“21–27 Dhjetor. Krishtlindja: Ai ‘Do të Vijë në Këtë Botë për të Shëlbuar Popullin e Tij’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“21–27 Dhjetor. Krishtlindja”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
21–27 Dhjetor
Krishtlindja
Ai “Do të Vijë në Këtë Botë për të Shëlbuar Popullin e Tij”
Stina e Krishtlindjes është një kohë për të reflektuar mbi lindjen e Shpëtimtarit tonë, Jezu Krishtit, dhe për të shprehur mirënjohje për lindjen e Tij. Teksa lexoni dhe përsiatni këtë javë rreth lindjes dhe jetës së Tij, merrni parasysh mënyrën se si studimi nga ana juaj i Librit të Mormonit këtë vit e ka forcuar dëshminë tuaj se Ai është Shpëtimtari i botës. Shënojini mbresat që ju vijnë.
Shënojini Mbresat Tuaja
Nga Nefi te Moroni, çdo profet i Librit të Mormonit ishte i zotuar ndaj qëllimit të shenjtë, të përmbledhur në faqen e titullit të librit: “Për bindjen e [gjithë njerëzve] se Jezusi është Krishti”. Një profet e pa Atë si një shpirt para lindjes dhe një tjetër pa në vegim lindjen dhe shërbesën e Tij. Njëri qëndroi mbi mur për të shpallur shenjat e lindjes së Tij dhe të vdekjes së Tij, dhe një tjetër ra në gjunjë përpara trupit të Tij të ringjallur, duke prekur plagët në duart, këmbët dhe ijën e Tij. Ata të gjithë e dinin këtë të vërtetë thelbësore: “Nuk ka as udhë, as mënyrë tjetër, nëpërmjet së cilës njeriu mund të shpëtojë, vetëm nëpërmjet gjakut shlyes të Jezu Krishtit i cili … vjen për të shëlbuar botën” (Helamani 5:9).
Prandaj gjatë kësaj stine të Krishtlindjes, ndërkohë që besimtarët anembanë botës kremtojnë mirësinë dhe dashurinë e Perëndisë në dërgimin e Birit të Tij, përsiatni mënyrën se si Libri i Mormonit e ka forcuar besimin tuaj te Krishti. Teksa mendoni rreth lindjes së Tij, përsiatni arsyen përse erdhi Ai dhe mënyrën se si ardhja e Tij e ka ndryshuar jetën tuaj. Atëherë ju mund të provoni gëzimin e vërtetë të Krishtlindjes – dhuratën që Jezu Krishti ju jep.
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
1 Nefi 11:13–36; Mosia 3:5–10; Helamani 14:1–13; 3 Nefi 1:4–22
Jezu Krishti erdhi në tokë që të ishte Shpëtimtari im.
Gjatë kohës së Krishtlindjes, sipas traditës, lexohet historia e lindjes së Shpëtimtarit në Dhiatën e Re, por ju mund të gjeni profeci emocionuese të kësaj ngjarjeje të shenjtë edhe në Librin e Mormonit. Për shembull, profecitë e lindjes dhe shërbesës së Shpëtimtarit gjenden te 1 Nefi 11:13–36; Mosia 3:5–10; Helamani 14:1–13 dhe 3 Nefi 1:4–22. Çfarë mbresash për Jezu Krishtin ju vijnë teksa i lexoni këto fragmente dhe mendoni thellë për domethënien e mundshme të shenjave të lindjes së Tij? Si e forcojnë dëshmitë e këtyre profetëve në Amerikën e lashtë dëshminë tuaj për Krishtin dhe misionin e Tij?
Shih edhe Mateu 1:18–25; 2; Lluka 2.
2 Nefi 2:6; Alma 7:7–13; 11:40; Helamani 5:9; 14:16–17
Jezu Krishti është Shëlbuesi i gjithë njerëzimit.
Ne nuk do të kishim asnjë arsye ta kremtonim lindjen e Jezu Krishtit po të mos ishte për flijimin e Tij shlyes, nëpërmjet të cilit Ai na shpëton nga mëkati dhe vdekja, na ngushëllon në pikëllime dhe na ndihmon të “përsos[emi] në të” (Moroni 10:32). Çfarë keni mësuar nga Libri i Mormonit këtë vit rreth fuqisë së Shpëtimtarit për t’ju shëlbuar? A jua tërheq vëmendjen ndonjë histori ose mësim? Merrni parasysh se çfarë ju mësojnë shembujt vijues rreth misionit shëlbues të Shpëtimtarit: 2 Nefi 2:6; Alma 7:7–13; 11:40 dhe Helamani 5:9; 14:16–17. Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni për t’i treguar Atij mirënjohjen tuaj?
1 Nefi 6:4; 19:18; 2 Nefi 25:23, 26; 33:4, 10
Libri i Mormonit dëshmon për Jezu Krishtin.
Fraza “Një Dëshmi Tjetër e Jezu Krishtit” është më shumë se thjesht një nëntitull për Librin e Mormonit; është një thënie e qëllimit të tij hyjnor. Përsiatni atë që mësoni nga shkrimet e shenjta vijuese rreth misionit të Librit të Mormonit që të dëshmojë për Krishtin: 1 Nefi 6:4; 19:18 dhe 2 Nefi 25:23, 26; 33:4, 10.
Merreni parasysh të shënoni në ditar mënyrën se si studimi i Librit të Mormonit këtë vit ju ka sjellë më pranë Krishtit. Thëniet vijuese mund të ndihmojnë:
-
“Diçka e re që e mësova rreth Shpëtimtarit këtë vit ishte …”
-
“Leximi [i vargjeve rreth Shpëtimtarit] e ndryshoi mënyrën se si unë …”
-
“Njeriu im i parapëlqyer [ose historia ime e parapëlqyer] në Librin e Mormonit më mësoi që Shpëtimtari …”
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
1 Nefi 11:13–23; Mosia 3:5–10; Helamani 14:1–13; 3 Nefi 1:4–22
Fëmijët mund të kënaqen duke vizatuar figura të asaj që dëgjojnë, ndërsa ju lexoni historitë e lindjes dhe të shërbesës së Krishtit te 1 Nefi 11:13–23; Mosia 3:5–10; Helamani 14:1–13 dhe 3 Nefi 1:4–22. Më pas fëmijët tuaj mund t’i ritregojnë historitë duke përdorur figurat që kanë vizatuar.
“Ai Është Dhurata”
Për ta ndihmuar familjen tuaj të përqendrohet te dhurata që na dha Ati Qiellor duke dërguar Birin e Tij, ju mund të mbështillni një figurë të Jezu Krishtit si dhuratë Krishtlindjeje. Pjesëtarët e familjes mund të flasin rreth dhuratave të parapëlqyera të Krishtlindjes, të cilat i kanë marrë ose shpresojnë t’i marrin. Më pas ata mund ta hapin dhuratën me figurën e Krishtit dhe të diskutojnë se si Ai ka qenë një dhuratë e çmuar për ne. Diskutoni se si mund ta zbuloni, përqafoni dhe përhapni si familje dhuratën e Shpëtimtarit në këtë Krishtlindje.
Familja juaj mund të përfitojë gjithashtu nga të menduarit rreth një “dhurate” që do të donin t’ia jepnin Shpëtimtarit, të tillë si bërja e një përpjekjeje për të qenë më të mirë me të tjerët ose të punuarit për të kapërcyer një zakon të keq. Merreni parasysh t’i ftoni pjesëtarët e familjes që t’i shkruajnë idetë e tyre, t’i mbështjellin si dhuratë dhe t’i vendosin dhuratat e tyre përqark një figure të Shpëtimtarit.
Shpirti i Krishtlindjes
Mund të jetë argëtuese të planifikoni veprimtari që familja juaj mund t’i bëjë në ditët që çojnë drejt Krishtlindjes për të ndier Shpirtin e Krishtit, të tilla si t’i shërbejnë dikujt ose të këndojnë së bashku himne të Krishtlindjes.
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.