“30 Nëntor – 6 Dhjetor. Moroni 1–6: ‘Për t’i Mbajtur në Udhën e Drejtë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)
“30 Nëntor – 6 Dhjetor. Moroni 1–6”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020
30 Nëntor – 6 Dhjetor
Moroni 1–6
“Për t’i Mbajtur në Udhën e Drejtë”
Moroni shënoi atë që shpresonte se do të “vle[nte] një ditë në të ardhmen” (Moroni 1:4). Çfarë gjeni te Moroni 1–6 që vlen për ju? Mbajeni shënim atë që zbuloni dhe merrni parasysh t’ia tregoni dikujt që mund ta gjejë atë të vlefshme.
Shënojini Mbresat Tuaja
Pasi e mbaroi analin e atit të vet për nefitët dhe e përmblodhi analin e jareditëve, Moroni mendoi fillimisht që puna e tij për mbajtjen e analeve mbaroi (shih Moroni 1:1). Çfarë tjetër kishte për t’u thënë rreth dy kombeve që ishin shkatërruar tërësisht? Por Moroni kishte parë kohët tona (shih Mormoni 8:35) dhe u frymëzua të “shkrua[nte] edhe pak gjëra, që ndoshta mund t’u vle[nin] një ditë në të ardhmen” (Moroni 1:4). Ai e dinte se po vinte braktisja e përhapur gjerësisht, duke sjellë me vete pështjellim rreth ordinancave të priftërisë dhe fesë në përgjithësi. Kjo mund të jetë arsyeja përse ai dha hollësi sqaruese rreth sakramentit, pagëzimit, dhënies së dhuratës së Frymës së Shenjtë dhe bekimeve të mbledhjes së bashkëbesimtarëve për ta “mbajtur [njëri‑tjetrin] në udhën e drejtë, … duke u mbështetur vetëm në meritat e Krishtit që ishte autori dhe plotësuesi i besimit [tonë]” (Moroni 6:4). Ide të çmuara si këto na japin arsye të jemi mirënjohës që Zoti e ruajti jetën e Moronit, me qëllim që ai të mund të “shkrua[nte] edhe pak gjëra” (Moroni 1:4).
Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta
Dishepujt e Jezu Krishtit mbeten besnikë pavarësisht nga kundërshtimi.
Për disa njerëz është më e lehtë të jenë besnikë në kohë lehtësie dhe rehatie. Por si dishepuj të Jezu Krishtit, ne duhet të mbetemi besnikë edhe kur përballemi me sprova dhe kundërshtim. Ndërkohë që lexoni kapitullin te Moroni 1, çfarë ju frymëzon nga besnikëria e Moronit ndaj Zotit dhe thirrjes së tij? Si mund ta ndiqni shembullin e tij?
Ordinancat e priftërisë duhet të administrohen sikurse urdhëron Zoti.
Gjatë shërbesës së Tij në vdekshmëri Shpëtimtari mori dhe administroi ordinanca të shenjta, të tilla si pagëzimi (shih Mateu 3:13–17; Përkthimi prej Joseph Smith‑it, Gjoni 4:1–3 [tek Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta]), shugurimi në priftëri (shih Marku 3:13–19) dhe sakramenti (shih Mateu 26:26–28). Sidoqoftë, për shkak të Braktisjes së Madhe, shumë njerëz sot janë të pështjelluar rreth mënyrës se si ordinancat duhet të kryhen – dhe madje nëse ato nevojiten në fund të fundit. Te Moroni 2–6, Moroni siguroi hollësi të rëndësishme për disa prej ordinancave të priftërisë, të cilat mund të ndihmojnë për ta qartësuar një pjesë të atij pështjellimi. Çfarë mbresash ju vijnë teksa mësoni për ordinancat në këta kapituj? Sa vijon janë disa pyetje që mund t’i bëni për t’ju ndihmuar të mësoni:
-
Konfirmimi (Moroni 2; 6:4).Çfarë ju mësojnë udhëzimet e Shpëtimtarit te Moroni 2:2 për ordinancën e konfirmimit? Çfarë mendoni se do të thotë “u ndikuan dhe u pastruan nga fuqia e Frymës së Shenjtë”? (Moroni 6:4.)
-
Shugurimi në priftëri (Moroni 3).Çfarë gjeni në këtë kapitull që mund ta ndihmonte dikë për t’u përgatitur që të shugurohet në priftëri? Çfarë gjeni që do ta ndihmonte dikë për të kryer një shugurim?
-
Sakramenti (Moroni 4–5; 6:6).Vini re premtimet në lutjet e sakramentit (shih Moroni 4:3; 5:2) dhe përsiatni atë që po bëni për t’i mbajtur premtimet tuaja. Çfarë mund të bëni për ta ftuar ndikimin e Shpirtit më fuqishëm teksa merrni pjesë në sakrament?
-
Pagëzimi (Moroni 6:1–3).Çfarë mund të bëni që të vazhdoni t’i plotësoni kualifikimet për pagëzim, të dhëna në këto vargje, edhe pasi të pagëzoheni? Çfarë ju sugjerojnë këto vargje rreth asaj që do të thotë të jesh anëtar i Kishës së Jezu Krishtit?
Bazuar në atë që keni mësuar, si do t’i ndryshoni mënyrat se si mendoni për këto ordinanca, se si merrni pjesë në to ose i përgatitni të tjerët për to? Përse është e rëndësishme që këto ordinanca të “administo[hen] … sipas urdhërimeve të Krishtit”? (Moroni 4:1.)
Dishepujt e Jezu Krishtin kërkojnë mirëqenien e shpirtrave të njëri‑tjetrit.
Ndërkohë që është e vërtetë se ne të gjithë “puno[jmë] për shpëtimin t[onë]” (Mormoni 9:27), Moroni gjithashtu na mësoi se “mbl[edhja] së bashku shpesh” me bashkëbesimtarët mund të na ndihmojë të mbetemi “në udhën e drejtë” (Moroni 6:4–5). Ndërsa i lexoni vargjet te Moroni 6:4–9, përsiatni bekimet që vijnë nga të qenit të “numërua[r] mes njerëzve të kishës së Krishtit” (Moroni 6:4). Si mund të ndihmoni për t’i bërë më të ngjashme me atë që përshkruan Moroni, përvojat që ju dhe të tjerët i keni në kishë, qoftë nëse jeni një udhëheqës apo një pjesëmarrës?
Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare
Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.
Moroni 1; Moroni 6:3
Çfarë do të thotë të mos e “moho[sh] Krishtin”? (Moroni 1:2–3). Si mund ta tregojmë “vendosmëri[në tonë] për t’i shërbyer atij deri në fund”? (Moroni 6:3). Tregoni shembuj të njerëzve që i njihni, të cilët e kanë këtë vendosmëri për t’i shërbyer Atij.
Moroni 4:3; Moroni 5:2
Leximi i lutjeve të sakramentit si familje mund të çojë drejt një diskutimi rreth trajtimit të sakramentit me më shumë nderim. Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të diskutojnë për fraza nga këto lutje që janë veçanërisht domethënëse për ta. Ata mund të mbajnë shënim edhe mendimet e tyre rreth këtyre frazave ose të vizatojnë një figurë që i ndihmon të mendojnë rreth Shpëtimtarit. Ata mund të sjellin atë që e shkruan ose vizatuan në mbledhjen e sakramentit që t’i ndihmojë për t’i përqendruar mendimet e tyre tek Ai. Tregojini familjes suaj se si ndiheni rreth sakramentit dhe flijimit të Shpëtimtarit.
Moroni 6:1–4
Çfarë do të thotë të kesh një “zemër të thyer dhe shpirt të penduar”? (Moroni 6:2.) Si na ndihmon kjo që të përgatitemi për pagëzimin? Si mund të na ndihmojë pasi pagëzohemi?
Moroni 6:4–9
Sipas këtyre vargjeve, cilat janë disa nga bekimet që vijnë prej të qenit të “numërua[r] mes njerëzve të kishës së Krishtit”? (Moroni 6:4.) Përse kemi nevojë për Kishën?
Moroni 6:8
Çfarë na mëson ky varg rreth pendimit? Çfarë do të thotë të kërkojmë falje me “dëshirë të sinqertë”? (Moroni 6:8.) Merrni parasysh të këndoni një këngë rreth faljes, të tillë si “Help Me, Dear Father [Ndihmom’, At’ i Dashur]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 99).
Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.