Eja, Më Ndiq
7–13 Dhjetor. Moroni 7–9: “Krishti të Mund të të Ngrejë”


“7–13 Dhjetor. Moroni 7–9: ‘Krishti të Mund të të Ngrejë’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“7–13 Dhjetor. Moroni 7–9”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Moroni duke shkruar mbi fletë të arta

Minerva Teichert (1888–1976), Moroni: Nefiti i Fundit, 1949–1951, vaj në dru të presuar, 89 x 120 centimetra. Muzeu i Artit i Universitetit “Brigam Jang”, 1969

7–13 Dhjetor

Moroni 7–9

“Krishti të Mund të të Ngrejë”

Ndërsa studioni kapitujt te Mosia 7–9, dëgjojini nxitjet e Frymës së Shenjtë dhe mbajini shënim mesazhet e Tij për ju. Ai mund t’ju mësojë atë që keni nevojë të dini, si edhe atë që keni nevojë të bëni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Përpara se Moroni ta mbyllte analin që ne sot e njohim si Libri i Mormonit sipas vetë fjalëve të tij të fundit, ai tregoi tri mesazhe nga ati i tij, Mormoni: një fjalim drejtuar “pasues[ve] paqësorë të Krishtit” (Moroni 7:3) dhe dy letra që Mormoni ia kishte shkruar Moronit. Ndoshta Moroni i përfshiu këto mesazhe në Librin e Mormonit ngaqë ai parashikoi ngjashmëri midis rreziqeve të kohës së tij dhe të kohës sonë. Kur këto fjalë u shkruan, populli nefit në tërësi po rrëzohej me të shpejtë drejt braktisjes. Shumë prej tyre e kishin “humbur dashurinë e tyre për njëri‑tjetrin” dhe gëzoheshin për “çdo gjë, nëse nuk [ishte] e mirë” (Moroni 9:5, 19). Dhe prapëseprapë Moroni ende gjeti shkak për shpresë – duke na mësuar se shpresa nuk nënkupton shpërfilljen ose qenien naivë ndaj problemeve të botës; ajo nënkupton që kemi besim tek Ati Qiellor dhe Jezu Krishti, fuqia e të cilëve është më e madhe dhe më jetëgjatë se ato probleme. Ajo nënkupton “mbështet[jen] në çdo gjë të mirë” (Moroni 7:19). Nënkupton lejimin e Shlyerjes së Jezu Krishtit dhe “shpres[ën] e lavdisë së tij” dhe të jetës së përjetshme që të “qëndro[jnë] në mendjen tënde përherë” (Moroni 9:25). Dhe deri në ditën e lavdishme të Ardhjes së Dytë të Krishtit ajo nënkupton që kurrë të mos e ndalim “punë[n që kemi] për të bërë … që të mundim armikun e të gjithë drejtësisë” (Moroni 9:6).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Moroni 7:12–20

Drita e Krishtit më ndihmon të gjykoj midis së mirës dhe së ligës.

Bota e sotme është plot mesazhe ndikuese; si mund të dallojmë se cilat janë të drejta dhe cilat janë të gabuara? Fjalët e Mormonit te Moroni 7 na japin disa parime që mund t’i përdorim për të shmangur të “gjyk[uarit] gabim” (Moroni 7:18). Ndërsa i studioni vargjet te Moroni 7:12–20, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë të dini se çfarë do t’ju sjellë më pranë Perëndisë dhe çfarë nuk do t’ju sjellë më pranë. Ju mund t’i përdorni këto të vërteta për t’ju ndihmuar që të vlerësoni mesazhet që hasni dhe përvojat që keni këtë javë, dhe të përcaktoni nëse ju ftojnë dhe nxitin të bëni mirë ose jo (shih Moroni 7:13).

Shih edhe Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dritë, Dritë e Krishtit”.

Moroni 7:20–48

Nëpërmjet besimit në Krishtin, unë mund të “mbështete[m] në çdo gjë të mirë”.

Pas mësimdhënies rreth mënyrës se si të dallohet e mira nga e liga, Mormoni bëri një pyetje që duket domethënëse sot: “Si është e mundur … të mbështeteni në çdo gjë të mirë?” – veçanërisht kur tundimet e kundërshtarit janë kaq joshëse (Moroni 7:20). Përgjigjja e Mormonit mund të gjendet gjatë gjithë pjesës vijuese të kapitullit 7. Teksa lexoni vargjet 20–48, kërkoni të vërteta që mund t’ju ndihmojnë të dalloni “çdo gjë të mirë” që e keni për shkak të Jezu Krishtit. Si ju ndihmon pasja e besimit tek Ai për të kërkuar gjëra që janë të mira? Si mund të “mbështeteni” te më shumë gjëra të mira?

Shih edhe Nenet e Besimit 1:13.

Moroni 7:44–48

“Dashuria hyjnore është dashuria e pastër e Krishtit.”

Presidenti Dallin H. Ouks vërejti: “Arsyeja që dashuria hyjnore nuk dështon kurrë dhe arsyeja përse dashuria hyjnore është më e madhe edhe se veprat më të rëndësishme të mirësisë … është se dashuria hyjnore, ‘dashuria e pastër e Krishtit’ (Moroni 7:47), nuk është një veprim, por një gjendje ose mënyrë e të qenit. … Dashuria hyjnore është diçka që një njeri bëhet” (“The Challenge to Become”, Ensign, nëntor 2000, f. 34). Ndërsa i lexoni vargjet te Moroni 7:44–48, merreni parasysh përshkrimin e Mormonit për dashurinë hyjnore dhe dëgjoni për mbresa nga Fryma e Shenjtë; Ai mund t’ju ndihmojë të gjeni mënyra se si të përmirësoheni. Përse na nevojitet besim dhe shpresë që ta marrim dhuratën e dashurisë hyjnore?

Moroni 9:9

A mund të merren prej meje dashuria ime hyjnore dhe virtyti im?

Përshkrimi i Mormonit për mëkatet e tmerrshme të nefitëve i ka bërë disa që të arrijnë gabimisht në përfundimin se viktimat e keqtrajtimit ose abuzimit seksual e kanë dhunuar ligjin e dëlirësisë. Sidoqoftë, Plaku Riçard G. Skot e qartësoi se kjo nuk është e saktë. Ai dha mësim: “Solemnisht dëshmoj se kur veprimet e dhunës, shthurjes ose incestit nga dikush tjetër ju lëndojnë tmerrësisht, kundër vullnetit tuaj, ju nuk jeni përgjegjës dhe ju nuk duhet të ndiheni fajtorë” (“Healing the Tragic Scars of Abuse”, Ensign, maj 1992, f. 32).

Moroni 9:25–26

Unë mund të kem shpresë në Krishtin, pavarësisht nga rrethanat e mia.

Pas përshkrimit të ligësisë që kishte parë, Mormoni i tha birit të tij të mos hidhërohej. Çfarë ju bën përshtypje rreth mesazhit të Mormonit për shpresën? Çfarë do të thotë për ju që Krishti t’ju “ngrejë”? Çfarë cilësish të Krishtit dhe çfarë parimesh të ungjillit të Tij “qëndro[jnë] në mendjen tuaj” dhe ju japin shpresë? (Moroni 9:25).

Shih edhe Diter F. Uhtdorf, “Shpresa e Dritës së Perëndisë”, Ensign ose Liahona, maj 2013, f. 70, 75–77.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

Moroni 7:5–11

Sipas vargjeve te Moroni 7:5–11, përse është e rëndësishme të bëjmë gjërat e drejta për arsyet e drejta? Si mund ta dimë nëse po lutemi ose po iu bindemi urdhërimeve të Perëndisë me “dëshirë të sinqertë”? (Vargu 6).

Moroni 7:12–19

Si mund të na ndihmojë këshilla e Mormonit që të bëjmë zgjedhje të mira për mënyrën se si e kalojmë kohën tonë dhe me kë e kalojmë atë? Mund të ftoni pjesëtarë të familjes që të kërkojnë në shtëpinë tuaj dhe të “mbështeten” (Moroni 7:19) ose të mbahen te gjëra që i ftojnë “për të bërë mirë dhe për të dashur Perëndinë dhe për t’i shërbyer atij” (Moroni 7:13). Lavdërojini për gjërat e mira që gjejnë.

Moroni 7:29

Pas leximit të këtij vargu pjesëtarët e familjes mund të flasin për mrekulli që i kanë dëshmuar ose për mënyra të tjera se si e kanë parë dorën e Perëndisë në jetën e tyre.

Moroni 8:5–26

Çfarë keqkuptonin rreth Shlyerjes së Jezu Krishtit nefitët, të cilët po i pagëzonin fëmijët e vegjël? Çfarë mësojmë rreth Shlyerjes nga mësimet e Mormonit?

Moroni 8:16–17

Çfarë do të thotë të kesh “dashuri [të] përkryer”? Si na ndihmon ajo që ta mposhtim frikën? Si na ndihmon ajo që ta japim mësim të vërtetën me guxim? Si e zhvillojmë atë?

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Mësimdhënies Sonë

Përdorni muzikë për ta ftuar Shpirtin dhe për të dhënë mësim doktrinën. “Muzika ka fuqi të pafundme për nxitjen [tonë] drejt shpirtshmërisë … më të madh[e]” (“Hyrje nga Presidenca e Parë”, Himne, f. x). Një këngë rreth dashurisë, e tillë si “Doni Njëri‑Tjetrin” (Himne, nr. 203), mund ta zgjeronte një diskutim familjar rreth dashurisë hyjnore nga vargjet te Moroni 7:44–48.

Jezu Krishti

Portret i Krishtit, Shpëtimtarit, nga Heinrich Hofmann