Eja, Më Ndiq
27 Janar – 2 Shkurt. 1 Nefi 16–22: “Unë Do Të Përgatis Udhën Para Jush”


“27 Janar – 2 Shkurt. 1 Nefi 16–22: ‘Unë Do Të Përgatis Udhën Para Jush’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“27 Janar – 2 Shkurt. 1 Nefi 16–22”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Lehi duke parë Liahonën

Lehi dhe Liahona, nga Joseph Brickey

27 Janar – 2 Shkurt

1 Nefi 16–22

“Unë Do Të Përgatis Udhën Para Jush”

Ndërsa e studioni 1 Nefin 16–22, kërkoni fragmentet që ju lënë mbresë. Disa njerëzve u pëlqen t’i theksojnë [me ngjyra] vargje të tilla në shkrimet e tyre të shenjta; të tjerë shkruajnë shënime në pjesën anësore. Merreni parasysh mënyrën se si do t’i shënoni mbresat që merrni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Ndërsa familja e Lehit udhëtonte drejt tokës së premtuar, Zoti u bëri atyre këtë premtim: “Unë do të përgatis udhën para jush, në qoftë se ju do t’i mbani urdhërimet e mia” (1 Nefi 17:13). Qartësisht, ai premtim nuk nënkuptonte se udhëtimi do të ishte i lehtë – pjesëtarët e familjes akoma nuk binin dakord, harqet u thyen dhe njerëzit hasën vështirësi e vdiqën, dhe ata ende duhej të ndërtonin një anije nga materiale të papërpunuara. Megjithatë, kur familja u përball me fatkeqësi apo me detyra në dukje të pamundura, Nefi e pranoi se Zoti nuk ishte kurrë larg. Ai e dinte se Perëndia “i ushqen dhe i forcon [besnikët] dhe siguron mjete me anë të të cilave ata mund të plotësojnë gjënë për të cilën ai i ka urdhëruar” (1 Nefi 17:3). Nëse e pyesni veten ndonjëherë përse njerëzve të mirë, si Nefit dhe familjes së tij, u ndodhin gjëra të këqija, ju mund të gjeni ide në këta kapituj. Por ndoshta, më e rëndësishmja, ju do të shihni se çfarë bëjnë njerëzit e mirë kur ndodhin gjëra të këqija.

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

1 Nefi 16–18

Kur i zbatoj urdhërimet, Perëndia do të më ndihmojë t’i përballoj sfidat.

Kapitujt 16–18 të 1 Nefit përshkruajnë disa sfida që hasi familja e Nefit, përfshirë sfidat që kishin të bënin me thyerjen e harkut (shih 1 Nefi 16:17–32), vdekjen e Ishmaelit (shih 1 Nefi 16:34–39), ndërtimin e një anijeje (shih 1 Nefi 17:7–16; 18:1–4) dhe mosmarrëveshjet familjare (shih 1 Nefi 18:9–22). Si ndryshonin reagimet e Nefit ndaj këtyre sfidave nga reagimet e disa prej pjesëtarëve të familjes së tij? Cilat qenë pasojat e këtyre reagimeve?

Mund të jetë e dobishme ta shënoni atë që gjeni në një tabelë me tituj si këto: “Sfida”, “Reagimi i Nefit”, “Reagimet e të Tjerëve” dhe “Rezultatet”. Si mendoni ju, përse Nefi qe në gjendje të qëndronte kaq besnik kur të tjerët nuk qëndruan? Reflektoni mbi mënyrën se si shembulli i Nefit dhe i familjes së tij mund t’ju ndihmojë në sfidat tuaja.

Shih edhe materiale filmike që kanë lidhje [me këtë] në Book of Mormon Videos collection te ChurchofJesusChrist.org ose te programi kompjuterik Gospel Library [Biblioteka e Ungjillit].

1 Nefi 16:10–16, 23–31; 18:11–22

Zoti më udhëheq përmes mjeteve të vogla e të thjeshta.

Kur Perëndia e udhëhoqi familjen e Lehit në vendin e shkretë, Ai nuk u dha atyre një plan të hollësishëm udhëtimi drejt tokës së premtuar. Por Ai i dha Lehit Liahonën, për ta udhërrëfyer familjen e tij çdo ditë drejt pikëmbërritjes së tyre. Çfarë ju ka dhënë Ati Qiellor për të siguruar udhërrëfim e drejtim? Çfarë mendoni se do të thotë që “nëpërmjet mjeteve të vogla, Zoti mund të shkaktojë gjëra të mëdha”? (1 Nefi 16:29.)

Ndërsa e lexoni 1 Nefin 16:10–16, 23–31 dhe 18:11–22, merreni parasysh të bëni një listë të parimeve që ilustrojnë mënyrën se si Perëndia i udhërrëfen fëmijët e Tij (për shembull 1 Nefi 16:10 mund të na mësojë se Perëndia ndonjëherë na udhërrëfen në mënyra të papritura). Çfarë përvojash keni pasur në lidhje me këto parime?

Shih edhe Alma 37:7, 38-47; Doktrina e Besëlidhje 64:33–34.

Lehi duke përdorur Liahonën

Nëse Jeni të Përgatitur, Ju S’do të Frikësoheni, nga Clark Kelley Price

1 Nefi 19:23–24; 20–22

Unë mund t’i “përshtat të gjitha shkrimet e shenjta” me veten time.

Isaia u shkroi të gjithë fëmijëve të Izraelit dhe Nefi pa që kjo përfshinte veçanërisht vetë familjen e tij – dhe ajo ju përfshin juve (shih 1 Nefi 19:23–24). Lidhur me citimet nga ana e Nefit të Isaias, Presidenti Henri B. Ajring, tha: “I lexoj fjalët e Isaias … duke hamendësuar se Nefi zgjodhi pjesët e Isaias që unë, pa e vrarë mendjen për figurat letrare, mund t’i pranoja drejt e në zemrën time sikur Zoti të ishte duke më folur mua” (“The Book of Mormon Will Change Your Life”, Ensign, shkurt 2004, f. 10).

Me fjalët e Presidentit Ajring në mendje, merrni në shqyrtim pyetje si ato që vijojnë teksa lexoni kapitujt 20–22:

1 Nefi 20:1–9.Cilat fraza në këto vargje i përshkruajnë fëmijët e Izraelit? Si i përshkruajnë ato Lamanin dhe Lemuelin? Çfarë paralajmërimesh dhe zbatimesh gjeni për veten tuaj?

1 Nefi 20:17–22.Si i udhëhoqi Zoti fëmijët e Izraelit? Si e udhëhoqi ai familjen e Lehit? Si ju udhërrëfen Ai juve?

Çfarë tjetër gjeni te 1 Nefi 20–22, që ju bën të ndieni sikur Zoti të ishte duke ju folur juve? Si ju ndihmon komenti për Nefin te kapitulli 22, që t’i kuptoni profecitë e Isaias?

1 Nefi 21

Kush janë shtëpia e Izraelit dhe johebrenjtë?

Shtëpia e Izraelit janë pasardhësit e profetit Jakob të Dhiatës së Vjetër, të cilit iu dha emri Izrael nga Zoti (shih Zanafilla 32:28; 35:10; shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Izrael”, [f. 68–70]). Zoti bëri besëlidhje të caktuara me Izraelin dhe pasardhësit e tij u konsideruan populli i besëlidhur me Perëndinë. Megjithatë, breza më vonë, shumë prej tyre u larguan nga Zoti dhe përfundimisht u shpërndanë anembanë tokës.

Termi Johebrenj në këto fragmente i referohet njerëzve që nuk e kanë ende ungjillin (shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Johebrenj”, [f. 79–80]). Isaia dha mësim se në ditët e mëvonshme Johebrenjve do t’u jepej ungjilli dhe do të ishin një mjet në mësimdhënien dhe mbledhjen e shtëpisë së Izraelit (shih 1 Nefi 21:22; 22:8–12; shih edhe Isaia 60; 66:18–20).

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

1 Nefi 17:1–6, 17–22

Ndoshta familja juaj mund ta krahasojë rrëfimin e Nefit për udhëtimin në vendin e shkretë (shih 1 Nefi 17:1–6) me rrëfimin e vëllezërve të vet (shih 1 Nefi 17:17–22). Si mendoni ju, përse ata i panë të njëjtat ngjarje në mënyrë kaq të ndryshme? Çfarë mund të mësojmë nga Nefi rreth pasjes së një këndvështrimi besnik?

1 Nefi 17:17–22; 18:9–16

Cilat janë pasojat e xhelozisë, grindjes dhe ankesave në një familje? Si mund t’i kapërcejmë këto probleme?

1 Nefi 19:22–24

Nefi i përshtati shkrimet e shenjta me familjen e tij, “që ato të mund të [ishin] për përfitimin dhe mësimin [e] t[yre]” (1 Nefi 19:23). Ka disa histori te 1 Nefi 16–18 që familja juaj mund t’i përshtatë me veten e saj. Ndoshta ju mund ta interpretoni njërën prej këtyre historive dhe të diskutoni se si gjen ajo zbatim për familjen tuaj.

1 Nefi 21:14–16

Si mund ta ndihmojë mesazhi në këto vargje dikë që ndihet i harruar?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkojini Zotit ndihmë. Shkrimet e shenjta u dhanë me anë të zbulesës dhe ne kemi nevojë për zbulesë që t’i kuptojmë ato me të vërtetë. Zoti ka premtuar: “Në qoftë se … do të … më kërkoni mua me besim, … me siguri këto gjëra do t’ju bëhen të ditura” (1 Nefi 15:11).

Nefi dhe familja e tij në barkë

Ata më Trajtuan me Shumë Egërsi, nga Walter Rane