Eja, Më Ndiq
Shtojca A: Si më Dëshmon Shpirti se Libri i Mormonit Është i Vërtetë?


“Shtojca A: Si më Dëshmon Shpirti se Libri i Mormonit Është i Vërtetë?” Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“Shtojca A”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Shtojca A

Si më Dëshmon Shpirti se Libri i Mormonit Është i Vërtetë?

Ju mund të keni dëgjuar rreth premtimit të Moronit ndaj të gjithë atyre që e lexojnë Librin e Mormonit: “Në qoftë se ju do të kërkoni me një zemër të sinqertë, me qëllim të vërtetë duke pasur besim në Krisht, ai do t’ju tregojë të vërtetën [e Librit të Mormonit], nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë” (Moroni 10:4). Por çfarë do të thotë ta dini të vërtetën “nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë”? Si mund ta dalloni kur po ju flet Fryma e Shenjtë?

Mund të jetë e dobishme të mbani mend se Fryma e Shenjtë komunikon me ne në mënyra që janë shumë të ndryshme nga mënyrat që i përdorim në komunikimin me njëri‑tjetrin. Por Ati juaj Qiellor dëshiron t’ju ndihmojë të mësoni se si ta dalloni Shpirtin. Ai ju ka dhënë Librin e Mormonit, ku disa shërbëtorë besnikë përshkruajnë përvojat e tyre me zërin e Zotit.

Për shembull, Nefi u tha vëllezërve të tij se Zoti u kishte folur “me një zë të qetë, të ulët”, edhe pse nuk ishte domosdoshmërisht një zë që mund të dëgjohej me veshë. Në fakt, Nefi tha se vëllezërit e tij e kishin “humbur ndjesinë” dhe nuk mund t’i “ndjeni[n] fjalët e tij” (1 Nefi 17:45, kursivët të shtuar). Enosi e përshkroi përgjigjen e lutjeve të tij si “zëri i Zotit” që erdhi “në mendjen” e tij (Enosi 1:10). Dhe merrini parasysh këto fjalë që përshkruajnë zërin që erdhi nga qielli, kur Shpëtimtari i ringjallur u shfaq në tokën Begati: “Nuk ishte një zë i ashpër, as nuk ishte një zë i fortë, megjithatë … i përshkoi ata mu në shpirt dhe bëri që zemrat e tyre të digjeshin” (3 Nefi 11:3).

Ndoshta keni pasur përvoja të ngjashme me këto ose ndoshta përvojat tuaja kanë qenë të ndryshme. Fryma e Shenjtë komunikon në një larmi mënyrash dhe zbulesa mund t’i vijë ndryshe secilit prej nesh. Dhe kur Shpirti është në jetën tonë, ne vërtet do ta kuptojmë ndikimin e Tij mbi ne në shumë mënyra. Apostulli Pal foli për “fryti[n e] Frymës” – ndjenjat si “dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli”, mes shumë të tjerave (Galatasve 5:22–23).

Ja disa mësime dhe shembuj të tjerë nga Libri i Mormonit rreth Frymës së Shenjtë. Teksa i lexoni, ju mund ta shihni se Fryma e Shenjtë ka qenë duke ju folur më shumë se sa e kuptoni, duke ju dhënë dëshmi se Libri i Mormonit është me të vërtetë fjala e Perëndisë.

Mirënjohja dhe Gëzimi

Libri i Mormonit hapet me profetin Lehi duke parë një vegim të mrekullueshëm. Në këtë vegim atij iu dha një libër dhe ai u ftua të lexonte. “Ndërsa lexoi”, thotë anali, “ai u mbush me Shpirtin e Zotit.” Kjo përvojë e bëri Lehin të lavdëronte Perëndinë për “fuqi[në], dhe mirësi[në], dhe mëshir[ën]” e Tij dhe “shpirti i [Lehit] u gëzua dhe gjithë zemra e tij ishte mbushur” (1 Nefi 1:12, 14–15).

A keni pasur ndonjëherë një përvojë të ngjashme? A ua ka mbushur ndonjëherë leximi i Librit të Mormonit zemrën tuaj me mirënjohje për mirësinë dhe mëshirën e Perëndisë? A e kanë bërë ndonjëherë të gëzohet shpirtin tuaj fragmente nga Libri i Mormonit? Këto ndjenja janë ndikimi i Shpirtit duke ju dëshmuar se fjalët që po lexoni vijnë nga Perëndia dhe ju mësojnë të vërtetën e Tij.

Një Zemër e Ndryshuar

Pas një predikimi mbresëlënës rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit (shih Mosia 2–4), mbreti Beniamin donte të dinte nëse populli i tij “i besonte fjalët që ai u kishte folur atyre”. Ata u përgjigjën se vërtet e besonin mesazhin e tij. Përse? “Për shkak të Shpirtit të Zotit të Plotfuqishëm, i cili ka bërë një ndryshim të madh te ne, ose në zemrat tona, që ne nuk kemi më prirje të bëjmë keq, por të bëjmë mirë vazhdimisht” (Mosia 5:1–2).

Mbase ju keni vënë re diçka të ngjashme në zemrën tuaj kur keni lexuar Librin e Mormonit. Për shembull, ju mund të jeni ndier të frymëzuar që të jeni një njeri më i mirë, të largoheni nga mëkati ose të bëni diçka të mirë për dikë tjetër. Kjo është dëshmia shpirtërore që po kërkoni, se libri është frymëzuar nga Perëndia. Sepse, siç na mësoi Mormoni: “Çdo gjë që fton dhe nxit për të bërë mirë dhe për të dashur Perëndinë dhe për t’i shërbyer atij, është frymëzuar nga Perëndia” (Moroni 7:13; shih edhe 2 Nefi 33:4, 10; Alma 19:33; Ethëri 4:11–12).

Një Mendje e Ndriçuar

Kur Alma donte t’i ndihmonte zoramitët që të bënin “një provë mbi fjalët e [tij]” dhe ta dinin vetë nëse dëshmia e tij ishte e vërtetë, ai e krahasoi fjalën e Perëndisë me një farë: “Në qoftë se bëni vend që një farë të mund të mbillet në zemrën tuaj”, shpjegoi ai, “ajo do të fillojë të fryhet në kraharorin tuaj; dhe kur ju të ndieni këto lëvizje të fryrjes, ju do të filloni të thoni me veten tuaj – Kjo duhet të jetë një farë e mirë, ose që fjala është e mirë, pasi po fillon të zmadhojë shpirtin tim; po, po fillon të ndriçojë kuptimin tim, po, po fillon të jetë e këndshme për mua” (Alma 32:27–28).

Ju “bëni vend” në zemrën tuaj për fjalët e Librit të Mormonit kur i lejoni ato të ndikojnë në jetën tuaj dhe t’i udhërrëfejnë zgjedhjet tuaja. Dhe si do ta “zmadhoj[n]ë shpirtin [tuaj]” dhe do ta “ndriçoj[n]ë kuptimin [tuaj]” këto fjalë? Ju mund ta ndieni se po bëheni më të fortë shpirtërisht. Mund të ndiheni më të dashur dhe më të çiltër ndaj të tjerëve. Mund të vini re gjithashtu se i kuptoni gjërat më mirë, veçanërisht gjërat shpirtërore – pothuajse sikur një dritë po shkëlqen në mendjen tuaj. Dhe ju mund të bini dakord që doktrina që na mësohet në Librin e Mormonit është “e këndshme”. Ndjenja të tilla mund t’ju ndihmojnë të kuptoni se keni marrë vërtet një dëshmi shpirtërore të së vërtetës, siç shpalli Alma: “O, atëherë, a nuk është e vërtetë kjo? Unë ju them juve, Po, sepse është dritë; dhe çdo gjë që është dritë, është e mirë sepse është e dallueshme, prandaj ju duhet ta dini se është e mirë” (Alma 32:35).

Nuk Duhet të Pyetni Veten

Këto janë vetëm disa nga mënyrat sipas të cilave komunikon Shpirti. Ka shumë të tjera. Vazhdoni të kërkoni mundësi që ta dëgjoni zërin e Shpirtit dhe ju do të merrni dëshminë e Tij të vazhdueshme, pohuese për vërtetësinë e Librit të Mormonit.

Presidenti Rasëll M. Nelson ka premtuar: “Nuk keni përse ta pyesni veten se çfarë është e vërtetë. Nuk keni përse ta pyesni veten se kujt mund t’i mirëbesoni me siguri. Nëpërmjet zbulesës vetjake, ju mund të merrni vetë dëshminë tuaj se Libri i Mormonit është fjala e Perëndisë, se Jozef Smithi është një profet dhe se kjo është Kisha e Zotit. Pavarësisht nga ajo që mund të thonë ose bëjnë të tjerët, askush nuk mund ta largojë asnjëherë një dëshmi të lindur në zemrën dhe mendjen tuaj për atë që është e vërtetë” (“Zbulesë për Kishën, Zbulesë për Jetën Tonë”, Ensign ose Liahona, maj 2018, f. 95).