Eja, Më Ndiq
14–20 Dhjetor. Moroni 10: “Ejani te Krishti dhe Përsosuni në Të”


“14–20 Dhjetor. Moroni 10: ‘Ejani te Krishti dhe Përsosuni në Të’”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: Libri i Mormonit 2020 (2020)

“14–20 Dhjetor. Moroni 10”, Eja, Më Ndiq – Për Individët dhe Familjet: 2020

Jezusi u shfaqet nefitëve

Që Ju të Mund të Dini, nga Gary L. Kapp

14–20 Dhjetor

Moroni 10

“Ejani te Krishti dhe Përsosuni në Të”

Kur e mbaroni leximin e librit të Mormonit, merreni parasysh të kërkoni një dëshmi të ripërtërirë nga Fryma e Shenjtë se libri është i vërtetë. Ndërsa e bëni këtë gjë, shënojini mbresat që merrni.

Shënojini Mbresat Tuaja

Libri i Mormonit fillon me premtimin e Nefit për të na treguar se “mëshirat e dhembshura të Zotit janë mbi të gjithë ata që ai ka zgjedhur, për shkak të besimit të tyre” (1 Nefi 1:20). Libri mbyllet me një mesazh të ngjashëm nga Moroni, ndërkohë që ai përgatitej për t’i “vulos[ur]” analet: ai na ftoi të “kujto[jmë] sa i mëshirshëm ka qenë Zoti” (Moroni 10:2–3). Edhe nëse mendojmë vetëm për mëshirat e shumta, të shënuara në Librin e Mormonit, kjo na jep shumë për të menduar. Çfarë shembujsh ju vijnë në mendje? Ju mund të përsiatni për mënyrën e mëshirshme se si Perëndia e çoi familjen e Lehit nëpër vendin e shkretë dhe përmes ujërave të mëdha, mëshirat e dhembshura që Ai i tregoi Enosit kur shpirti i tij kishte uri për falje, ose mëshirën që Ai tregoi ndaj Almës, një armiku të ashpër të Kishës, i cili u bë një nga mbrojtësit e patrembur të saj. Ose mendimet tuaja mund të kthehen te mëshira që Shpëtimtari i ringjallur u tregoi njerëzve kur Ai i shëroi të sëmurët e tyre dhe i bekoi fëmijët e tyre të vegjël. Ndoshta më e rëndësishmja, e gjitha kjo mund t’ju kujtojë se “sa i mëshirshëm ka qenë Zoti” ndaj jush, sepse një nga qëllimet kryesore të Librit të Mormonit është që ta ftojë secilin prej nesh të marrë mëshirën e Perëndisë – një ftesë e shprehur thjesht në fjalët e lamtumirës së Moronit: “Ejani te Krishti dhe përsosuni në të” (Moroni 10:32).

ikona e studimit vetjak

Ide për Studimin Vetjak të Shkrimeve të Shenjta

Moroni 10:3–7

Unë mund ta di të vërtetën nëpërmjet fuqisë së Frymës së Shenjtë.

Premtimi te Moroni 10:3–7 ka ndryshuar jetën e miliona njerëzve rreth e qark botës. Si e ka ndryshuar ai jetën tuaj? Qoftë nëse po përpiqeni ta fitoni ose ta forconi dëshminë tuaj për Librin e Mormonit, ftesa e Moronit gjen zbatim për ju. Ndërsa lexoni vargjet te Moroni 10:3–7, merrni parasysh të lexoni me më shumë kujdes nga sa keni lexuar në të shkuarën. Ju mund ta shqyrtoni secilën frazë, duke i bërë vetes pyetje si këto: Çfarë do të thotë kjo? Si mund ta bëj këtë më mirë? Çfarë përvojash kam pasur me këtë? Si ma ka shfaqur Fryma e Shenjtë të vërtetën e Librit të Mormonit?

Gjithashtu mendoni për dikë që ka nevojë të dëgjojë dëshminë tuaj për Librin e Mormonit. Si do ta ndihmoni atë person që të kërkojë dëshminë e vet?

Moroni 10:8–25

“Mos [i] mohoni dhuratat e Perëndisë.”

Ka shumë mënyra se si një njeri mund t’i “moho[jë] dhuratat e Perëndisë” (Moroni 10:8). Disa njerëz e mohojnë faktin që këto dhurata madje ekzistojnë. Të tjerë mund ta mohojnë se ata vetë kanë dhurata shpirtërore, por i dallojnë ato te njerëz të tjerë. Ende të tjerë i mohojnë dhuratat e tyre thjesht duke i lënë ato pas dore ose duke mos arritur t’i zhvillojnë ato.

Ndërsa i lexoni vargjet te Moroni 10:8–25, kërkoni të vërteta që do t’ju ndihmojnë të zbuloni dhuratat tuaja shpirtërore dhe t’i përdorni ato me fuqi më të madhe për të bekuar veten tuaj dhe njerëz të tjerë. Kërkoni ide për dhuratat që Perëndia ju ka dhënë ose dhuratat që Ai dëshiron që ju t’i kërkoni. Përse është e rëndësishme të “mbani mend se çdo dhuratë e mirë, vjen nga Krishti”? (Moroni 10:18.)

Merreni parasysh edhe këtë këshillë nga Plaku Xhon C. Pingri i Riu: “Si arrijmë t’i njohim dhuratat tona? Ne mund t’i drejtohemi bekimit tonë patriarkal, të pyetim ata që na njohin shumë mirë dhe të përcaktojmë vetë se për çfarë gjërash jemi të zotë në mënyrë të natyrshme dhe çfarë gjërash na gëzojnë. Më e rëndësishmja, ne mund të pyetim Perëndinë (shih Jakobit [Bibël] 1:5; DeB 112:10). Ai i njeh dhuratat tona, meqenëse na i ka dhënë ato” (“Unë Kam një Punë për Ty”, Ensign ose Liahona, nëntor 2017, f. 33).

Shih Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Dhurata të Shpirtit”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.

Moroni 10:30–33

Unë mund të përsosem nëpërmjet hirit të Jezu Krishtit.

Këshilla e Moronit që të “vini te Krishti” përfshin më shumë se sa të mësuarit për Të ose të menduarit për Të më shpesh, ose edhe përpjekjen më fort që t’i zbatojmë urdhërimet e Tij, pavarësisht nga sa të rëndësishme janë këto gjëra. Përkundrazi, kjo është një ftesë që të vini te Krishti në mënyrën më të plotë të mundur – që të bëheni siç është Ai. Ndërsa i lexoni vargjet te Moroni 10:30–33, vini re fraza që ju ndihmojnë të kuptoni se çfarë do të thotë të vini te Krishti tërësisht, siç janë frazat “të merrni çdo dhuratë të mirë”, t’i “mohoni vetes çdo ligësi” dhe, sigurisht, të “përsos[e]ni në të” (kursivët të shtuar).

Si është e mundur kjo? Kërkoni përgjigje te Moroni 10:30–33. Çfarë po ju thotë Shpirti se duhet të bëni, që të “[vini] te Krishti dhe [të] përsos[eni] në të” më plotësisht?

Shih Omni 1:26; Udhëzuesi për Shkrimet e Shenjta, “Përsosur (I)”, scriptures.ChurchofJesusChrist.org.

ikona e studimit familjar

Ide për Studimin Familjar të Shkrimeve të Shenjta dhe për Mbrëmjen Familjare

Ndërsa i lexoni shkrimet e shenjta me familjen tuaj, Shpirti mund t’ju ndihmojë të dini se cilat parime të theksoni e diskutoni me qëllim që të plotësoni nevojat e familjes suaj. Ja ku janë disa ide.

Moroni 10

Lexojeni së bashku këtë kapitull, duke kërkuar çdo rast që Moroni përdori fjalën këshillo[j]. Renditni ose shenjoni atë që Moroni po na këshillon – ose po na nxit fort – që të bëjmë. Çfarë mund të bëjmë për t’i ndjekur këshillat e tij?

Moroni 10:3

Çfarë kemi mësuar për mëshirën e Zotit teksa lexuam Librin e Mormonit këtë vit? Si ka qenë Zoti i mëshirshëm ndaj familjes sonë?

Moroni 10:3–5

Pas leximit të këtyre vargjeve, ju mund t’u kërkoni pjesëtarëve të familjes që të tregojnë se si kanë arritur ta dinë se Libri i Mormonit është i vërtetë. Merreni parasysh të këndoni një këngë për kërkimin e së vërtetës, të tillë si “Search, Ponder, and Pray [Kërko, Përsiat dhe Lutu]” (Children’s Songbook [Libri i Këngëve të Fëmijëve], f. 109). Gjithashtu ju mund t’i ftoni pjesëtarët e familjes t’i shënojnë dëshmitë e tyre në një ditar familjar.

Moroni 10:8–18

Krishtlindja është një kohë e natyrshme që të mendojmë për marrjen e dhuratave. Ndoshta pjesëtarët e familjes mund të mbështjellin dhurata për njëri‑tjetrin, të cilat përfaqësojnë “dhuratat e Perëndisë” të përmendura te Moroni 10:9–16. Këto dhurata mund të përfaqësojnë gjithashtu dhurata të tjera të mira që vijnë nga Krishti, të cilat ata i shohin te njëri‑tjetri.

Moroni 10:27–29, 34

Pjesëtarët e familjes mund të tregojnë se çfarë do të donin t’i thoshin Moronit kur ta “tak[ojnë] para shufrës së këndshme të Jehovait të madh”.

Për më shumë ide për mësimdhënien ndaj fëmijëve, shihni përvijimin e kësaj jave tek Eja, Më Ndiq – Për Filloren.

Përmirësimi i Studimit Vetjak

Kërkojeni Jezu Krishtin. Qëllimi i Librit të Mormonit – dhe i gjithë shkrimit të shenjtë – është të dëshmojë për Jezu Krishtin. Çfarë mësoni rreth Jezu Krishtit te Moroni 10? Çfarë ndiheni të frymëzuar të bëni që të vini tek Ai?

Moroni duke varrosur fletët e arta

Moroni duke Varrosur Fletët, nga Jon McNaughton