“Shtojca C: Tre Dëshmitarët”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“Shtojca C”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
Shtojca C
Tre Dëshmitarët
Për më shumë se pesë vjet – që nga koha e vizitës së parë të engjëllit Moroni te Jozef Smithi deri në vitin 1829 – Jozefi ishte i vetmi njeri i cili u lejua t’i shihte fletët e arta. Kjo çoi në kritikë të ashpër dhe përndjekje nga ata që besonin se ai po i mashtronte njerëzit. Prandaj përfytyrojeni gëzimin që ndjeu Jozefi kur, teksa përkthente Librin e Mormonit, ai mësoi se Zoti do të lejonte njerëz të tjerë t’i shihnin fletët dhe se ata gjithashtu do të “dëshmo[nin] të vërtetën e librit dhe gjërat në të” (2 Nefi 27:12–14; shih edhe 2 Nefi 11:3; Ethëri 5:2–4).
Në qershor 1829, Oliver Kaudëri, Dejvid Uitmeri dhe Martin Harrisi kërkuan leje që të ishin tre dëshmitarët për të cilët profetizoi Libri i Mormonit. Zoti ua plotësoi dëshirën e tyre (shih DeB 17) dhe dërgoi një engjëll, i cili u tregoi atyre fletët. Këta burra u bënë të njohur si Tre Dëshmitarët dhe dëshmia e tyre e shkruar përfshihet në çdo kopje të Librit të Mormonit.1
Presidenti Dallin H. Ouks shpjegoi arsyen përse dëshmia e Tre Dëshmitarëve është kaq bindëse: “Dëshmia e Tre Dëshmitarëve për Librin e Mormonit del në pah me forcë të madhe. Secili prej këtyre të treve kishte arsye dhe mundësi të mjaftueshme që të hiqte dorë nga dëshmia e vet, në qoftë se do të kishte qenë e rremë, ose që t’i ndryshonte hollësitë, nëse ndonjëra do të kishte qenë e pasaktë. Siç dihet mirë, për shkak të mosmarrëveshjeve ose xhelozive që kishin lidhje me udhëheqës të tjerë të Kishës, secili prej këtyre tre dëshmitarëve u shkishërua nga Kisha e Jezu Krishtit e Shenjtorëve të Ditëve të Mëvonshme rreth tetë vjet pas botimit të dëshmisë së tyre. Që të tre shkuan në udhët e tyre të veçanta, me asnjë interes të zakonshëm që të përkrahnin një përpjekje mashtruese. Prapëseprapë, deri në fund të jetës së tyre – periudha kohore të cilat u shtrinë nga 12 deri në 50 vjet pas shkishërimit të tyre – asnjëri prej këtyre dëshmitarëve nuk hoqi dorë prej dëshmisë së tij të botuar ose nuk tha asgjë që hedh ndonjë dyshim mbi vërtetësinë e saj.”2
Deri në fund të jetës së tyre, të Tre Dëshmitarët ishin të palëkundur në besnikërinë e tyre ndaj dëshmisë së tyre për Librin e Mormonit.
Oliver Kaudëri
Pasi u ripagëzua në Kishë dhe pak kohë para vdekjes së tij, Oliveri u takua me një misionar, Plakun Xhejkëb Gejts, i cili po kalonte përmes Riçmondit në Misuri, në udhë e sipër që të shërbente një mision në Angli. Plaku Gejts e pyeti Oliverin rreth dëshmisë së tij për Librin e Mormonit. Biri i Plakut Gejts tregoi reagimin e Oliverit:
“Kur e pyeta për këtë gjë, u duk që Oliveri u prek shumë thellë. Ai u përgjigj pa thënë asnjë fjalë, por u ngrit nga karrigia e vet e rehatshme, shkoi te rafti i librave, zbriti një botim të parë të Librit të Mormonit, e hapi te dëshmia e Tre Dëshmitarëve dhe lexoi në mënyrën më solemne fjalët, të cilat i kishte nënshkruar me emrin e tij gati njëzet vjet më parë. Duke parë nga babai im, ai tha: ‘Xhejkëb, dua që të mbash mend atë që po të them. Unë jam një burrë që po vdes dhe çfarë do të përfitoja po të të thosha një gënjeshtër? Unë e di’, tha ai, ‘se Libri i Mormonit u përkthye nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Sytë e mi panë, veshët e mi dëgjuan dhe të kuptuarit tim u prek, dhe unë e di se ajo që dëshmova është e vërtetë. Nuk ishte ëndërr, nuk ishte një përfytyrim i kotë i mendjes – ishte i vërtetë.’”3
Dejvid Uitmer
Në vitet e tij të fundit Dejvid Uitmeri mësoi për thashetheme se ai e kishte mohuar dëshminë e tij për Librin e Mormonit. Si përgjigje ndaj këtyre akuzave, Dejvidi e ripohoi dëshminë e tij në një letër që u botua në gazetën vendore, Richmond Conservator:
“Që bota të mund ta dijë të vërtetën, unë dëshiroj tani, duke qëndruar, siç isha, pikërisht në perëndim të jetës, dhe me frikë ndaj Perëndisë njëherë e përgjithmonë, që të bëj këtë deklaratë publike:
Se unë kurrë, në asnjë rast, nuk e kam mohuar atë dëshmi ose ndonjë pjesë të saj, e cila për shumë kohë që atëherë është botuar me atë Libër, si një nga tre dëshmitarët. Ata që më njohin më mirë, e dinë mirë se unë gjithmonë kam qëndruar besnik ndaj asaj dëshmie. Dhe që askush të mos mashtrohet ose të dyshojë për idetë e mia të tanishme lidhur me të njëjtën gjë, vërtet pohoj përsëri të vërtetën e të gjitha deklaratave të mia, siç u bënë dhe u botuan në atë kohë.
‘Kush ka veshë për të dëgjuar, le të dëgjojë’, ajo nuk ishte aspak mashtrim! Ajo që është shkruar, është shkruar – dhe ai që lexon, le të kuptojë.”4
Martin Harris
Sikurse Oliver Kaudëri, Martin Harrisi u largua nga Kisha për njëfarë kohe, por më së fundi u ripagëzua. Në vitet e tij të mëvonshme, dihej për të se ai mbante me vete një kopje të Librit të Mormonit nën krah dhe u dëshmonte për vërtetësinë e tij të gjithëve që do të dëgjonin: “Unë e di se Libri i Mormonit me të vërtetë është i vërtetë. Edhe sikur të gjithë njerëzit ta mohonin të vërtetën e atij libri, unë nuk guxoj ta bëj atë. Zemra ime është e vendosur. O Perëndi, zemra ime është e vendosur! Nuk do të mund ta dija më me vërtetësi ose siguri nga sa e di.”5
Xhorxh Gadfri, një i njohur i Martinit, shkroi: “Pak orë para vdekjes së tij … e pyeta [Martinin] nëse ndiente se kishte të paktën një element mashtrimi dhe zotimesh të rreme në gjërat që u shkruan dhe u thanë për daljen në dritë të Librit të Mormonit, dhe ai u përgjigj sikurse e kishte bërë gjithmonë … dhe tha: ‘Libri i Mormonit nuk është i rremë. Unë e di atë që di. Kam parë atë që kam parë dhe kam dëgjuar atë që kam dëgjuar. I kam parë fletët e arta nga të cilat është shkruar Libri i Mormonit. Një engjëll m’u shfaq mua e të tjerëve dhe na dëshmoi për vërtetësinë e analit, dhe nëse do të kisha qenë i gatshëm të jepja dëshmi të rreme dhe të betohesha në mënyrë të padrejtë ndaj dëshmisë që tani jap, unë mund të kisha qenë një burrë i pasur, por nuk do të mund të kisha dëshmuar ndryshe nga ajo që kam bërë dhe po bëj tani, pasi këto gjëra janë të vërteta.’”6
“Aq Shumë Dëshmitarë, sa i Duket Atij e Përshtatshme”
Dëshmitë e Tre Dëshmitarëve janë veçanërisht mbresëlënëse kur marrim parasysh përvojat e tyre si në Kishë ashtu edhe jashtë saj.7 Gjatë gjithë kësaj, Oliveri, Dejvidi dhe Martini kurrë nuk e ndalën dëshmimin për atë që kishin përjetuar dhe dhënien e dëshmisë se Libri i Mormonit u përkthye nëpërmjet dhuratës dhe fuqisë së Perëndisë. Dhe ata nuk ishin të vetmit.
Në lashtësi, Nefi shpalli: “Zoti Perëndi do të vazhdojë të sjellë në dritë fjalët e librit; dhe do të vendosë fjalën e tij në gojën e aq shumë dëshmitarëve, sa i duket atij e përshtatshme” (2 Nefi 27:14). Përveç Profetit Jozef Smith dhe Tre Dëshmitarëve, Zoti zgjodhi edhe tetë dëshmitarë të tjerë që t’i shihnin fletët. Dëshmia e tyre gjithashtu përfshihet në çdo kopje të Librit të Mormonit. Sikurse Oliveri, Dejvidi dhe Martini, Tetë Dëshmitarët mbetën të vërtetë ndaj dëshmive të tyre për Librin e Mormonit dhe dëshmimit të tyre për fletët e arta.
Uilliam E. Mek‑Lelini ishte një i kthyer i hershëm në besim në Kishë, i cili i njihte personalisht shumë prej dëshmitarëve të Librit të Mormonit. Uilliami më së fundi u largua nga Kisha, por ai vazhdoi të ndikohej thellësisht nga dëshmitë bindëse që kishte dëgjuar nga dëshmitarët.
“Tani unë do të pyesja”, shkroi Mek‑Lelini diku nga fundi i jetës së tij, “çfarë do të bëja me një grup të tillë dëshmitarësh besnikë, duke dhënë një dëshmi kaq të arsyeshme dhe prapëseprapë solemne? Këta burra, ndërkohë që ishin në vitet më të mira të jetës së tyre, panë vegimin e engjëllit dhe ua dhanë dëshminë e tyre të gjithë njerëzve. Dhe tetë burra i panë fletët dhe i mbajtën ato në duar. Prandaj këta burra, që të gjithë, i dinin gjërat që i shpallën se ishin patjetër të vërteta. Dhe që gjithashtu, ndërkohë që ishin të rinj dhe tani kur janë të moshuar, ata shpallin të njëjtat gjëra.”8
Edhe pse nuk i kemi parë fletët e arta sikurse i panë Tre Dëshmitarët, ne mund të marrim forcë nga dëshmitë e tyre. Madje edhe kur u sfidua fama e tyre dhe u kërcënuan siguria dhe jeta e tyre për shkak të dëshmive të tyre, këta burra me integritet, plot guxim, qëndruan të vërtetë ndaj dëshmisë së tyre deri në fund.