këto pengesa për ne (shih 2 Nefi 9:21–23) dhe, teksa e bëni këtë, ftojini fëmijët që t’i fshijnë pengesat.

  • Paraqitni një figurë të Adamit dhe Evës, të tillë si Leaving the Garden of Eden [Duke u Larguar nga Kopshti i Edenit] (ChurchofJesusChrist.org). Shpjegoni se kur Adami dhe Eva hëngrën nga fruta që Perëndia u tha të mos e hanin në Kopshtin e Edenit, ata sollën mëkatin dhe vdekjen në botë. Paraqitni një figurë të Jezu Krishtit. Për t’i ndihmuar fëmijët ta kuptojnë se si Jezusi e mposhti mëkatin dhe vdekjen, dëftoni historinë e personit që ra në një gropë, që gjendet në idenë e parë të mësimdhënies nën pjesën “Fëmijët Më të Vegjël” në këtë përvijim. Më pas kërkojuni fëmijëve që të bëjnë vizatime të kësaj historie ose ta aktrojnë atë. Lexoni te 2 Nefi 9:21–23 dhe jepni dëshminë tuaj për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij.

  • Ndihmojeni secilin fëmijë që të gjejë një këngë rreth Shlyerjes së Shpëtimtarit ose te libri i himneve ose te Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve] (treguesit në këta libra mund të japin ndihmesë). Ftojini fëmijët të gjejnë dhe të thonë fraza nga kënga, të cilat përshkruajnë atë që bëri Jezusi për ne. Kërkojuni fëmijëve të shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre për Shlyerjen e Shpëtimtarit ose jepni dëshminë tuaj.

2 Nefi 9:20, 28–29, 42–43

Unë do të bekohem kur e ndjek këshillën e Perëndisë.

Ndihmojini fëmijët të krijojnë një themel të fortë mirëbesimi te Perëndia, në mënyrë që ndërsa njohuritë dhe aftësitë e tyre shtohen, ata do të vazhdojnë të mbështeten tek Ai dhe do t’i ndjekin këshillat e Tij.

Veprimtari të Mundshme

  • Ftojini fëmijët t’ju dëftojnë rreth diçkaje për të cilën ata dinë shumë, të tillë si një libër apo hobi të parapëlqyer. Ftojeni një fëmijë të lexojë te 2 Nefi 9:20 dhe dëshmoni se Perëndia “i di të gjitha gjërat”. Përse është e rëndësishme që ne të kuptojmë se Perëndia di çdo gjë?

  • Kërkojuni fëmijëve të përfytyrojnë sikur e dëgjuan një shok të thotë se urdhërimet ose mësimet e Kishës janë marrëzi. Çfarë do t’i thoshin ata mikut të tyre? Përse është e rëndësishme t’i mirëbesojmë këshillës së Perëndisë edhe nëse nuk e kuptojmë atë plotësisht? Ftojini fëmijët të shohin te 2 Nefi 9:20, 28–29 dhe 42–43 për ndihmë lidhur me përsiatjen e këtyre pyetjeve dhe diskutimin për to.

Pamja
ikona e të mësuarit

Nxiteni të Mësuarit në Shtëpi

Ndihmojini fëmijët të mendojnë për një mënyrë se si mund t’ua mësojnë familjeve të tyre atë që kanë mësuar për Jezu Krishtin dhe Shlyerjen e Tij. Për shembull, ata mund ta përdorin faqen e veprimtarisë së kësaj jave për të shpjeguar mënyrën se si na ndihmon Shpëtimtari që ta mposhtim mëkatin dhe vdekjen.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorini faqet e veprimtarisë. Ndërsa fëmijët punojnë me faqet e veprimtarisë, përdoreni kohën për t’i ndihmuar ata që të kuptojnë se si lidhet veprimtaria me parimet e mësimit dhe se si zbatohen parimet në jetën e tyre.

Shtyp në Letër